Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke ‘një zemër për të njohur’ Jehovain?

A ke ‘një zemër për të njohur’ Jehovain?

«Do t’u jap një zemër për të më njohur mua, se unë jam Jehovai. Ata do të jenë populli im.»JER. 24:7.

1, 2. Pse disave mund t’u interesojnë fiqtë?

A TË pëlqen të hash fiq, të freskët ose të thatë? Shumë njerëzve u pëlqen, prandaj fiqtë kultivohen në mjaft vende. Judenjtë e lashtë i çmonin tej mase fiqtë. (Nau. 3:12; Luka 13:6-9) Fiqtë përmbajnë fibra, antioksidues dhe minerale, ndaj disa thonë se bëjnë mirë për zemrën.

2 Një herë Jehovai i krahasoi fiqtë me zemrën. Perëndia nuk po përshkruante vlerat ushqyese të fiqve, por po fliste në mënyrë të figurshme. Ajo që tha nëpërmjet profetit Jeremia lidhet me zemrën tënde dhe të njerëzve të tu të dashur. Teksa shqyrtojmë atë çka tha, të mendojmë për domethënien që mund të ketë kjo për të krishterët.

3. Ç’përfaqësonin fiqtë e përmendur te kapitulli i 24-t i Jeremisë?

3 Së pari, le të shqyrtojmë diçka që tha Perëndia për fiqtë, në ditët e Jeremisë. Në vitin 617 p.e.s., kombi i Judës ishte në një gjendje të keqe frymore. Perëndia dha një vegim për atë që pritej në të ardhmen, duke e ilustruar me dy lloje fiqsh: fiq «shumë të mirë» dhe fiq «shumë të këqij». (Lexo Jereminë 24:1-3.) Fiqtë e këqij përfaqësonin mbretin Zedekia dhe të tjerë si ai që mbreti Nabukodonosor dhe trupat e tij do t’i trajtonin ashpër. Por, ç’të themi për Ezekielin, Danielin dhe tre shokët e tij që tashmë ishin në Babiloni, si dhe për disa judenj që shpejt do t’i çonin atje? Ata ishin si fiq të mirë. Një mbetje e tyre do të ktheheshin që të rindërtonin Jerusalemin dhe tempullin e tij, e kjo ndodhi me kalimin e kohës.Jer. 24:8-10; 25:11, 12; 29:10.

4. Ç’inkurajim mund të marrim nga ajo që tha Perëndia për fiqtë e mirë?

4 Jehovai tha për ata që përfaqësoheshin nga fiqtë e mirë: «Do t’u jap një zemër për të më njohur mua, se unë jam Jehovai. Ata do të jenë populli im.» (Jer. 24:7)  Ky është shkrimi bazë i këtij artikulli, dhe sa inkurajues është! Perëndia është i gatshëm t’u japë njerëzve ‘një zemër për ta njohur’. Në këtë rast, ‘zemra’ lidhet me prirjen e dikujt. Sigurisht, ti do që të kesh një zemër të tillë dhe të jesh pjesë e popullit të tij. Ndër hapat drejt këtij qëllimi përfshihen: të studiojmë e të zbatojmë Fjalën e Perëndisë, të pendohemi e të kthejmë rrugë, t’ia kushtojmë jetën atij dhe të pagëzohemi në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë. (Mat. 28:19, 20; Vep. 3:19) Ndoshta i ke ndërmarrë tashmë këta hapa ose mbase po shoqërohesh rregullisht me Dëshmitarët e Jehovait dhe po i ndërmerr.

5. Kryesisht për zemrën e kujt shkroi Jeremia?

5 Pavarësisht nëse kemi ndërmarrë disa ose tërë këta hapa, duhet t’u kushtojmë vëmendje qëndrimit dhe sjelljes sonë. Arsyen mund ta kuptojmë nga diçka tjetër që shkroi Jeremia për zemrën. Por, për zemrën e kujt? Disa kapituj të librit të Jeremisë flasin për kombet rreth e përqark, megjithatë vëmendje kryesore i kushtohet kombit të Judës gjatë mbretërimit të pesë mbretërve të tij. (Jer. 1:15, 16) Po, Jeremia shkroi kryesisht për burrat, gratë dhe fëmijët që i ishin kushtuar Jehovait. Paraardhësit e tyre kishin zgjedhur vullnetarisht t’i kushtoheshin Atij si komb. (Dal. 19:3-8) Po ashtu, në ditët e Jeremisë, populli ripohoi se i ishte kushtuar Perëndisë. Ata thanë: «Erdhëm te ti, sepse ti, o Jehova, je Perëndia ynë.» (Jer. 3:22) Por, si mendon, si ishte gjendja e zemrës së tyre?

A KISHIN NEVOJË PËR NJË OPERACION NË ZEMRËN E FIGURSHME?

6. Pse duhet të interesohemi në veçanti për atë që tha Perëndia për zemrën?

6 Mjekët e sotëm mund të përdorin teknologjinë e përparuar për të parë gjendjen e zemrës dhe funksionimin e saj. Mirëpo, Jehovai mund të bëjë shumë më tepër, si në ditët e Jeremisë. Perëndia është jashtëzakonisht i kualifikuar, siç e kuptojmë nga fjalët e tij: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë? Unë, Jehovai, hetoj zemrën, . . . për t’i dhënë secilit sipas udhëve të veta, sipas frytit të veprimeve të tij.» (Jer. 17:9, 10) ‘Hetimi i zemrës’ nuk përfshin ndonjë kontroll të zemrës së mirëfilltë, e cila mund të rrahë rreth tre miliardë herë në 70 ose 80 vjet. Përkundrazi, Jehovai po fliste për zemrën e figurshme. Kjo ‘zemër’ i referohet gjithë qenies së brendshme të njeriut, përfshirë dëshirat, mendimet, prirjet, qëndrimet dhe synimet e tij. Ti ke një zemër të tillë. Perëndia mund ta hetojë atë dhe, në njëfarë mase, edhe ti mund ta bësh.

7. Si e përshkroi Jeremia zemrën e shumicës së judenjve në kohën e tij?

7 Që të përgatitemi për këtë hetim, mund të pyesim veten: «Në ç’gjendje ishte zemra e figurshme e shumicës së judenjve në kohën e Jeremisë?» Për t’u përgjigjur, të shqyrtojmë një frazë të pazakontë që përdori Jeremia: «Të gjithë ata të shtëpisë së Izraelit janë të parrethprerë në zemër.» Ai nuk po fliste për rrethprerjen normale të meshkujve judenj, pasi tha: «Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—që do t’i kërkoj llogari cilitdo të rrethpreri, por që megjithatë është i parrethprerë.» Pra, edhe judenjtë e rrethprerë ishin «të parrethprerë në zemër». (Jer. 9:25, 26) Çfarë do të thoshte kjo?

8, 9. Çfarë kishin nevojë të bënin shumica e judenjve për sa i përket zemrës së tyre?

8 Një element ndihmës për domethënien e shprehjes «të parrethprerë në zemër» e gjejmë në nxitjen që u dha Perëndia judenjve: «Rrethpritni zemrën, o banorë të Judës dhe banorë të Jerusalemit, që tërbimi im të mos shpërthejë . . . për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja.» Por, nga  buronin veprimet e tyre të këqija? Nga brenda, nga zemra e tyre. (Lexo Markun 7:20-23.) Po, me anë të Jeremisë Perëndia diagnostikoi saktë burimin e veprimeve të këqija të judenjve. Kishin një zemër të ngurtë dhe rebele. Motivet dhe mendimet e tyre nuk i pëlqenin atij. (Lexo Jereminë 5:23, 24; 7:24-26.) Perëndia u tha: «Rrethprituni për Jehovain, rrethpritni zemrën.»Jer. 4:4; 18:11, 12.

9 Kështu, judenjtë në ditët e Jeremisë kishin nevojë për një operacion në zemrën e figurshme, pra për ‘rrethprerjen e zemrës’, ashtu si ata në kohën e Moisiut. (Ligj. 10:16; 30:6) ‘Të rrethpritnin zemrën’ do të thoshte të hiqnin ato gjëra që ua bënin zemrën të pandjeshme: mendimet, dëshirat ose motivet që binin ndesh me ato të Perëndisë.Vep. 7:51.

‘NJË ZEMËR PËR TA NJOHUR’ SOT

10. Çfarë duhet të dëshirojmë të bëjmë, siç tregohet nga shembulli i Davidit?

10 Sa mirënjohës mund t’i jemi Perëndisë që na jep gjykim të thellë për zemrën e figurshme! «Por pse duhet t’u interesojë kjo Dëshmitarëve të Jehovait sot?»—mund të pyesin disa. Nuk po themi se shumë të krishterë në kongregacione po ecin në udhën e ligësisë ose po bëhen «fiq të këqij», siç ishin mjaft judenj në atë kohë. Përkundrazi, shërbëtorët e Perëndisë sot janë një popull i pastër dhe i devotshëm. Gjithsesi, të mendojmë për përgjërimin që Davidi i bëri Jehovait: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje.»Psal. 17:3; 139:23, 24.

11, 12. (a) Pse secili nga ne duhet ta hetojë zemrën e vet? (b) Çfarë nuk do të bëjë Perëndia?

11 Jehovai do që secili nga ne të jetë i pranueshëm në sytë e tij dhe të mbetet i tillë. Për të drejtin, Jeremia tha: «Ti, o Jehova i ushtrive e heton të drejtin, ti sheh veshkat dhe zemrën.» (Jer. 20:12) Nëse i Plotfuqishmi heton edhe zemrën e të drejtit, a nuk duhet t’i bëjmë edhe ne njëfarë hetimi të ndershëm vetes? (Lexo Psalmin 11:5.) Ndërsa e bëjmë këtë, mund të dallojmë ndonjë qëndrim, synim ose ndjenjë të thellë të cilëve duhet t’u kushtojmë vëmendje. Mund të dallojmë diçka që po na e bën zemrën të pandjeshme, diçka që kuptojmë se duhet ‘rrethprerë’ ose duhet hequr. Ky do të ishte një operacion i zemrës së figurshme. Nëse je dakord që ia vlen ta hetosh zemrën tënde të figurshme, për çfarë mund të kërkosh? Si mund të bësh ndonjë ndreqje të nevojshme?Jer. 4:4.

12 Një gjë është e sigurt: nuk duhet të presim që Jehovai të na detyrojë të ndryshojmë. Ai tha për «fiqtë e mirë» se ‘do t’u jepte një zemër për ta njohur’. Nuk tha se do t’u impononte një ndryshim të zemrës. Ata duhej të dëshironin një zemër të ndjeshme që tregonte se e njihnin Perëndinë. A nuk duhet të dëshirojmë edhe ne të njëjtën gjë?

Hetimi i zemrës dhe ndreqja e dëshirave të papërshtatshme do të sjellë bekime

13, 14. Pse themi se zemra mund ta dëmtojë një të krishterë?

13 Jezui tha: «Nga zemra vijnë arsyetime  të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.» (Mat. 15:19) Qartë, nëse zemra e pandjeshme do ta shtynte një vëlla të kryente kurorëshkelje ose kurvëri dhe ai nuk do të pendohej, mund të humbte përgjithmonë miratimin e Perëndisë. Sidoqoftë, edhe dikush që nuk ka kryer një mëkat të tillë, mbase po lejon që në zemrën e tij të rritet një dëshirë e papërshtatshme. (Lexo Mateun 5:27, 28.) Pikërisht për këtë mund të ndihmojë një hetim personal i zemrës. Po të hetoje zemrën, a do të gjeje ndonjë ndjenjë të papërshtatshme ndaj dikujt të seksit tjetër, dëshira të fshehta që Perëndia nuk do t’i toleronte dhe që duhen hequr?

14 Ose një vëlla që faktikisht nuk ka kryer «vrasje» mund të lejojë që mëria t’ia infektojë zemrën deri aty sa të urrejë një të bashkëkrishterë. (Lev. 19:17) A do të përpiqet të çrrënjosë ndjenja të tilla që mund t’ia bëjnë zemrën të pandjeshme?—Mat. 5:21, 22.

15, 16. (a) Jep një shembull se si një i krishterë mund të jetë ‘i parrethprerë në zemër’. (b) Pse mendon se ‘një zemër e parrethprerë’ nuk do t’i pëlqente Jehovait?

15 Sa mirë që shumica e të krishterëve nuk kanë ‘një problem të tillë të zemrës’! Megjithatë, Jezui foli edhe për ‘arsyetimet e liga’. Këto janë pikëpamje ose qëndrime që mund të na ndotin në shumë fusha të jetës. Për shembull, dikush mund të ketë një ndjenjë besnikërie të shtrembëruar ndaj të afërmve. Natyrisht, të krishterët duan të kenë «përzemërsi të natyrshme» për të afërmit e të mos jenë si mjaft njerëz sot që u mungon kjo lloj përzemërsie në këto ‘ditë të fundit’. (2 Tim. 3:1, 3) Por, ka mundësi që të shkojmë në ekstrem në shfaqjen e kësaj përzemërsie. Shumë mendojnë se gjaku s’bëhet ujë. Prandaj, me çdo kusht mund të mbrojnë ose të përkrahin të afërmit, duke e marrë si personale kur fyejnë ndonjë prej tyre. Mendo se deri ku i çuan ndjenja të tilla të forta vëllezërit e Dinës. (Zan. 34:13, 25-30) Gjithashtu, imagjino ç’kishte në zemër Absalomi që e shtyu të vriste gjysmëvëllanë, Amnonin. (2 Sam. 13:1-30) A nuk qëndronin ‘arsyetimet e liga’ pas këtyre rasteve?

16 Kuptohet që të krishterët e vërtetë nuk vrasin. Por, mos vallë ushqejnë ndjenja negative të forta ndaj një vëllai ose motre që ka trajtuar pa respekt një të afërm të tyre ose që mendojnë se ka vepruar kështu? Ndoshta nuk pranojnë t’i mikpresë bashkëbesimtari që sipas tyre ka keqtrajtuar një të afërm ose mbase nuk i tregojnë kurrë mikpritje atij. (Hebr. 13:1, 2) Ndjenja të tilla negative  të forta dhe mungesa e mikpritjes pasqyrojnë mungesë dashurie dhe nuk duhen justifikuar me moskokëçarje. Po, Hetuesi i zemrave mund ta diagnostikojë këtë si ‘parrethprerje të zemrës’. (Jer. 9:25, 26) Kujto ata që Jehovai u bëri thirrjen: «Rrethpritni zemrën.»Jer. 4:4.

FITO DHE RUAJ ‘NJË ZEMËR PËR TË NJOHUR’ PERËNDINË

17. Si mund të na ndihmojë frika nga Jehovai që të kemi një zemër më të ndjeshme?

17 Po sikur nga hetimi i zemrës sate të figurshme të zbulosh se nuk është e ndjeshme aq sa duhet ndaj këshillave të Jehovait dhe se është disi ‘e parrethprerë’? Ndoshta zbulove frikë njeriu, dëshirë të zjarrtë për pozitë a luks ose madje një prirje për të qenë kokëfortë a i pavarur. Nuk do të ishe i pari. (Jer. 7:24; 11:8) Jeremia shkroi se judenjtë e pabesë në ditët e tij kishin «një zemër të ngurtë dhe rebele». Ai shtoi: «Nuk thonë: ‘Le t’i frikësohemi Jehovait, Perëndisë tonë, Atij që sjell rrebeshin, shiun e vjeshtës dhe shiun e pranverës.’» (Jer. 5:23, 24) A nuk lë të nënkuptohet kjo se një gjë që do të na ndihmojë ‘për të rrethprerë zemrën’ është të kemi më shumë frikë dhe çmueshmëri për Jehovain? Kjo frikë e shëndetshme mund të ndihmojë secilin të ketë një zemër më të ndjeshme ndaj asaj që dëshiron Perëndia nga ne.

18. Ç’premtim u bëri Jehovai atyre në besëlidhjen e re?

18 Ne mund të bashkëpunojmë me Jehovain teksa na jep ‘një zemër për ta njohur’. Në fakt, ja çfarë premtoi të bëjë për të mirosurit në besëlidhjen e re: «Do ta vë ligjin tim brenda tyre dhe do t’ua shkruaj në zemër. Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.» Çfarë tha për faktin që do ta njihnin vërtet? Ai shtoi: «Ata nuk do të mësojnë më secili shokun e vet dhe vëllanë e vet: ‘Njihni Jehovain!’ Sepse të gjithë ata do të më njohin, të vegjël e të mëdhenj. . . . Sepse unë do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.»Jer. 31:31-34. *

19. Ç’perspektivë të mrekullueshme kanë të krishterët e vërtetë?

19 Pavarësisht nëse pret me padurim të nxjerrësh dobi përgjithmonë nga kjo besëlidhje e re në qiell ose në tokë, duhet të duash me gjithë zemër ta njohësh Jehovain dhe të jesh pjesë e popullit të tij. Një kusht për t’i pasur këto dobi është të të falen mëkatet në bazë të shpërblesës së Krishtit. Vetë fakti që mund të të falen mëkatet duhet të të nxitë të jesh i gatshëm të falësh të tjerët, madje edhe ata që mund të të kenë lënduar thellë. Gatishmëria për të hequr nga zemra inatin që mund të kesh, do të të bëjë mirë për zemrën. Kështu, do të tregosh jo vetëm se dëshiron t’i shërbesh Jehovait, por edhe se po e njeh më mirë atë. Do të jesh si ata për të cilët Jehovai tha nëpërmjet Jeremisë: «Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemër. Unë do t’ju lejoj të më gjeni.»—Jer. 29:13, 14.

^ par. 18 Besëlidhja e re shqyrtohet në kapitullin e 14-të të librit Perëndia na flet nëpërmjet Jeremisë.