Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruhu nga qëllimet e zemrës

Ruhu nga qëllimet e zemrës

«Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme»,​—thotë Bibla. (Jer. 17:9) Kur zemra jonë dëshiron me zjarr diçka, a nuk gjejmë arsye që t’i përmbushim qëllimet e saj?

Shkrimet na paralajmërojnë: «Nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.» (Mat. 15:19) Zemra jonë e figurshme mund të na tradhtojë dhe të na nxitë të justifikojmë një mënyrë të vepruari që është kundër vullnetit të Perëndisë. Si pasojë, ndoshta s’e kuptojmë çfarë ka ndodhur derisa kemi vepruar pa mençuri. Çfarë mund të na ndihmojë t’i identifikojmë qëllimet e zemrës para se të hyjmë në rrugë të gabuar?

SI T’I DALLOSH QËLLIMET E TUA?

Si ndikon leximi i përditshëm i Biblës te zemra jonë e figurshme?

Lexo Biblën çdo ditë dhe medito për atë që lexon.

Apostulli Pavël shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën.» Mesazhi i Perëndisë që ndodhet në Bibël «është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebr. 4:12) Shqyrtimi i vetes në dritën e Shkrimeve mund të jetë vërtet ndihmë e fuqishme për të dalluar qëllimet e zemrës. Sa jetësore është ta lexojmë përditë Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë për atë që thotë, e kështu të përvetësojmë mendimet dhe pikëpamjen e Jehovait.

Pranimi i këshillave nga Shkrimet dhe zbatimi i parimeve biblike do të ndikojnë në ndërgjegjen tonë, në aftësinë e brendshme që «jep dëshmi». (Rom. 9:1) Zëri i ndërgjegjes mund të parandalojë  justifikimin e një rruge të gabuar. Përveç kësaj, Bibla ka shembuj që mund të shërbejnë si «një paralajmërim për ne». (1 Kor. 10:11) Kur mësojmë prej tyre, nuk do të hedhim hapa në drejtimin e gabuar. Ç’duhet të bëjë secili prej nesh?

Lutjet na ndihmojnë të njohim personin e brendshëm

Lutju Perëndisë të të ndihmojë të dallosh qëllimet e zemrës.

Jehovai është «ai që shqyrton zemrën». (1 Kron. 29:17) Ai «është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjon. 3:20) Perëndia nuk mund të mashtrohet. Nëse ia shprehim hapur në lutje shqetësimet, ndjenjat dhe dëshirat, Jehovai mund të na ndihmojë të dallojmë qëllimet e zemrës. Madje, mund t’i kërkojmë atij ‘të krijojë te ne një zemër të kulluar’. (Psal. 51:10) Prandaj, që të dallojmë prirjet e zemrës, nuk duhet ta nënvlerësojmë mundësinë për t’u lutur.

Mbledhjet e krishtere na ndihmojnë të dallojmë qëllimet e zemrës

Ji i vëmendshëm gjatë mbledhjeve të krishtere.

Po të jemi të vëmendshëm ndaj asaj që thuhet në mbledhjet e krishtere, mund të shqyrtojmë me ndershmëri personin tonë të brendshëm, zemrën. Mund të mos marrim informacione të reja çdo mbledhje, por kur jemi të pranishëm, i kuptojmë më mirë parimet biblike dhe përkujtuesit e çmuar që na ndihmojnë të analizojmë qëllimet e zemrës. Gjithashtu, për të rafinuar personin tonë të brendshëm, vlejnë edhe komentet e vëllezërve e të motrave tanë. (Prov. 27:17) Nëse veçohemi dhe nuk e gëzojmë rregullisht shoqërinë e krishtere në mbledhje, mund të dëmtohemi. Si pasojë mund ‘të kërkojmë të plotësojmë dëshirat tona egoiste’. (Prov. 18:1) Prandaj, tregohemi të mençur nëse pyesim veten: «A e kam zakon të shkoj në çdo mbledhje e të nxjerr dobi prej tyre?»​—Hebr. 10:24, 25.

KU DO TË NA ÇOJË ZEMRA?

Zemra jonë e pabesë mund të na çojë në rrugë të shtrembër në mjaft aspekte të jetës. Le të shqyrtojmë katër prej tyre: rendja pas gjërave materiale, përdorimi i pijeve alkoolike, zgjedhja e shoqërive dhe zbavitja.

Rendja pas gjërave materiale.

Është e natyrshme të duam të plotësojmë nevojat fizike. Megjithatë, Jezui dha një shembull paralajmërues për rëndësinë e tepërt që mund t’u japim gjërave materiale. Në një nga ilustrimet e tij, na fton të shqyrtojmë rastin e një të pasuri që i kishte depot plot dhe s’kishte ku t’i fuste të korrat e tjera të bollshme. Qëllimi i tij ishte t’i shembte depot e të ndërtonte të tjera më të mëdha. Arsyetonte me vete: «Atje do të fut gjithë grurin dhe gjithë të mirat që kam dhe do t’i them shpirtit: ‘Shpirt, ti ke mbledhur shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.’» Por, ky i pasur nuk mori parasysh këtë fakt të pashmangshëm: jeta e tij mund të përfundonte që atë natë.​—Luka 12:16-20.

Teksa vitet kalojnë, mund të merakosemi kaq shumë për të pasur siguri materiale në moshë të shkuar, saqë ndoshta nisim të justifikojmë  punën me orar të zgjatur netëve kur kemi mbledhjen ose në ndonjë mënyrë fillojmë të lëmë pas dore përgjegjësitë e krishtere. A nuk duhet të ruhemi ndaj kësaj prirjeje? Ose mund të jemi të rinj dhe e kuptojmë se s’ka karrierë më të mirë se shërbimi i plotkohor. Gjithsesi, a e shtyjmë për më vonë shërbimin e pionierit duke arsyetuar se në fillim duhet të kemi siguri financiare? A s’duhet të bëjmë çmos tani që të jemi të pasur në sytë e Perëndisë? Ku i dihet nëse do të jemi gjallë nesër?

Përdorimi i pijeve alkoolike.

«Mos rri me ata që pinë verë me tepri»,​—thuhet te Proverbat 23:20. Nëse dikush i dëshiron shumë pijet alkoolike, ndoshta e justifikon pirjen rregullisht. Mbase thotë se pi për t’u qetësuar, jo për t’u dehur. Por, nëse na duhet alkool për t’u qetësuar, ndoshta është koha të shqyrtojmë me ndershmëri prirjen e zemrës.

Zgjedhja e shoqërive.

Pa dyshim, njëfarë kontakti me jobesimtarët është i pashmangshëm, si: në shkollë, në punë dhe në shërbim. Por, është krejt ndryshe të shoqërohesh, e madje të krijosh miqësi të ngushtë me ta. A i justifikojmë këto shoqëri duke thënë se kanë shumë cilësi të mira? Bibla paralajmëron: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Kor. 15:33) Ashtu si pak helm mund të ndotë ujin e pastër, edhe miqësia me ata që s’praktikojnë përkushtimin hyjnor mund të na ndotë frymësisht e të na nxitë t’i bëjmë tonat pikëpamjet, veshjet, të folurit e sjelljen e botës.

Zbavitja.

Teknologjia e sotme na ofron lehtësisht të gjitha llojet e zbavitjeve, shumë prej të cilave janë të diskutueshme ose të papërshtatshme për një të krishterë. Pavli shkroi: ‘Ndyrësia e çdo lloji as të mos përmendet ndër ju.’ (Efes. 5:3) Po sikur zemrën tonë ta tërheqë shikimi ose dëgjimi i diçkaje të ndyrë? Mbase arsyetojmë se kushdo ka nevojë për ca çlodhje a zbavitje, dhe se është çështje personale mënyra si i plotësojmë këto nevoja. Por, le ta marrim për zemër këshillën e Pavlit dhe të mos e lejojmë ndyrësinë të hyjë në sytë ose në veshët tanë.

MUND TË BËJMË NDRYSHIME

Nëse kemi rënë viktimë e prirjeve të një zemre të pabesë dhe e kemi bërë zakon të justifikojmë sjelljen e gabuar, mund të bëjmë ndryshime. (Efes. 4:22-24) Le të shohim dy shembuj të kohëve tona.

Migelit * iu desh të ndreqte pikëpamjen për gjërat materiale. Ai thotë: «Gruaja, djali dhe unë jemi nga një vend ku konsiderohet shumë e rëndësishme të kesh teknologjinë dhe komoditetet më të fundit e më të mirat. Në njëfarë pike iu përvesha punës që të merrja gjithçka mundja nga bota, me mendimin se gjithsesi s’do të bëhesha materialist. Shpejt kuptova se rendja pas të mirave materiale ishte rrugë pa krye. Iu luta Jehovait për pikëpamjet e mia dhe për qëllimet e zemrës. I thashë se donim t’i shërbenim plotësisht si familje. Arritëm të merrnim vendimin për të thjeshtuar jetën dhe për t’u transferuar atje ku kishte më tepër nevojë. S’kaloi shumë dhe u bëmë pionierë. Kemi kuptuar se, për të bërë jetë kuptimplotë e të lumtur, nuk na duhen dhe aq gjëra materiale.»

Përvoja e një burri që quhej Li tregon si e ndihmoi një vetëshqyrtim i ndershëm të hiqte dorë nga shoqëritë e këqija. Ai thotë: «Puna ma kërkonte të shoqërohesha rregullisht me furnizues të huaj. E dija se në ato takime do të pinin me tepri, por më pëlqente të shkoja. Mjaft herë gati sa nuk u deha, por pastaj ndihesha keq. M’u desh ta analizoja zemrën me ndershmëri. Këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe sugjerimet e pleqve më ndihmuan të kuptoja se në të vërtetë po kërkoja shoqërinë e atyre që s’e duan Jehovain. Tani, përpiqem që pjesën më të madhe të punës ta bëj me anë të telefonit dhe mbaj sa më pak lidhje me furnizuesit.»

Duhet të jemi të ndershëm me veten dhe të dallojmë qëllimet e zemrës. Teksa bëjmë këtë, duhet t’i lutemi Jehovait për ndihmë duke kujtuar se «ai i di mirë të fshehtat e zemrës». (Psal. 44:21) Perëndia na ka dhënë edhe Fjalën e tij, e cila mund të shërbejë si pasqyrë për ne. (Jak. 1:22-25) Të vlefshëm janë edhe përkujtuesit e këshillat që marrim nga botimet e krishtere dhe nga mbledhjet tona. Falë këtyre masave, mund ta ruajmë zemrën dhe të vazhdojmë të ecim në shtigjet e drejtësisë.

^ par. 18 Emrat janë ndryshuar.