Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

A ishin flokët burimi i forcës së Samsonit?

Burimi i forcës së Samsonit nuk ishin flokët në vetvete. Flokët simbolizonin marrëdhënien e tij të veçantë si nazire me Perëndinë. Kjo marrëdhënie u ndikua kur Delila ia preu flokët me brisk.​—15/4, faqja 9.

Ashtu si në zemrën fizike, cilat janë tri gjëra që mund të ndikojnë për mirë në zemrën tonë të figurshme?

(1) Ushqimi. Ashtu si zemra fizike ka nevojë për ushqim të shëndetshëm, po kështu kemi nevojë për sasi të mjaftueshme me ushqim frymor të shëndetshëm. (2) Ushtrimet. Pjesëmarrja e zellshme në shërbim mund ta mbajë zemrën tonë të figurshme në gjendje të mirë. (3) Mjedisi. Mund ta pakësojmë stresin duke u shoqëruar me bashkëbesimtarët, të cilët merakosen për ne.​—15/4, faqja 16.

Si mund të rindërtojnë bashkëshortët besimin te njëri-tjetri pasi njëri ka kryer tradhti?

Ata duhet (1) të jenë të ndershëm me njëri-tjetrin; (2) të punojnë si skuadër; (3) të zëvendësojnë zakonet e vjetra me të reja dhe (4) të kuptojnë se kur është koha për të mos mbajtur më mëri, duke u përpjekur ta shërojnë të çarën mes tyre.​—1/5, faqet 12-15.

Pse në fjalimin e një funerali nuk duhet aplikuar për të ndjerin Psalmi 116:15?

Vargu thotë: «Në sytë e Jehovait është e shtrenjtë vdekja e besnikëve të tij.» Kjo do të thotë se Perëndia e konsideron aq të çmuar vdekjen e të gjithë besnikëve të tij, sa nuk mund ta lejojë të ndodhë. Ai nuk do të lejojë që shërbëtorët e tij si grup të shfarosen nga toka.​—15/5, faqja 22.

Cilët ishin përhapësit?

Para vitit 1931, termi «përhapës» përdorej për ata që tani quhen pionierë.​—15/5, faqja 31.

Cilët janë disa faktorë që tregojnë se Bibla nuk është thjesht një libër i shkruar nga njerëzit?

Bibla përmban shumë profeci që janë përmbushur. Në të është dokumentuar histori e saktë, e jo mite. Ajo është në përputhje me shkencën e saktë dhe librat e saj janë në harmoni me njëri-tjetrin. Bibla është praktike për ditët e sotme.​—1/6, faqet 4-8.

Cilëve u referohet shprehja «të gjitha këtyre mbretërive» te Danieli 2:44?

Kjo profeci u referohet mbretërive ose qeverive të paraqitura me anë të pjesëve të ndryshme të shëmbëlltyrës prej metali që shpjegoi Danieli.​—15/6, faqja 17.

Kur u bë fuqia botërore anglo-amerikane fuqia e shtatë botërore e profecisë biblike?

Kjo fuqi e ndërthurur botërore erdhi në ekzistencë kur Britania dhe Shtetet e Bashkuara bashkëvepruan në mënyrë domethënëse gjatë Luftës I Botërore.​—15/6, faqja 19.

Në ç’kuptim Perëndia i fal dhe i harron mëkatet e atyre që pendohen?

Jehovai thotë për ata që kanë miratimin e tij: «Nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Ai mund t’i falë mëkatet në bazë të shpërblesës. Kur i harron mëkatet, Perëndia e bën këtë në kuptimin që nuk do t’i kujtojë ato për t’i ndëshkuar mëkatarët.​—1/7, faqja 18.

Pse mund t’u besojmë mrekullive të dokumentuara në Bibël?

Shpesh ato u kryen në vende publike e jo fshehtas. Mrekullitë karakterizoheshin nga thjeshtësia dhe nuk kishte mjete skenike. Ato u kryen që t’i sillnin lavdi Perëndisë e jo njerëzve. U kryen një larmi mrekullish dhe kundërshtarët e asaj kohe s’e vunë në dyshim që ato ndodhën. Këto janë për ne arsye që të kemi besim te mrekullitë e dokumentuara në Bibël.​—1/8, faqet 7-8.