Vazhdo t’i afrohesh Jehovait
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—JAK. 4:8.
1, 2. (a) Cilat janë ‘intrigat’ e Satanait? (b) Çfarë do të na ndihmojë t’i afrohemi Perëndisë?
PERËNDIA JEHOVA i krijoi njerëzit me nevojën që t’i afrohen atij. Mirëpo, Satanai do që të mendojmë si ai, se nuk kemi nevojë për Jehovain. Kjo është një gënjeshtër që Satanai e ka përhapur që kur mashtroi Evën në kopshtin e Edenit. (Zan. 3:4-6) Përgjatë historisë, pjesa më e madhe e njerëzimit ka përsëritur atë gabim.
2 Shyqyr që nuk kemi pse të biem në grackën e Satanait, sepse «nuk jemi në padije të intrigave të tij»! (2 Kor. 2:11) Satanai orvatet të na largojë nga Jehovai duke na shtyrë të bëjmë zgjedhje të gabuara. Por, siç u tregua në artikullin e mëparshëm, ne mund të bëjmë zgjedhjet e duhura për sa i përket karrierës, zbavitjes dhe marrëdhënieve familjare. Në këtë artikull do të tregohet se si, duke i dhënë vendin e duhur teknologjisë, shëndetit, parave dhe krenarisë, mund ‘t’i afrohemi Perëndisë’.—Jak. 4:8.
TEKNOLOGJIA
3. Ilustroni si mund të përdoret për mirë ose për keq teknologjia.
3 Sot, anembanë botës, pajisjet elektronike të sofistikuara janë më se të zakonshme. Nëse i përdorim siç duhet, shpikje të tilla mund të na hyjnë në punë. Nëse nuk i përdorim siç duhet, mund ta cenojnë marrëdhënien me Atin tonë qiellor. Le të flasim për kompjuterët. Revista që po lexon është shkruar dhe botuar me ndihmën e kompjuterëve. Kompjuteri mund të jetë një mjet i efektshëm për kërkime dhe komunikim, e ndonjëherë edhe për zbavitje ripërtëritëse. Sidoqoftë, mund të bëhemi të fiksuar pas teknologjisë kompjuterike. Reklamuesit me mjeshtëri u mbushin mendjen njerëzve se duhet t’i kenë patjetër prodhimet më të fundit. Një i ri e dëshironte me aq zjarr një lloj kompjuteri tablet, saqë fshehurazi shiti një veshkë për ta blerë. Ç’sakrificë dritëshkurtër!
4. Si ia doli një i krishterë që e tepronte me kompjuterin?
4 Edhe më tragjike është të sakrifikosh miqësinë e ngushtë me Jehovain duke keqpërdorur ose tejpërdorur teknologjinë. Xhoni, një i krishterë pranë të 30-ave, thotë: «E di se Bibla thotë se duhet ‘të blejmë kohën e duhur’ për gjërat frymore. Por, kur bëhet fjalë për kompjuterët, jam armiku më i keq i vetes.» * Shpesh Xhoni përfundonte deri natën vonë duke u marrë me Internetin. Ai rrëfen: «Sa më i lodhur të isha, aq më të vështirë e kisha të hiqja dorë nga bisedat ose nga videot e shkurtra online, e jo gjithmonë ishin të shëndetshme.» Që të hiqte këtë ves, Xhoni e programoi kompjuterin që të fikej vetë kur të vinte koha për të fjetur.—Lexo Efesianëve 5:15, 16.
5, 6. (a) Cilat përgjegjësi kanë prindërit ndaj fëmijëve? (b) Si mund të sigurohen prindërit që fëmijët të kenë shoqëri të mira?
5 Prindër, s’keni pse të kontrolloni çdo lëvizje të fëmijëve, ama duhet të mbikëqyrni si e përdorin kompjuterin. Mos i lini të bëhen pre e imoralitetit, lojërave të dhunshme, spiritizmit a shoqërive të këqija në Internet, vetëm e vetëm që t’i mbani të zënë e t’i hiqni qafe. Përndryshe mund të nxjerrin përfundimin: «Meqë babi dhe mami s’e çajnë kokën, çdo gjë është në rregull.» Si prindër, e keni për detyrë të mbroni fëmijët, përfshirë adoleshentët, nga çfarëdo gjëje që mund t’i largonte nga Jehovai. Edhe kafshët i mbrojnë të vegjlit nga rreziqet. Imagjinoni ç’do të bënte një arushë po t’i ngacmonin këlyshët!—Krahaso Hozenë 13:8.
6 Ndihmojini fëmijët të kërkojnë shoqëri të shëndetshme me të krishterë të tjerë shembullorë, të rinj e të moshuar. E mos harroni: fëmijët tuaj kanë nevojë që ju të kaloni kohë me ta. Prandaj, veçoni kohë për të qeshur, për të luajtur, për të punuar dhe ‘për t’iu afruar Perëndisë’ së bashku. *
SHËNDETI
7. Pse të gjithë duam të kujdesemi për shëndetin?
7 «Si je me shëndet?» Kjo shprehje e zakonshme zbulon një realitet të zymtë. Ngaqë prindërit tanë të parë e lejuan Satanain t’i largonte nga Jehovai, të gjithë sëmuremi. Sëmundjet i shërbejnë qëllimit të Satanait, sepse kur jemi sëmurë, e kemi më të vështirë t’i shërbejmë Jehovait. E, nëse vdesim, nuk mund t’i shërbejmë fare. (Psal. 115:17) Prandaj, natyrshëm duam të bëjmë sa kemi në dorë për t’u kujdesur për shëndetin. * Po ashtu, duhet të merakosemi për shëndetin dhe mirëqenien e vëllezërve.
8, 9. (a) Si mund të shmangim ekstremet për sa i përket shëndetit? (b) Ç’dobi kemi po të kultivojmë gëzimin?
8 Megjithatë, është e rëndësishme të shmangim ekstremet. Disa kanë reklamuar me zell ca dieta, kura ose produkte, madje më me zell se lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Ndoshta besojnë sinqerisht se po i ndihmojnë të tjerët. Prapëseprapë, nuk është e përshtatshme të reklamojmë produkte dhe trajtime shëndetësore a estetike para ose pas mbledhjeve në Sallën e Mbretërisë a në asamble e kongrese. Pse jo?
9 Ne mblidhemi bashkë për të folur për gjëra frymore dhe për të shtuar gëzimin, i cili është produkt i frymës së shenjtë të Perëndisë. (Gal. 5:22) Dhënia e këshillave ose ofrimi i produkteve shëndetësore, qoftë nëse na i kërkojnë ose jo, mund t’ua mjegullojë qëllimin këtyre rasteve dhe t’ua vjedhë gëzimin të tjerëve. (Rom. 14:17) Secili duhet të vendosë vetë se si t’i përballojë problemet shëndetësore. Për më tepër, askush nuk ka kurën e çdo sëmundjeje. Edhe mjekët më të mirë plaken, sëmuren e në fund vdesin. Shqetësimi i tepruar për shëndetin nuk mund të na e zgjatë jetën. (Luka 12:25) Nga ana tjetër, «një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç».—Prov. 17:22.
10. (a) Cilat cilësi janë të bukura për Jehovain? (b) Si mund të gëzojmë shëndet sa më të mirë?
10 Po njësoj, është me vend të merakosemi për paraqitjen tonë. Por s’ka pse të përpiqemi së tepërmi të fshijmë çdo shenjë të plakjes. Këto shenja mund të jenë tregues të pjekurisë, të dinjitetit dhe të bukurisë së brendshme. Për shembull, Bibla thotë: «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.» (Prov. 16:31) Kështu na sheh Jehovai dhe duhet të përpiqemi ta shohim veten si ai. (Lexo 1 Pjetrit 3:3, 4.) Atëherë, a është e mençur t’u futemi ndërhyrjeve kirurgjike a kurave mjekësore të panevojshme e mbase të rrezikshme thjesht që të bëhemi më tërheqës? «Gëzimi i Jehovait» është burimi i bukurisë së vërtetë që rrezaton nga brenda, pavarësisht nga mosha ose shëndeti. (Neh. 8:10) Vetëm në botën e re do të kemi shëndet të plotë dhe do të rifitojmë bukuri rinore. (Jobi 33:25; Isa. 33:24) Deri atëherë, mençuria praktike dhe besimi do të na ndihmojnë të qëndrojmë afër Jehovait, ndërsa bëjmë më të mirën në rrethanat e tanishme.—1 Tim. 4:8.
PARATË
11. Si mund të bëhen një grackë paratë?
11 Paratë nuk janë të këqija dhe as është e gabuar të merresh me biznes të ndershëm. (Ekl. 7:12; Luka 19:12, 13) Sidoqoftë, nëse ushqejmë ‘dashuri për para’, duam s’duam do të largohemi nga Jehovai. (1 Tim. 6:9, 10) «Ankthet e kësaj bote», shqetësimi i skajshëm për të siguruar nevojat e jetës, mund të na mbytin frymësisht. Po ashtu edhe «fuqia mashtruese e pasurisë», pra mendimi i gabuar se pasuria sjell lumturi dhe siguri të qëndrueshme. (Mat. 13:22) Jezui e bëri të qartë se «askush» nuk mund të arrijë t’i shërbejë edhe Perëndisë, edhe pasurisë.—Mat. 6:24.
12. Cilat lloje grackash financiare janë të zakonshme sot? Si mund t’i shmangim?
12 Pikëpamja e gabuar për paratë mund të çojë në veprime të gabuara. (Prov. 28:20) Premtimet për të fituar para shpejt e lehtë, i kanë joshur disa të blejnë bileta lotarie ose të zhyten në biznese në dukje fitimprurëse ku produktet shiten dorë pas dore, duke tërhequr madje pjesëtarë të tjerë të kongregacionit. Të tjerëve ua kanë hedhur me ofertat për të fituar përqindje të mëdha jorealiste mbi investimet. Mos lejo të të mashtrojë lakmia. Përdor gjykim të mirë. Nëse një ofertë duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë, ka të ngjarë të jetë ashtu.
13. Si ndryshon pikëpamja e Jehovait për paratë nga ajo e botës?
13 Kur vëmë në radhë të parë «mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë», Jehovai i bekon përpjekjet e ekuilibruara për të siguruar nevojat e jetës. (Mat. 6:33; Efes. 4:28) Ai nuk do që të na zërë gjumi gjatë mbledhjeve nga puna e tepërt ose të rrimë ulur në Sallën e Mbretërisë duke vrarë mendjen për paratë. Por shumë njerëz përreth besojnë se vetëm duke u dhënë me mish e me shpirt pas parave, mund të kenë të ardhme të sigurt dhe t’ia marrin shtruar më vonë në jetë. Shpesh i shtyjnë fëmijët të kenë të njëjtin synim materialist. Jezui tregoi se kjo mënyrë të menduari është e paarsyeshme. (Lexo Lukën 12:15-21.) Kjo mund të na sjellë ndër mend Gehazin, i cili mendoi se mund t’i lëshonte fre lakmisë, por njëkohësisht të ruante qëndrimin e mirë para Jehovait.—2 Mbret. 5:20-27.
14, 15. Pse nuk duhet të kërkojmë siguri te sistemi financiar? Jep një shembull.
14 Thuhet se disa shqiponja janë mbytur ngaqë nuk lëshonin nga kthetrat peshkun që ishte tepër i rëndë për to. A mund t’i ndodhë diçka e ngjashme një të krishteri? Ja çfarë thotë një plak me emrin Aleks: «Zakonisht jam shumë kursimtar. Po të hedh pak më tepër shampo, e derdh përsëri në shishe.» Gjithsesi, Aleksi u zhyt kokë e këmbë në tregun e bursës, duke menduar se shpejt mund të linte punën e të niste shërbimin si pionier. U përpi gjithnjë e më shumë nga studimi i ofertave të ndryshme dhe i raporteve të bursës. Me kursimet dhe paratë që mori hua nga agjentë të bursës, bleu aksione që analistët parashikonin se do t’u rritej vlera shpejt. Por ndodhi e kundërta, ato ranë ndjeshëm. Aleksi rrëfen: «Isha i vendosur t’i merrja prapë paratë. Mendoja se po të prisja, aksioneve do t’u rikthehej vlera.»
15 Për muaj me radhë, Aleksi nuk mendonte gjë tjetër. E kishte të vështirë të përqendrohej te gjërat frymore dhe nuk flinte mirë. Por aksionet nuk e arritën kurrë vlerën e mëparshme. Aleksi i humbi kursimet dhe iu desh të shiste shtëpinë. Ai pranon: «I shkaktova shumë dhembje familjes.» Por nxori një mësim të rëndësishëm. «E di se kushdo që ka besim te sistemi i Satanait do të zhgënjehet thellësisht.» (Prov. 11:28) Vërtet, ta mbajmë shpresën te kursimet, tek investimet ose te zotësia për të fituar para në këtë sistem, është njësoj sikur ta mbajmë shpresën te «perëndia i kësaj bote», Satanai. (2 Kor. 4:4; 1 Tim. 6:17) Që nga ajo kohë, Aleksi e ka thjeshtuar jetën «për hir të lajmit të mirë». Ai mund të thotë me plot gojën se kjo e ka bërë atë dhe familjen e tij më të lumtur e i ka afruar më shumë me Jehovain.—Lexo Markun 10:29, 30.
KRENARIA
16. Si ndryshon krenaria e mirë nga ajo e keqe?
16 Të krenohemi për gjërat e duhura mund të mos jetë diçka e keqe. Për shembull, gjithmonë duhet të ndihemi krenarë që jemi Dëshmitarë të Jehovait. (Jer. 9:24) Respekti i duhur për veten të ndihmon të marrësh vendime të mira dhe të mos i ulësh standardet morale. Por, po të vlerësojmë së tepërmi pikëpamjet tona ose pozitën që kemi, mund të largohemi nga Jehovai.—Psal. 138:6; Rom. 12:3.
17, 18. (a) Jep shembuj biblikë të njerëzve të përulur dhe krenarë. (b) Trego se si një vëlla nuk lejoi që krenaria ta largonte nga Jehovai.
17 Bibla përmban shembuj të njerëzve krenarë dhe të njerëzve të përulur. Mbreti David me përulësi iu drejtua Jehovait për udhëheqje dhe Jehovai e bekoi. (Psal. 131:1-3) Por mbretërit krenarë Nabukodonosor dhe Belshazar Jehovai i uli. (Dan. 4:30-37; 5:22-30) Edhe sot hasim situata që vënë në provë përulësinë tonë. Rajani, një 32-vjeçar që shërbente si shërbëtor ndihmës, u transferua në një kongregacion të ri. Ai thotë: «Prisja të më rekomandonin sa më shpejt si plak, por kaloi një vit dhe asgjë s’ndodhi.» A do të mbante inat e të zemërohej, me mendimin se pleqtë nuk e kishin vlerësuar sa duhej? A do t’i linte mbledhjet, duke lejuar që krenaria ta largonte nga Jehovai dhe populli i Tij? Po ti, çfarë do të bëje?
18 «Lexova gjithçka gjeta në botimet tona për pritjen e zgjatur»,—kujton Rajani. (Prov. 13:12) «Nisa të kuptoja se kisha nevojë të mësoja durimin dhe përulësinë, si edhe ta lejoja Jehovain të më stërviste.» Në vend që të përqendrohej te vetja, Rajani iu kushtua shërbimit ndaj të tjerëve, si në kongregacion, edhe në predikim. Pas pak po drejtonte disa studime biblike që po përparonin. Ai tregon: «Pas një viti e gjysmë, kur u emërova si plak, u befasova. Kënaqesha aq shumë në shërbim, sa nuk e kisha më mendjen tek emërimi.»—Lexo Psalmin 37:3, 4.
QËNDRO AFËR JEHOVAIT!
19, 20. (a) Si mund të sigurohemi që asgjë nga gjërat e përditshme të mos të na largojë nga Jehovai? (b) Cilët shembuj të atyre që kanë qëndruar afër Jehovait mund të imitojmë?
19 Të gjitha gjërat që u diskutuan në këtë artikull dhe në të mëparshmin kanë vendin e vet në jetën tonë. Ndihemi krenarë që jemi shërbëtorë të Jehovait. Një familje e lumtur dhe shëndeti i mirë janë ndër dhuratat më të mëdha që na ka bërë Jehovai. E kuptojmë se puna dhe paratë mund të na ndihmojnë të kujdesemi për nevojat tona. E dimë se zbavitja mund të na freskojë dhe teknologjia mund të jetë e dobishme. Mirëpo, po t’u kushtohemi cilësdo prej këtyre gjërave në momentin e gabuar, në një masë të tepërt a në një mënyrë që na pengon në adhurimin tonë, mund të largohemi nga Jehovai.
Mos lejo asgjë të të largojë nga Jehovai!
20 Sigurisht, Satanai do të kënaqej po të ndodhte kjo. Sidoqoftë, mund ta mbrosh veten dhe familjen nga një katastrofë e tillë. (Prov. 22:3) Afroju Jehovait dhe vazhdo të qëndrosh afër tij. Kemi plot shembuj biblikë që mund të na mësojnë për këtë. Enoku dhe Noeja ‘ecën me Perëndinë e vërtetë’. (Zan. 5:22; 6:9) Moisiu «qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebr. 11:27) Perëndia e mbështeti vazhdimisht Jezuin, sepse ai bënte gjithmonë gjërat që i pëlqenin Atit të tij qiellor. (Gjoni 8:29) Imitoji shembuj të tillë. «Gëzoni gjithmonë. Lutuni pa pushim. Falënderoni për çdo gjë.» (1 Sel. 5:16-18) Mos lejo asgjë të të largojë nga Jehovai!