Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kongreset—Raste të gëzuara për popullin e Jehovait

Kongreset—Raste të gëzuara për popullin e Jehovait

«Mblidhni popullin me burra, gra e fëmijë dhe të ardhurin.»​—LIGJ. 31:12.

1, 2. Çfarë do të mësojmë në këtë artikull për kongreset?

KONGRESET krahinore dhe ndërkombëtare kanë qenë një tipar i dallueshëm i historisë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait për vite me radhë. Shumë prej nesh kanë marrë pjesë në mjaft prej këtyre ngjarjeve të gëzueshme, mbase në dhjetëra përgjatë dekadave.

2 Populli i Perëndisë ka mbajtur kongrese të shenjta që mijëra vjet më parë. Tani do të rishikojmë disa kongrese të popullit të Perëndisë që përmenden në Bibël e do të vërejmë se si ngjajnë me kongreset tona sot. Gjithashtu, do të kuptojmë ç’dobi nxjerrim duke marrë pjesë në to.​—Psal. 44:1; Rom. 15:4.

KONGRESE TË SHËNUARA NË LASHTËSI DHE SOT

3. (a) Ç’kishte të veçantë kongresi i parë i popullit të Jehovait i dokumentuar në Bibël? (b) Si thirreshin izraelitët për t’u mbledhur së bashku?

3 Kongresi i parë i madh që përmendet në Bibël u mbajt kur izraelitët shkuan të gjithë si popull rrëzë malit Sinai për t’u mësuar nga Jehovai. Ishte vërtet një ngjarje e shënuar në historinë e adhurimit të pastër. Në atë rast emocionues, që patjetër ishte i paharrueshëm për të pranishmit, Jehovai u tregoi izraelitëve fuqinë e tij kur u dha Ligjin. (Dal. 19:2-9, 16-19; lexo Daljen 20:18; Ligjin e përtërirë 4:9, 10.) Kjo ngjarje shënoi një pikë kyçe në marrëdhënien e mëvonshme të Perëndisë me Izraelin. Jo shumë kohë më pas, Jehovai përcaktoi një mënyrë për të mbledhur popullin e tij. Ai e urdhëroi Moisiun të bënte dy trumbeta argjendi, të cilat do të përdoreshin për të thirrur ‘tërë asamblenë në hyrje të tendës së takimit’. (Num. 10:1-4) A i përfytyron dot emocionet që përjetonin të gjithë në këto raste?!

4, 5. Pse kishin rëndësi të veçantë kongreset që organizuan Moisiu dhe Josiu?

 4 Nga fundi i udhëtimit 40-vjeçar të Izraelit në shkretëtirë, në një çast vendimtar të historisë së atij kombi relativisht të ri, Moisiu mblodhi gjithë izraelitët. Pas pak ata do të hynin në Tokën e Premtuar. Ishte koha që Moisiu t’u kujtonte vëllezërve të tij të gjitha ato që Jehovai kishte bërë për ta e që ende do të bënte.​—Ligj. 29:1-15; 30:15-20; 31:30.

5 Mbase në këtë kongres Moisiu shpjegoi se Perëndia kishte marrë masa që populli i tij të arsimohej rregullisht me anë të mbledhjeve të tilla. Sa herë që vinte viti i sabatit, gjatë festës së Kasolleve, burra, gra, fëmijë e të ardhur, duhej të mblidheshin në vendin që caktonte Jehovai që ‘të dëgjonin e të mësonin, pasi duhej t’i frikësoheshin Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe të përmbushnin me kujdes të gjitha fjalët e ligjit’. (Lexo Ligjin e përtërirë 31:1, 10-12.) E pra, që kaq herët në historinë e popullit të Perëndisë, ishte e qartë se ai duhej të mblidhej shpesh për të shqyrtuar fjalët dhe qëllimet e Jehovait. Kur izraelitët kishin pushtuar Tokën e Premtuar, por ende rrethoheshin nga kombe pagane, Josiu i mblodhi të gjithë izraelitët që t’u forconte vendosmërinë për t’i qëndruar besnikë Jehovait. Pas kësaj, populli u betua t’i shërbente Perëndisë.​—Jos. 23:1, 2; 24:1, 15, 21-24.

6, 7. Pse mund të thuhet se kongreset e popullit të Jehovait në kohët moderne kanë qenë ngjarje të shënuara?

6 Edhe në kohët moderne, populli i Jehovait ka pasur kongrese historike, ngjarje që kanë shënuar zhvillime të mëdha në aktivitetet teokratike ose në kuptueshmërinë biblike. (Prov. 4:18) Kongresi i parë i madh që mbajtën Studentët e Biblës pas Luftës I Botërore, ishte në vitin 1919, në Sidër-Point, Ohajo, SHBA, ku morën pjesë rreth 7.000 veta. Në atë kongres u njoftua nisja e një fushate predikimi në mbarë botën. Në vitin 1922, gjatë një kongresi nëntëditor në të njëjtin vend, vëlla Xhozef F. Radhërfordi i dha nxitje të fuqishme kësaj vepre. Ai iu drejtua auditorit që e ndiqte tërë sy e veshë: «Jini dëshmitarë të besueshëm dhe të vërtetë për Zotërinë. Shkoni përpara në betejë derisa të shkretohet çdo gjurmë e Babilonisë. Përhapeni mesazhin gjithkund. Bota duhet ta dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve. Kjo është dita e të gjitha ditëve. Vështroni, Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Të pranishmit, e në fakt populli i Perëndisë në botën mbarë, e pritën me gëzim këtë nxitje.

7 Në vitin 1931, në Kolumbus të Ohajos, Studentët e Biblës pranuan me shumë emocion emrin Dëshmitarë të Jehovait. Më pas, në vitin 1935, në qytetin e Uashingtonit, vëlla Radhërfordi sqaroi se kush ishte «shumica e madhe» që në librin e Zbulesës paraqitet ‘duke qëndruar para fronit dhe para Qengjit’. (Zbul. 7:9-17) Në vitin 1942, në mes të Luftës II Botërore, Nejthën H. Nori mbajti fjalimin rrëqethës «Paqja: A mund të zgjatë?» Ai shpjegoi se kush ishte ‘bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur’ e Zbulesës 17 dhe tregoi se pas luftës do të kishte ende shumë për të bërë në veprën e predikimit.

Kongresi ndërkombëtar i vitit 1950, qyteti i Nju-Jorkut

8, 9. Pse disa kongrese kanë qenë jashtëzakonisht prekëse?

8 Në asamblenë teokratike «Kombet e gëzuara», mbajtur në vitin 1946 në Klivlend të Ohajos, la shumë mbresa fjalimi i vëlla Norit me titull «Problemet e rindërtimit dhe të zgjerimit». Ja si e përshkroi një i pranishëm emocionin që i ngjalli ai fjalim: «Kisha privilegjin të  qëndroja pas tij në podium atë mbrëmje. Ndërsa ai fliste për punën që shtrihej para dhe për planet e zgjerimit të rezidencës e të fabrikës në Bethelin e Bruklinit, valët e duartrokitjeve sa vinin e bëheshin më të fuqishme. Nga podiumi nuk dallohej asnjë fytyrë, por ishte e lehtë të ndieje gëzimin e gjithsecilit.» Në një kongres ndërkombëtar në qytetin e Nju-Jorkut, në vitin 1950, të pranishmit pritën me kënaqësi Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re, pjesa e parë e një Bible në gjuhën e sotme që e rivendosi emrin e Perëndisë atje ku i takonte në Fjalën e tij.​—Jer. 16:21.

9 Kongreset e mbajtura në disa vende pas periudhash përndjekjeje e ndalimi kanë qenë jashtëzakonisht prekëse për Dëshmitarët besnikë të Jehovait. Adolf Hitleri ishte betuar t’i shfaroste Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani, por gjatë një kongresi në vitin 1955, 107.000 Dëshmitarë vërshuan në Nuremberg, atje ku Hitleri kishte bërë paradat e tij. Shumë nga të pranishmit s’mundën t’i mbanin lotët e gëzimit. Në vitin 1989, në Poloni, delegatë nga Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia dhe vende të tjera të Evropës Lindore ishin mes 166.518 të pranishmëve që ndoqën tri kongreset me temë «Përkushtimi hyjnor». Për disa, ishte hera e parë që merrnin pjesë në një mbledhje ku kishte më shumë se 15 ose 20 shërbëtorë të Perëndisë. Përfytyro gëzimin që provuan delegatët në kongresin ndërkombëtar «Mësimi hyjnor», në vitin 1993, në Kiev të Ukrainës, ku 7.402 veta u pagëzuan​—numri më i madh i Dëshmitarëve të Jehovait të pagëzuar njëherësh.​—Isa. 60:22; Hag. 2:7.

10. Cilat kongrese kanë qenë veçanërisht të paharrueshme për ju dhe pse?

10 Mbase ka kongrese krahinore ose ndërkombëtare që të kanë lënë mbresa. A e mban mend kongresin e parë ku ke marrë pjesë ose ndoshta kongresin ku je pagëzuar? Ato kanë qenë ngjarje të shënuara frymore për ty. Mbaji të shtrenjta ato kujtime!​—Psal. 42:4.

RASTE TË PËRVITSHME PËR T’U GËZUAR

11. Në cilat festa të përvitshme u kërkoi Perëndia izraelitëve të merrnin pjesë?

11 Jehovai kërkonte që çdo vit izraelitët të mblidheshin në Jerusalem për tri festa periodike: festa e Kuleçëve të Ndormë, festa e Javëve (që më vonë u quajt festa e Ditës së Pesëdhjetë) dhe festa e Kasolleve. Perëndia urdhëroi në lidhje me to: «Tri herë në vit çdo mashkull yti do të paraqitet para Zotërisë së vërtetë, Jehovait.» (Dal. 23:14-17) Duke e kuptuar vlerën e madhe frymore të këtyre festave, shumë kryefamiljarë merrnin pjesë në to me gjithë familjen.​—1 Sam. 1:1-7; Luka 2:41, 42.

12, 13. Çfarë do të thoshte për shumë izraelitë pjesëmarrja në festat vjetore?

12 Mendo se ç’do të thoshte për një familje izraelite të bënte atë udhëtim. Për shembull, Jozefi dhe Maria bënin rreth  100 kilometra rrugë nga Nazareti në Jerusalem. Sa kohë mendon se do të të duhej ty për këtë udhëtim, po të udhëtoje në këmbë me fëmijë të vegjël me vete? Nga tregimi që flet për vizitën e Jezuit në Jerusalem kur ishte i vogël, kuptojmë se të afërmit dhe të njohurit i bënin udhëtime të tilla si grup. Duhet të ketë qenë goxha angazhim për ta të udhëtonin, të përgatitnin ushqim së bashku e të sistemoheshin për të fjetur në vende të panjohura. Sidoqoftë, nuk ishte problem që një 12-vjeçari si Jezui t’i jepej njëfarë lirie. Mendo ç’rast i paharrueshëm duhet të ketë qenë, sidomos për të vegjlit!​—Luka 2:44-46.

13 Kur u shpërndanë jashtë kufijve të vendlindjes, izraelitët vinin nga shumë kombe të tjera për të marrë pjesë nëpër festa. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., judenjtë mirënjohës dhe prozelitët shkuan në Jerusalem nga vende, si Italia, Libia, Kreta, Azia e Vogël dhe Mesopotamia.​—Vep. 2:5-11; 20:16.

14. Ç’dobi nxirrnin izraelitët duke marrë pjesë në festat e përvitshme?

14 Për izraelitët besnikë, gjëja më e bukur dhe synimi i këtyre udhëtimeve ishte aspekti frymor: të adhuronin me zell Jehovain përkrah mijëra bashkadhuruesve të tjerë mirënjohës. Cili duhej të ishte efekti tek ata që merrnin pjesë? Përgjigjja mund të gjendet tek udhëzimet që i dha Jehovai popullit të tij në lidhje me festën e Kasolleve: «Gjatë festës gëzohu tok me birin e bijën tënde, skllavin e skllaven tënde, dhe me levitin, me të ardhurin, me jetimin dhe me vejushën, që janë brenda portave të qytetit tënd. Do ta kremtosh këtë festë për Jehovain, Perëndinë tënd, për shtatë ditë me radhë në vendin që do të zgjedhë Jehovai, sepse Jehovai, Perëndia yt, do të bekojë gjithë prodhimin tënd dhe çdo gjë që do të bëjnë duart e tua. Prandaj ti veç gëzo.»​—Ligj. 16:14, 15; lexo Mateun 5:3.

PSE T’I ÇMOJMË KONGRESET E SOTME?

15, 16. Ç’sakrifica ju është dashur të bëni që të merrni pjesë në kongrese? Pse ia vlen çdo përpjekje?

15 Këto festa të lashta janë një shembull i shkëlqyer për popullin e Perëndisë sot. Megjithëse gjatë shekujve shumë gjëra kanë ndryshuar, aspektet bazë të kongreseve kanë mbetur po ato. Në kohët biblike, ata që merrnin pjesë nëpër kongrese duhej të bënin sakrifica që të ishin të pranishëm. Njësoj është edhe për shumë nga ne sot. Megjithatë, ia vlen nëse mbajmë parasysh dobitë. Këto ngjarje ishin dhe ende janë raste të rëndësishme frymore. Na sigurojnë informacionet dhe kuptueshmërinë e domosdoshme për të mbajtur një miqësi të ngushtë me Perëndinë. Kongreset na nxitin të zbatojmë atë që mësojmë, na ndihmojnë të shmangim problemet dhe na nxitin të vazhdojmë të përqendrohemi te synimet dhe interesat që nuk na rëndojnë, por na lehtësojnë.​—Psal. 122:1-4.

Kore e Jugut

16 Kongreset janë përherë raste të gëzuara. Ja ç’thuhej në një raport për një kongres të madh në vitin 1946: «Ishte shumë emocionuese të shihje mijëra Dëshmitarë që rrinin qetë-qetë. Edhe më e kënaqshme ishte të dëgjoje një mori zërash teksa i bashkohej një orkestre të madhe e vendi kumbonte nga këngë të gëzueshme Mbretërie për lavdi të Jehovait.» Raporti vazhdonte: «Në Repartin e Shërbimit Vullnetar u regjistruan shumë delegatë për të ndihmuar në të gjitha repartet, thjesht nga gëzimi që vjen kur u shërbejmë vëllezërve tanë.» A e ke provuar edhe ti këtë ndjesi në kongreset  krahinore ose ndërkombëtare?​—Psal. 110:3; Isa. 42:10-12.

17. Ç’gjëra kanë ndryshuar në kohën tonë në lidhje me organizimin e kongreseve?

17 Mënyra si organizohen sot kongreset ka ndryshuar disi. Për shembull, disa shërbëtorë të Perëndisë kujtojnë kohën kur kongreset zgjatnin deri në tetë ditë. Kishte sesione paradite, pasdite dhe në mbrëmje. Shërbimi në fushë ishte pjesë e rregullt e programit. Disa pjesë fillonin që në nëntë të mëngjesit dhe shpesh disa sesione zgjatnin deri në nëntë të mbrëmjes. Vullnetarët punonin shumë dhe me orë të zgjatura për të përgatitur mëngjesin, drekën dhe darkën për të pranishmit. Tani kongreset zgjatin më pak ditë dhe ushqimin e përgatitin që më përpara vetë të pranishmit, me qëllim që t’i kushtojnë më shumë vëmendje programit me ushqim frymor.

Mozambik

18, 19. Cilat veçori të kongreseve ju pëlqejnë në mënyrë të veçantë dhe pse?

18 Disa veçori të kongresit që kanë qenë pjesë e programit nga kohë, mezi i presim. ‘Ushqimi [frymor] në kohën e duhur’ që na jep më shumë kuptueshmëri për profecitë dhe mësimet e Biblës, nuk ka ardhur vetëm nga fjalimet, por edhe nga botimet e reja që dalin në kongrese. (Mat. 24:45) Shpesh ato janë mjete që i ndihmojnë njerëzit e sinqertë t’i çmojnë të vërtetat e Biblës. Dramat tërheqëse biblike i nxitin të rinj e të rritur të shqyrtojnë motivet e tyre dhe të ruhen nga presionet që ushtron mendësia e kësaj bote të paperëndishme. Po ashtu, fjalimi i pagëzimit na jep të gjithëve mundësinë të rishqyrtojmë përparësitë tona në jetë dhe të përjetojmë gëzimin që vjen duke parë të tjerë ta simbolizojnë kushtimin e tyre ndaj Jehovait me anë të pagëzimit.

19 Po, kongreset që kanë qenë pjesë e adhurimit të pastër prej kohësh, e ndihmojnë popullin e gëzuar të Jehovait t’i shërbejë atij siç duhet në kohë të vështira. Këto raste na japin nxitje frymore, na ofrojnë mundësinë të njohim miq të rinj, na ndihmojnë të çmojmë vëllazërinë tonë në mbarë botën dhe janë një mënyrë kryesore se si Jehovai bekon dhe kujdeset për popullin e tij. Patjetër, secili nga ne do t’i organizojë me dëshirë gjërat që të marrë pjesë e të nxjerrë dobi nga çdo sesion i çdo kongresi.​—Prov. 10:22.