Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Silluni si qytetarë të Mbretërisë!

Silluni si qytetarë të Mbretërisë!

Silluni si qytetarë të Mbretërisë!

«Silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë.»​—FILIP. 1:27.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Cilët mund të jenë qytetarë të Mbretërisë?

Çfarë duhet të bëjmë në lidhje me gjuhën, historinë dhe ligjet e Mbretërisë?

Si e tregojnë qytetarët e Mbretërisë se i duan normat e Perëndisë?

1, 2. Pse këshilla që dha Pavli kishte domethënie të veçantë për kongregacionin e Filipisë?

APOSTULLI Pavël e nxiti kongregacionin e Filipisë: «Silluni në mënyrë të denjë për lajmin e mirë.» (Lexo Filipianëve 1:27.) Shprehja greke që përdori Pavli për fjalën «silluni» mund të përkthehet edhe «silluni si qytetarë». Këto fjalë kishin domethënie të veçantë për kongregacionin në Filipi. Pse? Sepse duket se Filipia ishte zgjedhur si një ndër qytetet, ku banorëve u ishte dhënë qytetaria romake. Qytetarët romakë në Filipi dhe në mbarë Perandorinë Romake krenoheshin me këtë status dhe ligji romak u siguronte mbrojtje të veçantë.

2 Pjesëtarët e kongregacionit të Filipisë kishin arsye edhe më të madhe për t’u krenuar. Pavli u kujtoi se, si të krishterë të mirosur, qytetaria e tyre gjendej «në qiej». (Filip. 3:20) Ata nuk ishin qytetarë të një perandorie të zakonshme, por të Mbretërisë së Perëndisë. Si të tillë, gëzonin mbrojtje dhe privilegje të pashoqe.​—Efes. 2:19-22.

3. (a) Cilët kanë mundësi të jenë qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Këshilla e Pavlit, «silluni si qytetarë», zbatohet kryesisht për ata që do të sundojnë me Krishtin në qiell. (Filip. 3:20) Por, parimisht, mund të zbatohet edhe për ata që do të jenë nënshtetas tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë. Pse e themi këtë? Sepse të gjithë të krishterët e kushtuar i shërbejnë të njëjtit Mbret, Jehovait, dhe duhet të jetojnë në lartësinë e të njëjtave norma. (Efes. 4:4-6) Sot, njerëzit përpiqen shumë të kualifikohen për t’u bërë qytetarë të një shteti të pasur. Sa më shumë duhet ta vlerësojmë ne mundësinë për t’u bërë qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë! Për ta çmuar edhe më shumë këtë privilegj, le të shohim disa ngjashmëri mes kërkesave që duhen plotësuar për t’u bërë qytetarë të një shteti dhe qytetarë të Mbretërisë. Më pas, do të shqyrtojmë tri fusha se si të vazhdojmë të kemi privilegjin për të qenë qytetarë të Mbretërisë.

KËRKESAT E QYTETARISË

4. Çfarë është gjuha e kulluar dhe si «ta flasim»?

4 Gjuha. Disa shtete kërkojnë që para se të dorëzojë aplikimin për të fituar qytetarinë, individi duhet të dijë gjuhën e vendit. Edhe pasi merr qytetarinë, mund të nevojiten vite të tëra derisa ta zotërojë mirë gjuhën e re. Ai mund të mësojë shpejt rregullat e gramatikës, por do t’i duhet kohë të mësojë shqiptimin e saktë të fjalëve. Po njësoj, Mbretëria e Perëndisë kërkon që qytetarët e saj të mësojnë atë që Bibla e quan ‘gjuha e kulluar’. (Lexo Sofoninë 3:9.) Ç’është kjo gjuhë? Është e vërteta për Perëndinë dhe për qëllimet e tij që gjejmë në Bibël. Ne «flasim» gjuhën e kulluar kur sillemi në përputhje me ligjet dhe parimet e Perëndisë. Qytetarët e Mbretërisë së Perëndisë mund t’i mësojnë shpejt mësimet bazë të Biblës e të pagëzohen. Megjithatë, edhe pas pagëzimit ata duhet të përpiqen «ta flasin» gjuhën e kulluar gjithnjë e më mirë. Në ç’mënyrë? Secili nga ne duhet të mbushë hendekun mes asaj që di për parimet e Biblës dhe asaj që bën.

5. Pse duhet të mësojmë sa të mundemi për historinë e organizatës së Jehovait?

5 Historia. Shpesh, atij që dëshiron të bëhet qytetar i një shteti të huaj, i duhet të mësojë diçka rreth historisë së atij vendi. Ngjashëm, edhe ata që dëshirojnë të jenë qytetarë të Mbretërisë bëjnë mirë të mësojnë gjithë sa munden për Mbretërinë e Perëndisë. Të marrim shembullin e bijve të Korahut që shërbyen në kohën e Izraelit të lashtë. Atyre u pëlqente shumë Jerusalemi dhe vendi i adhurimit që gjendej atje, si dhe të tregonin historinë e qytetit. Nuk u bënte përshtypje thjesht bukuria e ndërtesave, por ajo që përfaqësonin qyteti dhe vendi i adhurimit. Jerusalemi ishte «qyteti i Mbretit të Madh», Jehovait, sepse ishte qendra e adhurimit të pastër. Atje mësohej Ligji i Jehovait dhe atje ai i tregonte dashamirësi popullit që i nënshtrohej mbretit të zgjedhur prej tij në Jerusalem. (Lexo Psalmin 48:1, 2, 9, 12, 13.) Njësoj si ata, a ke dëshirë të studiosh e të tregosh historinë e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait? Sa më shumë të mësosh për organizatën e Perëndisë dhe mënyrën si e mbështet Jehovai popullin e tij, aq më reale do të jetë për ty Mbretëria e Perëndisë. Dëshira për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë do të të rritet vetvetiu.​—Jer. 9:24; Luka 4:43.

6. Pse është e arsyeshme që Jehovai të na kërkojë të mësojmë e t’u bindemi ligjeve e parimeve të Mbretërisë?

6 Ligjet. Çdo shtet kërkon që nënshtetasit e tij të mësojnë e t’u binden ligjeve të vendit. Pra, është më se e arsyeshme që Jehovai të presë nga ne të mësojmë dhe t’u bindemi ligjeve e parimeve që drejtojnë të gjithë qytetarët e Mbretërisë. (Isa. 2:3; Gjoni 15:10; 1 Gjon. 5:3) Ligjet e nxjerra nga njeriu shpesh janë me të meta e mund të jenë edhe të padrejta. Kurse «ligji i Jehovait është i përsosur». (Psal. 19:7) A gjejmë ëndje në ligjin e Perëndisë dhe a e lexojmë Fjalën e tij çdo ditë? (Psal. 1:1, 2) Mënyra e vetme për të mësuar ligjin e Perëndisë është duke e studiuar vetë. Askush tjetër s’mund ta bëjë këtë në vendin tonë.

QYTETARËT E MBRETËRISË I DUAN NORMAT E PERËNDISË

7. Cilin standard më të lartë ndjekin qytetarët e Mbretërisë?

7 Që të mbetemi qytetarë të Mbretërisë, jo vetëm duhet t’i njohim normat e Perëndisë, por edhe t’i duam. Shumë njerëz pohojnë se i pranojnë ligjet dhe normat e shtetit ku jetojnë. Megjithatë, kur një kërkesë nuk u leverdis dhe mendojnë se s’po i shikon njeri, e thyejnë ligjin. Shpesh, këta thjesht ‘duan t’u pëlqejnë njerëzve’. (Kolos. 3:22) Si qytetarë të Mbretërisë ne ndjekim një standard më të lartë. U bindemi me kënaqësi ligjeve të Perëndisë, edhe kur s’na sheh kush. Pse? Sepse e duam Ligjdhënësin.​—Isa. 33:22; lexo Lukën 10:27.

8, 9. Si mund ta dish nëse i do vërtet ligjet e Perëndisë?

8 Si mund ta dish nëse i do vërtet ligjet e Perëndisë? Shiko se si reagon kur merr këshilla lidhur me ndonjë gjë që ti e sheh si preferencë, për shembull, në lidhje me veshjen dhe paraqitjen e jashtme. Para se të bëheshe qytetar i Mbretërisë, mbase të pëlqente të visheshe në mënyrë të shkujdesur ose provokuese. Teksa dashuria për Perëndinë rritej, mësove të visheshe në një mënyrë që e nderon atë. (1 Tim. 2:9, 10; 1 Pjet. 3:3, 4) Ndoshta mendon se tani vishesh me modesti. Po sikur një plak të vinte e të të thoshte se shijet e tua në veshje po vënë shumë në siklet disa lajmëtarë në kongregacion? Si do të reagoje? A do të përpiqeshe të mbroheshe, do të zemëroheshe ose do të tregoheshe kokëfortë? Një ligj bazë i Mbretërisë së Perëndisë është që të gjithë qytetarët të imitojnë Krishtin. (1 Pjet. 2:21) Ja çfarë tha apostulli Pavël për shembullin e Jezuit: «Secili nga ne të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ta ndërtuar. Sepse edhe Krishti nuk kënaqi veten.» (Rom. 15:2, 3) Për hir të paqes në kongregacion, një i krishterë i pjekur është gati t’i hapë rrugë ndërgjegjes së të tjerëve pa u fyer.​—Rom. 14:19-21.

9 Le të shqyrtojmë edhe dy pika të tjera me rëndësi jetësore: qëndrimi ndaj seksit dhe pikëpamja për martesën. Ata që nuk janë ende qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë mund ta tolerojnë homoseksualizmin, mund ta konsiderojnë pornografinë zbavitje të padëmshme dhe të mendojnë se kurorëshkelja e divorci janë çështje krejtësisht personale. Qytetarët e Mbretërisë i kanë braktisur këto qëndrime dritëshkurtra dhe që përqendrohen vetëm tek uni. Megjithëse më parë shumë të krishterë kanë bërë një jetë imorale, tani e shohin seksin dhe martesën si dhuratë nga Perëndia. Ata i çmojnë normat e larta të Jehovait dhe pajtohen me gjithë zemër me mendimin se kush vazhdon të ketë sjellje të gabuar seksuale nuk e meriton të jetë qytetar i Mbretërisë. (1 Kor. 6:9-11) Megjithatë, ata e pranojnë edhe se zemra është e pabesë. (Jer. 17:9) Prandaj i çmojnë paralajmërimet specifike që i ndihmojnë të ruajnë norma të larta morale.

QYTETARËT E MBRETËRISË I ÇMOJNË PARALAJMËRIMET

10, 11. Ç’paralajmërime nxjerr Mbretëria e Perëndisë në kohën e duhur dhe si i sheh ti ato?

10 Në disa vende, shteti nxjerr paralajmërime për ndonjë sëmundje që mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin. Dihet që jo për çdo sëmundje vihet alarmi. Por nëse një sëmundje e caktuar mbart ndonjë rrezik serioz, shteti mund të nxjerrë paralajmërime të drejtpeshuara për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Nëse nuk do ta bënte, do të quhej i papërgjegjshëm dhe do të mbante përgjegjësi për këtë. Ngjashëm, Mbretëria e Perëndisë nxjerr paralajmërime në kohën e duhur për rreziqe specifike morale e frymore. Për shembull, Interneti është bërë një mjet i dobishëm komunikimi, arsimimi dhe zbavitjeje. Organizata e Perëndisë e përdor Internetin dhe arrin të bëjë shumë gjëra nëpërmjet tij. Megjithatë, shumë site në Internet janë të rrezikshme moralisht dhe frymësisht. Faqet e Internetit që nxitin pornografinë përbëjnë një kërcënim të hapur për shëndetin frymor të qytetarëve të Mbretërisë. Për dekada, klasa e skllavit të besueshëm na ka paralajmëruar që të kemi kujdes nga site të tilla. Sa mirënjohës jemi për këto paralajmërime që mbrojnë shëndetin tonë frymor!

11 Vitet e fundit, janë bërë shumë të njohura lloje të tjera sitesh, të cilat mund të jenë të dobishme nëse përdoren me shumë kujdes. Megjithatë, përdorimi i këtyre siteve, të njohura si rrjete shoqërore, mund të sjellë edhe pasoja shumë të dëmshme. Ato mund ta ekspozojnë një individ para rrezikut që sjellin shoqëritë e këqija. (1 Kor. 15:33) Pra, nuk habitemi pse organizata e Perëndisë ka nxjerrë paralajmërime të drejtpeshuara lidhur me përdorimin e këtyre siteve. A i ke lexuar të gjitha materialet e fundit të botuara nga skllavi i besueshëm lidhur me përdorimin e rrjeteve shoqërore nëpërmjet Internetit? Sa e pamend do të ishte t’i përdornim këto site pa e lexuar më parë atë material! * Do të ishte sikur të merrnim një ilaç të fortë pa lexuar në fillim cilat janë efektet e padëshirueshme.

12. Pse është mendjelehtësi të shpërfillim paralajmërimet?

12 Ata që i shpërfillin paralajmërimet e skllavit të besueshëm herët a vonë dëmtojnë veten dhe ata që kanë për zemër. Disa janë bërë robër të pornografisë në Internet ose kanë kryer imoralitet e, më pas, kanë gënjyer veten se Jehovai s’mund ta ketë parë atë që bënë. Sa mendjelehtësi është të mendojmë se mund t’ia fshehim Jehovait atë që bëjmë! (Prov. 15:3; lexo Hebrenjve 4:13.) Perëndia do që t’i ndihmojë këta individë, prandaj nxit përfaqësuesit e tij në tokë që të kujdesen për ta. (Gal. 6:1) Ashtu si një shtet mund t’ia heqë qytetarinë dikujt që bën disa shkelje, Jehovai do t’ua heqë qytetarinë atyre që shkelin normat e tij pa u penduar. * (1 Kor. 5:11-13) Megjithatë, ai është i mëshirshëm. Ata që pendohen dhe ndërrojnë rrugë mund të fitojnë përsëri miratimin e Jehovait dhe të mbeten qytetarë të Mbretërisë. (2 Kor. 2:5-8) Sa të privilegjuar jemi që i shërbejmë një Mbreti kaq të dashur!

QYTETARËT E MBRETËRISË E VLERËSOJNË ARSIMIMIN

13. Si tregojnë qytetarët e Mbretërisë se e çmojnë arsimimin?

13 Shumë shtete përpiqen mjaft që t’i arsimojnë qytetarët. Organizojnë shkolla për të luftuar analfabetizmin dhe mësojnë zanate të dobishme. Qytetarët e Mbretërisë e çmojnë shkollimin dhe marrin arsimimin e nevojshëm që të mbajnë veten financiarisht. Ata çmojnë edhe më shumë arsimimin që marrin si qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë. Nëpërmjet kongregacionit të krishterë, Jehovai nxit shkollimin. Prindërit nxiten t’u lexojnë fëmijëve. Çdo muaj, skllavi i besueshëm boton në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! mjaft faqe me materiale të bazuara në Bibël. Nëse lexon rreth dy faqe në ditë, do të jesh gjithnjë në një hap me këtë kanal të rëndësishëm të arsimimit për Mbretërinë.

14. (a) Çfarë arsimimi marrim? (b) Cilat sugjerime për mbrëmjen e Adhurimit Familjar të kanë sjellë dobi?

14 Çdo javë, qytetarët e Mbretërisë arsimohen në mbledhjet e tyre të kongregacionit. Për shembull, Shkolla e Shërbimit Teokratik ka më shumë se gjashtë dekada që i ndihmon studentët të jenë mësues të efektshëm të Fjalës së Perëndisë. A je regjistruar edhe ti në këtë shkollë? Vitet e fundit, skllavi i besueshëm ka inkurajuar në mënyrë të veçantë të bëhet çdo javë mbrëmja e Adhurimit Familjar. Kjo masë e forcon familjen. A i ke zbatuar sugjerimet e botuara në literaturën tonë? *

15. Cili është një nga privilegjet më të mëdha që gëzojmë?

15 Qytetarët e një shteti e mbështetin publikisht nëpërmjet fushatave partinë e tyre politike, duke shkuar edhe derë më derë. Në një shkallë shumë më të madhe, qytetarët e Mbretërisë e mbështetin fuqimisht Mbretërinë e Perëndisë qoftë duke predikuar në rrugë, qoftë nga shtëpia në shtëpi. Në fakt, siç u tha në artikullin e mëparshëm të studimit, Kulla e Rojës që njofton Mbretërinë e Jehovait, tani është botimi më i shpërndarë në botë. Një nga privilegjet më të mëdha që gëzojmë, është t’u flasim të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. A po merr pjesë me zell në veprën e predikimit?​—Mat. 28:19, 20.

16. Si mund të tregosh se je qytetar i mirë i Mbretërisë së Perëndisë?

16 Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të jetë e vetmja qeveri që do të sundojë në tokë. Ajo do të mbikëqyrë të gjitha aspektet e jetës së përditshme, jo vetëm frymore, por edhe civile. A do të jesh një qytetar i mirë i Mbretërisë së Perëndisë asokohe? Tani është koha të tregosh se do të jesh vërtet i tillë. Në çdo vendim që merr ditë pas dite, bëj gjithçka për lavdi të Jehovait dhe kështu trego se po sillesh si qytetar i mirë i Mbretërisë së Perëndisë.​—1 Kor. 10:31.

[Shënimet]

^ par. 11 Për shembull, shih Zgjohuni! korrik 2011, faqet 24-27; gusht 2011, faqet 10-13 dhe shkurt 2012, faqet 3-9.

^ par. 14 Shih Kullën e Rojës 15 gusht 2011, faqet 6, 7 dhe Shërbimi ynë i Mbretërisë janar 2011, faqet 3-6.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 14]

A ua vë veshin paralajmërimeve të bazuara në Bibël për Internetin?

[Figura në faqen 12]

A gjen ëndje në adhurimin e pastër dhe në historinë e tij, njësoj si bijtë e Korahut?

[Figura në faqen 15]

Mbrëmja e Adhurimit Familjar na ndihmon shumë ne e familjarët të bëhemi qytetarë të mirë të Mbretërisë