Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë fryme tregon?

Çfarë fryme tregon?

«Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën që tregoni!»​—FIL. 25.

1. Çfarë shprese shprehte Pavli kur u shkruante bashkëbesimtarëve?

KUR u shkruante bashkëbesimtarëve, apostulli Pavël thoshte herë pas here se shpresonte që Perëndia dhe Krishti të miratonin frymën që shfaqnin kongregacionet. Për shembull, galatasve u shkroi: «Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë tonë Jezu Krisht qoftë me frymën që tregoni, vëllezër! Amin!» (Gal. 6:18) Çfarë donte të thoshte me shprehjen ‘fryma që tregoni’?

2, 3. (a) Cilës gjë i referohej Pavli herë pas here kur përdorte fjalën ‘frymë’? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes për frymën që tregojmë?

2 Kur përdori fjalën ‘frymë’ në këtë kontekst, Pavli iu referua forcës së brendshme që na shtyn t’i themi ose t’i bëjmë gjërat në një mënyrë të caktuar. Dikush mund të jetë zemërbutë, shpirtdhembshur, i vëmendshëm ndaj të tjerëve, bujar ose që fal. Bibla thotë se është mirë të kemi ‘frymë të qetë e të butë’ dhe të jemi «gjakftohtë». (1 Pjet. 3:4; Prov. 17:27) Por dikush tjetër mund të jetë sarkastik, materialist, që fyhet shpejt ose që tregon qëndrim të pavarur. Më keq akoma, disa shfaqin një frymë të papastër, të pabindur, madje rebele.

3 Kështu, kur Pavli përdori shprehje, si «Zotëria qoftë me frymën që ti tregon», po i nxiste vëllezërit të imitonin Krishtin e të shfaqnin një frymë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (2 Tim. 4:22; lexo Kolosianëve 3:9-12.) Sot, bëjmë mirë të pyesim veten: «Çfarë fryme tregoj? Si ta shfaq më plotësisht frymën që i pëlqen Perëndisë? A mund të përmirësohem që t’i kontribuoj më shumë frymës pozitive të kongregacionit?» Për ta ilustruar, le të përfytyrojmë një fushë me luledielli, ku çdonjëra ofron kurorën e  saj që t’ia shtojë bukurinë këtij qilimi lulesh. A jemi një nga lulet që ia shton bukurinë kongregacionit? Natyrisht, duhet të përpiqemi për këtë. Le të shohim çfarë mund të bëjmë që fryma jonë t’i pëlqejë Perëndisë.

TË SHMANGIM FRYMËN E BOTËS

4. Çfarë është ‘fryma e botës’?

4 Shkrimet thonë: «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia.» (1 Kor. 2:12) Çfarë është ‘fryma e botës’? Është ajo që përmendet tek Efesianëve 2:2: «[Ju] ecnit dikur në të njëjtën udhë që ecën edhe sistemi i kësaj bote, duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes.» Pra, fryma e botës është ‘ajri’, domethënë qëndrimi ose mënyra si mendojnë njerëzit në botë. Njësoj si ajri, ajo na rrethon ngado. Shpesh shfaqet me qëndrimet e shumë njerëzve sot, si «s’pyes njeri» ose «lufto për të drejtat e tua». Ata që shfaqin qëndrime të tilla janë «bijtë e mosbindjes» të botës së Satanait.

5. Ç’frymë të keqe shfaqën disa në Izrael?

5 Këto qëndrime nuk janë të reja. Në kohën e Moisiut, Korahu ngriti krye kundër atyre që kishin autoritet në kongregacionin e Izraelit. Shënjestra e tij e veçantë ishin Aaroni dhe bijtë e tij, që kishin privilegjin të shërbenin si priftërinj. Mbase ai vërejti papërsosmëritë e tyre. Ose mund të ketë bërë fjalë me Moisiun duke e akuzuar se mbante me hatër, domethënë u jepte privilegje njerëzve të vet. Sido të ketë qenë, duket qartë se Korahu filloi t’i shihte gjërat me sy njerëzor dhe ngriti zërin kundër të emëruarve të Jehovait, duke ua kthyer pa respekt: «Mjaft më me ju. . . . Pse u dashka të dilni ju mbi kongregacionin e Jehovait?» (Num. 16:3) Edhe Datani e Abirami kishin ankesa kundër Moisiut dhe i thanë se ‘hiqej si princi i tyre, aq sa ishte bërë i padurueshëm’. Kur i thirrën të shkonin te Moisiu, u përgjigjën me arrogancë: «Ne nuk vijmë, jo!» (Num. 16:12-14) Ishte e qartë se Jehovait nuk i pëlqeu fryma e tyre, ndaj i shfarosi të gjithë rebelët.​—Num. 16:28-35.

6. Si shfaqën një qëndrim të keq disa në shekullin e parë dhe cila mund të ketë qenë arsyeja?

6 Edhe disa në shekullin e parë kritikuan vëllezërit me autoritet në kongregacion. Ata e ‘shpërfillën autoritetin’ e tyre. (Juda 8) Ka të ngjarë të kenë qenë të pakënaqur me privilegjet që kishin, dhe ndikuan edhe te të tjerë që t’i shihnin me sy të shtrembër të emëruarit që punonin me shpirt për të përmbushur detyrat që u kish caktuar Perëndia.​—Lexo 3 Gjonit 9, 10.

7. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes brenda kongregacionit sot?

7 Është e qartë se në kongregacionin e krishterë nuk ka vend për një frymë të tillë. Prandaj duhet të bëjmë kujdes. Pleqtë e kongregacionit nuk janë të përsosur, ashtu si nuk ishin edhe në kohën e Moisiut dhe të apostullit Gjon. Gabimet e tyre mund të na lëndojnë. Nëse kjo ndodh, do të ishte shumë e pavend që ndonjë pjesëtar i kongregacionit të reagonte sipas frymës së botës, duke kërkuar me ngulm «drejtësi» ose që «të merren masa kundër vëllait». Jehovai mund të vendosë t’i anashkalojë disa të meta të vogla. Pse të mos bëjmë edhe ne njësoj? Disa nga ata që janë përfshirë në keqbërje serioze nuk kanë pranuar të dalin para një komiteti pleqsh të caktuar për t’i ndihmuar, ngaqë sipas tyre vetë pleqtë kanë të meta. Është sikur një pacient të mos marrë kurën që e shëron, sepse ka diçka me mjekun.

8. Cilat shkrime mund të na ndihmojnë të ruajmë pikëpamjen e duhur për ata që marrin drejtimin në kongregacion?

 8 Për të shmangur këtë lloj fryme, mjafton të kujtojmë se në Bibël Jezui paraqitet sikur ‘ka shtatë yje në dorën e djathtë’. ‘Yjet’ përfaqësojnë mbikëqyrësit e mirosur dhe, në kuptim më të gjerë, të gjithë mbikëqyrësit nëpër kongregacione. Jezui mund t’i drejtojë ‘yjet’ që ka në dorë si t’i duket më mirë. (Zbul. 1:16, 20) Prandaj, si Kreu i kongregacionit të krishterë, Jezui i ka plotësisht nën kontroll trupat e pleqve. Nëse dikush në një trup pleqsh ka vërtet nevojë për ndreqje, Ai që i ka ‘sytë porsi flakë zjarri’, do të kujdeset që kjo të bëhet në kohën dhe në mënyrën e caktuar prej Tij. (Zbul. 1:14) Ndërkohë, ruajmë respektin e duhur për ata që janë emëruar nga fryma e shenjtë, sepse Pavli shkroi: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»​—Hebr. 13:17.

Si do të reagojmë ndaj këshillave, nëse meditojmë për rolin e Jezuit?

9. (a) Me ç’provë mund të përballet një i krishterë kur e ndreqin ose e disiplinojnë? (b) Si është më mirë të reagojmë ndaj qortimit?

9 Fryma e një të krishteri mund të vihet në provë edhe nëse e ndreqin ose i heqin privilegjet në kongregacion. Në një rast, pleqtë këshilluan me takt një vëlla të ri që luante me videolojëra të dhunshme. Mjerisht, ai nuk e priti mirë këshillën dhe u desh ta çemëronin  si shërbëtor ndihmës, ngaqë nuk i plotësonte më kualifikimet biblike. (Psal. 11:5; 1 Tim. 3:8-10) Pas kësaj, vëllai filloi të fliste lart e poshtë se nuk ishte dakord me masën e marrë. I dërgoi zyrës së degës disa letra ku fliste keq për pleqtë e madje, u përpoq të nxiste edhe të tjerë të bënin po njësoj. Nuk do të arrinim asgjë po të vinim në rrezik paqen e kongregacionit vetëm për të justifikuar veprimet tona. Do të ishte shumë më mirë ta merrnim qortimin si një mënyrë që të hap sytë për të parë dobësitë për të cilat nuk ishim të vetëdijshëm e për të pranuar me qetësi ndreqjen.​—Lexo Vajtimet 3:28, 29.

10. (a) Çfarë na mëson Jakovi 3:16-18 për frymën e mirë dhe të keqe në kongregacion? (b) Çfarë arrihet nëse shfaqim ‘mençuri nga lart’?

10 Jakovi 3:16-18 është një udhërrëfyes i mirë për të na treguar se cila është fryma e duhur ose e gabuar në kongregacion. Shkrimi thotë: «Sepse ku ka xhelozi dhe frymë grindjeje, ka edhe trazirë dhe çdo gjë të poshtër. Por mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite. Veç kësaj, fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.» Duke vepruar sipas ‘mençurisë nga lart’, imitojmë cilësitë e Perëndisë dhe nxitim një frymë pozitive mes vëllezërve.

TË TREGOJMË NJË FRYMË TË RESPEKTUESHME NË KONGREGACION

11. (a) Çfarë nuk do të bëjmë nëse ruajmë respektin e duhur për autoritetin? (b) Çfarë mësojmë nga shembulli i Davidit?

11 Nuk duhet të harrojmë se Jehovai ka caktuar pleqtë ‘të kullotin kongregacionin e Perëndisë’. (Vep. 20:28; 1 Pjet. 5:2) Kështu, kuptohet se është e mençur të respektojmë masën që ka vendosur Perëndia, jemi pleq apo jo. Kur ruajmë frymë e duhur, nuk i japim tepër rëndësi pozitës. Kur filloi të mendonte se Davidi mund t’i rrëmbente fronin, Sauli, mbreti i Izraelit, nisi ‘ta shikonte me dyshim Davidin’. (1 Sam. 18:9) Mbreti zhvilloi një frymë të keqe e madje, donte ta vriste Davidin. Në vend që të shqetësohemi së tepërmi për pozitën si Sauli, është shumë më mirë të jemi si Davidi. Megjithëse ishte viktimë e mjaft padrejtësive, ky i ri tregoi gjithmonë respekt për ata të cilëve Perëndia u kishte dhënë autoritet.​—Lexo 1 Samuelit 26:23.

12. Çfarë do t’i kontribuojë unitetit të kongregacionit?

12 Mospajtimet në mendime mund të bëhen një burim acarimi në kongregacion, madje edhe mes mbikëqyrësve. Në këtë aspekt mund të na ndihmojnë këshillat e Biblës: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit» dhe «mos e mbani veten për të matur». (Rom. 12:10, 16) Në vend që të ngulim këmbë se kemi të drejtë, duhet të pranojmë se shpesh ka më shumë se një mënyrë të përshtatshme për ta trajtuar një situatë. Nëse marrim parasysh pikëpamjen e të tjerëve, mund t’i kontribuojmë unitetit të kongregacionit.​—Filip. 4:5.

13. Si duhet t’i konsiderojmë mendimet tona dhe cili shembull biblik e ilustron këtë?

13 A do të thotë kjo se është e gabuar të shprehim mendimin tonë nëse na duket se diçka duhet rregulluar në kongregacion? Jo. Në shekullin e parë lindi një çështje që ngjalli shumë debat. Vëllezërit caktuan ‘Pavlin, Barnabën dhe disa të tjerë të ngjiteshin tek apostujt dhe pleqtë në Jerusalem për këtë debat’. (Vep. 15:2) Sigurisht që secili prej tyre kishte tashmë një opinion dhe një ide  se si mund të zgjidhej çështja. Megjithatë, pasi secili shprehu mendimin e tij dhe u mor një vendim nën drejtimin e frymës, vëllezërit nuk vazhduan më të rrihnin mendime. Kur letra me vendimin iu dërgua kongregacioneve, ato «gëzuan për inkurajimin» dhe ‘u bënë të patundura në besim’. (Vep. 15:31; 16:4, 5) Edhe sot, pasi flasim me vëllezërit përgjegjës për një çështje, me kënaqësi ua lëmë në dorë atyre që ta trajtojnë nën drejtimin e lutjes.

TË TREGOJMË NJË FRYMË TË MIRË NË MARRËDHËNIET ME TË TJERËT

14. Si mund të tregojmë një frymë të mirë në marrëdhëniet me të tjerët?

14 Në nivel personal, kemi plot raste që të tregojmë një frymë të mirë. Secili nga ne mund të bëjë shumë për të tjerët, nëse jemi të gatshëm të falim ata që na lëndojnë. Fjala e Perëndisë thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolos. 3:13) Shprehja «nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar» nënkupton se mund të ketë arsye që acarohemi me të tjerët. Megjithatë, s’ka pse të shqetësohemi tepër prej huqeve të tyre e të prishim paqen e kongregacionit. Është më mirë të përpiqemi të imitojmë Jehovain e të falim bujarisht, që të vazhdojmë të shërbejmë të bashkuar.

15. (a) Çfarë mund të mësojmë nga Jobi për faljen? (b) Si mund të na ndihmojë lutja të shfaqim një frymë të këndshme?

15 Lidhur me faljen mund të mësojmë nga Jobi. Tre shokët e tij që gjoja duhej ta ngushëllonin, e lënduan me shumë fjalë të hidhura. Megjithatë, Jobi i fali. Si? «Jobi u lut për tre shokët e tij.» (Jobi 16:2; 42:10) Kur lutemi për të tjerët, mund të ndryshojmë qëndrim ndaj tyre. Kur lutemi për të gjithë vëllezërit e motrat, e kemi më të lehtë të zhvillojmë frymën që tregoi Krishti. (Gjoni 13:34, 35) Përveçse të lutemi për vëllezërit, duhet të lutemi edhe për frymën e shenjtë. (Luka 11:13) Fryma e Perëndisë do të na ndihmojë të shfaqim cilësi të krishtere në marrëdhëniet me të tjerët.​—Lexo Galatasve 5:22, 23.

T’I KONTRIBUOJMË NJË FRYME TË SHËNDETSHME NË ORGANIZATËN E PERËNDISË

16, 17. Çfarë jeni të vendosur të bëni ju personalisht në lidhje me «frymën që tregoni»?

16 Nëse çdo pjesëtar i kongregacionit ka si synim t’i kontribuojë një fryme të shëndetshme në kongregacion, rezultatet do të jenë të kënaqshme. Pas shqyrtimit të këtyre aspekteve, secili prej nesh mund të synojë ta shfaqë edhe më mirë frymën ndërtuese. Atëherë, ta lejojmë me gjithë shpirt Fjalën e Perëndisë të na tregojë ku duhet të ndryshojmë. (Hebr. 4:12) Pavli, që donte të ishte një shembull i mirë për kongregacionet, tha: «Unë e kam ndërgjegjen të pastër për çdo gjë. Megjithatë, me këtë nuk them se jam i drejtë, por se ai që më shqyrton mua është Jehovai.»​—1 Kor. 4:4.

17 Tek përpiqemi të veprojmë në harmoni me mençurinë nga lart, duke mos e marrë tepër seriozisht veten ose pozitën, do t’i kontribuojmë një fryme të shëndetshme në kongregacion. Duke falur dhe duke menduar pozitivisht për bashkadhuruesit, do të gëzojmë marrëdhënie paqësore me ta. (Filip. 4:8) Mund të jemi të sigurt se duke vepruar kështu Jehovai dhe Jezui do të kënaqen ‘me frymën që tregojmë’.​—Fil. 25.