Inkurajim «nga goja e fëmijëve»
Në dhjetor të vitit 2009, Gjykata e Lartë në Rusi mbështeti vendimin që organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog, Rusi, të mbyllej, Salla e Mbretërisë të konfiskohej dhe 34 nga botimet tona të shpalleshin ekstremiste. Kjo ngjarje befasuese u postua në sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait së bashku me fotografi të Dëshmitarëve në Taganrog, mes të cilëve edhe fëmijë.
Pak muaj më vonë, në Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi erdhi një kuti e shoqëruar me një letër nga një familje Dëshmitarësh në Kuinsland, Australi, që kishin parë raportin për vendimin e Gjykatës. Aty shkruhej: «Të dashur vëllezër, fëmijët tanë, Kodi dhe Larisa, u prekën shumë nga besimi dhe sfidat e vëllezërve në Rusi. Ata kanë shkruar letra e kartolina, dhe kemi përgatitur një pako të vogël me dhurata që duam t’ua dërgojmë fëmijëve në Taganrog, që ta dinë se shumë larg tyre, ka fëmijë të tjerë që po ashtu i shërbejnë Jehovait me besnikëri e që mendojnë për ta. I përqafojmë fort të gjithë me shumë dashuri.»
Kur morën dhuratat, fëmijët në Taganrog shkruan letra falënderimi me ilustrime për familjen australiane. Një Dëshmitar që shërben në degën e Rusisë, u prek nga inkurajimi që erdhi «nga goja e fëmijëve» dhe i shkroi Kodit e Larisës: «Ndoshta e merrni me mend sa keq është si për fëmijët, edhe për të rriturit, të dënohesh për diçka që nuk e ke bërë. Vëllezërit e motrat tona në Taganrog nuk kanë bërë asgjë të keqe, por ua kanë marrë Sallën e Mbretërisë. Kjo i ka pikëlluar shumë. Do të marrin zemër kur të mësojnë se dikush, në anën tjetër të botës, po mendon për ta. Faleminderit që jeni kaq të përzemërt e bujarë!»—Psal. 8:2.
Ne jemi vërtet pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare dhe dashuria që kemi mes nesh, na ndihmon të përballojmë sprovat dhe vështirësitë e jetës. Ndërkohë që në sallat e gjyqit nxjerrin përfundimin se botimet e Dëshmitarëve të Jehovait nxitin urrejtje, fëmijët tanë me qetësi shprehin merakun për njëri-tjetrin, duke kapërcyer kufijtë kombëtarë e kulturorë dhe duke treguar sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.