U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Brazil
DISA vjet më parë, Rúbia, një motër që tani është 30 vjeçe, shkoi të vizitonte Sandrën, një pioniere që shërbente në një kongregacion të vogël në jug të Brazilit. Gjatë vizitës, ndodhi diçka që e preku aq shumë sa i ndryshoi rrjedhën e jetës. Çfarë ishte? Le të na e tregojë vetë Rúbia.
«NUK PO U BESOJA DOT VESHËVE»
«Bashkë me Sandrën shkuam te një grua me të cilën studionte Biblën. Gjatë studimit, në bisedë e sipër gruaja tha: ‘Sandra, tri vajza në punën time duan të studiojnë Biblën, por u thashë se duhet të presin radhën. E di që je plot për këtë vit.’ Nuk po u besoja dot veshëve. Kishte njerëz që donin të mësonin për Jehovain, por duhej të mbanin radhën në listën e pritjes! Në kongregacionin tim e kisha të vështirë të gjeja qoftë edhe një studim. Në atë çast, në shtëpinë e asaj studenteje të Biblës, ndjeva një dëshirë të madhe t’i ndihmoja njerëzit në qytetin e saj të vogël. Shpejt u largova nga qyteti i madh ku jetoja e u transferova atje ku shërbente si pioniere Sandra.»
Ç’ndodhi më tej me Rúbian? Ajo tregon: «Pothuaj dy muaj pas transferimit, po drejtoja 15 studime biblike. E besoni ose jo, s’kaloi shumë dhe, njësoj si Sandra, kisha edhe unë një listë pritjeje!»
U NXIT TË RISHQYRTONTE SHËRBIMIN
Diegoja, një vëlla që tani është në fillim të të 20-ave, vizitoi disa pionierë që shërbenin në Prudentopolis, një qytet i vogël në jug të Brazilit. Vizita i la mbresa të thella. Faktikisht, u nxit të rishqyrtonte shërbimin e vet. Ai tregon: «Në kongregacionin tim dilja në shërbim vetëm pak orë çdo muaj dhe ishte sikur qëndroja në breg. Por, kur vizitova ata pionierë dhe dëgjova përvojat që më treguan, s’mund të rrija pa e krahasuar gëzimin e tyre me vaktësinë time në shërbim. Kur shihja sa të lumtur e të kënaqur ishin, dëshiroja që edhe jeta ime të ishte po aq kuptimplotë.» Pas asaj vizite, Diegoja filloi shërbimin e pionierit.
A je edhe ti një i ri i krishterë si Diegoja, që del në shërbim dhe shkon në mbledhje, por e ndien se shërbimi të është bërë disi monoton e jo fort i kënaqshëm? Nëse po, a mund të bësh ndryshime në jetë, që të shijosh gëzimin që vjen kur shërben atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? Natyrisht, ideja që të lësh një jetë të rehatshme mund të të trembë. Prapëseprapë, shumë të rinj kanë zgjedhur të bëjnë pikërisht këtë. Ata kanë guxuar të ndryshojnë synimet e dëshirat e tyre që t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait. Le të shohim një shembull tjetër, Brunon.
MAESTRO MUZIKE APO SHËRBËTOR I PERËNDISË?
Disa vjet më parë, Brunoja, tani 28 vjeç, studionte në një shkollë muzike të famshme dhe kishte si synim të bëhej dirigjent. Në fakt, po ecte aq mirë me studimet, saqë e ftuan disa herë të drejtonte një orkestër simfonike. E priste një karrierë premtuese. «Megjithatë,—thotë ai,—e ndieja se diçka mungonte në jetën time. Ia kisha kushtuar jetën Jehovait, por e dija se nuk po i jepja gjithë sa i kisha premtuar, e kjo më trazonte. Ia shpreha Jehovait këto ndjenja dhe, gjithashtu, fola me vëllezër me përvojë në kongregacion. Pasi e mendova mirë, vendosa të vija shërbimin para muzikës, lashë shkollën dhe mora përsipër sfidën për të shërbyer në një zonë ku kishte vërtet nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë.» Ç’rezultat pati vendimi i tij?
Brunoja u transferua në qytezën e Guapiarës (me rreth 7.000 banorë), gati 260 kilometra nga qyteti i San-Paulos. Ishte një ndryshim i madh. Ai tregon: «Shkova në një shtëpi të vogël pa frigorifer, pa televizor e pa Internet. Sidoqoftë, shtëpia kishte disa gjëra që nuk i kisha pasur kurrë, një kopsht me perime dhe me pemë.» Gjatë kohës që shërbeu në atë kongregacion të vogël, një herë në javë ai e mbushte çantën me ushqim, ujë e literaturë dhe nisej me motoçikletë që të predikonte nëpër fshatra. Shumë njerëz në ato zona nuk e kishin dëgjuar kurrë lajmin e mirë. Brunoja tregon: «Drejtoja deri në 18 studime. Sa gëzim ndieja kur shihja se si studentët bënin ndryshime në jetë!» Ai shton: «Në atë pikë, kuptova se çfarë i kishte munguar jetës sime: kënaqësia e thellë që vjen kur vë në vend të parë shërbimin ndaj Jehovait. Nuk do ta kisha provuar kurrë këtë, nëse do të kisha ndjekur synimet materialiste.» Po si e mbante veten financiarisht në Guapiarë? Buzagaz përgjigjet: «Duke dhënë mësime kitare.» Në njëfarë mënyre ishte ende maestro.
«THJESHT DUHEJ TË QËNDROJA»
Mariana, tani nga fundi i të 20-ave, gjendej në një situatë të ngjashme me të Brunos. Ajo ishte avokate, por ndonëse kishte një profesion fitimprurës, nuk ndihej vërtet e kënaqur. Mariana thotë: «Më dukej sikur po ‘rropatesha pas erës’.» (Ekl. 1:17) Disa vëllezër dhe motra e inkurajuan të mendonte për shërbimin si pioniere. Pasi e mendoi, Mariana bashkë me shoqet e saj, Biankën, Karolinën dhe Julianën, vendosën të ndihmonin një kongregacion në Barra-do-Bugres, një qytet i largët pranë Bolivisë, mijëra kilometra larg shtëpisë. Ç’ndodhi më tej?
Mariana thotë: «Kisha si qëllim të qëndroja atje për tre muaj. Por, kur po afrohej fundi, drejtoja 15 studime biblike. Sigurisht, këta studentë kishin nevojë për më shumë ndihmë që të përparonin në të vërtetën. Prandaj, nuk më bënte zemra t’u thosha se do të ikja. Thjesht duhej të qëndroja.» Pikërisht këtë bënë të katër motrat. A i solli një jetë më me kuptim Marianës kjo karrierë e re? Ajo tregon: «Jam e kënaqur që Jehovai më përdori për të ndihmuar njerëz që ta ndryshonin për mirë jetën. Ndihem e bekuar kur mendoj se po e përdor jetën dhe energjinë time për të bërë diçka që ia vlen vërtet.» Karolina i përmbledh kështu ndjenjat e të katrave: «Kur shtrihem në mbrëmje, ndiej një kënaqësi të thellë, sepse nuk jam kursyer në shërbim të Jehovait. Tani mendoj vetëm si të ndihmoj studentet e mia të Biblës. Mrekullohem tek i shoh të përparojnë. Po shoh sa të vërteta janë fjalët: ‘Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!’»—Psal. 34:8.
Sa i lumtur duhet të jetë Jehovai tek sheh gjithnjë e më tepër vëllezër e motra të reja nga çdo cep i botës që ‘paraqiten vullnetarisht’ për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në vende të largëta! (Psal. 110:3; Prov. 27:11) Në këmbim, të gjithë këta punëtorë të zellshëm provojnë bekimin e pasur të Jehovait.—Prov. 10:22.