Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga arkivat tanë

Një udhëtim me pelegrinët

Një udhëtim me pelegrinët

«UNË nuk shkoj dot shtëpi më shtëpi!» Sa shumë studentë të rinj të Biblës janë ndier kështu për predikimin te të panjohurit! Por kështu u shpreh edhe një nga oratorët publikë dhe mësuesit e Biblës që quheshin pelegrinë.

Shumë lexues të Kullës së Rojës të Sionit që braktisën kishat e tyre, dëshironin me zjarr shoqërinë e atyre që kishin të njëjtën etje si ta për të vërtetën biblike. Revista u bënte thirrje lexuesve që të kërkonin persona të tjerë me besim të tillë të çmuar dhe të mblidheshin rregullisht për të studiuar Biblën. Rreth vitit 1894, Shoqata Watch Tower filloi të dërgonte përfaqësues udhëtues që të vizitonin grupet që e kërkonin një gjë të tillë. Këta burra të palodhur e me përvojë, që më vonë u quajtën pelegrinë, zgjidheshin ngaqë ishin të butë, kishin njohuri për Biblën e aftësi të shkëlqyera në oratori e në mësimdhënie dhe tregonin besnikëri ndaj shpërblesës. Një vizitë e zakonshme zgjaste vetëm një ose dy ditë, por ato ishin ditë të ngarkuara. Mjaft Studentë të Biblës e provuan për herë të parë shërbimin në fushë duke shpërndarë ftesa për fjalimin publik të ndonjë pelegrini. Pas fjalimit të tij një mbrëmje në një shkollë, Hugo Rimëri, që më vonë u bë anëtar i Trupit Udhëheqës, iu përgjigj pyetjeve biblike deri pas mesnate. I lodhur, por i lumtur, ai tha se mbledhja kishte qenë «e bukur».

Kulla e Rojës thoshte se «qëllimi kryesor» i pelegrinëve ishte të ndërtonin «shtëpinë e besimit» me anë të mbledhjeve në shtëpitë e besimtarëve. Studentët e Biblës nga zonat përreth vinin për fjalimet dhe për sesionet kur mund t’u bënin pyetje pelegrinëve. Pastaj vinte momenti i mikpritjes së krishterë. Kur ishte vajzë, Mod Aboti ndoqi një fjalim një mëngjes dhe më pas të gjithë u mblodhën rreth një tryeze të gjatë në oborr. «Kishte kaq shumë ushqime të mrekullueshme​—proshutë fshati, pula të skuqura, lloj-lloj bukësh dhe ëmbëlsira! Të gjithë hëngrëm sa kishim fuqi dhe rreth orës dy u mblodhëm për një fjalim tjetër.» Por, ajo pranon: «Tashmë të gjithë ishim të përgjumur.» Benxhamin Bartoni, që shërbeu si pelegrin për një kohë të gjatë, vërejti: «Po të kisha ngrënë tërë ato gjëra të rënda që më ofronin, do ta kisha lënë me kohë veprën e pelegrinit.» Në fund, nga selia në Bruklin u dërgua një letër që i këshillonte motrat qëllimmira se do të ishte më mirë për të gjithë që t’u siguronin pelegrinëve «ushqimin e thjeshtë të çdo dite» dhe «gjumë të pashqetësuar».

Pelegrinët shkëlqenin në mësimdhënie dhe në përdorimin e hartave, modeleve ose të çfarëdo gjëje që kishin, për t’i bërë të gjalla temat që trajtonin. Fjalimet e R. H. Barberit «ishin gjithnjë me kripë». U. Xh. Thorni, me natyrë atërore, fliste «si një patriark i lashtësisë». Një ditë, ndërsa udhëtonte në një makinë Ford modeli A, Shilld Tutxhani thirri papritur: «Ndalo!» Ai kërceu nga makina, këputi disa lule të egra dhe u improvizoi shokëve një mësim për krijimin e Jehovait.

Vepra e pelegrinëve kishte shumë sfida, sidomos për ata të moshës së mesme ose më të moshuar. Por, për disa, sprova më e madhe erdhi kur ndryshoi qëllimi kryesor i kësaj vepre. Prej tyre tani pritej të merrnin drejtimin në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi. Kulla e Rojës e 15 marsit 1924 thoshte se «një nga detyrat kryesore» të të krishterëve të vërtetë «është të japin dëshmi për mbretërinë. Pelegrinët dërgohen për këtë qëllim».

Me sa duket, disa pelegrinë mbetën keq nga ky ndryshim, sepse e lanë veprën udhëtuese, madje disa të pakënaqur formuan grupet e veta fetare. Robi D. Adkënsi tregonte se një pelegrin që ishte orator i shkëlqyer, u ankua me hidhërim: «Di vetëm të predikoj nga podiumi. Unë nuk shkoj dot shtëpi më shtëpi!» Vëlla Adkënsi kujtonte: «E pashë atë më pas në një kongres më 1924, në Kolumbus të Ohajos. Ishte njeriu me pamjen më të mjerë, duke qëndruar i vetëm nën hijen e një peme të vogël, një qyqar mes mijëra vëllezërve të gëzuar. S’e pashë më kurrë. Shumë shpejt e la organizatën.» Nga ana tjetër, «mjaft vëllezër të lumtur kalonin pranë duke çuar libra në makinat e tyre», natyrisht të etur që të dëshmonin shtëpi më shtëpi.​—Vep. 20:20, 21.

Shumë pelegrinë, megjithëse ishin po aq në ankth sa vëllezërit që do të stërvitnin, iu kushtuan me gjithë zemër veprës. Maksuell G. Frendi (Fresheli), një pelegrin gjermanishtfolës, shkroi për dëshminë shtëpi më shtëpi: «Kjo pjesë e veprës së pelegrinit ia shton bekimet udhëtimit.» Pelegrini Xhon A. Bonet raportoi se vëllezërit në përgjithësi ishin dakord me gjithë zemër për theksin që iu vu predikimit për Mbretërinë. Sipas tij, shumica «digjej nga zelli për të qenë në radhët e para të betejës».

Gjatë viteve, vëllezërit udhëtues besnikë kanë ndikuar fuqimisht. «E vëreja se vlera dhe dobia e pelegrinëve ishte e padiskutueshme, edhe pse isha një djalosh në atë kohë,—tha Norman Larsoni, një Dëshmitar i vjetër.—Ata bënë shumë që të më modelonin në udhën e drejtë.» Edhe sot e kësaj dite, këta mbikëqyrës udhëtues vetëmohues dhe besnikë po i ndihmojnë bashkëbesimtarët të thonë: «Ne mund të shkojmë shtëpi më shtëpi!»

[Diçitura në faqen 32]

Ishte një ditë e lumtur kur vinte pelegrini

[Figura në faqen 31]

Gjatë itinerarit të tij më 1905, Benxhamin Bartoni bëri rreth 170 vizita

[Figura në faqen 32]

Wollter Xh. Thorni ishte një pelegrin që e thirrnin përzemërsisht «Babi» për shkak të natyrës së tij atërore

[Figura në faqen 32]

Xh. A. Brauni u dërgua në Xhamajkë si pelegrin rreth vitit 1902 që të forconte dhe të inkurajonte 14 grupet e vogla

[Figura në faqen 32]

Vepra e pelegrinëve ndërtonte besimin, forconte unitetin e krishterë dhe i afronte vëllezërit me organizatën