Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bindjuni barinjve të Jehovait

Bindjuni barinjve të Jehovait

«Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj.»HEBR. 13:17.

1, 2. Pse është domethënëse që Jehovai e krahason veten me një bari?

JEHOVAI e krahason veten me një bari. (Ezek. 34:11-14) Kjo është domethënëse, sepse na ndihmon të kuptojmë si është Jehovai. Një bari i dashur njerëzor merr plotësisht përsipër të kujdeset që delet e kopesë së tij të mbeten gjallë e të gëzojnë mirëqenie. Ai u prin në kullota dhe burime uji (Psal. 23:1, 2); i ruan ditë e natë (Luka 2:8); i mbron nga grabitqarët (1 Sam. 17:34, 35); i mban në gji të porsalindurit (Isa. 40:11); e kërkon të humburën dhe kujdeset siç duhet për të sëmurën.Ezek. 34:16.

2 Ngaqë populli i lashtë i Jehovait merrej kryesisht me bujqësi dhe blegtori, e kuptonte lehtësisht krahasimin e Perëndisë Jehova me një bari të dashur. E dinin se delet kanë nevojë për përkujdesje e vëmendje që të rriten mbarë. Në kuptimin frymor është e njëjta gjë me njerëzit. (Mar. 6:34) Ata vuajnë kur u mungon përkujdesja dhe udhëheqja e mirë frymore. Janë të pambrojtur dhe bien moralisht, ashtu siç shpërndahen «delet pa bari». (1 Mbret. 22:17) Megjithatë, Jehovai kujdeset me dashuri për nevojat e popullit të tij.

3. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Portretizimi i Jehovait si një bari ka kuptim edhe në ditët tona. Ai akoma kujdeset për popullin e tij si të jenë dele. Le të vërejmë si i drejton dhe si ua plotëson nevojat sot. Do të shohim edhe si duhet të reagojnë delet ndaj interesimit të dashur të Jehovait.

BARIU I SHKËLQYER SIGURON NËNBARINJ

4. Si kujdeset Jezui për delet e Jehovait?

4 Jehovai ka emëruar Jezuin si kreun e kongregacionit të krishterë. (Efes. 1:22, 23) Si «bariu i shkëlqyer», Jezui pasqyron interesat, qëllimet dhe cilësitë  e Atit të tij. Madje, ai ‘dha shpirtin për delet’. (Gjoni 10:11, 15) Sa bekim që është për njerëzimin flijimi shpërblyes i Jezuit! (Mat. 20:28) Sigurisht, qëllimi i Jehovait është «që kushdo që tregon besim tek ai [Jezui], të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme».Gjoni 3:16.

5, 6. (a) Cilët ka emëruar Jezui që të kujdesen për delet e tij, dhe çfarë kërkohet nga ato që të nxjerrin dobi nga kjo masë? (b) Cila është arsyeja kryesore që na shtyn t’u bindemi pleqve?

5 Si reagojnë delet ndaj Bariut të Shkëlqyer, Jezu Krishtit? Ai tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.» (Gjoni 10:27) Të dëgjosh zërin e Bariut të Shkëlqyer do të thotë të ndjekësh drejtimin e tij në çdo gjë. Kjo përfshin bashkëpunimin me nënbarinjtë frymorë që ai ka emëruar. Jezui tregoi se apostujt dhe dishepujt e tij do ta vazhdonin veprën që nisi. Ata ‘do t’i mësonin’ dhe ‘do t’i ushqenin delet e vogla të Jezuit’. (Mat. 28:20; lexo Gjonin 21:15-17.) Ndërsa lajmi i mirë përhapej dhe numri i dishepujve rritej, Jezui mori masa që kongregacionet të kulloteshin nga të krishterë të pjekur.Efes. 4:11, 12.

6 Duke folur me mbikëqyrësit në kongregacionin e Efesit në shekullin e parë, apostulli Pavël u theksoi se fryma e shenjtë i kishte emëruar si mbikëqyrës ‘që të kullotnin kongregacionin e Perëndisë’. (Vep. 20:28) Po njësoj është edhe me mbikëqyrësit e krishterë sot, sepse emërohen në bazë të kërkesave biblike të frymëzuara nga fryma e shenjtë. Kështu, kur u bindemi mbikëqyrësve të krishterë, tregojmë respekt për Jehovain dhe Jezuin, Barinjtë më të mëdhenj. (Luka 10:16) Patjetër, kjo duhet të jetë arsyeja kryesore që na shtyn t’u nënshtrohemi pleqve. Megjithatë, është e mençur t’u bindemi edhe për arsye të tjera.

7. Si të ndihmojnë pleqtë të ruash një marrëdhënie të mirë me Jehovain?

7 Kur u japin udhëzime bashkëbesimtarëve, pleqtë i inkurajojnë dhe i këshillojnë, duke u bazuar në Bibël ose në parime biblike. Me anë të këtyre udhëzimeve nuk synojnë t’u diktojnë vëllezërve të jetojnë në një mënyrë të caktuar. (2 Kor. 1:24) Përkundrazi, duan t’u japin udhëzime nga Shkrimet që mund t’i ndihmojnë të marrin vendime të mira dhe të nxitin rregullsi e paqe në kongregacion. (1 Kor. 14:33, 40) Pleqtë «rrinë zgjuar për shpirtrat» në kuptimin që duan të ndihmojnë secilin në kongregacion të ruajë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Prandaj, ata nuk ngurrojnë të japin ndihmë kur vërejnë se një vëlla ose një motër po hedh apo tashmë ka hedhur një «hap të gabuar». (Gal. 6:1, 2; Jud. 22) A nuk janë këto arsye të vlefshme që ‘t’u bindemi atyre që marrin drejtimin’?Lexo Hebrenjve 13:17.

8. Si e mbrojnë pleqtë kopenë e Perëndisë?

8 Apostulli Pavël, që ishte vetë një bari i krishterë, u shkroi vëllezërve në Kolose: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» (Kolos. 2:8) Ky paralajmërim nxjerr në pah një tjetër arsye të vlefshme për t’ua vënë veshin pleqve kur japin këshilla nga Bibla. Ata mbrojnë kopenë duke demaskuar këdo që orvatet t’ua minojë besimin vëllezërve. Apostulli Pjetër paralajmëroi për «profetë të rremë» dhe «mësues të rremë» që do të përpiqeshin ‘të ndillnin shpirtrat e paqëndrueshëm’ të bënin gjëra të gabuara.  (2 Pjet. 2:1, 14) Edhe sot pleqtë duhet të japin paralajmërime të tilla kur është e nevojshme. Si të krishterë të pjekur, ata kanë përvojë në jetë. Për më tepër, para se të emëroheshin, kishin provuar se i kuptonin mirë Shkrimet dhe se ishin të kualifikuar të jepnin mësime të shëndosha. (1 Tim. 3:2; Titit 1:9) Falë pjekurisë, ekuilibrit dhe mençurisë së bazuar në Bibël, janë në gjendje që, me mjeshtëri, t’i japin udhëzime kopesë.

Ashtu si një bari mbron kopenë e tij, pleqtë mbrojnë delet që u janë besuar (Shih paragrafin 8.)

BARIU I SHKËLQYER I USHQEN DHE I MBRON DELET

9. Si e drejton dhe e ushqen Jezui kongregacionin e krishterë sot?

9 Përmes organizatës së tij Jehovai siguron ushqim frymor me bollëk për gjithë vëllazërinë mbarëbotërore. Me anë të botimeve tona jepen shumë këshilla nga Shkrimet. Përveç kësaj, nganjëherë organizata u jep drejtim pleqve të kongregacioneve përmes letrave ose udhëzime nëpërmjet mbikëqyrësve udhëtues. Kështu, delet marrin udhëzime të qarta.

10. Çfarë përgjegjësie kanë barinjtë frymorë për ata që janë larguar nga kopeja?

10 Në kuptimin frymor, mbikëqyrësit kanë përgjegjësinë të mbrojnë e të shërojnë këdo në kongregacion dhe të kujdesen për shëndetin frymor të secilit, veçanërisht të atyre që i kanë hapur telashe vetes ose që janë të sëmurë frymësisht. (Lexo Jakovin 5:14, 15.) Disa prej tyre mund të jenë larguar nga kopeja  dhe nuk marrin më pjesë në aktivitete të krishtere. Në raste të tilla, a nuk do të bënte çmos një bari i dashur ta gjente çdo dele të humbur dhe ta nxiste të kthehej në vathë, domethënë, në kongregacion? Patjetër që po! Jezui tha: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.»Mat. 18:12-14.

SI DUHET T’I SHOHIM TË METAT E NËNBARINJVE?

11. Pse disa mund ta kenë të vështirë të ndjekin drejtimin e pleqve?

11 Jehovai dhe Jezui janë barinj të përsosur, kurse nënbarinjtë njerëzorë, që u është besuar kujdesja për kongregacionet, janë të papërsosur. Kjo mund t’i pengojë disa që të ndjekin drejtimin e pleqve. Ata mund të arsyetojnë: «Janë njerëz të papërsosur tamam si ne. Pse duhet t’i dëgjojmë këshillat e tyre?» S’diskutohet, pleqtë nuk janë të përsosur. Megjithatë, duhet të kemi pikëpamjen e duhur për të metat dhe dobësitë e tyre.

12, 13. (a) Ç’mund të themi për të metat e disave që Jehovai u ka dhënë përgjegjësi? (b) Pse u regjistruan në Bibël të metat e burrave me përgjegjësi?

12 Shkrimet flasin shkoqur për të metat e atyre që Jehovai kishte caktuar që të udhëhiqnin popullin e tij në të kaluarën. Për shembull, Davidi u miros si mbret dhe udhëheqës i Izraelit. Megjithatë, nuk i rezistoi tundimit dhe kreu kurorëshkelje e vrasje. (2 Sam. 12:7-9) Gjithashtu, mendoni për apostullin Pjetër. Edhe pse iu besuan përgjegjësi të rëndësishme në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, ai bëri gabime të rënda. (Mat. 16:18, 19; Gjoni 13:38; 18:27; Gal. 2:11-14) Që nga Adami e Eva, asnjë njeri nuk ka qenë i përsosur përveç Jezuit.

13 Përse Jehovai i ka shtyrë shkrimtarët e Biblës të tregonin të metat e atyre që u kishte ngarkuar përgjegjësi? Një nga arsyet ishte të tregonte se mund të përdorë burra të papërsosur për të udhëhequr popullin e tij. Në fakt, kështu ka vepruar gjithmonë. Prandaj, të metat e vëllezërve që marrin drejtimin mes nesh sot, nuk duhet t’i nxjerrim si sebep që të murmuritim kundër tyre ose të shpërfillim autoritetin që kanë. Jehovai pret t’i respektojmë dhe t’u bindemi këtyre vëllezërve.Lexo Daljen 16:2, 8.

14, 15. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si ka komunikuar Jehovai me popullin e tij në të kaluarën?

14 Bindja ndaj atyre që marrin drejtimin sot mes nesh është jetësore. Mendoni për mënyrën si komunikoi Jehovai me popullin e tij në të kaluarën kur u gjend në situata kritike. Kur izraelitët dolën nga Egjipti i lashtë, Perëndia u dha urdhra përmes Moisiut dhe Aaronit. Që t’i mbijetonin plagës së dhjetë, izraelitët duhej t’u bindeshin udhëzimeve që të hanin një darkë të veçantë e të spërkatnin shtalkat dhe arkitraun e derës së shtëpisë me ca nga gjaku i qengjit të therur. Ata nuk e morën këtë drejtim me anë të një zëri nga qielli. Jo, duhej t’i dëgjonin pleqtë e Izraelit të cilët morën udhëzime specifike nga Moisiu. (Dal. 12:1-7, 21-23, 29) Në këto rrethana, Moisiu dhe pleqtë ishin përcjellës të udhëzimeve të Jehovait për popullin. Sot, pleqtë e krishterë luajnë një rol që është po aq jetësor.

15 Pa dyshim, mund të kujtosh raste të shumta nga historia biblike kur Jehovai ka dhënë udhëzime jetëshpëtuese përmes një njeriu ose engjëlli që e përfaqësonte. Në të gjitha këto raste, Perëndia e pa të udhës të delegonte autoritet.  Lajmëtarët flitnin në emër të tij dhe i tregonin popullit se çfarë duhej të bënte që t’i mbijetonte ndonjë situate kritike. A nuk mund të bëjë Jehovai diçka të ngjashme në Harmagedon? Natyrisht, çdo plak që i është deleguar përgjegjësia të përfaqësojë Jehovain ose organizatën e Tij sot, duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm të mos abuzojë me autoritetin që i është besuar.

«NJË KOPE E VETME ME NJË BARI TË VETËM»

16. Cilave ‘fjalë’ duhet t’u vëmë veshin?

16 Populli i Jehovait është «një kope e vetme me një bari të vetëm», Jezu Krishtin. (Gjoni 10:16) Jezui tha se do të ishte me dishepujt e tij «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mat. 28:20) Si mbret qiellor, ai ka plotësisht në dorë çdo gjë që do të ndodhë para se të ekzekutojë gjykimin kundër botës së Satanait. Që të mbetemi të bashkuar dhe të sigurt brenda kopesë së Perëndisë, si të thuash duhet të dëgjojmë «nga prapa fjalët» që na tregojnë ç’drejtim duhet të marrim. «Fjalët» përfshijnë atë çka thotë fryma e shenjtë e Perëndisë me anë të Biblës, dhe atë që thonë Jehovai e Jezui përmes atyre që i kanë emëruar si nënbarinj.Lexo Isainë 30:21; Zbulesën 3:22.

Pleqtë përpiqen të mbrojnë familjet me një prind nga shoqëritë e dëmshme (Shih paragrafët 17, 18.)

17, 18. (a) Cili rrezik i kanoset kopesë, por për çfarë mund të jemi të sigurt? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

17 Bibla tregon se Satanai «vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjet. 5:8) Si grabitqar i egër dhe i pangopshëm, ai ndjek këmba-këmbës kopenë, duke pritur rastin të mbërthejë me kthetra të pavëmendshmit ose ata që janë larguar prej saj. Ja përse duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me kopenë dhe me Jehovain, ‘mbikëqyrësin e shpirtrave tanë’. (1 Pjet. 2:25) Për ata që do të mbijetojnë në shtrëngimin e madh, Zbulesa 7:17 thotë: «Qengji [Jezui] . . . do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» A ka një premtim më të mirë se ky?!

18 Tani që kemi shqyrtuar rolin tejet të rëndësishëm të pleqve të krishterë si nënbarinj frymorë, bëjmë mirë të pyesim: «Si mund të sigurohen ata burra të emëruar se i trajtojnë delet e Jezuit në mënyrën e duhur?» Përgjigjja do të shqyrtohet në artikullin vijues.