Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Bëjeni këtë në kujtimin tim’

‘Bëjeni këtë në kujtimin tim’

«Pasi falënderoi Perëndinë, theu [bukën] dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.’»1 KOR. 11:24.

1, 2. Për çfarë mund të kenë menduar apostujt para udhëtimit të fundit të Jezuit në Jerusalem?

«ME T’U larguar retë, mund të shohim gjysmëhënën. Mbrëmë, vrojtuesit në Jerusalem duhet ta kenë parë draprin e parë të hënës së re. Me të dëgjuar këtë, Sinedri njofton fillimin e muajit të ri, nisanit. Pastaj lajmi sinjalizohet përmes zjarrit ose lajmëtarëve, duke arritur gjer këtu. Sigurisht, Jezui ka ndër mend të niset për në Jerusalem që të mbërrijë para Pashkës.»

2 Mbase këto ishin mendimet e disa apostujve që ishin me Jezuin në Pere (matanë Jordanit) gjatë udhëtimit të tij të fundit për në Jerusalem. (Mat. 19:1; 20:17, 29; Mar. 10:1, 32, 46) Pasi u përcaktua dita e parë e muajit judaik, nisanit, Pashka do të mbahej pas 13 ditëve, mbas perëndimit të diellit, më 14 nisan.

3. Pse të krishterët interesohen me të drejtë për datën e Pashkës?

3 Data e Darkës së Zotërisë, që përkon me datën e Pashkës, bie më 14 prill 2014, pas perëndimit të diellit. Kjo do të jetë një ditë e veçantë për të krishterët e vërtetë dhe të interesuarit. Pse? Për shkak të asaj që lexojmë te 1 Korintasve 11:23-25: «[Jezui], natën që do të tradhtohej, mori një bukë dhe, pasi falënderoi Perëndinë, e theu dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.’ . . . Ai bëri njësoj edhe me kupën.»

4. (a) Cilat pyetje mund të lindin për Përkujtimin? (b) Si përcaktohet data e Përkujtimit çdo vit? (Shih kutinë  «Përkujtimi 2014».)

4 Pa dyshim, do të jesh i pranishëm në të vetmen ngjarje për të cilën Jezui tha se dishepujt e tij duhej ta përkujtonin çdo vit. Duhet të pyesim veten paraprakisht: «Si duhet të përgatitem për këtë mbrëmje? Çfarë gjërash të veçanta do të përdoren? Cilat procedura do të ndiqen gjatë kësaj ngjarjeje? Ç’kuptim  duhet të ketë për mua ky rast dhe gjërat që përdoren?»

SIMBOLET

5. Çfarë përgatitjesh u kërkoi Jezui apostujve të bënin për Pashkën e fundit?

5 Kur Jezui u tha apostujve të bënin gati një dhomë për vaktin e Pashkës, nuk foli për zbukurime të stërholluara; përkundrazi, donte thjesht një dhomë të përshtatshme, të pastër dhe me hapësirë të mjaftueshme për të ftuarit. (Lexo Markun 14:12-16.) Ata do të bënin gati gjërat për vaktin, përfshirë bukë të ndorme dhe verë të kuqe. Pasi mbaruan vaktin e Pashkës, Jezui u përqendrua te këto dy simbole.

6. (a) Pasi mbaroi vakti i Pashkës, çfarë tha Jezui për bukën? (b) Ç’lloj buke përdoret në Përkujtim?

6 Apostulli Mate ishte i pranishëm në atë rast, dhe më vonë shkroi: «Jezui mori një bukë dhe pasi e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe u tha: ‘Merrni, hani.’» (Mat. 26:26) ‘Buka’ ishte e ndorme, siç u përdor në Pashkë. (Dal. 12:8; Ligj. 16:3) Ajo u bë me miell gruri e ujë, pa i shtuar maja, erëza a kripë. Brumi nuk mund të vinte, ngaqë nuk kishte maja. Kështu, buka do të ishte thjesht e thatë, si një biskotë që copëtohet lehtë. Sot, para Përkujtimit, pleqtë e kongregacionit mund t’i kërkojnë dikujt të bëjë një bukë të tillë me miell gruri e ujë, duke e gatuar në një tigan me pak vaj. (Nëse nuk gjendet miell gruri, mund të bëhet me miell orizi, elbi, misri apo me ndonjë drithë të ngjashëm.) Ose mund të përdoret miell matzo, që e përdorin judenjtë, por të një lloji pa gjëra të shtuara, si malt, vezë a qepë.

7. Për ç’lloj vere foli Jezui, dhe ç’lloj vere duhet përdorur në Përkujtim?

7 Mateu vazhdoi: «[Jezui] mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: ‘Pini të gjithë ju.’» (Mat. 26:27, 28) Ajo që mori në dorë Jezui, ishte një kupë me verë të kuqe. (S’ka se si të ishte lëng rrushi i sapobërë, ngaqë vjelja e rrushit kishte kaluar prej kohësh.) Vera nuk ishte pjesë e vaktit të parë në Egjipt, mirëpo Jezui e pranoi si pjesë të Pashkës. Madje, ai e përdori  edhe gjatë Darkës së Zotërisë. Ndaj, të krishterët përdorin verë gjatë Përkujtimit. Ashtu si nuk ishte e nevojshme t’i shtohej diçka gjakut të Jezuit për t’ia rritur vlerën, edhe vera për Përkujtimin nuk duhet të jetë lloji i forcuar me konjak a erëza. Duhet verë e kuqe e thjeshtë e bërë vetë ose e blerë, si Merlot, Kabërnet a Chianti.

SIMBOLE DOMETHËNËSE

8. Pse për të krishterët ka rëndësi domethënia e bukës dhe e verës?

8 Apostulli Pavël e tha shkoqur se Darkën e Zotërisë duhej ta mbanin të gjithë të krishterët, jo vetëm apostujt. Bashkëbesimtarëve në Korint u shkroi: «Unë mora nga Zotëria atë që ju përcolla edhe juve, se Zotëria Jezu . . . mori një bukë dhe, pasi falënderoi Perëndinë, e theu dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.’» (1 Kor. 11:23, 24) Po kështu, sot e kësaj dite, të krishterët mbajnë këtë rast të veçantë çdo vit, dhe interesohen për domethënien e bukës e të verës.

9. Ç’ide të gabuar kanë disa për bukën që përdori Jezui?

9 Disa anëtarë të kishës pohojnë se Jezui thotë fjalë për fjalë «ky është trupi im», prandaj besojnë se buka kthehet me mrekulli në mishin e tij. Megjithatë, kjo bie ndesh me faktet. * Ai trup, pra vetë Jezui, ishte mu përpara apostujve dhe po kështu buka e ndorme që do të hanin. Kuptohet qartë se Jezui foli në mënyrë simbolike, ashtu siç kishte bërë edhe shumë herë të tjera.Gjoni 2:19-21; 4:13, 14; 10:7; 15:1.

10. Çfarë simbolizon buka që përdoret gjatë Darkës së Zotërisë?

10 Buka që kishin para syve apostujt  dhe që do të hanin së shpejti përfaqësonte trupin e Jezuit. Cilin trup? Dikur, shërbëtorët e Perëndisë mendonin se buka përfaqësonte ‘trupin e Krishtit’, kongregacionin e të mirosurve, ngaqë Jezui theu bukën, por asnjë nga kockat e tij nuk u thye. (Efes. 4:12; Rom. 12:4, 5; 1 Kor. 10:16, 17; 12:27) Megjithatë, me kohë, u kuptua se si logjika, si Shkrimet thonë se buka përfaqëson trupin njerëzor të Jezuit, i cili ishte përgatitur për të. Ai «vuajti në mish», madje e vunë në shtyllë. Kështu, në Darkën e Zotërisë, buka përfaqëson trupin fizik me të cilin Jezui «mbarti mëkatet tona».1 Pjet. 2:21-24; 4:1; Gjoni 19:33-36; Hebr. 10:5-7.

11, 12. (a) Çfarë tha Jezui për verën? (b) Çfarë përfaqëson vera që përdoret në Darkën e Zotërisë?

11 Kjo na ndihmon të kuptojmë atë që tha Jezui më pas për verën. Lexojmë: «Ai bëri njësoj edhe me kupën dhe tha: ‘Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.’» (1 Kor. 11:25) Mjaft përkthime të Biblës i ngjajnë shumë versionit të fjalëpërfjalshëm të Robert Jangut: «Kjo kupë është besëlidhja e re në trupin tim.» (Kursivi është yni.) A ishte vetë kupa që mbajti Jezui në dorë besëlidhja e re? Jo. Fjala «kupë» i referohej asaj që kishte brenda, verës. Sipas fjalëve të Jezuit, çfarë përfaqësonte ose simbolizonte vera? Gjakun e tij të derdhur.

12 Në Ungjillin e Markut gjejmë këto fjalë të Jezuit: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave.» (Mar. 14:24) Po, gjaku i Jezuit ‘do të derdhej në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve’. (Mat. 26:28) Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, vera e kuqe përfaqëson gjakun e mirëfilltë të Jezuit. Me anë të këtij gjaku, mund të çlirohemi nëpërmjet shpërblesës, pra të kemi «faljen e shkeljeve tona».Lexo Efesianëve 1:7.

Apostujt morën verën që simbolizonte gjakun e Jezuit të besëlidhjes (Shih paragrafët 11, 12.)

KREMTIMI I VDEKJES SË KRISHTIT

13. Përshkruaj si kremtohet Përkujtimi i përvitshëm i vdekjes së Krishtit.

13 Çfarë mund të presësh nëse është hera e parë që po merr pjesë në Përkujtim me Dëshmitarët e Jehovait? Ka të ngjarë që mbledhja të mbahet në një ambient të këndshëm e të pastër ku të gjithë mund ta gëzojnë rehat këtë rast. Mund të ketë ca zbukurime të thjeshta me lule, por nuk do të shpërqendrohesh nga lajlelulet si në ndonjë dasmë ose nga atmosfera si në ahengje. Një plak i kualifikuar do të trajtojë atë çka thotë Bibla për këtë rast në një mënyrë të qartë e dinjitoze. Do të na ndihmojë të gjithëve të vlerësojmë atë që bëri Krishti për ne. Ai vdiq si një shpërblesë që ne të jetojmë. (Lexo Romakëve 5:8-10.) Oratori do të shpjegojë dy shpresat e ndryshme në Bibël për të krishterët.

14. Për cilat shpresa do të flitet gjatë fjalimit të Përkujtimit?

14 Njëra është shpresa për të sunduar bashkë me Krishtin në qiell, dhe këtë e gëzojnë relativisht pak nga të krishterët, si për shembull, apostujt besnikë. (Luka 12:32; 22:19, 20; Zbul. 14:1) Shpresën tjetër e kanë shumica e të krishterëve besnikë që i shërbejnë Perëndisë në ditët tona. Ata kanë perspektivën të jetojnë përgjithmonë në tokë, në një parajsë të rivendosur. Në atë kohë, vullneti i Perëndisë do të bëhet në tokë ashtu si po bëhet në qiell, diçka për të cilën të krishterët janë lutur prej kohësh. (Mat. 6:10) Shkrimet i përshkruajnë bukur kushtet e mrekullueshme që mund të gëzojmë pafundësisht.Isa. 11:6-9; 35:5, 6; 65:21-23.

15, 16. Çfarë bëhet me bukën gjatë Darkës së Zotërisë?

 15 Nga fundi i diskutimit, oratori do të tregojë se erdhi koha për të zbatuar atë që Jezui i kishte udhëzuar apostujt. Siç u përmend më sipër, do të përdoren dy simbole, bukë e ndorme dhe verë e kuqe. Këto mund të vihen në një tavolinë pranë oratorit. Ai do të shpjegojë një pjesë të Biblës që përshkruan atë që tha e bëri Jezui kur themeloi këtë rast. Për shembull, në tregimin e Mateut lexojmë: «Jezui mori një bukë dhe pasi e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe u tha: ‘Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.’» (Mat. 26:26) Jezui theu bukën pa maja që t’ua kalonte ca nga ajo apostujve të ulur në të dy anët e tij. Më 14 prill do të shohësh bukë të ndorme tashmë të thyer në copa, të vënë në pjatë.

16 Do të përdoren mjaft pjata që t’u kalohen të gjithë të pranishmëve brenda një kohe të arsyeshme. Kjo nuk do të shoqërohet me ndonjë rit të ndërlikuar. Do të bëhet një lutje e shkurtër dhe pastaj do të kalohen pjatat me rregullsi, si të jetë praktike për vendin ku do të mbahet Përkujtimi. Pak veta (ose mbase asnjëri) do të hanë bukën, siç ndodhi në pjesën dërrmuese të kongregacioneve kur u kalua buka gjatë këtij rasti më 2013.

17. Si ndiqen udhëzimet e Jezuit për verën në Përkujtim?

17 Pastaj, oratori do të përqendrohet në atë që përshkroi Mateu në vijim: «[Jezui] mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: “Pini të gjithë ju, sepse kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.”» (Mat. 26:27, 28) Duke ndjekur këtë model, do të bëhet një lutje tjetër, pastaj do të kalohen ‘kupat’ me verë të kuqe te të gjithë të pranishmit.

18. Pse është e rëndësishme të jemi të pranishëm, edhe pse pak veta ose asnjë nuk i merr simbolet?

18 Shumica e të pranishmëve me respekt nuk i marrin simbolet ndërsa kalohen, sepse Jezui tha se duhet t’i marrin vetëm ata që do të sundonin me të në Mbretërinë e tij qiellore. (Lexo Lukën 22:28-30; 2 Tim. 4:18) Prandaj, të tjerët do të vëzhgojnë me nderim. Megjithatë, prania në Darkën e Zotërisë është mjaft e rëndësishme, pasi tregon sa shumë e çmojnë sakrificën e Jezuit. Gjatë Përkujtimit, ata mund të bluajnë në mendje bekimet që mund të marrin bazuar te shpërblesa e Jezuit. Mund të jenë mes ‘shumicës së madhe’ që do t’i mbijetojë ‘shtrëngimit të madh’ që presim. Këta janë adhuruesit që «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit».Zbul. 7:9, 14-17.

19. Çfarë mund të bësh që të përgatitesh për Darkën e Zotërisë e të nxjerrësh dobi prej saj?

19 Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës përgatiten për këtë mbledhje të veçantë. Gjatë disa javëve përpara do të ftojmë sa më shumë veta që të marrin pjesë. Për më tepër, në ditët para Përkujtimit, shumica prej nesh do të lexojë tregimet biblike për atë që bëri Jezui dhe për atë që ndodhi atë ditë në vitin 33 të e.s. Do të organizojmë punët tona që të sigurohemi të jemi të pranishëm. Është mirë të mbërrijmë mjaft kohë para se të fillojë kënga hapëse dhe lutja, që të mirëpresim mysafirët dhe të mos humbim asnjë pjesë të programit. Të gjithë ne, pjesëtarët e kongregacionit dhe të ftuarit, do të nxjerrim vërtet dobi nëse ndjekim argumentin që trajtohet me Biblat tona. Ç’është më e rëndësishme, prania jonë në Përkujtim do të tregojë mirënjohjen nga zemra për sakrificën e Jezuit dhe do të pasqyrojë bindje ndaj urdhërimit: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»1 Kor. 11:24.

^ par. 9 Studiuesi gjerman Hajnrih Mejer vëren: «Duke marrë parasysh se . . . trupi i Jezuit ishte ende i pathyer (ende gjallë), dhe nuk ishte derdhur akoma gjaku i Tij, asnjë prej mysafirëve [apostujve] nuk mund të mendonte . . . se në të vërtetë hanin e pinin vetë trupin e gjakun e Zotërisë, [prandaj] Vetë Jezui nuk mund të kishte si qëllim që fjalët e Tij të thjeshta të kuptoheshin në ndonjë mënyrë që nuk u shpjegua atë moment.»