Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përmbushni rolin tuaj si ungjillëzues

Përmbushni rolin tuaj si ungjillëzues

«Bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.»2 TIM. 4:5.

1. Pse Jehovai mund të quhet Ungjillëzuesi i parë dhe më i madhi?

NJË ungjillëzues është dikush që jep lajmin e mirë. Ungjillëzuesi i parë dhe më i madhi është Perëndia Jehova. Fill pas rebelimit të prindërve tanë të parë, Jehovai shpalli lajmin e mirë se gjarpri, në të vërtetë Satana Djalli, do të shkatërrohet. (Zan. 3:15) Përgjatë shekujve, Jehovai ka frymëzuar burra të besueshëm që të hidhnin me shkrim hollësi se si do të hiqet sharja nga emri i tij, si do të zhbëhet dëmi i shkaktuar nga Satanai dhe se si njerëzimi do të rifitojë mundësitë për të cilat Adami dhe Eva u treguan të padenjë.

2. (a) Ç’rol luajnë engjëjt në lidhje me veprën e ungjillëzimit? (b) Çfarë standardi vendosi Jezui për ungjillëzuesit?

2 Edhe engjëjt janë ungjillëzues. Ata vetë shpallin lajmin e mirë dhe ndihmojnë edhe të tjerët të përhapin këtë lajm. (Luka 1:19; 2:10; Vep. 8:26, 27, 35; Zbul. 14:6) Ç’mund të themi për kryeengjëllin Mikael? Kur ishte në tokë si njeriu Jezu, ai vendosi standardin për ungjillëzuesit njerëzorë. Po, përhapja e lajmit të mirë ishte boshti i jetës së tij.Luka 4:16-21.

3. (a) Çfarë është lajmi i mirë që përhapim? (b) Cilat pyetje na interesojnë ne si ungjillëzues?

3 Jezui i urdhëroi dishepujt të bëheshin ungjillëzues. (Mat. 28:19, 20; Vep. 1:8) Apostulli Pavël e nxiti bashkëpunëtorin e tij, Timoteun: «Bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Tim. 4:5) Çfarë është lajmi i mirë që përhapim ne si ithtarë të Jezuit? Ai përfshin të vërtetën ngushëlluese se Ati ynë qiellor, Jehovai, na do. (Gjoni 3:16; 1 Pjet. 5:7) Një mënyrë kryesore me të cilën Perëndia Jehova shpreh dashurinë është përmes Mbretërisë së tij. Prandaj, me kënaqësi u tregojmë të tjerëve se, të gjithë ata që i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë, i binden Perëndisë dhe bëjnë atë që është e drejtë, mund të gëzojnë miqësinë me të. (Psal. 15:1, 2) Faktikisht, qëllimi i Jehovait është të zhdukë të  gjitha vuajtjet. Gjithashtu, do të fshijë nga mendja dhembjen që vjen nga kujtimet e hidhura të së kaluarës. Oh, ç’lajm i mirë! (Isa. 65:17) Meqë jemi ungjillëzues, le të shqyrtojmë përgjigjet e dy pyetjeve të rëndësishme: pse është jetësore që njerëzit të dëgjojnë lajmin e mirë sot? Si mund ta përmbushim me sukses rolin si ungjillëzues?

PSE NJERËZIT KANË NEVOJË TË DËGJOJNË LAJMIN E MIRË?

Pyetje të efektshme . . . ndihmoji njerëzit të zbulojnë arsyet për bindjet që kanë

4. Ç’trille thonë nganjëherë njerëzit për Perëndinë?

4 Përfytyro sikur dikush të thotë se babai të ka braktisur ty dhe gjithë familjen. Ta zëmë se ata që pretendojnë se e njohin, të thonë se ai është njeri i ftohtë, i fshehtë dhe i pashpirt. Disa të tjerë mundohen të të bindin se më kot përpiqesh të rilidhesh me babanë, sepse ai ka vdekur. Faktikisht, shumë veta kanë dëgjuar trille të tilla për Perëndinë. Ata kanë mësuar se Perëndia është mister, i panjohshëm dhe mizor. Për shembull, disa krerë fetarë pohojnë se Perëndia i ndëshkon përgjithmonë të ligjtë në një vend torturash. Njerëz të tjerë e fajësojnë për vuajtjet e shkaktuara nga katastrofat natyrore. Edhe pse këto vrasin të mirë e të ligj, thuhet se janë ndëshkim nga Perëndia.

Pyetje që ndihmojnë për të hapur mendjen e zemrën që të pranojnë të vërtetën

5, 6. Ç’ndikim ka pasur teoria e evolucionit dhe doktrinat e rreme?

5 Të tjerë akoma ngulin këmbë se Perëndia nuk ekziston. Në lidhje me këtë, mendo për teorinë e evolucionit. Shumë përkrahës të tij pohojnë se jeta erdhi pa asnjë drejtim inteligjent. Thonë se nuk ka Krijues. Madje, disa kanë thënë se njeriu është thjesht një lloj tjetër kafshe, ndaj nuk është për t’u çuditur kur dikush sillet shtazërisht. Ata argumentojnë se të fortët që mbizotërojnë mizorisht mbi të dobëtit, thjesht ndjekin të ashtuquajturin ligj të natyrës. Prandaj, nuk është për t’u habitur që shumë besojnë se do të kemi gjithmonë padrejtësi. Kështu, atyre që besojnë tek evolucioni, u është grabitur shpresa.

6 Pa dyshim, teoria e evolucionit dhe doktrinat e rreme i kanë shtuar mjerimet që përjetojnë njerëzit gjatë ditëve të fundit. (Rom. 1:28-31; 2 Tim. 3:1-5) Këto mësime me burim njerëzor nuk kanë sjellë lajme të mira të vërteta e të qëndrueshme. Përkundrazi, siç thotë apostulli Pavël, ato i kanë lënë njerëzit ‘në errësirë mendërisht dhe i kanë ndarë nga jeta që i përket Perëndisë’. (Efes. 4:17-19) Gjithashtu, teoria e evolucionit dhe doktrinat e rreme i kanë penguar njerëzit të pranojnë lajmin e mirë që vjen nga Perëndia.Lexo Efesianëve 2:11-13.

Pyetje që ndihmojnë për të arsyetuar që të arrijnë vetë në përfundimet e duhura

7, 8. Cila është e vetmja mënyrë që njerëzit ta kuptojnë plotësisht lajmin e mirë?

7 Që njerëzit të pajtohen me Perëndinë, së pari duhet të jenë të bindur se Jehovai ekziston dhe se ka arsye të vlefshme për t’iu afruar. Mund t’i ndihmojmë të fitojnë këtë njohuri duke i nxitur të këqyrin krijimin. Kur e studiojnë krijimin me mendje të hapur, mësojnë për mençurinë dhe fuqinë e Perëndisë. (Rom. 1:19, 20) Për t’i ndihmuar të tjerët të zhvillojnë nderim të thellë teksa mendojnë për atë që ka bërë Krijuesi ynë i Madh, mund të përdorim dy broshurat A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Megjithatë, ata që mësojnë vetëm nga krijimi nuk do të marrin përgjigjet e disa prej pyetjeve më të ndërlikuara të jetës, si: pse i lejon Perëndia vuajtjet? Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën? A interesohet Perëndia për mua si individ?

8 E vetmja mënyrë që njerëzit ta kuptojnë plotësisht lajmin e mirë për Perëndinë dhe qëllimin e tij, është duke  studiuar Biblën. Ç’privilegj kemi t’i ndihmojmë të gjejnë përgjigjet për pyetjet që kanë! Sidoqoftë, për të prekur zemrat e atyre që na dëgjojnë, nuk mjafton t’u japim vetëm fakte; duhet t’i bindim. (2 Tim. 3:14) Mund të jemi më bindës po të ndjekim shembullin e Jezuit. Pse ishte aq i suksesshëm? Një arsye është se i përdori pyetjet me mjeshtëri. Si mund ta imitojmë?

UNGJILLËZUESIT E SUKSESSHËM I PËRDORIN PYETJET ME MJESHTËRI

9. Ç’duhet të bëjmë nëse duam t’i ndihmojmë njerëzit në kuptimin frymor?

9 Pse duhet t’i përdorim pyetjet në veprën e ungjillëzimit ashtu siç bëri Jezui? Mendo për këtë skenë: mjeku të thotë se ka një lajm të mirë për ty. Mund të të shërojë nëse i nënshtrohesh një ndërhyrjeje të rëndë. Mund t’i zësh besë atij. Po sikur të ta ketë premtuar këtë pa të bërë asnjë pyetje për shëndetin? Zor se do t’i zije besë. Pavarësisht se sa i zoti është mjeku, duhet të të bëjë pyetje e të të dëgjojë çfarë simptomash ke para se të të ndihmojë vërtet. Po njësoj, nëse duam t’i ndihmojmë njerëzit të pranojnë lajmin e mirë për Mbretërinë, duhet të mësojmë të bëjmë pyetje me mjeshtëri që të dalim aty ku duam. Mund t’i ndihmojmë vetëm po të kemi një ide të qartë për gjendjen e tyre frymore.

Që të prekim zemrat e atyre që na dëgjojnë, duhet t’i bindim

10, 11. Ç’mund të arrijmë të bëjmë kur imitojmë mënyrën si mësonte Jezui?

10 Jezui e dinte se pyetjet e zgjedhura me kujdes ndihmojnë jo vetëm mësuesin që ta njohë më mirë studentin, por edhe studentin që të përfshihet në bisedë. Për shembull, kur Jezui donte t’u jepte dishepujve një mësim për përulësinë, e nisi bisedën me një pyetje që i vuri në mendime. (Mar. 9:33) Për të mësuar Pjetrin si të arsyetonte mbi parimet, Jezui i bëri pyetje që i lanë hapësirë për disa përgjigje të mundshme. (Mat. 17:24-26) Në një rast tjetër, kur donte të nxirrte atë që dishepujt kishin në zemër, Jezui u bëri disa pyetje radhazi për të ditur pikëpamjen e tyre. (Lexo Mateun 16:13-17.) Duke përdorur pyetje e duke bërë pohime, nuk dha vetëm fakte. Ai u preku zemrat e i motivoi njerëzit të vepronin në përputhje me lajmin e mirë.

11 Kur imitojmë Jezuin duke i përdorur pyetjet me mjeshtëri, arrijmë të paktën tri gjëra: zbulojmë si t’i ndihmojmë më mirë njerëzit, kapërcejmë kundërshtimet e mundshme dhe mësojmë ata me zemër të përulur të nxjerrin dobi për vete. Mendo për tri situata që tregojnë si mund të përdorim pyetje të efektshme.

12-14. Si mund ta ndihmosh fëmijën të ndihet më i sigurt kur të flasë për lajmin e mirë? Jep një shembull.

12 Situata 1: Si prind, ç’do të bëje nëse fëmija adoleshent të shpreh merakun nëse do të jetë i aftë të mbrojë bindjet e tij te krijimi kur të flasë me ndonjë shok klase? S’diskutohet që do të doje ta ndihmoje të ndihej i sigurt kur të flasë për lajmin e mirë. Kështu, në vend që ta kritikosh a ta këshillosh menjëherë, pse të mos imitosh shembullin e Jezuit dhe t’i bësh disa pyetje për të kuptuar pikëpamjen e tij? Si mund ta bësh këtë?

13 Pasi të kesh lexuar me të pjesë nga broshura Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh, mund ta pyesësh cilat argumente i bëjnë më shumë përshtypje. Nxite të zbulojë arsyet pse ai vetë u bind  të besonte se ka një Krijues dhe pse dëshiron të bëjë vullnetin e Perëndisë. (Rom. 12:2) Bëja të qartë se arsyet e tij nuk ka pse të jenë medoemos të njëjta me të tuat.

14 Shpjegoji fëmijës se, kur të flasë me një shok klase, mund të ndjekë si model bisedën që sapo keni bërë. Kjo do të thotë se fëmija mund të shqyrtojë disa fakte, pastaj të bëjë pyetje drejtuese ose që nxjerrin në pah pikëpamjen e tjetrit. Për shembull, mund t’i kërkojë ndonjë shoku të klasës të lexojë kutinë në faqen 21 të broshurës Origjina e jetës. Pastaj mund ta pyesë: «Si thua, kapaciteti i ADN-së për të ruajtur informacione, a nuk është ku e ku më i madh se memoria e ndonjë kompjuteri më të fundit?» Ka shumë të ngjarë që shoku i klasës të përgjigjet po. Më pas, fëmija mund ta pyesë: «Nëse inxhinierët e kompjuterëve nuk i arrijnë dot këto rezultate, si mund ta bënte vetë këtë materia e pavetëdijshme?» Që ta ndihmosh fëmijën të ndihet rehat kur të flasë me të tjerë për besimin e tij, mund të bësh rregullisht prova të tilla me të. Nëse e stërvit t’i përdorë me mjeshtëri pyetjet, do ta ndihmosh të përmbushë rolin që ka si ungjillëzues.

15. Si mund t’i përdorim pyetjet që të ndihmojmë një ateist?

15 Situata 2: Në veprën tonë të predikimit takojmë edhe ata që dyshojnë në ekzistencën e Perëndisë. Për shembull, dikush mund të na thotë se është ateist. Në vend që ta mbyllim bisedën pas këtij komenti, me respekt mund ta pyesim prej sa kohësh ka qenë ateist dhe pse e ka përvetësuar këtë bindje. Pasi dëgjojmë përgjigjet e tij dhe e lavdërojmë ngaqë është menduar mirë për këtë, mund ta pyesim nëse, sipas tij, bën gabim të lexojë diçka që paraqit dëshmi se jeta është krijuar. Po të jetë mendjehapur,  ka gjasa që pronari i shtëpisë të thotë se është e paarsyeshme të mos pranosh të shqyrtosh dëshmi të tilla. Atëherë mund t’i ofrojmë broshurën A u krijua jeta? ose Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh. Pyetjet me takt të bëra me mirëdashje mund të jenë si një çelës që i hap zemrën dikujt për lajmin e mirë.

16. Pse nuk duhet të mjaftohemi kur studenti i Biblës përgjigjet vetëm duke lexuar nga botimi që po studion?

16 Situata 3: Kur drejtojmë një studim biblik, mbase mund t’i kërkojmë studentit të përsëritë përgjigjet e shtypura në botimin që po studion. Megjithatë, kështu mund të pengojmë rritjen frymore të tij. Pse? Sepse një student që përsërit përgjigjet pa u menduar gjatë, zor se hedh rrënjë të thella frymore. Fare lehtë mund të përfundojë si një bimë që vyshket nga flakët e zjarrta të kundërshtimit. (Mat. 13:20, 21) Që të shmangim këtë, duhet ta pyesim studentin si ndihet për atë që po mëson. Përpiqu të zbulosh nëse është dakord me pikat e shqyrtuara. Akoma më e rëndësishme është ta nxitësh të shprehet pse është dakord apo pse jo. Pastaj, ndihmoje të arsyetojë mbi Shkrimet që dora-dorës të mund të arrijë vetë në përfundimet e duhura. (Hebr. 5:14) Po t’i përdorim me mjeshtëri pyetjet, ka shumë të ngjarë që besimi i studentëve tanë të rrënjoset fortësisht dhe t’u bëjnë ballë përpjekjeve të atyre që i kundërshtojnë ose i mashtrojnë. (Kolos. 2:6-8) Ç’gjë tjetër mund të bëjmë që të përmbushim rolin tonë si ungjillëzues?

UNGJILLËZUESIT E SUKSESSHËM NDIHMOJNË NJËRI-TJETRIN

17, 18. Kur jemi me një tjetër në shërbim, si mund të punojmë si një skuadër?

17 Jezui i dërgoi dishepujt të predikonin dy e nga dy. (Mar. 6:7; Luka 10:1) Më vonë, apostulli Pavël përmendi «bashkëpunëtorët» që ‘ishin përpjekur krah për krah me të për lajmin e mirë’. (Filip. 4:3) Në përputhje me këtë model biblik, më 1953, lajmëtarët e Mbretërisë nisën një program për të stërvitur të tjerë në shërbim.

18 Kur je bashkë me një të krishterë tjetër në shërbim, si mund të punoni si një skuadër? (Lexo 1 Korintasve 3:6-9.) Gjej në Biblën tënde shkrimet që po përdor shoku yt i shërbimit. Ji i vëmendshëm ndaj vëllait a motrës, si edhe ndaj të zotit të shtëpisë kur flasin. Ndiqe me kujdes bisedën nëse do të jetë e nevojshme ta ndihmosh tjetrin që të kapërcejë një kundërshtim. (Ekl. 4:12) Por ama, kujdes: trego vetëkontroll e mos ndërhy kur shoku yt i shërbimit po ndjek një linjë arsyetimi të efektshme. Entuziazmi yt i pafrenuar mund ta shkurajojë shokun tënd të shërbimit e të hutojë të zotin e shtëpisë. Nganjëherë, mund të jetë e përshtatshme të marrësh pjesë në bisedë. Por, nëse ke diçka për të thënë, bjeri shkurt me një a dy komente jo të gjata. Pastaj, lërja tjetrit të drejtojë sërish bisedën.

19. Çfarë bëjmë mirë të kujtojmë dhe pse?

19 Si mund të ndihmoni njëri-tjetrin kur kaloni nga dera në derë? Pse të mos e shfrytëzoni këtë kohë për të folur se si mund ta përmirësoni prezantimin? Bëni kujdes që komentet për njerëzit në territor të mos jenë shkurajuese. Po ashtu, shmangni prirjen për të ndjekur të njëjtin avaz me komentet për tiparet negative të bashkungjillëzuesve. (Prov. 18:24) Bëjmë mirë të kujtojmë se jemi enë prej balte. Jehovai ka shfaqur dashamirësi të jashtëzakonshme duke na besuar thesarin e predikimit të lajmit të mirë. (Lexo 2 Korintasve 4:1, 7.) Kështu, të gjithë le ta tregojmë mirënjohjen për këtë thesar duke bërë çmos të përmbushim rolin tonë si ungjillëzues.