Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kesh sukses të vërtetë në jetë?

Si të kesh sukses të vërtetë në jetë?

«Do të kesh sukses në udhën tënde . . . do të veprosh me mençuri.»​—JOS. 1:8.

1, 2. (a) Si e përkufizojnë suksesin shumë njerëz? (b) Si mund ta kuptosh se cila është pikëpamja jote për suksesin?

Ç’DO të thotë të kesh sukses në jetë? Po t’ua bësh këtë pyetje njerëzve, do të marrësh përgjigje nga më të ndryshmet. Për mjaft veta suksesi është të kesh shumë pará, të bësh karrierë ose të jesh tejet i arsimuar. Sipas të tjerëve, sukses do të thotë të shkosh mirë me familjen, me miqtë ose me kolegët. Dikush që i shërben Perëndisë mund ta lidhë suksesin edhe me përgjegjësitë në kongregacion ose me arritjet në shërbim.

2 Që të kuptosh se cila është pikëpamja jote për suksesin, mund të shkruash emrat e disa njerëzve që i konsideron të suksesshëm, pra të atyre që admiron dhe respekton më tepër. Çfarë kanë të përbashkët? Janë të pasur ose të famshëm? Janë me pozitë? Përgjigjet mund të tregojnë fare mirë se çfarë ke në zemër, dhe kjo mund të ndikojë fuqishëm në zgjedhjet që bën dhe në synimet që ndjek.​—Luka 6:45.

3. (a) Ç’duhej të bënte Josiu që të kishte sukses në udhën e tij? (b) Ç’do të shqyrtojmë tani?

3 Ajo që ka më shumë rëndësi është nëse na sheh Jehovai si të suksesshëm, pasi vetë jeta jonë varet nga miratimi i tij. Kur i dha Josiut caktimin e rëndësishëm që t’u printe izraelitëve drejt Tokës së Premtuar, Jehovai i tha të lexonte «ditë e natë» Ligjin e Moisiut dhe të tregonte kujdes që t’i bindej asaj që ishte shkruar. Perëndia e siguroi: «Atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.» (Jos. 1:7, 8) Dhe ti e di se Josiu pati vërtet sukses. Por, ç’të themi për ne? Si mund ta përcaktojmë nëse mendojmë njësoj si Perëndia për suksesin? Për këtë le të shqyrtojmë jetën e dy burrave që përmenden në Bibël.

 A KISHTE SUKSES NË JETË SOLOMONI?

4. Pse mund të themi se Solomoni ishte i suksesshëm?

4 Në shumë aspekte, Solomoni ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Pse? Ngaqë për shumë vjet iu frikësua dhe iu bind Jehovait, i cili e bekoi tej mase. Kujto se, kur Jehovai i tha se mund të kërkonte ç’të donte, mbreti Solomon kërkoi mençuri për të udhëhequr popullin. Pas kësaj, Perëndia e bekoi me mençuri e pasuri. (Lexo 1 Mbretërve 3:10-14.) Mençuria e tij «ia kalonte mençurisë së gjithë atyre që jetonin në Lindje dhe gjithë mençurisë së Egjiptit». Fama e Solomonit u përhap «në të gjitha kombet rreth e përqark». (1 Mbret. 4:30, 31) Ai ishte edhe i pasur. Çdo vit i vinin mbi 22 tonë ar, përveç gjërave të tjera. (2 Kron. 9:13) Shkëlqente në fushat e diplomacisë, të ndërtimit dhe të tregtisë. Po, për sa kohë mbajti një qëndrim të drejtë para Perëndisë, Solomoni pati sukses në jetë.​—2 Kron. 9:22-24.

5. Ç’përfundim nxori Solomoni për ata që janë të suksesshëm në sytë e Perëndisë?

5 Fjalët e Solomonit në librin e Eklisiastiut tregojnë se nuk ishte mashtruar nga mendimi se gëzimi dhe arritjet u përkasin vetëm atyre që kanë pasuri ose pozitë. Përkundrazi, ai shkroi: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për ta, se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Ekl. 3:12, 13) Ai e kuptonte se këto kënaqësi i japin gëzim të vërtetë vetëm atij që ka miratimin e Perëndisë, pra që ka një marrëdhënie të mirë me Të. Solomoni tha me të drejtë: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»​—Ekl. 12:13.

6. Si na ndihmon shembulli i Solomonit të matim suksesin e vërtetë?

6 Për vite me radhë, Solomoni iu frikësua dhe iu bind Perëndisë. Bibla thotë se ai «tregonte dashuri për Jehovain, duke ecur sipas normave që kishte nxjerrë Davidi, ati i tij». (1 Mbret. 3:3) A nuk është ky sukses i vërtetë? Nën drejtimin e Perëndisë, Solomoni ndërtoi një tempull madhështor për adhurimin e vërtetë dhe shkroi tre libra të Biblës. Kuptohet që ne nuk do të arrijmë të bëjmë të njëjtën gjë. Megjithatë, shembulli i Solomonit kur ishte besnik ndaj Perëndisë, mund të na ndihmojë të kuptojmë çfarë është suksesi i vërtetë dhe çfarë duhet të bëjmë për ta arritur. Në lidhje me këtë, kujto se Solomoni shkroi nën frymëzim se pasuria, mençuria, fama dhe pushteti​—që për shumicën e njerëzve sot janë tregues të suksesit—​janë të kota. Këto gjëra janë vërtet boshe, «një rropatje pas erës». A nuk ke parë se shumë nga ata që janë të dashuruar pas pasurisë nuk ngopen asnjëherë? Madje, shpesh shqetësohen se mos humbin ato që kanë. Për më tepër, një ditë pasuria e tyre do t’u kalojë të tjerëve.​—Lexo Eklisiastiun 2:8-11, 17; 5:10-12.

7, 8. Si u bë jobesnik Solomoni dhe cila ishte pasoja?

7 Solomoni nuk iu bind me besnikëri Jehovait deri në fund. Fjala e Perëndisë thotë: «Kur Solomoni u plak, gratë ia kishin kthyer zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. Kështu ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë së vet, si kishte bërë Davidi, ati i vet. . . . Solomoni filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.»​—1 Mbret. 11:4-6.

8 Me të drejtë Jehovait nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj i tha Solomonit: «Meqë . . .  nuk respektove besëlidhjen time dhe ligjet që të urdhërova, unë do ta heq patjetër mbretërinë prej teje dhe kam për t’ia dhënë shërbëtorit tënd.» (1 Mbret. 11:11) Sa keq! Megjithëse kishte qenë i suksesshëm në shumë mënyra, në fund Solomoni e zhgënjeu Jehovain. Ai dështoi në fushën më të rëndësishme të jetës​—besnikëria ndaj Perëndisë. Secili nga ne mund të pyesë veten: «A do të nxjerr mësim nga jeta e Solomonit që të kem sukses?»

NJË JETË VËRTET E SUKSESSHME

9. A ishte i suksesshëm Pavli sipas pikëpamjes së botës? Shpjego.

9 Jeta e apostullit Pavël ndryshonte shumë nga ajo e mbretit Solomon. Pavli nuk kishte fron të fildishtë e nuk shtrohej në gosti me mbretër. Përkundrazi, pati raste kur ishte i uritur, i etur, në të ftohtë dhe i zhveshur. (2 Kor. 11:24-27) Pasi pranoi Jezuin si Mesia, Pavli nuk kishte më pozitë të nderuar në fenë judaike. Madje, krerët fetarë judenj e urryen. Atë e burgosën, e fshikulluan, e rrahën me thupër dhe e qëlluan me gurë. Vetë Pavli tha se ai dhe shokët e tij të besimit i kishin sharë, përndjekur e përgojuar: «Deri tani jemi bërë si plehrat e botës, fundërrinat e çdo gjëje.»​—1 Kor. 4:11-13.

Në sytë e njerëzve, Sauli dukej se ishte në rrugën e suksesit

10. Pse mund të jetë dukur sikur Pavli i vuri shkelmin suksesit?

10 Shumë nga ata që e njihnin Pavlin që të ri, kur njihej ende me emrin Saul, duhet të kenë menduar se ai kishte goxha avantazhe. Duket se vinte nga një familje me emër dhe kishte qenë nxënës i Gamalielit, një mësues i respektuar. Më vonë, vetë Pavli shkroi: «Në judaizëm po përparoja shumë më tepër se bashkëmoshatarët [e mi].» (Gal. 1:14) Fliste rrjedhshëm hebraisht e greqisht, si dhe kishte qytetarinë romake, falë së cilës gëzonte disa privilegje e të drejta të veçanta që lakmoheshin tej mase. Po të ishte përpjekur të kishte sukses në botë, ka të ngjarë të ishte bërë i pasur e me pozitë. Por, në vend të kësaj, ai zgjodhi një drejtim që për të tjerët, e mbase edhe për disa të afërm të tij, ishte krejtësisht marrëzi. Pse?

11. Çfarë vlerësonte Pavli dhe cili ishte synimi i tij? Pse?

11 Pavli e donte Jehovain dhe dëshironte miratimin e tij më shumë se pasurinë dhe famën. Kur mësoi të vërtetën, filloi të vlerësonte gjëra të cilat shumica e njerëzve nuk i di ose s’do t’ia dijë, si shpërblesa, shërbimi i krishterë, shpresa e jetës qiellore. Pavli kuptoi se duhej  zgjidhur një çështje. Satanai kishte thënë se mund t’i bënte njerëzit të mos i shërbenin më Perëndisë. (Jobi 1:9-11; 2:3-5) Pavarësisht se ç’lloj sprovash i dolën para, Pavli ishte i vendosur t’i mbetej besnik Perëndisë, të qëndronte në adhurimin e vërtetë. Ky është një synim që bota nuk e ka fare në listën e saj të suksesit.

Pavli pati sukses të vërtetë

12. Pse zgjodhe t’i varje shpresat te Perëndia?

12 A ke edhe ti të njëjtën vendosmëri si Pavli? Të jesh besnik nuk është gjithmonë e lehtë, megjithatë kjo sjell bekimin dhe miratimin e Jehovait, e pikërisht ky është suksesi i vërtetë. (Prov. 10:22) Kjo na sjell dobi tani e sigurisht bekime në të ardhmen. (Lexo Markun 10:29, 30.) Kështu, kemi çdo arsye të mos i varim shpresat «te pasuria e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë». Ne ‘vëmë si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:17-19) Mund të jemi plotësisht të sigurt se qindra vjet më vonë, madje mijëra vjet a më shumë, do të shohim pas e do të themi: «Po, kjo ishte udha e suksesit të vërtetë!»

KU ËSHTË THESARI YT

13. Ç’këshillë dha Jezui për grumbullimin e thesareve?

13 Jezui tha për thesaret: «Mos grumbulloni më thesare në tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët thyejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku, dhe ku hajdutët nuk thyejnë e nuk vjedhin. Sepse, ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.»​—Mat. 6:19-21.

14. Pse nuk është e mençur të kërkojmë thesare në tokë?

14 Thesaret në tokë mund të mos jenë vetëm paratë. Në njëfarë kuptimi, mund të përfshijnë gjërat për të cilat shkroi Solomoni dhe që njerëzit i vlerësojnë si sukses: prestigji, fama ose pushteti. Ajo që tha Jezui ngjan me atë që tha Solomoni në librin e Eklisiastiut​—thesaret në tokë janë ditëshkurtra. Siç mund ta kesh parë në botën përreth, të gjitha këto thesare prishen e mund të humbin fare lehtë. Ja çfarë shkruan profesori F. Deil Bruner: «Dihet se fama është e paqëndrueshme. Atij që dje ishte i famshëm, sot i ka perënduar fama. Kush bën një thes me para këtë vit, mot falimenton. . . . [Jezui] i do njerëzit. Ai i nxit të mos bëhen viktimë e dëshpërimit të pashmangshëm që sjell lavdia fluturake. Ajo nuk zgjat. Jezui nuk do që dishepujt [e tij] të zhgënjehen. ‘Çdo ditë bota gremis dikë që ishte në majë të saj.’» Shumë pajtohen me këto fjalë, por sa janë ata që i lejojnë fjalët e Jezuit të ndikojnë në mënyrën si jetojnë? Çfarë do të bësh ti?

15. Për ç’lloj suksesi duhet të përpiqemi?

15 Disa krerë fetarë kanë predikuar se  është gabim të kërkosh sukses dhe se çdo përpjekje për ta arritur duhet shtypur. Megjithatë, vëre se Jezui nuk ishte kundër çdo përpjekjeje të tillë. Përkundrazi, ai po i nxiste dishepujt të bënin përpjekje në një drejtim tjetër, duke i këshilluar të grumbullonin «thesare në qiell» të cilat nuk prishen. Dëshira jonë kryesore duhet të jetë që të përpiqemi të kemi sukses sipas pikëpamjes së Jehovait. Po, fjalët e Jezuit na kujtojnë se mund të zgjedhim se çfarë drejtimi do të ndjekim. E vërteta është se do të ndjekim atë që kemi në zemër, atë që ka më shumë vlerë për ne.

16. Ku mund të kemi besim të plotë?

16 Nëse në zemër kemi dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait, mund të jemi të sigurt se ai do të na japë çfarë na nevojitet. Ashtu si në rastin e apostullit Pavël, ai mund të lejojë ndonjëherë të mos kemi për të ngrënë a për të pirë. (1 Kor. 4:11) Megjithatë mund të kemi besim të plotë te këshilla e mençur e Jezuit: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ Sepse të gjitha këto i kërkojnë me etje kombet, por Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mat. 6:31-33.

KI SUKSES NË SY TË PERËNDISË

17, 18. (a) Nga se varet suksesi i vërtetë? (b) Nga se nuk varet suksesi?

17 Një pikë kyçe që s’duhet të harrojmë është kjo: suksesi i vërtetë nuk varet nga arritjet ose pozita që gëzojmë në sytë e botës. Suksesi i vërtetë nuk matet as me ndonjë përgjegjësi në kongregacion. Megjithatë, një bekim i tillë mund të lidhet me atë që është vërtet baza e suksesit: bindja dhe besnikëria ndaj Perëndisë. Ai na thotë se nga kujdestarët kërkohet «që secili të gjendet besnik». (1 Kor. 4:2, Diodati i Ri) E ne duhet të vazhdojmë të jemi besnikë. Jezui tha: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 10:22) A nuk je dakord se të shpëtosh është një provë e pamohueshme e suksesit?

18 Duke menduar për çfarë thamë më lart, mund ta kuptosh se besnikëria ndaj Perëndisë nuk varet nga pozita, arsimimi, pasuria apo vendi që zëmë në shoqëri. Gjithashtu, nuk varet nga inteligjenca, talenti ose aftësitë. Mund të tregohemi besnikë ndaj Perëndisë në çfarëdolloj rrethane. Mes popullit të Perëndisë në shekullin e parë, disa ishin të pasur e disa të varfër. Për të pasurit vlente këshilla që u dha Pavli që ‘të punonin për të mirën, të ishin të pasur në vepra të shkëlqyera, të ishin dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët’. Të pasur e të varfër mund ‘të rroknin jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:17-19) Kjo vlen edhe sot. Të gjithë kemi të njëjtën mundësi dhe përgjegjësi: të qëndrojmë besnikë e të jemi «të pasur në vepra të shkëlqyera». Nëse e arrijmë këtë, do të kemi sukses në sytë e Krijuesit tonë dhe do të kemi kënaqësinë të dimë se po i pëlqejmë atij.​—Prov. 27:11.

19. Çfarë je i vendosur të bësh që të kesh sukses?

19 Mbase nuk i ke në dorë të gjitha rrethanat e tua, megjithatë ke në dorë si t’i përballosh ato. Përpiqu të jesh besnik në çfarëdolloj rrethane. Ia vlejnë përpjekjet. Ki besim se Jehovai do të të bekojë me bollëk, tani dhe gjatë gjithë përjetësisë. Mos i harro kurrë fjalët që u tha Jezui të krishterëve të mirosur: «Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» (Zbul. 2:10, Dio) Ky është suksesi i vërtetë, jeta e përhershme!