Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kulla e Rojës, botimi i thjeshtuar Pse doli ky botim?

Kulla e Rojës, botimi i thjeshtuar Pse doli ky botim?

Për dekada, njerëz nga mbarë globi kanë vlerësuar dhe kanë nxjerrë dobi nga informacionet e bazuara në Bibël të botuara në faqet e Kullës së Rojës. Në korrik të vitit 2011, doli në anglisht numri i parë i botimit të thjeshtuar për studim të kësaj reviste. Aty shpjegohej: «Ky botim i ri do të dalë për një vit dhe, nëse do të jetë praktik, do të vazhdojë të shtypet.»

Me kënaqësi ju njoftojmë se kemi vendosur të vazhdojmë ta botojmë! Për më tepër, me kalimin e kohës ky botim i thjeshtuar do të jetë në dispozicion edhe në frëngjisht, portugalisht dhe spanjisht.

PSE VLERËSOHET?

Pasi morën botimin e thjeshtuar, disa në Paqësorin Jugor raportuan: «Tani vëllezërit janë në gjendje të kapin plotësisht kuptimin e Kullës së Rojës.» Në një letër tjetër thuhej: «Kohën që më parë e harxhonim për të kuptuar fjalët dhe për të shpjeguar shprehjet, tani e përdorim për të fituar më shumë kuptueshmëri për shkrimet e cituara dhe se si lidhen me mësimin.»

«Kohën që më parë e harxhonim për të kuptuar fjalët dhe për të shpjeguar shprehjet, tani e përdorim për të fituar më shumë kuptueshmëri nga Shkrimet dhe se si lidhen shkrimet me mësimin»

Një e diplomuar në Shtetet e Bashkuara, tha: «Harxhova 18 vjet duke folur e duke shkruar gjuhën abstrakte të arsimit të lartë. E bëra zakon të flisja e të mendoja në një mënyrë më të ndërlikuar sesa duhej. Kuptova se duhej të bëja ndryshime të mëdha në mënyrën si mendoja e si flisja.» Tani që është ungjillëzuese e efektshme, ajo shkruan: «Botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës është goxha ndihmë. Gjuha e tij është një  shembull i shkëlqyer se si t’i shpreh gjërat thjesht.»

Një motër në Angli, e cila u pagëzua në vitin 1972, shkroi për botimin e thjeshtuar të Kullës së Rojës: «Kur lexova numrin e parë, m’u duk sikur Jehovai ishte ulur pranë, me krahun e tij mbi supe, dhe po e lexonim të dy bashkë. Ishte sikur një baba t’i lexonte fëmijës së vet një histori para se të flejë.»

Një motër në Bethelin e Shteteve të Bashkuara, që u pagëzua mbi 40 vjet më parë, tha se ndonjëherë botimi i thjeshtuar e ndihmon t’i kuptojë më mirë gjërat. Për shembull, kutia «Shpjegime për disa shprehje», në numrin e 15 shtatorit 2011, shprehjen ‘re dëshmitarësh’ që gjendet te Hebrenjve 12:1 e përshkruante kështu: «Kishte aq shumë, sa nuk mund të numëroheshin.» Ajo tha: «Kjo ma sqaroi shumë mirë domethënien e vargut.» Në lidhje me Studimin e Kullës së Rojës, shtoi: «Edhe nëse përgjigjet e një fëmije janë drejtpërdrejt nga botimi i thjeshtuar, nuk përdor të njëjtat fjalë si botimi normal i Kullës së Rojës që ka në dorë shumica. Kështu që komentet e fëmijëve janë interesante për auditorin.»

Një motër tjetër në Bethel shkroi: «Mezi pres të dëgjoj komentet e të vegjëlve në kongregacion. Botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës i ka ndihmuar të shprehen plot bindje. Shprehjet e tyre më kanë inkurajuar.»

 Një motër e pagëzuar më 1984, shprehu vlerësimin për këtë botim: «Më duket sikur është shkruar tamam për mua. Sa të lehtë e kam ta kuptoj atë që lexoj. Tani ndihem e sigurt se mund të komentoj gjatë Studimit të Kullës së Rojës.»

NJË MJET I ÇMUAR PËR PRINDËRIT

Nëna e një djali 7-vjeçar tha: «Ngaqë duhej t’i shpjegoja shumë fjali kur studionim Kullën e Rojës, përgatitja zgjaste goxha dhe ishte e lodhshme.» Si e ka ndihmuar botimi i thjeshtuar? Ajo shkruan: «Mahnitem që ai mund t’i lexojë paragrafët e të kapë vërtet kuptimin e tyre. Meqë fjalët nuk janë të vështira dhe fjalitë janë më të shkurtra, ai nuk stepet. Ka filluar t’i përgatitë vetë komentet për në mbledhje dhe është i përqendruar gjatë gjithë studimit.»

«Mahnitem që ai mund t’i lexojë paragrafët e të kapë vërtet kuptimin e tyre»

Nëna e një vajze 9-vjeçare shkroi: «Më përpara na duhej ta ndihmonim për komentet. Tani përgatitet vetë. Rrallë na duhet t’ia shpjegojmë ose t’ia thjeshtojmë informacionet. Ngaqë tani e kap kollaj kuptimin, ndihet vërtet pjesë e Studimit të Kullës së Rojës.»

SI NDIHEN FËMIJËT?

Mjaft fëmijë mendojnë se botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës është bërë kastile për ta. Rebeka 12-vjeçare shprehu këtë dëshirë: «Ju lutem, mos e ndërpritni këtë botim!» Ajo tha: «Më pëlqen shumë pjesa ‘Shpjegime për disa shprehje’. Është mjaft e thjeshtë për kalamajtë.»

Nikoleta 7-vjeçare ndihet po njësoj: «E kisha të vështirë ta kuptoja Kullën e Rojës. Tani mund të bëj më shumë komente me fjalët e mia.» Ema 9-vjeçare shkroi: «Më ka ndihmuar shumë mua dhe vëllanë tim që është 6 vjeç. E kemi fare të lehtë ta kuptojmë. Faleminderit!»

Vërtet, mjaft veta po nxjerrin dobi nga ky botim i Kullës së Rojës, i cili përdor fjalë që kuptohen lehtë në fjali të thjeshta. Ai po plotëson një nevojë dhe do të vazhdojë të dalë bashkë me botimin normal, i cili ka qenë një ndihmë e vlefshme që nga viti 1879.