Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë jam me ju»

«Unë jam me ju»

«Unë jam me ju»

«Shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.»​—DAN. 12:4.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

Si ka dalë në dritë «njohuria e vërtetë» në kohën tonë?

Si janë bërë «shumë» ata që përqafojnë të vërtetën?

Në ç’mënyra është bërë «e bollshme» njohuria e saktë?

1, 2. (a) Nga e dimë se Jezui është me nënshtetasit e tij sot dhe se do të jetë me ta në të ardhmen? (b) Sipas Danielit 12:4, ç’do të vinte nga një studim i kujdesshëm i Shkrimeve?

PËRFYTYROJE veten në Parajsë. Çdo mëngjes, zgjohesh i çlodhur dhe mezi pret të nisësh një ditë të re. Nuk ke dhembje a vuajtje. Çdo sëmundje që ke pasur dikur është zhdukur. Gjithë shqisat e tua​—të parit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të prekurit dhe të shijuarit—​funksionojnë në mënyrë të përsosur. Ke energji të pashtershme, puna që bën të fal gëzim, ke plot miq dhe gjithë shqetësimet e tua kanë marrë fund. Të tilla bekime mund të shijosh nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. Krishti Jezu, Mbreti që ka caktuar Perëndia, do t’i bekojë nënshtetasit e vet dhe do t’i arsimojë duke u dhënë njohurinë e Jehovait.

2 Jehovai do të jetë me shërbëtorët e tij besnikë kur të marrin pjesë në të ardhmen në atë vepër arsimimi mbarëbotërore. Perëndia dhe Biri i tij kanë qenë me besnikët ndër shekuj. Para se të ngjitej në qiell, Jezui i siguroi dishepujt besnikë se do të ishte me ta. (Lexo Mateun 28:19, 20.) Që të na forcohet besimi te ky premtim, le të shqyrtojmë vetëm një fjali nga një profeci që frymëzoi Perëndia dhe që u shkrua në Babiloninë e lashtë mbi 2.500 vjet më parë. Profeti Daniel shkroi për «kohën e fundit» në të cilën jetojmë sot: «Shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.» (Dan. 12:4) E parë në kuptimin e figurshëm dhe në harmoni me faktet e ditëve tona, folja hebraike e përkthyer «enden lart e poshtë» përcjell idenë e një shqyrtimi të kujdesshëm. Ç’bekime të mrekullueshme do të sillte ajo ‘endje’! Ata që do t’i studionin me kujdes Shkrimet, do të bekoheshin me njohurinë e vërtetë ose të saktë të Fjalës së Perëndisë. Veç kësaj, profecia thoshte se shumë njerëz do të përqafonin ‘njohurinë e vërtetë’. Gjithashtu, kjo njohuri do të ishte e bollshme. Do të përhapej gjerësisht dhe do të ishte në dispozicion të të gjithëve. Ndërsa shqyrtojmë si është plotësuar kjo profeci, do të shohim se Jezui është me dishepujt e tij sot dhe se Jehovai është plotësisht i aftë të përmbushë gjithçka që ka premtuar.

«NJOHURIA E VËRTETË» DEL NË DRITË

3. Çfarë ndodhi me ‘njohurinë e vërtetë’ pas vdekjes së apostujve?

3 Pas vdekjes së apostujve, u zhvillua dhe u përhap si zjarr apostazia ose braktisja e parathënë e krishterimit të vërtetë. (Vep. 20:28-30; 2 Sel. 2:1-3) Shekuj të tërë pas kësaj, as bëhej fjalë që «njohuria e vërtetë» të ishte e bollshme​—jo vetëm mes atyre që s’dinin asgjë nga Bibla, por edhe mes atyre që pohonin se ishin të krishterë. Krerët e krishterimit, edhe pse pretendonin se besonin te Shkrimet, mësonin gënjeshtra fetare, pra ‘mësime të demonëve’ që e çnderonin Perëndinë. (1 Tim. 4:1) Masat e gjera mbaheshin në injorancë frymore. Ndër doktrinat apostate ishin këto mësime të rreme: Perëndia është Trinitet, shpirti nuk vdes dhe disa shpirtra torturohen përjetësisht në ferrin e zjarrtë.

4. Si filluan të kërkonin ‘njohurinë e vërtetë’ një grup të krishterësh në vitet 70 të shekullit të 19-të?

4 Sidoqoftë, në vitet 70 të shekullit të 19-të​—afro katër dekada para se të fillonin «ditët e fundit»—​një grup i vogël të krishterësh të sinqertë në Pensilvani, SHBA, u mblodhën të studionin Biblën me kujdes dhe të kërkonin ‘njohurinë e vërtetë’. (2 Tim. 3:1) Ata e quajtën veten Studentë të Biblës. Nuk ishin ‘të mençurit e të zgjuarit’ për të cilët Jezui tha se njohuria do t’u mbahej e fshehur. (Mat. 11:25) Ishin njerëz të përulur që donin sinqerisht të bënin vullnetin e Perëndisë. Ata lexonin, diskutonin e meditonin për Shkrimet gjithë kujdes dhe duke u lutur. Gjithashtu, krahasonin vargjet biblike me njëri-tjetrin dhe shqyrtonin shkrime të të tjerëve që kishin bërë kërkime të ngjashme. Dalëngadalë, ata Studentë të Biblës dalluan të vërteta që i kish mbuluar terri prej shekujsh.

5. Pse u botuan fletushkat me titull Teologjia e vjetër?

5 Edhe pse ishin të entuziazmuar për gjërat që po mësonin, Studentët e Biblës nuk lejuan që njohuria e sapozbuluar t’i krekoste dhe as morën meritën sikur po shpallnin diçka të re. (1 Kor. 8:1) Në vend të kësaj, botuan një sërë fletushkash me titull Teologjia e vjetër. Synimi ishte t’i njihnin lexuesit me të vërtetat e dokumentuara në Bibël. E para nga ato fletushka ofronte ‘literaturë shtesë për të ndihmuar në studimin e Biblës, që të flakeshin tej traditat e njerëzve dhe të rivendosej plotësisht teologjia e vjetër e Zotërisë tonë dhe e apostujve’.​—Teologjia e vjetër, nr. 1, prill 1889, f. 32.

6, 7. (a) Cilat të vërteta na ka ndihmuar Perëndia të kuptojmë që nga vitet 70 të shekullit të 19-të? (b) Nga të vërtetat që mësove, cilat vlerësove në veçanti?

6 Ç’të vërteta të mrekullueshme janë zbuluar që nga koha kur u hodhën ata hapa të vegjël mbi 100 vjet më parë! * Këto të vërteta nuk janë gjëra të mërzitshme e akademike për t’i diskutuar teologët. Janë të vërteta drithëruese e çliruese që i japin kuptim jetës sonë dhe na mbushin plot gëzim e shpresë. Ato na ndihmojnë të njohim Jehovain​—personalitetin e tij të dashur dhe qëllimet e tij. Gjithashtu, qartësojnë rolin e Jezuit, shpjegojnë pse jetoi e vdiq dhe tregojnë ç’po bën tani. Këto të vërteta të vyera zbulojnë pse e lejon Perëndia ligësinë, pse vdesim, si duhet të lutemi dhe si mund të jemi vërtet të lumtur.

7 Sot mund të kapim kuptimin e profecive që mbetën «të fshehta» për shekuj të tërë, por që po përmbushen në këto kohë të fundit. (Dan. 12:9) Ato gjenden kudo në Shkrime, sidomos në ungjij dhe në librin e Zbulesës. Jehovai madje na ka ndihmuar të kuptojmë ngjarje që nuk mund t’i shihnim me sytë tanë​—hipjen në fron të Jezuit, luftën në qiell dhe flakjen e Satanait në tokë. (Zbul. 12:7-12) Veç kësaj, Perëndia na ka dhënë gjykim të thellë për domethënien e gjërave që mund t’i shohim​—luftëra, tërmete, epidemi, mungesë ushqimi, si edhe njerëz që s’besojnë tek Ai e i bëjnë kohët tona akoma më «kritike, të vështira për t’u përballuar».—2 Tim. 3:1-5; Luka 21:10, 11.

8. Kujt ia japim meritën për gjërat që shohim e dëgjojmë?

8 Sot e gjejmë veten në fjalët që u tha Jezui dishepujve të tij: «Lum sytë që shohin gjërat që po shihni ju! Sepse unë po ju them: shumë profetë dhe mbretër dëshiruan t’i shihnin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë, dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.» (Luka 10:23, 24) Ia japim meritën Perëndisë Jehova që na ka dhënë mundësinë t’i shohim e t’i dëgjojmë këto gjëra. Sa mirënjohës jemi që «ndihmësi», fryma e shenjtë e Perëndisë, është dërguar t’i drejtojë dishepujt e Jezuit ‘që të kuptojnë gjithë të vërtetën’! (Lexo Gjonin 16:7, 13.) Le ta çmojmë gjithmonë ‘njohurinë e vërtetë’ dhe t’ia mësojmë edhe të tjerëve pa u kursyer!

«SHUMË» PËRQAFOJNË ‘NJOHURINË E VËRTETË’

9. Cila thirrje u bë në numrin e prillit 1881 të kësaj reviste?

9 Në prill 1881, më pak se dy vjet pasi doli numri i parë i Kullës së Rojës, kjo revistë bëri një thirrje për 1.000 predikues. Artikulli thoshte: «Atyre që i kanë rrethanat t’i kushtojnë gjysmë ore a më tepër veprës së Zotërisë, u sugjerojmë një plan. . . . Shkoni në qytete të mëdha a të vogla, sipas mundësive tuaja, si Përhapës ose Ungjillëzues, kërkoni kudo të krishterët e zellshëm, shumë nga të cilët do të shihni se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë; përpiquni t’u tregoni atyre pasuritë e hirit të Atit tonë dhe bukuritë e fjalës së Tij.»

10. Si iu përgjigjën njerëzit thirrjes për predikues në kohë të plotë?

10 Ajo thirrje tregoi se Studentët e Biblës e pranonin se predikimi i lajmit të mirë është një vepër tepër e rëndësishme e të krishterëve të vërtetë. Por ama, thirrja për 1.000 predikues në kohë të plotë ishte optimiste, pasi atëherë në mbledhjet e Studentëve të Biblës kishte vetëm disa qindra pjesëmarrës. Pasi lexonin ndonjë fletushkë a revistë, shumë njerëz e dallonin tingullin e së vërtetës dhe i përgjigjeshin me gatishmëri thirrjes. Për shembull, pasi lexoi një numër të Kullës së Rojës dhe një broshurë të botuar nga Studentët e Biblës, një lexues nga Londra, Angli, shkroi më 1882: «Ju lutem, më mësoni si dhe çfarë të predikoj që të kryej veprën e bekuar që do Perëndia.»

11, 12. (a) Çfarë synimi kishin përhapësit, njësoj si edhe ne sot? (b) Si formonin «klasa» ose kongregacione përhapësit?

11 Në vitin 1885, shërbenin si përhapës rreth 300 Studentë të Biblës. Ata shërbëtorë në kohë të plotë kishin të njëjtin synim që kemi ne sot​—të bëjmë dishepuj të Jezu Krishtit. Megjithatë, metodat e tyre ndryshonin nga tonat. Sot, zakonisht e studiojmë Biblën me njerëzit veç e veç, duke i mësuar individualisht. Pastaj e ftojmë studentin e Biblës të shoqërohet me një kongregacion ekzistues. Në ato kohë të hershme, përhapësit shpërndanin libra e më pas i mblidhnin të interesuarit të studionin Shkrimet si grup. Në vend që të studionin me secilin veç e veç, formonin «klasa» ose kongregacione.

12 Për shembull, në vitin 1907 një grup përhapësish i ranë kryq e tërthor një qyteti që të gjenin kush i kishte vëllimet Agimi i Mijëvjeçarit (të quajtura edhe Studime mbi Shkrimet). Kulla e Rojës tregonte: «Atyre [të interesuarve] u bënë një mbledhje të vogël në një nga shtëpitë e tyre. Përhapësi u foli gjithë ditën e diel për planin hyjnor të epokave, ndërsa të dielën tjetër i nxiti të mbanin mbledhje rregullisht.» Më 1911, vëllezërit e ndryshuan disi procedurën. Pesëdhjetë e tetë mbikëqyrës udhëtues mbajtën fjalime publike anekënd Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Ata vëllezër morën emrat dhe adresat e të interesuarve që ndoqën fjalimet dhe i organizuan të mblidheshin nëpër shtëpi që të formonin «klasa» të reja. Në vitin 1914, në mbarë botën kishte 1.200 kongregacione të Studentëve të Biblës.

13. Ç’të bën përshtypje në lidhje me përhapjen e ‘njohurisë së vërtetë’ sot?

13 Sot, anembanë botës ka 109.400 kongregacione, dhe shërbejnë si pionierë rreth 895.800 vëllezër e motra. Afro tetë milionë njerëz e pranojnë ‘njohurinë e vërtetë’ duke e zbatuar në jetë. (Lexo Isainë 60:22.) * Kjo të bën shumë përshtypje, sidomos ngaqë Jezui paratha se dishepujt e tij ‘do t’i urrenin të gjithë’ për shkak të emrit të tij. Ai shtoi se dishepujt do t’i përndiqnin, do t’i burgosnin, madje edhe do t’i vritnin. (Luka 21:12-17) Me gjithë kundërshtimet e Satanait, të demonëve të tij dhe të armiqve në radhët e njerëzimit, populli i Jehovait ka korrur sukses të paparë ndërsa përmbush detyrën për të bërë dishepuj. Sot, ata po predikojnë «në gjithë tokën e banuar», nga xhunglat tropikale gjer në tundrën e acartë, në male, në shkretëtira, në qytete e në fshatrat më të thella. (Mat. 24:14) Kjo s’mund të ishte arritur kurrsesi pa mbështetjen e Perëndisë.

«NJOHURIA E VËRTETË» BËHET «E BOLLSHME»

14. Si është përhapur «njohuria e vërtetë» nëpërmjet botimeve?

14 «Njohuria e vërtetë» është bërë e bollshme nëpërmjet shumë vetave që po shpallin lajmin e mirë. Gjithashtu, është bërë e bollshme nëpërmjet botimeve. Në korrik 1879, Studentët e Biblës botuan numrin e parë të kësaj reviste, që mbante titullin Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit. Ai numër, të cilin e shtypi një firmë tregtare, doli vetëm në anglisht me një tirazh prej 6.000 kopjesh. Çarls Tejz Rasëlli 27-vjeçar u zgjodh kryeredaktor i revistës, dhe pesë Studentë të tjerë të pjekur të Biblës kontribuonin rregullisht me artikuj. Kulla e Rojës sot botohet në 195 gjuhë. Është revista më e përhapur në botë, me një tirazh prej 42.182.000 kopjesh për çdo numër. Në vend të dytë vjen revista e saj shoqëruese Zgjohuni! me 41.042.000 kopje në 84 gjuhë. Veç kësaj, çdo vit shtypen rreth 100 milionë libra dhe Bibla.

15. Si financohet shtypja e literaturës sonë?

15 Kjo vepër kolosale financohet me kontribute vullnetare. (Lexo Mateun 10:8.) Edhe vetëm ky fakt i lë pa fjalë ata që punojnë në industrinë tipografike dhe që e dinë mirë sa kushtojnë makineritë, letra, boja e materialet e tjera. Një vëlla që merret me blerjen e këtyre materialeve, tha: «Njerëzit e biznesit që vizitojnë shtypshkronjat tona çuditen që një ndërtesë me teknologji kaq të përparuar dhe rendiment të lartë financohet me kontribute vullnetare. U bën përshtypje edhe kur shohin se sa të rinj e të lumtur janë ata që punojnë në Bethel.»

NJOHURIA E PERËNDISË DO TË MBUSHË TOKËN

16. Për çfarë qëllimi po përhapet «njohuria e vërtetë»?

16 «Njohuria e vërtetë» është bërë e bollshme për një qëllim të mirë. Vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:3, 4) Jehovai dëshiron që njerëzit të njohin të vërtetën, e kështu ta adhurojnë siç duhet dhe të marrin bekimet e tij. Duke përhapur ‘njohurinë e vërtetë’, Jehovai ka mbledhur një mbetje besnike të krishterësh të mirosur. Veç kësaj, ai po mbledh ‘nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët një shumicë të madhe’ që ka shpresën të jetojë përgjithmonë në tokë.​—Zbul. 7:9.

17. Ç’tregon përhapja e adhurimit të vërtetë?

17 Përhapja e adhurimit të vërtetë gjatë 130 viteve të fundit jep prova të padiskutueshme se Perëndia dhe Mbreti që ka caktuar ai, Jezu Krishti, kanë qenë me shërbëtorët e Jehovait në tokë​—i kanë drejtuar, mbrojtur, organizuar dhe arsimuar. Gjithashtu, rritja e popullit të Jehovait thekson se s’ka asnjë fije dyshimi se premtimet e Tij për të ardhmen do të plotësohen. «Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.» (Isa. 11:9) Çfarë bekimesh do të shijojë njerëzimi atëherë!

[Shënimet]

^ par. 6 Do të nxjerrësh dobi po të shohësh DVD-të Dëshmitarët e Jehovait​—Besimi në veprim, Pjesa 1: Nga errësira në dritë frymore dhe Dëshmitarët e Jehovait​—Besimi në veprim, Pjesa 2: E kanë lënë dritën të ndriçojë.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 6]

Studentët e hershëm të Biblës ishin njerëz të përulur që donin sinqerisht të bënin vullnetin e Perëndisë

[Figura në faqen 7]

Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua për të përhapur ‘njohurinë e vërtetë’ të Perëndisë