Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

100 vjet të sundimit të Mbretërisë—Si ndikon kjo te ti?

100 vjet të sundimit të Mbretërisë—Si ndikon kjo te ti?

«Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, . . . o Mbret i përjetësisë!»—ZBUL. 15:3.

1, 2. Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë, dhe pse mund të jemi të sigurt se do të vijë?

NË PRANVERËN e vitit 31 të e.s., në një mal pranë Kapernaumit, Jezu Krishti i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mat. 6:10) Sot, disa mendojnë se kjo Mbretëri nuk do të vijë kurrë. Megjithatë, ne jemi të sigurt se lutjet tona të sinqerta për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë do të marrin përgjigje.

2 Jehovai do të përdorë Mbretërinë për të bashkuar familjen e tij në qiell e në tokë. Ky qëllim hyjnor do të përmbushet se s’bën. (Isa. 55:10, 11) Në të vërtetë, Jehovai tashmë është bërë Mbret në ditët tona! Ngjarjet nga 100 vitet e kaluara që na e çojnë zemrën peshë, dëshmojnë për këtë. Perëndia po bën vepra të mëdha e të mrekullueshme në dobi të miliona nënshtetasve besnikë. (Zak. 14:9; Zbul. 15:3) Prapëseprapë, fakti që Jehovai është bërë Mbret ndryshon nga ajo për të cilën Jezui na mësoi të lutemi, pra, për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Si ndryshojnë këto dy ngjarje dhe si ndikojnë te ne?

MBRETI I KURORËZUAR I JEHOVAIT FILLON TË VEPROJË

3. (a) Kur dhe ku u kurorëzua Jezui si Mbret? (b) Si do ta vërtetoje se Mbretëria u vendos më 1914? (Shih shënimin.)

3 Nga fundi i shekullit të 19-të filloi të hidhej dritë mbi një profeci 2.500-vjeçare të Danielit: «Në ditët e atyre mbretërve,  Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë.» (Dan. 2:44) Studentët e Biblës për dekada të tëra theksuan se 1914-a do të ishte një vit domethënës. Shumë njerëz në atë kohë ishin optimistë. Siç thotë një shkrimtar: «Bota në vitin 1914 ishte plot shpresë e premtime.» Megjithatë, më vonë po atë vit, profecia biblike u përmbush kur shpërtheu Lufta I Botërore. Zia e bukës, tërmetet e murtajat që erdhën si pasojë, si dhe plotësimi i profecive të tjera biblike provuan qartë se në vitin 1914 Jezu Krishti filloi të sundonte në qiell si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. * Duke e kurorëzuar të Birin si Mbret mesianik, Jehovai u bë Mbret në një kuptim të ri.

4. Ç’veprim të menjëhershëm ndërmori Mbreti i sapokurorëzuar, dhe ndaj cilëve e ktheu vëmendjen pastaj?

4 Misioni i parë i Mbretit të sapokurorëzuar nga Perëndia ishte të luftonte kundër Satanait, Armikut kryesor të Atit të tij. Jezui bashkë me engjëjt flakën nga qielli Djallin dhe demonët. Kjo solli hare në qiell, por një periudhë gjëmash të papara në tokë. (Lexo Zbulesën 12:7-9, 12.) Pastaj, Mbreti ktheu vëmendjen te nënshtetasit e tij tokësorë që t’i rafinonte, t’i arsimonte e t’i organizonte për të bërë vullnetin e Perëndisë. Le të shqyrtojmë se si reagimi i tyre pozitiv ndaj këtyre tri funksioneve të sundimit të Mbretërisë është një shembull i mirë për ne sot.

MBRETI MESIANIK RAFINON NËNSHTETASIT E TIJ BESNIKË

5. Çfarë pastrimi ndodhi ndërmjet 1914-s dhe fillimit të 1919-s?

5 Pasi Mbreti i kurorëzuar spastroi qiellin nga ndikimi korruptues i Satanait e demonëve, Jehovai e udhëzoi Jezuin të hetonte e të rafinonte gjendjen frymore të dishepujve të tij në tokë. Profeti Malakia e përshkroi këtë si pastrim frymor. (Mal. 3:1-3) Historia tregon se kjo ndodhi ndërmjet 1914-s dhe fillimit të 1919-s. * Kuptohet se, që të bëhemi pjesë e familjes universale të Jehovait, duhet të jemi të pastër, pra të shenjtë. (1 Pjet. 1:15, 16) Kurrsesi nuk duhet të ndotemi nga feja e rreme dhe politika e kësaj bote.

6. Si sigurohet ushqimi frymor dhe pse është jetësor?

6 Pastaj, Jezui përdori autoritetin e tij mbretëror që të emëronte një ‘skllav të besueshëm dhe të matur’. Ky skllav do t’u siguronte vazhdimisht ushqim frymor të shëndetshëm të gjithë atyre që përbëjnë «një kope» nën kujdesin e Jezuit. (Mat. 24:45-47; Gjoni 10:16) Që nga 1919-a, një grup i vogël i vëllezërve të mirosur kanë përmbushur me besnikëri përgjegjësinë me peshë për të ushqyer «shërbëtorët e shtëpisë». Ushqimi frymor i bollshëm që marrim prej këtij kanali na ushqen që të rritemi frymësisht. Na forcon vendosmërinë për të qëndruar të pastër frymësisht, moralisht, mendërisht e fizikisht. Gjithashtu, ky ushqim frymor na përgatit dhe na jep mundësi të marrim pjesë sa më plotësisht në veprën tejet të rëndësishme që po kryhet sot në tokë. A po përfiton plotësisht nga këto masa?

MBRETI ARSIMON NËNSHTETASIT E TIJ QË TË PREDIKOJNË NË MBARË BOTËN

7. Cilën vepër të rëndësishme nisi Jezui kur ishte në tokë dhe deri kur do të vazhdojë?

7 Kur Jezui filloi shërbimin në tokë, njoftoi: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Për tre vjet e gjysmë Jezui e bëri këtë vepër boshtin e jetës. Ai i udhëzoi dishepujt: «Shkoni dhe predikoni:  ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mat. 10:7) Pasi u ringjall, Jezui paratha se dishepujt e tij do ta përhapnin këtë mesazh «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) U premtoi se ai vetë do të përfshihej në këtë vepër jetësore deri më sot.Mat. 28:19, 20.

8. Si i nxiti të vepronin Mbreti nënshtetasit e tij?

8 Nga 1919 e më tutje ‘lajmi i mirë për mbretërinë’ mori më shumë kuptim. (Mat. 24:14) Mbreti po sundonte në qiell dhe kishte mbledhur një grup të vogël me nënshtetas tokësorë të pastruar frymësisht. Ata i janë përgjigjur me zell udhëzimit nxitës të Jezuit: të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë—tashmë të themeluar—në mbarë tokën! (Vep. 10:42) Për shembull, në shtator të vitit 1922, afro 20.000 përkrahës të Mbretërisë u mblodhën në një kongres ndërkombëtar në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Imagjino sa u lumturuan kur vëlla Radhërfordi mbajti fjalimin me titull «Mbretëria», dhe deklaroi: «Ja! Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Dy mijë delegatë iu përgjigjën kësaj thirrjeje, duke marrë pjesë në një «Ditë shërbimi» të veçantë, duke bërë vizita nëpër shtëpi deri në 72 km larg vendit të kongresit. I nxitur për të vepruar, një delegat u shpreh: «Kurrë nuk do ta harroj thirrjen për të lajmëruar Mbretërinë, si dhe zellin e asaj turme të mbledhur!» Dhe nuk ishte i vetmi!

9, 10. (a) Cilat masa janë marrë për të stërvitur lajmëtarët e Mbretërisë? (b) Si ke nxjerrë dobi ti nga kjo stërvitje?

9 Më 1922 mbi 17.000 lajmëtarë të Mbretërisë ishin aktivë në 58 vende përreth botës. Mirëpo, duheshin stërvitur. Në shekullin e parë Mbreti i emëruar u dha drejtim të qartë dishepujve: çfarë, ku dhe si të predikonin. (Mat. 10:5-7; Luka 9:1-6; 10:1-11) Duke ndjekur këtë model, sot Jezui sigurohet që të gjithë ata që marrin pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë, të kenë udhëzimet dhe mjetet e nevojshme për të predikuar me efektshmëri. (2 Tim. 3:17) Me anë të kongregacionit të krishterë, Jezui po i stërvit nënshtetasit e tij për shërbimin. Një mënyrë si e bën këtë është përmes Shkollës së Shërbimit Teokratik, që mbahet në secilin nga më shumë se 111.000 kongregacionet anembanë botës. Duke përfituar nga ky drejtim, më se shtatë milionë predikues janë të përgatitur që të predikojnë e të mësojnë në një mënyrë tërheqëse për «njerëz të çdo lloji».Lexo 1 Korintasve 9:20-23.

10 Përveç Shkollës së Shërbimit Teokratik, janë formuar shkolla të tjera biblike për të stërvitur pleqtë, pionierët, vëllezërit  beqarë, çiftet e krishtere, anëtarët e Komiteteve të Degëve bashkë me gratë e tyre, mbikëqyrësit udhëtues bashkë me gratë e tyre, si dhe misionarët. * Studentët e një prej klasave të Shkollës Biblike për Çiftet e Krishtere e shprehën kështu vlerësimin për shkollën: «Stërvitja e posaçme që morëm na e ka thelluar dashurinë për Jehovain dhe na ka përgatitur më mirë për të ndihmuar të tjerët.»

11. Si ia kanë dalë mbanë lajmëtarët e Mbretërisë, pavarësisht nga kundërshtimet?

11 Kjo përpjekje për të predikuar e mësuar për Mbretërinë kaq gjerësisht nuk ka kaluar pa u vënë re nga armiku Satana. Ai përdor sulme të drejtpërdrejta e të tërthorta kundër mesazhit të Mbretërisë e lajmëtarëve të saj, duke u orvatur të ndalojë veprën. Mirëpo, përpjekjet e armiqve kanë dalë huq. Jehovai e ka vënë në fron të Birin «shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, fuqi, pushtet sundues». (Efes. 1:20-22) Si Mbret, Jezui përdor autoritetin që t’i mbrojë dishepujt e t’u prijë, që të sigurohet se vullneti i Atit të plotësohet. * Ky lajm i mirë po predikohet, dhe miliona njerëz zemërhapur po mësojnë udhët e Jehovait. Çfarë privilegji të marrim pjesë në këtë vepër madhështore!

MBRETI ORGANIZON NËNSHTETASIT E TIJ QË TË VEPROJNË MË INTENSIVISHT

12. Përshkruaj disa përmirësime organizative të bëra që kur u themelua Mbretëria.

12 Që kur u vendos Mbretëria më 1914, Mbreti ka përmirësuar mënyrën si janë organizuar shërbëtorët e Perëndisë për të bërë vullnetin e të Atit. (Lexo Isainë 60:17.) Më 1919 në çdo kongregacion u caktua një drejtues shërbimi që të merrte drejtimin në veprën e predikimit. Në vitin 1927 u organizua shërbimi i rregullt shtëpi më shtëpi të dielave. Përkrahësit e Mbretërisë u nxitën të vepronin më intensivisht më 1931 kur morën emrin biblik Dëshmitarë të Jehovait. (Isa. 43:10-12) Në 1938-n zgjedhja demokratike e burrave me përgjegjësi në kongregacione u zëvendësua me emërime teokratike. Në vitin 1972 mbikëqyrja e kongregacionit iu caktua një trupi pleqsh në vend të një mbikëqyrësi të kongregacionit. Të gjithë ata që u kualifikuan të shërbenin si pleq a shërbëtorë ndihmës, u inkurajuan të tregoheshin të gatshëm të kullotnin kopenë e Perëndisë. (1 Pjet. 5:2) Më 1976 Trupi Udhëheqës u organizua në gjashtë komitete për të mbikëqyrur veprën e Mbretërisë anembanë botës. Mbreti i emëruar nga Jehovai i ka  organizuar hap pas hapi nënshtetasit e Mbretërisë në mënyrë teokratike, ose të drejtuar nga Perëndia, ashtu siç i ka hije.

13. Si kanë ndikuar në jetën tënde arritjet e 100 viteve të sundimit të Mbretërisë?

13 Mendo pak për gjithë sa ka kryer Mbreti mesianik gjatë 100 viteve të para të mbretërimit. Ai ka pastruar një popull për emrin e Jehovait. Ka drejtuar predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë në 239 vende dhe ka arsimuar miliona në udhët e Jehovait. Ka bashkuar më shumë se shtatë milionë nënshtetas besnikë, të cilët bëjnë vullnetin e të Atit me dëshirë. (Psal. 110:3) Vërtet, veprat e Jehovait me anë të Mbretërisë mesianike janë të mëdha e të mrekullueshme. Ngjarje edhe më mbresëlënëse na presin akoma!

BEKIME QË PRESIM NGA MBRETËRIA MESIANIKE

14. (a) Çfarë i kërkojmë Perëndisë kur lutemi «ardhtë mbretëria jote»? (b) Cili është shkrimi i vitit për 2014-n, dhe pse është i përshtatshëm?

14 Edhe pse Jehovai e kurorëzoi të Birin, Jezu Krishtin, si Mbret mesianik më 1914, kjo nuk ishte përgjigjja e plotë e lutjes sonë: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mat. 6:10) Bibla paratha se Jezui ‘do të shkonte mes armiqve të tij dhe do t’i nënshtronte’. (Psal. 110:2) Qeveritë njerëzore nën pushtetin e Satanait ende i kundërvihen Mbretërisë. Kur lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë, po i kërkojmë Jehovait që Mbreti mesianik dhe bashkësundimtarët e tij t’i japin fund sundimit njerëzor dhe të zhdukin nga toka çdo kundërshtar të Mbretërisë. Ky veprim do të përmbushë fjalët e Danielit 2:44 se Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive». Do të asgjësojë armiqtë politikë të saj. (Zbul. 6:1, 2; 13:1-18; 19:11-21) Këto ngjarje janë te dera. Sa e përshtatshme që shkrimi i vitit për 2014-n, përvjetorin e 100-të të themelimit të Mbretërisë së Perëndisë në qiell, është Mateu 6:10: «Ardhtë mbretëria jote.»

Shkrimi i vitit për 2014-n: «Ardhtë mbretëria jote.»Mateu 6:10

15, 16. (a) Cilat ngjarje mbresëlënëse do të ndodhin gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar? (b) Cili do të jetë veprimi i fundit i Jezuit si Mbret mesianik, dhe ç’do të thotë kjo për qëllimin e Jehovait për gjithë krijimin?

15 Pasi të shkatërrojë armiqtë e Perëndisë, Mbreti mesianik do të flakë në humnerë Satanain dhe demonët e tij për një mijë vjet. (Zbul. 20:1-3) Pa këtë ndikim të lig, Mbretëria do të shkojë përpara që të zbatojë dobitë e shpërblesës së Jezuit dhe të çrrënjosë ndikimet e mëkatit adamik. Mbreti do të ringjallë miliona e miliona që po flenë në vdekje dhe do të organizojë një program arsimimi në një shkallë të gjerë për t’i mësuar për Jehovain. (Zbul. 20:12, 13) E tërë toka do të pasqyrojë kushtet parajsore të kopshtit të Edenit. Gjithë njerëzit besnikë do të arrijnë përsosmërinë.

16 Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Mbretëria mesianike do ta ketë përmbushur qëllimin e saj. Atëherë, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë të Atit. (Lexo 1 Korintasve 15:24-28.) Nuk do të ketë më nevojë për një ndërmjetës mes Jehovait dhe fëmijëve të tij njerëzorë. Të gjithë bijtë e Perëndisë në qiell dhe fëmijët e tij në tokë do të bashkohen me Atin e tyre qiellor si pjesë e familjes së vet universale.

17. Çfarë je i vendosur të bësh për Mbretërinë?

17 Ngjarjet mbresëlënëse gjatë 100 viteve të sundimit të Mbretërisë na sigurojnë se Jehovai ka çdo gjë nën kontroll dhe se qëllimi i tij për tokën do të përmbushet se s’bën. Vazhdofshim të jemi nënshtetas besnikë dhe të lajmërojmë Mbretin dhe Mbretërinë e tij! E bëjmë këtë plot besim se Jehovai do t’i përgjigjet së afërmi lutjes sonë të zjarrtë: «Ardhtë mbretëria jote.»

^ par. 5 Shih revistën Kulla e Rojës 15 korrikut 2013, faqet 22-23, paragrafi 12.

^ par. 10 Shih revistën Kulla e Rojës të 15 shtatorit 2012, faqet 13-17, «Shkollat Teokratike—Dëshmi e dashurisë së Jehovait».

^ par. 11 Për shembuj të fitoreve ligjore në vende të ndryshme, shih revistën Kulla e Rojës të 1 dhjetorit 1998, faqet 19-22.