U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Ekuador
U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Ekuador
NJË VËLLA i ri në Itali ndihej nën presion. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera e tani të afërmit dhe mësuesit po e nxitnin të ndiqte shkollën e lartë. Megjithatë, disa vjet më parë Brunoja ia kishte kushtuar jetën Jehovait duke i premtuar se do të vinte në vend të parë në jetë vullnetin e Tij. Ç’vendim mori? Ai shpjegon: «I thashë Jehovait në lutje se do të jetoja sipas kushtimit tim duke vënë në radhë të parë Atë. Gjithsesi, në lutjen time shtova me ndershmëri se nuk doja një jetë të mërzitshme, por të mbushur me larmi aktivitetesh në shërbim të tij.»
Disa vjet më pas, Brunoja ishte në Ekuador, në Amerikën e Jugut. Ai shton: «Jehovai iu përgjigj lutjes sime përtej asaj që pritja.» Për habinë e tij, kur mbërriti në Ekuador, takoi shumë të rinj që kishin shkuar atje për të zgjeruar shërbimin ndaj Jehovait.
TË RINJ QË ‘VËNË NË PROVË JEHOVAIN’
Brunoja, ashtu si mijëra të rinj përreth botës, pranoi ftesën e Jehovait: «Më vini në provë për këtë, . . . po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim.» (Mal. 3:10) Të nxitur nga dashuria për Perëndinë, këta të rinj kanë vendosur ta ‘vënë në provë Jehovain’ duke ofruar vullnetarisht kohën, energjitë dhe çdo gjë që kanë, për të mbështetur interesat e tij në një vend ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.
Pak pasi mbërrijnë në caktimet e reja, këta punëtorë të gatshëm shohin me sytë e tyre se «të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak». (Mat. 9:37) Për shembull, Jaklina nga Gjermania i shkroi me entuziazëm degës së Ekuadorit: «Kam pak më shumë se dy vjet që shërbej në Ekuador dhe drejtoj tashmë 13 studime biblike, 4 prej të cilëve ndjekin rregullisht mbledhjet. A nuk është fantastike?!» Shantela nga Kanadaja tregon: «Në vitin 2008, u transferova në një zonë bregdetare të Ekuadorit ku kishte vetëm një kongregacion. Tani atje ka tri kongregacione dhe më tepër se 30 pionierë. S’ka gjë më të bukur se të shohësh kaq shumë të rinj të bëjnë përparim!» Ajo shton: «Së fundmi jam transferuar në një qytet që është 2.743 metra mbi nivelin e detit, lart në Ande. Qyteti ka mbi 75.000 banorë, por vetëm një kongregacion. Është një territor shumë i frytshëm. Kënaqem jashtë mase në shërbim.»
KA EDHE SFIDA
Natyrisht, shërbimi në një vend të huaj ka goxha sfida. Në fakt, disa të rinj kanë hasur pengesa ende pa u transferuar. Kejla nga Shtetet e Bashkuara vëren: «Disa vëllezër në kongregacionin tim, ndonëse pa të keq, reagonin negativisht e më shkurajonin. Ata nuk e kuptonin përse doja të shkoja të shërbeja si pioniere në një vend të huaj. Disa herë pyesja veten: ‘A po marr vendimin e duhur?’» Sidoqoftë, Kejla vendosi të shkonte. Ajo shpjegon: «Iu luta shumë Jehovait dhe bëra biseda të gjata me vëllezër e motra të pjekura. Këto më ndihmuan të kuptoja se Jehovai bekon frymën e gatishmërisë.»
Për shumë veta, pengesë është edhe mësimi i një gjuhe të re. Shebona nga Irlanda kujton: «Për mua ishte e vështirë të mos arrija të shprehesha. M’u desh të mësoja të isha e durueshme, të studioja me zell gjuhën dhe të qeshja me gabimet e mia.» Ana nga Estonia shton: «Të mësohesha me të nxehtin tropikal, pluhurin e madh dhe pa dush me ujë të ngrohtë, ishte hiçgjë në krahasim me mësimin e spanjishtes. Kishte raste që më vinte të hiqja dorë fare. M’u desh të mësoja të përqendrohesha te përparimi im, jo te gabimet që bëja.»
Nuk mund të anashkalohet as sfida e mallit për shtëpinë. Xhonatani nga Shtetet e Bashkuara pranon: «Pak kohë pas mbërritjes, u shkurajova ngaqë isha larg familjes dhe miqve. Por i kapërceva këto ndjenja duke u përqendruar te studimi personal i Biblës dhe te shërbimi. S’kaloi shumë e përvojat emocionuese në shërbim dhe miqtë e rinj që zura në kongregacion, më ndihmuan të rifitoja gëzimin.»
Një sfidë tjetër janë kushtet e jetesës. Ka shumë të ngjarë që nuk do të jenë si ato me të cilat je mësuar. Bouja nga Kanadaja thotë: «Në vendin tënd i merr si të mirëqena shërbime bazë,
si energjia elektrike dhe uji i rrjedhshëm. Por këtu, ato vijnë e ikin sipas qejfit.» Përveç kësaj, varfëria, mjetet e parehatshme të transportit dhe analfabetizmi janë të zakonshme në shumë vende në zhvillim. Inesi nga Austria i përballon këto kushte duke u përqendruar te cilësitë e mira të vendësve. Ajo thotë: «Janë kaq mikpritës, të sjellshëm, të gjindshëm dhe të përulur. E mbi të gjitha kanë interes të pamasë që të mësojnë për Perëndinë.»«NJË BEKIM TË TILLË, SA TË MOS KENI MË NEVOJË»
Edhe pse këta të rinj që shërbejnë në Ekuador kanë bërë sakrifica, ata mendojnë se Jehovai u jep «shumë më tepër nga sa» kishin pritur. (Efes. 3:20) Në të vërtetë, e ndiejnë se kanë marrë ‘një bekim të tillë, sa nuk kanë më nevojë’. (Mal. 3:10) Ja si ndihen ata për shërbimin e tyre:
Brunoja: «E nisa shërbimin tim në Ekuador në një zonë interesante të Amazonës. Më vonë ndihmova në zgjerimin e zyrës së degës në Ekuador. Tani shërbej në Bethel. Kur isha në Itali, zgjodha të vija në vend të parë Jehovain dhe ai po ma plotëson vërtet dëshirën për një jetë emocionuese e të larmishme në shërbim të tij.»
Bouja: «Jam lidhur kaq shumë me Jehovain, sepse në Ekuador mund t’ua kushtoj gjithë kohën aktiviteteve frymore. Në të njëjtën kohë, kam edhe një bekim tjetër, mund të udhëtoj në vende magjepsëse—diçka që gjithnjë kam dashur ta bëj.»
Ana: «Nuk mendoja se do të ishte e mundur që unë, një motër beqare, të jetoja si misionare. Por tani e di se kjo është e mundur. Falë bekimit të Jehovait, jam shumë e lumtur që bëj dishepuj, që marr pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe që zë miq të rinj.»
Elka: «Në vendin tim, në Austri, i lutesha shpesh Jehovait që të kisha të paktën një studim biblik. Këtu kam 15 studime! Kur shoh fytyrat e lumtura të studentëve që po përparojnë, jam tepër e kënaqur.»
Joeli: «Është një përvojë fantastike të shkosh në një vend të huaj për t’i shërbyer Jehovait. Mëson të mbështetesh shumë më tepër tek ai dhe është emocionuese të shohësh si t’i bekon përpjekjet. Vitin e parë që erdha këtu nga Shtetet e Bashkuara, grupi ku po shërbej u rrit nga 6 në 21 lajmëtarë. Në Përkujtim patëm 110 të pranishëm.»
PO TI?
Po ty vëlla dhe motër e re, a të lejojnë rrethanat të shërbesh në një vend ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, qoftë brenda shtetit, qoftë jashtë shtetit? Sigurisht, që të marrësh një vendim kaq të rëndësishëm do të të duhet planifikim i kujdesshëm. Mbi të gjitha, për të bërë këtë hap të duhet një dashuri e fortë për Jehovain dhe për të afërmin. Nëse e ke këtë dashuri dhe kualifikime të tjera, lutju me ngulm Jehovait për dëshirën që ke për të shërbyer jashtë shtetit. Pastaj fol me prindërit dhe me pleqtë e kongregacionit për këtë dëshirë. Mbase arrin në përfundimin se edhe ti mund të shërbesh në këtë formë emocionuese dhe të kënaqshme të shërbimit të shenjtë.
[Diçitura në faqen 3]
«Iu luta shumë Jehovait dhe bëra biseda të gjata me vëllezër e motra të pjekura. Këto më ndihmuan të kuptoja se Jehovai bekon frymën e gatishmërisë.»—Kejla nga Shtetet e Bashkuara
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Si të përgatitesh për shërbimin në një vend të huaj:
• Bëje shprehi studimin e rregullt personal
• Rishiko Shërbimi ynë i Mbretërisë gusht 2011, faqet 4-6
• Fol me të tjerë që kanë shërbyer në një vend të huaj
• Mëso më shumë për kulturën dhe historinë e atij vendi
• Bëj një kurs bazë të gjuhës
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Disa që shërbejnë jashtë shtetit, e mbajnë veten financiarisht . . .
• duke punuar disa muaj çdo vit në vendin e tyre
• duke dhënë me qira shtëpinë ose biznesin e tyre
• duke punuar me anë të Internetit
[Figurat në faqet 4, 5]
1 Jaklina nga Gjermania
2 Brunoja nga Italia
3 Bouja nga Kanadaja
4 Shebona nga Irlanda
5 Joeli nga SHBA
6 Xhonatani nga SHBA
7 Ana nga Estonia
8 Elka nga Austria
9 Shantela nga Kanadaja
10 Inesi nga Austria