A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Çfarë është biblomansia dhe si duhet ta shohin të krishterët?
Biblomansia është një praktikë sipas së cilës mund të hapësh Biblën në një faqe çfarëdo dhe të lexosh vargun e parë që të kap syri, me besimin se ato fjalë do të të japin ndihmën që të nevojitet. Të krishterët e vërtetë nuk kërkojnë ogure. Përkundrazi, ata e studiojnë Biblën që të marrin njohuri të saktë dhe drejtim hyjnor.
Çfarë është «bota» që do të kalojë?
«Bota» që do të kalojë janë njerëzit që jetojnë në tokë, jeta e të cilëve nuk përputhet me vullnetin e Perëndisë. (1 Gjon. 2:17) Toka dhe njerëzit besnikë do të mbijetojnë.
Edhe pse vdiq, si na flet ende Abeli? (Hebr. 11:4)
Nëpërmjet besimit. Mund të mësojmë nga ai dhe të përpiqemi të imitojmë besimin e tij. Shembulli i tij është i gjallë dhe frymëzues.
Në cilat fusha s’duhet të lejojmë asgjë të na largojë nga Perëndia?
Disa fusha janë: puna ose karriera jonë, çlodhja dhe zbavitja që zgjedhim, lidhja emocionale me një të afërm të përjashtuar, dhënia pas teknologjisë, meraku për shëndetin, pikëpamja e gabuar për paratë, vlerësimi i tepruar për mendimet tona ose pozitën.
Çfarë mund të mësojmë nga përulësia e Moisiut?
Moisiu nuk lejoi të krekosej nga autoriteti, por u mbështet te Perëndia, jo te vetja. Kurrë nuk duam të lejojmë pushtetin, autoritetin ose aftësitë e lindura të na krekosin; përkundrazi, duam të kemi besim te Jehovai. (Prov. 3:5, 6)
Ku do të jetojnë të ringjallurit?
Një numër i kufizuar, 144.000, do të jetojnë në qiell. Megjithatë, shumica e atyre që do të ringjallen do të kthehen në jetë këtu në tokë me mundësinë për të jetuar përgjithmonë.
Çfarë do të thoshte që izraelitët ishin «të parrethprerë në zemër»? (Jer. 9:26)
Ata ishin rebelë kokëfortë dhe kishin nevojë të hiqnin ato gjëra që ua bënin të pandjeshme zemrën: mendimet, gjërat që kishin për zemër ose motivet që binin ndesh me ato të Perëndisë. (Jer. 5:23, 24)
Si ishte Jezui shembull i dikujt me një jetë domethënëse?
Ai kishte një qëllim në jetë, të bënte vullnetin e Perëndisë. Kishte dashuri të zjarrtë për Atin e tij dhe i donte njerëzit. Prandaj, Jezui e dinte se Ati e donte dhe e miratonte. Këta janë çelësa për një jetë domethënëse.
Çfarë përfshin pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë?
Përfshin Trupin Udhëheqës, Komitetet e Degëve, mbikëqyrësit udhëtues, trupat e pleqve, kongregacionet dhe Dëshmitarët si individë.
Pse mund të themi se Perëndia nuk u tregua mizor kur ekzekutoi gjykimet e tij?
Jehovai nuk kënaqet me vdekjen e të ligut. (Ezek. 33:11) Veprat e tij në të kaluarën tregojnë se ai me dashuri i paralajmëron njerëzit para se të ekzekutojë gjykimin. Kjo na jep shpresë se do t’u mbijetojmë gjykimeve të së ardhmes.
A i ekzekutonin izraelitët kriminelët duke i varur në shtyllë?
Jo. Kombet e tjera të lashta vepronin kështu, por jo izraelitët. Të paktën në kohën kur u shkruan Shkrimet Hebraike, keqbërësit ekzekutoheshin përpara, për shembull goditeshin me gurë. (Lev. 20:2, 27) Pastaj mund ta varnin kufomën në një shtyllë si paralajmërim për të tjerët.
Pse është kaq e paarritshme paqja në botë?
Megjithëse njerëzit kanë arritur të bëjnë shumë gjëra, ata nuk kanë aftësinë për të drejtuar hapat e vet. (Jer. 10:23) Bota është nën pushtetin e Satanait, kështu që njerëzit nuk mund të vendosin paqen. (1 Gjon. 5:19)