Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Nga arkivat tanë

‘Mesazhi më i mirë që kishin dëgjuar’

‘Mesazhi më i mirë që kishin dëgjuar’

«PËR çfarë duhen tërë këta?—pyeti Xhorxh Nejshi, duke treguar një pirg trungjesh 18 metra të gjatë në depon e armëve në Saskatun të Saskaçevanit, Kanada. I thanë se trungjet ishin përdorur për të ndërtuar kulla sinjalizimi gjatë Luftës I Botërore. Vëlla Nejshi tregoi më vonë: «Menjëherë më shkoi mendja t’i përdornim trungjet për të ndërtuar kulla radioje, e kështu lindi ideja për një stacion radiofonik teokratik.» Vetëm një vit më pas, më 1924, filloi transmetimin stacioni CHUC. Ishte një nga stacionet e para radiofonike në Kanada që transmetonin programe me tema fetare.

(1) Stacioni në Edmonton të Albertës (2) Një vëlla po merret me llambat e transmetuesit në Toronto, Ontario

E madhe thuajse sa Evropa, Kanadaja ishte një vend ideal për të dëshmuar me anë të valëve të radios. Florens Xhonsoni, e cila punonte në stacionin e Saskatunit, tha: «Falë transmetimeve tona radiofonike, e vërteta shkoi te shumë njerëz që nuk mund t’i kontaktonim personalisht. E meqë radioja ishte një gjë e re, njerëzit dëgjonin me etje gjithçka që transmetohej.» Në vitin 1926, Studentët e Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) kishin stacionet e tyre radiofonike në katër qytete kanadeze. *

Studio e stacionit CHUC në Saskatun, Saskaçevan

Çfarë do të kishit dëgjuar po të kishit zgjedhur ndonjë nga këto stacione? Shpesh, këngëtarë nga kongregacioni vendës këndonin këngë të shoqëruara nga instrumentistë e madje orkestra të vogla. Natyrisht, vëllezërit mbanin edhe fjalime dhe organizonin diskutime biblike. Emi Xhonsi, e cila mori pjesë në diskutime, kujtonte: «Kur shkoja në shërbim, sapo prezantohesha, rastiste që e zonja e shtëpisë të thoshte: ‘Ah, po, të kam dëgjuar në radio!’»

«Numri i telefonatave gati i zuri frymën stacionit»

Studentët e Biblës në Halifaks, Skoci e Re, shpikën një format të ri radiofonik​—një program me diskutime ku dëgjuesit mund të telefononin e të bënin pyetje biblike. «Reagimi ndaj këtij lloj programi ishte marramendës,​—shkroi një vëlla.—​Numri i telefonatave gati i zuri frymën stacionit.»

 Ashtu si me apostullin Pavël, mesazhi i Studentëve të Biblës solli reagime të ndryshme. (Vep. 17:1-5) Disa dëgjues e pëlqyen. Për shembull, kur dëgjoi në radio se Studentët e Biblës përmendën botimin Studime mbi Shkrimet, Hektor Marshalli porositi gjashtë vëllime. Ai shkroi më vonë: «Mendova se librat do të më ndihmonin të jepja mësim në shkollën e së dielës.» Por, kur mbaroi së lexuari vëllimin I, Hektori vendosi ta linte kishën e tij. U bë ungjillëzues i zellshëm dhe i shërbeu me besnikëri Jehovait derisa vdiq më 1998. Në lindje të Skocisë së Re, një ditë pasi u transmetua fjalimi «Mbretëria, shpresa e botës», kolonel Xh. Mekdonaldi i tha një vëllai vendës: «Banorët e ishullit Kejp Bretën dëgjuan dje një mesazh që ishte më i miri që kishin dëgjuar në këto anë.»

Nga ana tjetër, kleri u tërbua. Disa katolikë në Halifaks kërcënuan ta hidhnin në erë stacionin nga ku transmetoheshin programet e Studentëve të Biblës. E nxitur nga udhëheqësit fetarë, më 1928, papritur qeveria njoftoi se nuk do t’i rinovonte lejet e transmetimit për stacionet e Studentëve të Biblës. Si përgjigje, vëllezërit dhe motrat shpërndanë një mesazh të shtypur me titull Kujt i përket ajri?, ku protestohej kundër një veprimi të tillë të padrejtë. Gjithsesi, zyrtarët qeveritarë nuk pranuan të rinovonin lejet e transmetimit të Studentëve të Biblës.

A iu prenë krahët grupit të vogël të shërbëtorëve të Jehovait në Kanada? Izabela Uejnrajt pohoi: «Ç’është e vërteta, në fillim u duk sikur armiku korri një fitore të madhe. Por, e dija se Jehovai mund ta kishte ndaluar këtë po të kishte qenë në përputhje me qëllimin e tij. Prandaj, kjo do të thoshte se duhej të përshtateshim me një mënyrë tjetër më të veçantë për të shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë.» Në vend që të vareshin kryesisht nga radioja për të dëshmuar, Studentët e Biblës në Kanada filluan të përqendroheshin te vizitat që u bënin njerëzve në shtëpitë e tyre. Megjithatë, në kohën e saj, me siguri radioja luajti një rol të fuqishëm në transmetimin e ‘mesazhit më të mirë që ishte dëgjuar’.​—Nga arkivat tanë në Kanada.

^ par. 4 Për të dëshmuar me anë të radios, vëllezërit në Kanada blinin hapësirë transmetimi edhe në stacionet e tjera radiofonike.