Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të bësh sakrifica për Mbretërinë?

A do të bësh sakrifica për Mbretërinë?

«Perëndia do një dhënës të gëzuar.»2 KOR. 9:7.

1. Ç’lloj sakrificash bëjnë shumë njerëz dhe pse?

NJERËZIT janë gati të bëjnë sakrifica për gjërat që i konsiderojnë të rëndësishme. Prindërit harxhojnë kohë, para dhe energji për të mirën e fëmijëve. Atletët e rinj që aspirojnë të përfaqësojnë vendin e tyre në Lojërat Olimpike kalojnë orë të tëra çdo ditë duke u stërvitur, kurse bashkëmoshatarët argëtohen e bëjnë qejf. Edhe Jezui bëri sakrifica për gjërat që i konsideronte të rëndësishme. Ai nuk kërkoi luks dhe nuk pati fëmijë. Në vend të kësaj, vendosi të përqendrohej në interesat e Mbretërisë. (Mat. 4:17; Luka 9:58) Po njësoj, dishepujt e tij sakrifikuan goxha për të mbështetur Mbretërinë e Perëndisë. Gjëja kryesore për ta ishte të çoheshin përpara interesat e saj dhe bënë sakrifica që të përfshiheshin sa më shumë për ta mbështetur. (Mat. 4:18-22; 19:27) Kështu mund të pyesim veten: «Çfarë ka rëndësi për mua?»

2. (a) Cilat janë sakrificat thelbësore për çdo të krishterë të vërtetë? (b) Çfarë sakrificash të tjera mund të bëjnë disa?

2 Disa sakrifica janë thelbësore për çdo të krishterë të vërtetë dhe janë jetësore nëse duam të zhvillojmë e të mbajmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Për shembull, t’i kushtojmë kohë dhe energji lutjes, leximit të Biblës, adhurimit familjar, pjesëmarrjes në mbledhje dhe predikimit. * (Jos. 1:8; Mat. 28:19, 20; Hebr. 10:24, 25) Falë përpjekjeve tona dhe bekimit të Jehovait, vepra e predikimit po merr vrull dhe ende shumë po vërshojnë drejt ‘malit të shtëpisë së Jehovait’. (Isa. 2:2) Për të mbështetur aktivitetet për Mbretërinë, shumë bëjnë sakrifica që të shërbejnë në Bethel, të ndihmojnë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të Asambleve, të organizojnë  Kongrese ose të ndihmojnë në rast katastrofash. Kjo punë shtesë nuk është një kërkesë për të fituar jetën, por është e domosdoshme për të mbështetur interesat e Mbretërisë.

3. (a) Si nxjerrim dobi kur bëjmë sakrifica për Mbretërinë? (b) Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë?

3 Sot më shumë se kurrë ka nevojë për të mbështetur aktivisht Mbretërinë. Sa gëzohemi kur shohim që mjaft veta bëjnë sakrifica për Jehovain me dëshirë! (Lexo Psalmin 54:6.) Një frymë e tillë bujare na sjell shumë gëzim ndërsa presim ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. (Ligj. 16:15; Vep. 20:35) Megjithatë, të gjithë duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të kujdesshëm. A ka ndonjë mënyrë se si mund të bëjmë sakrifica të mëtejshme për Mbretërinë? Si po i përdorim paratë, kohën, energjinë dhe aftësitë? Për çfarë duhet të kemi kujdes? Le të rishikojmë një model që mund të imitojmë kur bëjmë sakrifica vullnetare e kështu të shtojmë gëzimin.

FLIJIMET NË IZRAELIN E LASHTË

4. Si nxorën dobi izraelitët nga bërja e flijimeve?

4 Falja e mëkateve në Izraelin e lashtë bazohej te flijimet. Ato ishin të domosdoshme që populli të gëzonte miratimin e Jehovait. Disa ishin të detyruara, të tjera vullnetare. (Lev. 23:37, 38) Blatimet e djegura mund të paraqiteshin si blatime vullnetare, ose dhurata, për Jehovain. Një shembull i jashtëzakonshëm i blatimeve është lënë gjatë përurimit të tempullit në ditët e Solomonit.2 Kron. 7:4-6.

5. Ç’masa mori Jehovai për ata që ishin të varfër?

5 Si një atë i dashur, Jehovai kuptonte se jo çdokush mund të jepte në të njëjtën masë dhe kështu i kërkonte secilit sipas mundësive. Në ligjin e Jehovait u bë e qartë se gjaku i kafshës duhej derdhur. E kjo ishte ‘një hije e gjërave të mira që do të vinin’ me anë të Birit të tij, Jezuit. (Hebr. 10:1-4) Megjithatë, Jehovai nuk e zbatoi ligjin me rreptësi. Për shembull, Perëndia do të pranonte turtuj si një blatim, nëse dikush nuk përballonte një blatim nga bagëtia e imët ose e trashë. Kështu edhe të varfrit mund të provonin gëzim kur i bënin flijime Jehovait. (Lev. 1:3, 10, 14; 5:7) Edhe pse kafshët që flijoheshin mund të ishin të ndryshme, dy gjëra kërkoheshin  nga kushdo që bënte flijime vullnetare.

6. Çfarë kërkohej nga kushdo që bënte flijime, dhe sa e rëndësishme ishte të zbatoheshin këto kërkesa?

6 Së pari, secili duhej të jepte më të mirën. Jehovai i tha kombit se çfarëdo blatimi duhej të ishte i shëndetshëm që ‘të miratohej’. (Lev. 22:18-20) Po të ishte një kafshë me të meta, flijimi do të konsiderohej i papranueshëm për Jehovain. Së dyti, ai që ofronte një flijim duhej të ishte i pastër e i pandotur. Para se të bënte një blatim vullnetar, nëse dikush ishte ndotur për ndonjë arsye, duhej të ofronte një blatim për mëkatin ose për fajin, që të rifitonte qëndrimin e pastër para Jehovait. (Lev. 5:5, 6, 15) Kjo ishte një çështje serioze. Jehovai e bëri të qartë se, nëse një i papastër merrte pjesë në një flijim në bashkësi që përfshinte një blatim vullnetar, do të shfarosej nga populli i tij. (Lev. 7:20, 21) Mirëpo, ai që bënte flijime mund të gëzonte me gjithë shpirt nëse kishte një qëndrim të mirë para Jehovait dhe nëse blatimi i tij ishte i patëmetë.Lexo 1 Kronikave 29:9.

SAKRIFICAT E SOTME

7, 8. (a) Çfarë gëzimi provojnë shumë veta kur bëjnë sakrifica për Mbretërinë? (b) Cilat të mira kemi në dorë?

7 Edhe sot shumë janë të gatshëm të punojnë fort në shërbim të Jehovait, dhe ai kënaqet me këtë. Puna në të mirë të vëllezërve është shpërblyese. Një vëlla që ka marrë pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe që ka ndihmuar ata që janë prekur nga katastrofat natyrore thotë se është e vështirë të përshkruajë kënaqësinë që ka ndier duke shërbyer në këto mënyra. Ai shprehet: «Ia vlejnë të gjitha përpjekjet teksa sheh lumturinë dhe mirënjohjen e vëllezërve e motrave vendase kur hyjnë në Sallën e re të Mbretërisë, si edhe kur ndihmohen pas një katastrofe natyrore.»

Shumë blatime ishin vullnetare, ashtu si shumë sakrifica që bëjmë sot (Shih paragrafët 7-13.)

8 Populli i Jehovait në kohën tonë gjithmonë ka kërkuar mundësi për të mbështetur veprën e Tij. Më 1904 vëlla Ç. T. Rasëlli shkroi: «Secili duhet ta konsiderojë veten të emëruar nga Zotëria si kujdestar të kohës, të influencës, të parave e të çdo gjëje tjetër që ka, e të përpiqet t’i përdorë këto të mira sa më shumë në lavdi të Zotërisë.» Edhe pse korrim bekime të bollshme, na kushton diçka  kur i bëjmë sakrifica Jehovait. (2 Sam. 24:21-24) A mund t’i përdorim sa më mirë gjërat që zotërojmë?

Bethelitë në Australi

9. Cilin parim nga udhëzimet e Jezuit, te Luka 10:2-4, mund të zbatojmë kur bëhet fjalë për përdorimin e kohës?

9 Koha. Duhet goxha kohë dhe përpjekje që të përkthehet dhe shtypet literatura jonë, të ndërtohen vende adhurimi, të organizohen kongrese, të jepet ndihmë në rast katastrofash e të përfshihemi në mjaft aktivitete të tjera të nevojshme. Çdo ditë kemi vetëm 24 orë. Jezui tregoi një parim që mund të na hyjë në punë. Kur i dërgoi dishepujt në predikim, u tha: «Mos rrini të përqafoheni me të tjerët kur të përshëndeteni rrugës.» (Luka 10:2-4) Pse Jezui dha një udhëzim të tillë? Një komentues biblik vëren: «Përshëndetjet mes njerëzve të Lindjes nuk bëheshin si tani, me një përkulje të lehtë koke apo me një zgjatje dore, por me përqafime dhe përkulje të shumta, madje edhe me rënie përmbys në tokë. E gjithë kjo kërkonte goxha kohë.» Jezui nuk po i nxiste dishepujt të ishin pa edukatë. Përkundrazi, po i ndihmonte të kuptonin se koha që kishin, ishte e kufizuar dhe duhej ta shfrytëzonin në maksimum që të kujdeseshin për gjërat më të rëndësishme. (Efes. 5:16) A mund ta zbatojmë këtë parim që të kemi më shumë kohë për veprat që mbështetin Mbretërinë?

Lajmëtarë në Sallën e Mbretërisë në Kenia, Afrikë

10, 11. (a) Cilat janë disa mënyra se si përdoren kontributet që bëjmë për veprën mbarëbotërore? (b) Sipas 1 Korintasve 16:1, 2, cili parim mund të na ndihmojë?

10 Paratë. Nevojiten goxha para për të mbështetur aktivitetet e Mbretërisë. Çdo vit dhjetëra milionë dollarë harxhohen për të mbuluar shpenzimet e mbikëqyrësve udhëtues, të pionierëve specialë dhe të misionarëve. Që nga 1999-a, mbi 24.500 Salla Mbretërie janë ndërtuar në vende me të ardhura të kufizuara. Megjithatë, duhen akoma edhe afro 6.400 Salla Mbretërie. Çdo muaj shtypen rreth 100 milionë kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! E gjithë kjo mbështetet me kontributet tuaja vullnetare.

11 Apostulli Pavël dha një parim që duhet ndjekur për kontributet. (Lexo 1 Korintasve 16:1, 2.) Nën frymëzim, ai i nxiti vëllezërit në Korint të mos pritnin deri në fund të javës për të parë se çfarë do t’u mbetej nga të ardhurat. Përkundrazi, që në fillim të javës duhej të vinin mënjanë ca para sipas mundësive. Ashtu si në shekullin e parë, sot vëllezërit e motrat planifikojnë që më përpara të japin bujarisht në varësi të rrethanave. (Luka 21:1-4; Vep. 4:32-35) Një frymë e tillë bujare është e vyer për Jehovain.

Një vullnetar nga Komiteti Rajonal i Ndërtimit në Tuksedo, Nju-Jork, SHBA

12, 13. Cilat shqetësime mund t’i stepin disa të përdorin energjitë dhe aftësitë e tyre, por si do t’i ndihmojë Jehovai?

12 Energjitë dhe aftësitë. Jehovai na mbështet teksa përpiqemi t’i përdorim energjitë dhe aftësitë tona për Mbretërinë. Ai premton të na ndihmojë kur të lodhemi. (Isa. 40:29-31) A ndihemi të paaftë për të marrë pjesë në këtë vepër? A po mendojmë se të tjerët janë më të zotë se ne? Mos harro se Jehovai mund t’ia shtojë kujtdo aftësitë e lindura, ashtu siç veproi me Bezalelin dhe Oholiabin.Dal. 31:1-6; shih figurën pranë titullit.

13 Jehovai na inkurajon të japim më të mirën pa ngurruar. (Prov. 3:27) Gjatë rindërtimit të tempullit Jehovai u tha judenjve në Jerusalem të meditonin rreth asaj që po bënin për veprën e ndërtimit. (Hag. 1:2-5) Ishin shpërqendruar dhe kishin harruar synimin kryesor. Edhe ne bëjmë mirë të shqyrtojmë nëse përparësitë tona përputhen me përparësitë e Jehovait. A mund ‘t’i shqyrtojmë me gjithë zemër udhët tona’ që të përfshihemi  edhe më tepër në veprën e Mbretërisë në këto ditë të fundit?

SAKRIFICA SIPAS MUNDËSIVE

14, 15. (a) Si na inkurajon shembulli i vëllezërve me të ardhura të kufizuara? (b) Cila duhet të jetë dëshira jonë?

14 Shumë jetojnë në zona ku vështirësitë dhe skamja janë pjesë e jetës. Organizata jonë përpiqet «të plotësojë» atë çka u mungon vëllezërve që jetojnë në këto vende. (2 Kor. 8:14) Gjithsesi, edhe vëllezërit me të ardhura të kufizuara e çmojnë privilegjin për të dhënë. Jehovai kënaqet kur ata që janë ngushtë nxiten nga zemra të japin me gëzim.2 Kor. 9:7.

15 Në një vend të skamur në Afrikë disa vëllezër ndajnë një pjesë të vogël të bahçes dhe paratë që nxjerrin nga prodhimet e saj, i përdorin për të mbështetur veprën e Mbretërisë. Në po atë vend u planifikua të ndërtohej një Sallë Mbretërie për të cilën kishin aq shumë nevojë. Vëllezërit e motrat vendës donin të ndihmonin në këtë projekt. Mirëpo, puna do të kryhej në mes të sezonit të të mbjellave. Prapëseprapë, ishin të vendosur të merrnin pjesë, kështu, gjatë ditës punonin në Sallën e Mbretërisë dhe në mbrëmje shkonin në ara për të mbaruar të mbjellat. Çfarë fryme vetësakrifikuese! Kjo na kujton vëllezërit e shekullit të parë në Maqedoni. Edhe pse jetonin në ‘varfëri të thellë’, u përgjëruan për privilegjin që të jepnin një dorë në projektin e atëhershëm. (2 Kor. 8:1-4) Secili nga ne qoftë i vendosur «të japë si dhuratë me dorën e vet, aq sa e ka bekuar Jehovai»!Lexo Ligjin e përtërirë 16:17.

16. Si mund të sigurohemi se sakrificat tona janë të pranueshme për Jehovain?

16 Por ama, kujdes. Ashtu si izraelitët e lashtë, edhe ne duhet të sigurohemi që sakrificat tona vullnetare të jenë të pranueshme për Perëndinë. Duhet ekuilibër që të kujdesemi për përgjegjësitë parësore në lidhje me familjen dhe adhurimin e Jehovait. Kur e përdorim kohën dhe zotërimet tona për të tjerët, duhet të bëjmë kujdes që si pasojë të mos lëmë pas dore gjendjen frymore dhe mirëqenien e familjes sonë. Përndryshe do të jepnim ‘atë që nuk kemi’. (Lexo 2 Korintasve 8:12.) Për më tepër, duhet të ruajmë gjendjen tonë frymore, që të mos skualifikohemi. (1 Kor. 9:26, 27) Gjithsesi, të jemi të sigurt se, po të jetojmë në lartësinë e standardeve të Biblës, ne vetë do të provojmë shumë gëzim e kënaqësi nga sakrificat që bëjmë dhe këto do të jenë ‘veçanërisht të pranueshme’ për Jehovain.

SAKRIFICAT TONA KANË VLERË TË MADHE

17, 18. Si ndihemi për tërë ata që po bëjnë sakrifica për Mbretërinë, dhe çfarë duhet të shqyrtojë secili prej nesh?

17 Shumë nga vëllezërit e motrat tona ‘derdhen si një blatim në pije’ ndërsa mbështetin aktivitetet e domosdoshme për Mbretërinë. (Filip. 2:17) Sa i çmojmë ata që tregojnë një frymë të tillë dhënieje! Edhe gratë e fëmijët e vëllezërve që marrin drejtimin në aktivitetet për Mbretërinë meritojnë të lavdërohen për frymën e tyre bujare dhe vetësakrifikuese.

18 Kërkohet punë e palodhur për të mbështetur interesat e Mbretërisë. Secili prej nesh le të shqyrtojë në lutje si mund të marrë pjesë sa më shumë në këtë vepër. Ji i sigurt se do të shpërblehesh me bollëk që tani dhe akoma më tepër «në sistemin që po vjen».Mar. 10:28-30.

^ par. 2 Shih artikullin «Të bëjmë flijime me gjithë shpirt për Jehovain» në revistën Kulla e Rojës të 15 janarit 2012, faqet 21-25.