T’i përballojmë me guxim vështirësitë e sotme
«Perëndia është strehë dhe forcë për ne, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve.»—PSAL. 46:1.
1, 2. Çfarë vështirësish kanë përjetuar shumë njerëz? Për çfarë duan të jenë të përgatitur shërbëtorët e Perëndisë?
JETOJMË në një kohë plot vështirësi. Tokën po e shkatërrojnë katastrofat njëra pas tjetrës. Njerëzimin e kanë batërdisur tërmetet, tsunamet, zjarret, përmbytjet, vullkanet, tornadot, tajfunet dhe uraganet. Veç këtyre, problemet familjare dhe dilemat që i lindin gjithsecilit kanë sjellë frikë dhe trishtim. Është shumë e vërtetë se të gjithë përjetojmë ‘kohë të vështira e ngjarje të paparashikuara’.—Ekl. 9:11.
2 Shërbëtorët e Perëndisë i kanë përballuar mirë këto situata shqetësuese. Megjithatë, duam të jemi të përgatitur për çfarëdo vështirësie që mund të hasim ndërsa ky sistem shkon drejt fundit. Si mund t’i përballojmë këto vështirësi e të mos na mbytin? Çfarë do të na ndihmojë t’i përballojmë me guxim vështirësitë e sotme?
TË MËSOJMË NGA ATA QË E PËRBALLUAN JETËN ME GUXIM
3. Siç tregohet te Romakëve 15:4, si mund të gjejmë ngushëllim kur përballemi me rrethana dëshpëruese?
3 Megjithëse vështirësitë prekin më shumë njerëz se kurrë më parë, problemet shqetësuese nuk janë të reja për njerëzimin. Le të shohim çfarë mund të mësojmë nga disa shërbëtorë të Perëndisë që në të kaluarën ia dolën ta përballonin me guxim jetën me të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj.—Rom. 15:4.
4. Cilat vështirësi përballoi Davidi dhe çfarë e ndihmoi?
4 Le të marrim shembullin e Davidit. Mes shumë problemeve, atij iu desh të përballonte zemërimin e tërbuar të një mbreti, sulmet e armiqve, rrëmbimin e bashkëshorteve, tradhtinë nga njerëzit e vet dhe dhembjen emocionale. (1 Sam. 18:8, 9; 30:1-5; 2 Sam. 17:1-3; 24:15, 17; Psal. 38:4-8) Nga tregimet e Biblës për Davidin kuptojmë qartë sa plagë i hapën këto vështirësi. Sidoqoftë, ato nuk e rrënuan frymësisht. Plot besim, ai tha: «Jehovai është kalaja e jetës sime. Kush do të më kallë tmerrin?»—Psal. 27:1; lexo Psalmin 27:5, 10.
5. Çfarë e ndihmoi Abrahamin dhe Sarën të përballonin jetën e vështirë?
5 Abrahami dhe Sara e kaluan pjesën më të madhe të jetës duke jetuar nëpër tenda si të ardhur, larg vendlindjes. Jeta nuk ishte gjithnjë e lehtë për ta. Megjithatë, i përballuan me vendosmëri probleme, si zia e bukës dhe rreziqet nga kombet fqinje. (Zan. 12:10; 14:14-16) Si ia dolën mbanë? Fjala e Perëndisë thotë se Abrahami «priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». (Hebr. 11:8-10) Abrahami dhe Sara i mbajtën sytë te gjërat që u ishin premtuar dhe nuk lejuan t’i vinte përfund bota ku jetonin.
6. Si mund ta imitojmë Jobin?
6 Jobi përjetoi presione të jashtëzakonshme. Imagjino si u ndie kur gjithçka në jetë iu përmbys. (Jobi 3:3, 11) Më e keqja ishte se nuk e kuptonte plotësisht pse po i ndodhnin gjithë këto. Megjithatë, nuk u dorëzua kurrë. Nuk hoqi dorë nga integriteti dhe besimi te Perëndia. (Lexo Jobin 27:5.) Shembull vërtet i shkëlqyer për ne!
7. Çfarë përballoi Pavli ndërsa i shërbente Perëndisë? Ç’gjë i dha guxim për të vazhduar?
7 Të shohim edhe shembullin e apostullit Pavël. Ai përballoi ‘rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë e në det’. Veç këtyre, tregoi se kishte vuajtur ‘urinë, etjen, të ftohtët’ dhe kishte qenë «i zhveshur». Gjithashtu, Pavli tha se kishte kaluar «një natë e një ditë në ujëra të thella», mbase në një nga rastet kur iu shkallmua anija në det. (2 Kor. 11:23-27) Pavarësisht nga gjithë këto, ja si u shpreh pasi u përball me vdekjen ngaqë i shërbente Perëndisë: «Që të mos kishim besim te vetja, por te Perëndia që ngre të vdekurit. Ai na çliroi dhe do të na çlirojë nga një gjë kaq e madhe sa vdekja.» (2 Kor. 1:8-10) Janë të paktë ata që kanë hequr kaq shumë sa Pavli. Gjithsesi, shumë prej nesh mund të jenë ndier njësoj si ai dhe mund të marrin zemër nga guximi i tij.
TË MOS DORËZOHEMI PARA TË KËQIJAVE
8. Si mund të ndikojnë te ne problemet e sotme? Ilustrojeni.
8 Shumë veta ndihen përtokë ngaqë në botën e sotme s’kanë të sosur katastrofat, vështirësitë e streset. Edhe disa të krishterë ndihen njësoj. Lani * nga Australia, e cila po shijonte shërbimin e plotkohor bashkë me të shoqin, thotë se i ra si rrufe kur mori vesh se kishte kancer në gji dhe ndihej e dërrmuar shpirtërisht. Ajo tregon: «Mjekimi më këputi fare dhe ndihesha e pavlerë.» Sikur të mos mjaftonin këto, i duhej të kujdesej edhe për të shoqin që ishte operuar në shtyllën kurrizore. Çfarë mund të bëjmë nëse gjendemi në një situatë të tillë?
9, 10. (a) Çfarë nuk duhet t’i lejojmë Satanait? (b) Si mund ta përballojmë realitetin që përshkruhet te Veprat 14:22?
9 Është mirë të mos harrojmë se Satanai do që të na e minojë besimin me anë të vështirësive. S’duhet ta lejojmë të na e vjedhë gëzimin në këtë mënyrë. Proverbat 24:10 thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Kur meditojmë për shembuj biblikë si ata që përmendëm më lart, i përballojmë vështirësitë me më shumë guxim.
10 Gjithashtu, është mirë të mbajmë në mendje se s’mund t’i shmangim të gjitha problemet. Përkundrazi, presim të kemi probleme. (2 Tim. 3:12) Në Veprat 14:22 thuhet: «Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.» Në vend që të dëshpërohemi, pse të mos i shohim ato si raste për të treguar guxim, të bindur se Perëndia është në gjendje të na ndihmojë?
11. Çfarë të bëjmë që të mos dorëzohemi para vështirësive?
11 Është e nevojshme të përqendrohemi në gjëra pozitive. Fjala e Perëndisë thotë: «Zemra e gëzuar e çel fytyrën, por për shkak të dhembjes së zemrës, fryma dërrmohet.» (Prov. 15:13) Studiuesit në fushën e mjekësisë e kanë pranuar prej kohësh se mendimet pozitive janë ilaç. Shumë pacientë, të cilëve u janë dhënë barna joaktive sugjestionuese (placebo), janë ndier më mirë thjesht sepse mendonin që po mjekoheshin. Është provuar se ndodh edhe efekti i kundërt (nocebo). Shëndeti i pacientëve është keqësuar thjesht sepse iu tha se ilaçi do të kishte efekte negative. Kur e mbajmë mendjen në situata që s’mund t’i ndryshojmë, s’bëjmë gjë tjetër veçse shkatërrojmë veten. E mira është se Jehovai nuk na jep «barna autosugjestionuese». Përkundrazi, edhe në kohë katastrofash, na jep realisht ndihmë duke na inkurajuar me Fjalën e tij, me vëllazërinë që na mbështet dhe me forcën që na jep fryma e shenjtë. Kur përqendrohemi në këto gjëra, rigjallërohemi. Pra, të mos e mbajmë mendjen te të këqijat që na vijnë, por të bëjmë hapa praktikë për të përballuar çdo vështirësi e t’i mbajmë sytë te të mirat që gëzojmë.—Prov. 17:22.
12, 13. (a) Çfarë i ka ndihmuar shërbëtorët e Perëndisë të përballojnë pasojat e katastrofave? Ilustrojeni. (b) Si bëhet e dukshme në kohë katastrofash se çfarë ka më shumë rëndësi në jetë?
12 Kohët e fundit, disa vende janë prekur nga katastrofa të rënda. Është për t’u theksuar se vëllezërit në këto vende kanë treguar një qëndrueshmëri të pazakontë. Kjo s’do të thotë se e kanë pasur të lehtë. Në shkurt të vitit 2010, një tërmet tejet i fortë dhe një tsunam në Kili shkatërruan shumë shtëpi dhe zotërime të vëllezërve e, në disa raste, edhe mjetet e tyre të jetesës. Megjithatë, frymësisht, vëllezërit vazhduan para. Samueli, të cilit iu rrafshua krejtësisht shtëpia, tha: «Edhe në këto rrethana ekstreme, unë e gruaja nuk i lamë në asnjë rast mbledhjet dhe shërbimin. Mendoj se këto zakone na ndihmuan të mos na mbyste dëshpërimi.» Bashkë me shumë të tjerë, ata e hodhën pas krahëve atë që kish ndodhur dhe vazhduan para në shërbim të Jehovait.
13 Në shtator 2009, mbi 80 për qind e sipërfaqes së Manilës në Filipine, u përmbyt nga shirat e rrebeshtë. Një i pasur që pësoi shumë humbje tha: «Përmbytja nuk bëri asnjë dallim. Ajo solli vështirësi e vuajtje si për të varfrit, edhe për të pasurit.» Kjo na kujton këshillën e mençur të Jezuit: «Grumbulloni thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku, dhe ku hajdutët nuk thyejnë e nuk vjedhin.» (Mat. 6:20) Ta ndërtosh jetën rreth gjërave materiale, të cilat mund të zhduken sa hap e mbyll sytë, shpesh sjell zhgënjim. Është shumë më e mençur ta përqendrojmë jetën te marrëdhënia me Jehovain, të cilën s’mund ta cenojë asgjë, çfarëdo që të ndodhë përreth.—Lexo Hebrenjve 13:5, 6.
ARSYE PËR TË TREGUAR GUXIM
14. Ç’arsye kemi për të treguar guxim?
14 Jezui tregoi se gjatë pranisë së tij do të kishte probleme, megjithatë tha: «Mos u tmerroni.» (Luka 21:9) Me të si Mbret dhe me Krijuesin e universit që na mbështet, kemi çdo arsye për të qenë të sigurt. Pavli i dha zemër Timoteut me këto fjalë: «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.»—2 Tim. 1:7.
15. Jepni disa shembuj që tregojnë bindjen e fortë të disa shërbëtorëve te Perëndia dhe shpjegoni si mund të kemi edhe ne një guxim të ngjashëm.
15 Ja disa shprehje që tregojnë bindjen e fortë të disa shërbëtorëve të Perëndisë. Davidi tha: «Jehovai është forca dhe mburoja ime. Tek ai beson zemra ime. Tek ai gjeta ndihmë, prandaj më ngazëllon zemra.» (Psal. 28:7) Pavli e tregoi besimin e tij të patundur me fjalët: «Në të gjitha këto gjëra ne dalim plotësisht fitimtarë me anë të atij që na deshi.» (Rom. 8:37) Po ashtu, edhe Jezui, teksa i afrohej vdekja, nuk la asnjë fije dyshimi në mendjen e dëgjuesve të tij se kishte një marrëdhënie të fortë me Perëndinë, pasi tha: «Unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.» (Gjoni 16:32) Çfarë duket qartë nga këto shprehje? Secila prej tyre tregon besimin e patundur te Jehovai. Nëse kultivojmë një besim të ngjashëm te Perëndia, mund të kemi guxim të përballojmë çfarëdo vështirësie sot.—Lexo Psalmin 46:1-3.
TË MARRIM GUXIM NGA NDIHMA QË NA JEP PERËNDIA
16. Pse është i rëndësishëm për ne studimi i Fjalës së Perëndisë?
16 Për guximin që na duhet si të krishterë nuk mbështetemi te forcat tona. Përkundrazi, marrim guxim kur njohim Perëndinë dhe mbështetemi tek ai. Mund ta arrijmë këtë duke studiuar Fjalën e tij të shkruar, Biblën. Një motër që vuan nga depresioni tregon se çfarë e ndihmon: «Lexoj në mënyrë të përsëritur pjesë nga Bibla që më ngrohin zemrën.» A po e zbatojmë udhëzimin për të bërë rregullisht adhurimin familjar? Pikërisht këto do të na ndihmojnë të kemi qëndrimin e psalmistit që tha: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.»—Psal. 119:97.
17. (a) Ç’mund të na ndihmojë të mos na mpaket guximi? (b) Tregoni si ju ka ndihmuar ndonjë jetëshkrim.
17 Gjithashtu, kemi botime biblike plot informacione që na forcojnë sigurinë te Jehovai. Mjaft vëllezër i kanë ndihmuar shumë jetëshkrimet në revistat tona. Një motër në Azi që vuan nga çrregullimi bipolar i humorit, u kënaq kur lexoi jetëshkrimin e një vëllai që kishte qenë misionar, i cili e kishte përballuar mirë të njëjtin problem. Ajo shkroi: «Më ndihmoi ta kuptoja më mirë problemin tim dhe më dha shpresë.»
18. Pse duhet të lutemi sa më shumë të mundemi?
18 Lutja mund të na ndihmojë në çdo lloj situate. Apostulli Pavël theksoi sa vlerë ka lutja: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) A përfitojmë plotësisht nga lutja për të marrë forcë kur gjendemi mes vështirësive? Aleksi, një vëlla në Britani që ka vuajtur prej kohësh nga depresioni, tha: «Të flas me Jehovain në lutje dhe ta dëgjoj tek lexoj Fjalën e tij, janë për mua si një litar shpëtimi.»
19. Ç’pikëpamje duhet të kemi për pjesëmarrjen në mbledhjet e krishtere?
19 Shoqëria në mbledhje është një ndihmë tjetër jetësore. Një psalmist shkroi: «Shpirti im ka mall e po digjet për oborret e Jehovait.» (Psal. 84:2) A ndihemi edhe ne po njësoj? Lani, që përmendëm më lart, tregon çfarë mendon për shoqërinë e krishterë: «Pjesëmarrja në mbledhje nuk ishte çështje dëshire. E dija se duhej të isha në mbledhje nëse doja që Jehovai të më ndihmonte të përballoja gjendjen.»
20. Si na ndihmon pjesëmarrja në predikim?
20 Marrim guxim edhe duke qenë gjithnjë aktivë në veprën e predikimit të Mbretërisë. (1 Tim. 4:16) Një motër në Australi që ka përballuar një tufë me probleme, thotë: «Predikimi ishte gjëja e fundit që doja të bëja, por një plak më ftoi të dilja me të. Dola. Jehovai duhet të ketë qenë krah meje, se, sa herë dilja në shërbim, ndihesha si me krahë.» (Prov. 16:20) Shumë kanë parë se, kur ndihmojnë të tjerët të ndërtojnë besimin te Jehovai, forcojnë besimin e tyre. Në këtë mënyrë, heqin mendjen nga problemet e veta dhe përqendrohen në gjëra më të rëndësishme.—Filip. 1:10, 11.
21. Çfarë sigurie kemi në lidhje me vështirësitë e sotme?
21 Jehovai na ka siguruar ndihmë të bollshme që t’i përballojmë me guxim vështirësitë e sotme. Nëse përfitojmë nga gjithë këto mënyra, meditojmë për to dhe imitojmë shembullin e shkëlqyer të shërbëtorëve të guximshëm të Perëndisë, jemi të sigurt se mund t’i përballojmë vështirësitë me sukses. Ndonëse mund të ndodhin ende gjëra të këqija, ndërsa ky sistem i afrohet fundit, mund të ndihemi si Pavli, i cili tha: «Jemi të hedhur poshtë, por jo të shkatërruar. . . . Ne nuk dorëzohemi.» (2 Kor. 4:9, 16) Me ndihmën e Jehovait mund t’i përballojmë me guxim vështirësitë e sotme.—Lexo 2 Korintasve 4:17, 18.
^ par. 8 Disa emra janë ndryshuar.