Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes nga përdorimi besëtytnor i Biblës

Kujdes nga përdorimi besëtytnor i Biblës

«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» (Hebr. 4:12) Me këto fjalë apostulli Pavël theksoi se Bibla ka fuqi t’u prekë zemrat njerëzve dhe t’ua ndryshojë jetën.

Megjithatë, kjo pikëpamje për fuqinë e mesazhit të Biblës filloi të ngatërrohej kur apostazia e parathënë nisi të hidhte rrënjë pas vdekjes së apostujve. (2 Pjet. 2:1-3) Me kalimin e kohës, krerët e kishës filluan të mësonin se Fjala e Perëndisë ka fuqi magjike. Profesor Heri Gembli shkroi për «përdorimin magjik të teksteve të krishtere». Ai vërejti se në shekullin e tretë, Origjeni, një nga etërit e kishës, sugjeroi se «qoftë edhe tingulli i fjalëve të shenjta në vesh është disi i dobishëm: nëse fjalët në magjinë pagane kanë fuqi, sa më të fuqishme duhet të jenë fjalët e vërteta hyjnore të shkrimeve». Joan Krizostomi, në fund të shekullit të katërt, shkroi se «djalli nuk do të guxonte t’i afrohej një shtëpie ku gjendej ungjilli». Gjithashtu, ai raportoi se disa varnin në qafë copëza nga ungjijtë si hajmali të fuqishme. Për më tepër, profesor Gembli tha se, sipas teologut katolik, Agustinit, «nëse dikujt i dhimbte koka, i lejohej të flinte me një kopje të Ungjillit të Gjonit poshtë jastëkut». Kështu, tekstet biblike u përdorën për qëllime magjike. A e konsideroni Biblën si një hajmali ose si diçka fatsjellëse që mund t’ju mbrojë nga e keqja?

Ndoshta mënyra më e zakonshme e përdorimit të gabuar të Biblës është biblomansia. Çfarë është ajo? Të hapësh një libër në një faqe çfarëdo, zakonisht Biblën, dhe të lexosh vargun e parë që të kap syri, me besimin se ato fjalë do të të japin drejtimin e nevojshëm. Për shembull, sipas profesor Gemblit, një herë Agustini dëgjoi një fëmijë nga një shtëpi fqinje të thoshte: «Merre e lexoje, merre e lexoje!» Agustini e mori si një urdhër hyjnor që të hapte Biblën dhe të lexonte vargun e parë që do t’i kapte syri.

A ke dëgjuar për njerëz që, kur kanë një situatë të vështirë, i luten Perëndisë dhe më pas e hapin Biblën kuturu, duke besuar se vargu i parë që do të shohin do t’i ndihmojë ta zgjidhin atë problem? Megjithëse qëllimet mund të jenë të mira, kjo nuk është mënyra se si të krishterët duhet të kërkojnë drejtim nga Shkrimet.

Jezui i siguroi dishepujt se do t’u dërgonte ‘ndihmësin, frymën e shenjtë’. Ai vazhdoi: «[Ky] do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:26) Krejt ndryshe nga kjo, biblomansia nuk kërkon t’i njohësh Shkrimet.

Praktika e biblomansisë dhe përdorime të tjera besëtytnore të Biblës janë të zakonshme. Sidoqoftë, Fjala e Perëndisë e dënon kërkimin e ogureve. (Lev. 19:26; Ligj. 18:9-12; Vep. 19:19) «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi», por ne duhet të jemi të aftë për ta përdorur atë. Njerëzve nuk ua përmirëson jetën përdorimi besëtytnor i Biblës, por njohuria e saktë për të. Kjo njohuri ka ndihmuar shumë veta që të njohin të drejtën e të gabuarën, të braktisin zakonet e këqija, të kenë një jetë familjare më të lumtur dhe të lidhin miqësi me Autorin e Biblës..