Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i ruajti në hijet e maleve

Jehovai i ruajti në hijet e maleve

SAPO doli te dera e shtëpisë herët në mëngjes, gruaja gjeti një pako te pragu. E mori dhe pa përreth, por s’kishte këmbë njeriu. Një vizitor i panjohur duhet ta kishte lënë gjatë natës. E hapi pakëz, u fut menjëherë brenda dhe mbylli derën. S’diskutohet që do të vepronte ashtu, ngaqë pakoja kishte literaturë biblike të ndaluar. Duke e shtrënguar, iu lut në heshtje Jehovait dhe e falënderoi për ushqimin e çmuar frymor.

Situata të tilla ndodhnin në Gjermaninë e viteve 30. Pasi nazistët erdhën në pushtet më 1933, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua në pjesën më të madhe të vendit. Riçard Rudolfi, * tani mbi 100 vjeç, kujton: «Ishim të bindur se asnjë dekret njerëzor nuk mund të na pengonte dot të flisnim për Jehovain dhe emrin e tij. Literatura biblike ishte mjet i rëndësishëm për studimin dhe shërbimin tonë. Por, për shkak të ndalimit nuk gjendej lehtë. Ishim në merak si do të vazhdonte vepra.» Shpejt Riçardi kuptoi se do të ndihmonte për të përmbushur këtë nevojë në një mënyrë të pazakontë: në hijet e maleve.Gjyk. 9:36.

NËPËR SHTIGJET E KONTRABANDISTËVE

Nëse lundron në lumin Elbë kundër rrymës, dalëngadalë do të arrish në Malet Gjigante (Kërkonoshe), që sot janë në kufi mes Republikës Çeke dhe Polonisë. Edhe pse ngrihen deri në 1.600 metra lartësi, ky vargmal është quajtur ishulli polar në mes të Evropës. Bora deri në 3 metra mbulon kreshtat për gjysmën e vitit. Ata që e shpërfillin motin e paqëndrueshëm mund të ngecin në mjegullën e dendur që papritur mbështjell majat e maleve.

Përgjatë shekujve, ky vargmal ka qenë kufiri natyror mes provincave, mbretërive dhe shteteve. Ishte shumë e vështirë të patrullohej ky terren i pasigurt, prandaj në të kaluarën shumë  veta kalonin mallra kontrabandë përmes këtyre maleve. Në vitet 30, kur Malet Gjigante ndanin Çekosllovakinë me Gjermaninë, Dëshmitarët e paepur nisën të përshkonin shtigjet e harruara të kontrabandistëve. Për çfarë? Që të transportonin literaturën e vyer biblike nga vendet ku ajo gjendej më kollaj. Djaloshi Riçard ishte një prej këtyre Dëshmitarëve.

Vëllezër dhe motra të veshur si alpinistë që transportojnë literaturë përmes Maleve Gjigante për në Gjermani

«EKSKURSIONE» TË RREZIKSHME

Riçardi kujton: «Fundjavëve niseshim për në male në grupe me rreth shtatë vëllezër të rinj të veshur si alpinistë. Nga territori gjerman ecnim për gati tri orë përmes maleve derisa arrinim në Shpindëlryv Mëlin», një zonë turistike afro 16,5 km në territorin çek. Në atë kohë, atje jetonin shumë gjermanë. Një prej tyre ishte një fermer i cili pranoi të bashkëpunonte me vëllezërit. Nga një qytet aty afër, me një pajton që zakonisht transportonte udhëtarë, ai merrte kutitë e literaturës që i sillnin me tren nga Praga. Pastaj i çonte kutitë në fermën e tij dhe i fshihte në plevicë derisa vinin korrierët që e çonin literaturën në territorin gjerman.

Riçardi vazhdon: «Pasi arrinim në fermë, ngarkonim çantat e shpinës të bëra enkas për të mbajtur pesha të rënda. Secili prej nesh mbartte rreth 50 kg.» Që të mos i zbulonin, udhëtonin gjatë natës, niseshin në të ngrysur dhe ktheheshin para se të agonte. Ernst Visneri, që në atë kohë shërbente si mbikëqyrës qarkor në Gjermani, përshkruan disa masa sigurie: «Dy vëllezër shkonin përpara dhe sapo takonin dikë, dërgonin sinjale me elektrikë dore. Kjo ishte një shenjë për vëllezërit me çanta të rënda, rreth 100 metra mbrapa tyre, që të fshiheshin në shkurret përgjatë rrugës derisa dy vëllezërit që ishin para, të ktheheshin dhe t’u jepnin një fjalëkalim të caktuar të cilin e ndryshonin çdo javë.» Megjithatë, policia gjermane me uniforma blu nuk ishte i vetmi rrezik.

Riçardi sjell ndër mend: «Një mbrëmje m’u desh të punoja deri vonë, prandaj u nisa për në territorin çek pas vëllezërve të tjerë. Ishte errësirë,  mjegull dhe dridhesha ndërsa ecja në shiun e akullt. Për disa orë radhazi humba mes pishave të vogla. Shumë alpinistë kanë vdekur në këtë mënyrë. U takova me vëllezërit vetëm kur po ktheheshin në mëngjes herët.»

Për rreth tre vjet ky grup i vogël vëllezërish të guximshëm shkonin në male çdo javë. Gjatë dimrit i transportonin këto ngarkesa të çmuara me ski dhe slita. Ndonjëherë, grupe me afro njëzet vëllezër kalonin kufirin gjatë ditës duke shfrytëzuar shtigjet e rrahura nga alpinistë të tjerë. Për të dhënë përshtypjen se ishin thjesht ekskursionistë të parrezikshëm me ta shkonin edhe disa motra. Disa prej tyre ecnin para dhe hidhnin kapelat në ajër kur ndienin ndonjë rrezik.

Bora që mbulonte Malet Gjigante e bënte të rrezikshëm kalimin përmes tyre

Çfarë ndodhte pasi korrierët ktheheshin nga udhëtimet e natës? Ishin marrë masa që literatura të shpërndahej menjëherë. Në ç’mënyrë? I paketonin botimet në atë formë që të dukeshin si kuti sapunësh dhe i dërgonin në stacionin e trenit në Hirshberk. Kutitë dërgoheshin në pjesë të ndryshme të Gjermanisë, ku vëllezërit dhe motrat ua shpërndanin me kujdes bashkëbesimtarëve siç u përshkrua në hyrje të artikullit. Kaq i ndërlidhur ishte ky rrjet i fshehtë shpërndarës sa, po të zbulohej qoftë edhe një hallkë e rrjetit, do të kishte pasoja të mëdha. Në të vërtetë kjo ndodhi një ditë papritmas.

Më 1936, pranë Berlinit u zbulua një depo literature. Mes gjërave që u gjetën ishin tri pako nga një dërgues anonim në Hirshberk. Policia analizoi kaligrafinë për të identifikuar një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të kontrabandistëve dhe e arrestoi. Pas pak u arrestuan edhe dy të dyshuar të tjerë, përfshirë Riçard Rudolfin. Ngaqë vëllezërit morën përsipër gjithë përgjegjësinë, për njëfarë kohe të tjerë mundën t’i vazhdonin këto udhëtime gjithnjë e më të rrezikshme.

MËSIME PËR NE

Literatura biblike që mbartej me çanta shpine nëpërmjet Maleve Gjigante ishte një furnizim i rëndësishëm për Dëshmitarët gjermanë. Por, Malet Gjigante nuk ishin i vetmi shteg që u përdor. Deri më 1939, kur forcat gjermane pushtuan Çekosllovakinë, ekzistonin shtigje të ngjashme përgjatë kufirit me atë shtet. Edhe në shtetet e tjera në kufi me Gjermaninë, si Francë, Holandë dhe Zvicër, Dëshmitarët në të dyja anët e kufirit rrezikuan shumë për t’u siguruar ushqim frymor bashkëbesimtarëve të përndjekur.

Shumica prej nesh sot mund të kenë literaturë biblike me bollëk e në formate të ndryshme. Qoftë kur merrni një botim të ri në Sallën e Mbretërisë, qoftë kur e shkarkoni nga siti jw.org/sq, pse të mos mendoni për punën që është dashur për t’jua vënë në dispozicion? Ndoshta mënyra si sigurohet kjo literaturë nuk është aq dramatike sa kalimi i majave të maleve mbuluar me borë, në mes të natës, por patjetër është dashur punë e palodhur nga bashkëbesimtarë që ju shërbejnë me vetëmohim.

^ par. 3 Ai shërbeu në kongregacionin e Hirshberkut në Silezi. Qyteti i Hirshberkut tani quhet Jelenia Góra që ndodhet në jugperëndim të Polonisë.