Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëse thoni «Po», le të jetë «Po»

Nëse thoni «Po», le të jetë «Po»

«Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.»​—MAT. 5:37.

1. Çfarë tha Jezui për betimet dhe pse?

NË PËRGJITHËSI të krishterët nuk kanë nevojë të betohen, sepse i binden Jezuit që tha: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’.» Ai donte të thoshte se fjala duhet mbajtur. Jezui i parapriu këtij urdhri me fjalët: «Mos u betoni fare.» Këtë e tha që të dënonte zakonin që kishin shumë njerëz në bisedat e përditshme, pra të betoheshin vazhdimisht për këtë apo atë gjë, pa pasur ndër mend ta mbanin fjalën. Këta lloj njerëzish, duke thënë «më tepër» se thjesht një «Po» ose «Jo» për të treguar synimet e tyre, mund të zbulojnë se nuk janë vërtet të besueshëm dhe se kështu janë nën ndikimin e ‘të ligut’.​—Lexo Mateun 5:33-37.

2. Shpjegoni pse nuk është gjithnjë e gabuar të betohesh.

2 Jezui nuk donte të thoshte se është e gabuar të betohesh. Siç mësuam në artikullin e mëparshëm, Perëndia Jehova dhe shërbëtori i tij i drejtë, Abrahami, u betuan në raste të rëndësishme. Edhe Ligji i Perëndisë kërkonte që të bëheshin betime për të zgjidhur disa probleme. (Dal. 22:10, 11; Num. 5:21, 22) Kështu, mund të jetë e nevojshme që një i krishterë të betohet se do të thotë të vërtetën kur dëshmon në një gjyq. Në raste të rralla, mund të jetë e nevojshme që një i krishterë të betohet që t’i sigurojë të tjerët për qëllimet e tij ose që të ndihmojë për zgjidhjen e një çështjeje. Në fakt, kur kryeprifti e vuri në be Jezuin, ai nuk kundërshtoi, por tha të vërtetën para Sinedrit judaik. (Mat. 26:63, 64) Jezui nuk kishte nevojë t’i betohej askujt. Prapëseprapë, që të theksonte besueshmërinë e mesazhit të tij, ai shpesh i paraprinte në këtë mënyrë të veçantë asaj që do të thoshte: «Me të vërtetë [fjalë për fjalë, «Vërtet, vërtet»] po ju them.» (Gjoni 1:51; 13:16, 20, 21, 38) Le të shohim  se ç’mund të mësojmë tjetër nga shembulli i Jezuit, i Pavlit dhe i të tjerëve që kur thoshin «Po», ishte «Po».

JEZUI​—SHEMBULLI MË I MIRË

Që nga pagëzimi deri në vdekje, Jezui i mbajti të gjitha premtimet që i kishte bërë Atit

3. Çfarë i premtoi Jezui Perëndisë në lutje dhe si iu përgjigj Ati i tij qiellor?

3 «Ja, unë kam ardhur . . . të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.» (Hebr. 10:7) Me këto fjalë plot kuptim, Jezui u paraqit para Perëndisë që të përmbushte gjithë sa ishte parathënë për Farën e premtuar, përfshirë edhe të ‘plagosej në thembër’ nga Satanai. (Zan. 3:15) Asnjë njeri tjetër nuk është ofruar të mbajë mbi shpatulla një përgjegjësi të tillë të rëndësishme. Nga qielli, Jehovai shprehu besimin e plotë te Biri, por nuk i kërkoi Jezuit të betohej se do ta mbante fjalën.​—Luka 3:21, 22.

4. Deri në ç’pikë tregoi Jezui se kur thoshte «Po», ishte «Po»?

4 Jezui e zbatonte gjithmonë atë që predikonte, kështu që kur thoshte «Po», ishte «Po». Ai nuk lejonte asgjë ta shpërqendronte nga caktimi që kishte marrë nga Ati, pra të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe të bënte dishepuj nga të gjithë ata që Perëndia kishte tërhequr drejt Jezuit. (Gjoni 6:44) Bibla përshkruan me këto fjalë të mirënjohura se sa i besueshëm ishte Jezui: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij.» (2 Kor. 1:20) Në fakt, Jezui është shembulli më i mirë i dikujt që bëri vërtet atë që i kishte premtuar Atit. Në vazhdim, do të flasim për dikë që bëri çmos të imitonte Jezuin.

PAVLI​—NJË NJERI QË E MBANTE FJALËN

5. Ç’shembull na la apostulli Pavël?

5 «Ç’duhet të bëj, Zotëri?» (Vep. 22:10) Me këto fjalë të sinqerta, Pavli, në atë kohë i njohur si Sauli, iu përgjigj drejtimit të Zotërisë Jezu të ngritur në lavdi, i cili iu shfaq në një vegim që të mos e lejonte më të përndiqte dishepujt e Krishtit. Si rezultat i këtij takimi, Sauli u pendua me përulësi për të shkuarën e tij, u pagëzua dhe pranoi caktimin e veçantë që mori: t’u dëshmonte kombeve për Jezuin. Që nga ajo kohë, Pavli vazhdoi ta quante Jezuin «Zotëria» i tij, duke vepruar në harmoni me këtë fjalë deri në fund të jetës në tokë. (Vep. 22:6-16; 2 Kor. 4:5; 2 Tim. 4:8) Pavli nuk ishte si të tjerët, të cilëve Jezui u tha: «Pse më thërritni ‘Zotëri, Zotëri!’, por nuk bëni ato që them?» (Luka 6:46) Po, Jezui pret që të gjithë ata që e pranojnë si Zotëri, ta mbajnë fjalën, siç bënte apostulli Pavël.

6, 7. (a) Pse Pavli e ndryshoi planin për të rivizituar Korintin? Pse ata që e kritikuan nuk ishin të justifikuar të vinin në diskutim besueshmërinë e tij? (b) Si duhet t’i shohim ata që janë caktuar të marrin drejtimin mes nesh?

 6 Me zell Pavli e përhapi mesazhin për Mbretërinë në mbarë Azinë e Vogël dhe në Evropë, duke themeluar e rivizituar mjaft kongregacione. Me raste e pa të nevojshme të betohej për vërtetësinë e asaj që kishte shkruar. (Gal. 1:20) Kur disa në Korint e akuzuan se nuk ishte i besueshëm, Pavli shkroi në mbrojtje të vet: «Perëndisë mund t’i zihet besë, se fjala që ju drejtuam nuk është një herë ‘po’, e pastaj ‘jo’.» (2 Kor. 1:18) Në kohën kur e shkroi këtë, Pavli kishte ikur nga Efesi dhe po udhëtonte përmes Maqedonisë që të shkonte në Korint. Në fillim kishte planifikuar të rivizitonte Korintin para se të shkonte në Maqedoni. (2 Kor. 1:15, 16) Por, siç ndodh edhe me mbikëqyrësit udhëtues sot, disa herë duhet të ndryshojnë itinerar. Këto ndryshime nuk bëhen për arsye të parëndësishme ose egoiste, por për ndonjë urgjencë. Në rastin e Pavlit, arsyeja pse e vonoi vizitën e planifikuar në Korint, ishte për të mirën e vetë kongregacionit. Në ç’kuptim?

7 Ca kohë pasi kishte bërë planet e tij fillestare, Pavli mori në Efes lajme shqetësuese se në Korint po tolerohej përçarja dhe imoraliteti. (1 Kor. 1:11; 5:1) Për të ndrequr situatën, ai shkroi këshilla të forta në letrën e tij të parë drejtuar korintasve. Pastaj, në vend që të lundronte drejtpërdrejt nga Efesi në Korint, Pavli vendosi t’u linte ca kohë vëllezërve që të zbatonin këshillat e tij, në mënyrë që, kur në fund të mbërrinte atje, vizita e tij të ishte më inkurajuese. Për t’i siguruar se arsyeja pse i ndryshoi planet ishte plotësisht e vërtetë, Pavli shkroi në letrën e tij të dytë: «Thërras Perëndinë si dëshmitar kundër vetë shpirtit tim, se në Korint nuk kam ardhur akoma vetëm sepse desha t’ju kurseja.» (2 Kor. 1:23) Mos u bëfshim kurrë si ata që e kritikuan Pavlin; përkundrazi, le të tregojmë respekt të thellë për ata që janë caktuar të marrin drejtimin mes nesh. E vërteta është se duhet të imitojmë Pavlin, ashtu si ai imitoi Krishtin.​—1 Kor. 11:1; Hebr. 13:7.

SHEMBUJ TË TJERË TË MIRË

8. Ç’shembull la për ne Rebeka?

8 «Po, dua.» (Zan. 24:58) Rebeka i tha këto fjalë kur e ëma dhe i vëllai e pyetën nëse donte të bëhej gruaja e Isakut, birit të Abrahamit. Ajo duhej të linte shtëpinë po atë ditë dhe të udhëtonte me një të panjohur më tepër se 800 kilometra. (Zan. 24:50-58) Kur Rebeka tha «Po», ishte vërtet «Po», dhe ajo u bë për Isakun një grua besnike me frikë Perëndie. Banoi në tenda si e ardhur në Tokën e Premtuar gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së saj. Ajo u shpërblye për besnikërinë duke u bërë një nga paraardhëset e Farës së premtuar, Jezu Krishtit.​—Hebr. 11:9, 13.

9. Si e mbajti Rutha fjalën që dha?

9 «Jo, ne do të kthehemi me ty, te populli yt.» (Rutha 1:10) Kështu vazhduan t’i thoshin dy vejushat moabite, Rutha dhe Orpa, vjehrrës së tyre të ve, Naomit, e cila po kthehej nga Moabi në Betlehem. Në fund, pas nxitjes së Naomit, Orpa u kthye në vendin e vet. Por, kur Rutha tha «Jo», ishte vërtet «Jo». (Lexo Ruthën 1:16, 17.) Me besnikëri, ajo nuk iu nda Naomit dhe e braktisi përgjithmonë familjen e saj dhe fenë e rreme të Moabit. Rutha mbeti një adhuruese besnike e Jehovait dhe u shpërblye duke qenë një nga vetëm pesë gratë e përmendura nga Mateu në gjenealogjinë e Krishtit.​—Mat. 1:1, 3, 5, 6, 16.

10. Pse Isaia ishte një shembull i mirë për ne?

10 «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) Para se të thoshte këtë, Isaia pa në  një vegim të lavdishëm Jehovain të ulur në fronin e Tij të lartë mbi tempullin e Izraelit. Ndërsa i kishte ngulur sytë kësaj pamjeje të lavdishme, Isaia dëgjoi Jehovain të thoshte: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?» Kjo ishte një ftesë për t’u bërë zëdhënësi i Jehovait e për t’i çuar mesazhin e Perëndisë popullit të Tij të pabindur. Isaia e mbajti fjalën​—tha «Po» dhe ishte «Po». Shërbeu me besnikëri si profet më tepër se 46 vjet, duke shpallur mesazhe të forta dënimi, si dhe premtime të mrekullueshme për rivendosjen e adhurimit të vërtetë.

11. (a) Pse është kaq e rëndësishme ta mbajmë fjalën? (b) Përmendni shembuj paralajmërues të disave që s’e mbajtën fjalën.

11 Pse Jehovai i dokumentoi për ne në Fjalën e tij shembujt e mësipërm? Sa e rëndësishme është që kur themi «Po», të jetë «Po»? Bibla paralajmëron qartë se ai që ‘s’e mban fjalën’ është si ata që «meritojnë vdekjen». (Rom. 1:31, 32) Faraoni i Egjiptit, mbreti jude Zedekia, si edhe Anania e Safira janë mes shembujve të këqij që theksohen në Bibël, të njerëzve që kur thanë «Po», nuk ishte «Po». Të gjithë e pësuan keq dhe janë shembuj paralajmërues për ne.​—Dal. 9:27, 28, 34, 35; Ezek. 17:13-15, 19, 20; Vep. 5:1-10.

12. Çfarë do të na ndihmojë ta mbajmë fjalën?

12 Ngaqë jetojmë «në ditët e fundit», jemi të rrethuar nga njerëz «të pabesë», njerëz «që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij». (2 Tim. 3:1-5) Për aq sa është e mundur, duhet t’i shmangim këto shoqëri të këqija. Duhet të shoqërohemi rregullisht me ata që kur thonë «Po», përpiqen gjithnjë të jetë «Po».​—Hebr. 10:24, 25.

PREMTIMI YT MË I RËNDËSISHËM

13. Cili është premtimi më i rëndësishëm që bën një ithtar i Jezu Krishtit?

13 Premtimi më i rëndësishëm që mund të bëjë dikush, është kushtimi ndaj Perëndisë. Në tri raste specifike, ata që dëshirojnë të bëhen dishepuj të Krishtit, pyeten nëse duan vërtet të bëjnë atë që kërkohet prej tyre. (Mat. 16:24) Kur dy pleq flasin me dikë që dëshiron të bëhet lajmëtar i papagëzuar, e pyesin: «A dëshiron vërtet të jesh një Dëshmitar i Jehovait?» Më vonë, kur individi ka bërë përparim të mëtejshëm frymor dhe dëshiron të pagëzohet, pleqtë e takojnë dhe e pyesin: «A i je kushtuar personalisht Jehovait në lutje?» Në fund, ditën e pagëzimit çdo kandidati i drejtohet kjo pyetje: «Në bazë të flijimit të Jezu Krishtit, a je penduar për mëkatet e tua dhe a i je kushtuar Jehovait për të bërë vullnetin e tij?» Pastaj, në sy të dëshmitarëve, këta kandidatë thonë «Po» për sa i përket premtimit të tyre për t’i shërbyer Perëndisë përgjithmonë.

A po e mban premtimin tënd më të rëndësishëm?

14. Cilin vetëshqyrtim duhet të bëjmë rregullisht?

 14 Qoftë nëse je i sapopagëzuar, qoftë nëse ke dekada që i shërben Perëndisë, duhet që herë pas here të shqyrtosh veten dhe t’i bësh pyetje të tilla, si: «Duke imituar Jezu Krishtin, a po vazhdoj ta mbaj premtimin më të rëndësishëm që kam bërë? A po vazhdoj t’i bindem Jezuit duke e përqendruar jetën te vepra e predikimit dhe e bërjes së dishepujve?»​—Lexo 2 Korintasve 13:5.

15. Në cilat fusha të jetës është e rëndësishme që kur themi «Po», të jetë «Po»?

15 Për të mbajtur premtimin që i bëmë Perëndisë kur iu kushtuam, duhet të jemi besnikë edhe në çështje të tjera të rëndësishme. Për shembull: a je i martuar? Atëherë vazhdo ta respektosh betimin e çmuar që ke bërë për ta dashur dhe çmuar bashkëshortin tënd. A ke firmosur ndonjë kontratë ose a ke plotësuar ndonjë kërkesë për ndonjë privilegj teokratik? Atëherë mbaji zotimet dhe atë që ke premtuar. A ke pranuar një ftesë për një vakt te dikush që s’është shumë në gjendje? Atëherë mos e anulo nëse merr nga dikush tjetër një ftesë në dukje më të mirë. A i ke premtuar dikujt që ke takuar në shërbimin shtëpi më shtëpi se do të kthehesh sërish për t’i dhënë ndihmë të mëtejshme frymore? Atëherë nëse ke thënë «Po», le të jetë patjetër «Po», dhe Jehovai do ta bekojë shërbimin tënd.​—Lexo Lukën 16:10.

DOBITË QË NXJERRIM NGA KRYEPRIFTI DHE MBRETI YNË

16. Ç’duhet të bëjmë nëse nuk e kemi mbajtur fjalën?

16 Bibla thotë se si njerëz të papërsosur «të gjithë ne pengohemi shumë herë», sidomos në mënyrën si flasim. (Jak. 3:2) Ç’duhet të bëjmë nëse kuptojmë se nuk e kemi mbajtur fjalën për diçka? Në Ligjin që Perëndia i dha Izraelit kishte një masë të mëshirshme për dikë që ishte fajtor sepse ‘kishte thënë diçka me buzët e tij pa u menduar’. (Lev. 5:4-7, 11) Po ashtu, ka një masë të dashur për të krishterët që bëjnë një mëkat të tillë. Nëse ia rrëfejmë mëkatin që kemi bërë, Jehovai do të na falë me mëshirë nëpërmjet Kryepriftit tonë, Jezu Krishtit. (1 Gjon. 2:1, 2) Megjithatë, që të vazhdojmë të kemi miratimin e Perëndisë, duhet të japim fryte të denja për pendim duke mos i bërë zakon mëkate të tilla dhe duke bërë çmos për të ndrequr çfarëdo dëmi që kemi shkaktuar me të folurit tonë. (Prov. 6:2, 3) Sigurisht, është shumë më mirë të mendojmë me kujdes para se të bëjmë premtime që s’jemi në gjendje t’i mbajmë.​—Lexo Eklisiastiun 5:2.

17, 18. Ç’e ardhme e lavdishme shtrihet para të gjithë atyre që kur thonë «Po», përpiqen të jetë «Po»?

17 Ç’e ardhme e mrekullueshme shtrihet para të gjithë shërbëtorëve të Jehovait që kur thonë «Po», përpiqen vazhdimisht të jetë «Po»! Për 144.000 të mirosurit kjo do të nënkuptojë jetën e pavdekshme në qiell, ku do të jenë së bashku me Jezuin në Mbretërinë e tij «dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet». (Zbul. 20:6) Miliona të tjerë do të nxjerrin dobi kur Mbretëria e Krishtit të sundojë mbi tokën parajsore. Atëherë, ata do të ndihmohen të arrijnë përsosmërinë fizike dhe mendore.​—Zbul. 21:3-5.

18 Nëse mbetemi besnikë në sprovën e fundit që do të jetë në mbarim të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, nuk do të kemi më kurrë arsye të dyshojmë te fjala e ndokujt. (Zbul. 20:7-10) Çdo «Po», do të jetë vërtet «Po» dhe çdo «Jo», do të jetë vërtet «Jo». Kushdo që do të jetojë atëherë, do të imitojë në mënyrë të përsosur Atin tonë të dashur qiellor, Jehovain, ‘Perëndinë e së vërtetës’.​—Psal. 31:5.