Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Shihni hijeshinë e Jehovait’

‘Shihni hijeshinë e Jehovait’

Rrethanat e vështira mund të na lënë plagë të thella në jetë. Mund të na gërryejnë mendimet, të na shterojnë forcën e të ndikojnë në pikëpamjen tonë për jetën. Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, u prek shumë nga vështirësitë. Si i përballoi? Në një psalm prekës, ai shprehet: «Me zërin tim, Jehovait i thirra për ndihmë. Me zërin tim, Jehovait iu luta për të gjetur hir. U zbraza tek ai për shqetësimin tim, atij ia rrëfeva vuajtjen time, kur fryma ime u mpak brenda meje. Por ti e njihje rrugën time.» Po, Davidi iu lut me përulësi Perëndisë për ndihmë.Psal. 142:1-3.

Kur e kishte punën pisk, Davidi i lutej përulësisht Jehovait për ndihmë

Në një psalm tjetër, Davidi këndoi: «Një gjë i kam kërkuar Jehovait dhe atë i kërkoj prapë: të banoj në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës sime, që të shoh hijeshinë e Jehovait dhe të sodit me ëndje tempullin e tij.» (Psal. 27:4) Davidi nuk ishte levit, por përfytyrojeni teksa rrinte jashtë oborrit të shenjtë, fare pranë qendrës së adhurimit të vërtetë. Zemra i gufonte nga mirënjohja, aq sa dëshironte të rrinte atje për sa kohë të jetonte e ‘të shihte hijeshinë e Jehovait’.

Fjala e përkthyer ‘hijeshi’ në gjuhën hebraike përcjell idenë e diçkaje që është «e këndshme ose e pëlqyeshme për mendjen dhe për ndjenjat». Davidi i shihte gjithmonë me çmueshmëri masat e Perëndisë për adhurimin. Pyet veten: «A ndihem njësoj si Davidi?»

‘SODITINI ME ËNDJE’ MASAT E PERËNDISË

Në ditët tona, masa e Jehovait për t’iu afruar atij nuk ka si bosht një strukturë fizike. Në vend të kësaj, lidhet me tempullin e madh frymor të Perëndisë—masën e shenjtë për adhurimin e vërtetë. * Nëse ‘e soditim me ëndje’ këtë masë, edhe ne mund ‘të shohim hijeshinë e Jehovait’.

Të mendojmë për altarin prej bakri në të cilin ofrohej blatim i djegur përpara hyrjes së tabernakullit. (Dal. 38:1, 2; 40:6) Ai përfaqësonte gatishmërinë e Perëndisë për të pranuar jetën njerëzore të Jezuit si flijim. (Hebr. 10:5-10) Mendo çfarë do të thotë kjo për ne. Apostulli Pavël shkroi: «U pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, kur ishim armiq.» (Rom. 5:10) Duke treguar besim në gjakun e derdhur të Jezuit, gëzojmë miratimin dhe besimin si miq të Perëndisë. Si rezultat, kemi «një miqësi të ngushtë me të».Psal. 25:14.

Ngaqë na «fshihen mëkatet», përjetojmë ‘kohë freskuese nga Jehovai’. (Vep. 3:19) Situata jonë është e ngjashme me atë të një të burgosuri i cili bëhet pishman për veprimet e së kaluarës dhe bën ndryshime rrënjësore ndërsa pret ekzekutimin. Duke e parë këtë, një gjykatës mirëdashës nxitet të shlyejë dosjen e tij të krimit, duke i hequr dënimin me vdekje. Patjetër që këtij të burgosuri i çohet zemra peshë e ndihet i lehtësuar! Ashtu si ky gjykatës, Jehovai u tregon hir atyre që pendohen dhe ua heq dënimin me vdekje.

GJENI ËNDJE NË ADHURIMIN E VËRTETË

Mes aspekteve të adhurimit të vërtetë që Davidi mund të shihte në shtëpinë e Jehovait ishin edhe mbledhja e turmave të bashkëkombësve të tij izraelitë, leximi dhe shpjegimi publik i Ligjit, djegia e temjanit dhe kryerja e shërbimit të shenjtë nga priftërinjtë dhe levitët. (Dal. 30: 34-38; Num. 3:5-8; Ligj. 31:9-12) Këto aspekte të adhurimit të vërtetë në Izraelin e lashtë kanë paralele në ditët tona.

Ashtu si në të kaluarën, edhe sot mund të themi: «Sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» (Psal. 133:1) Një rritje e jashtëzakonshme po ndodh në «vëllazërinë» tonë mbarëbotërore. (1 Pjet. 2:17) Fjala e Perëndisë lexohet e shpjegohet publikisht në mbledhjet tona. Me anë të organizatës së tij, Jehovai ka siguruar një program mësimi të pasur. Gjithashtu kemi në dispozicion ushqim frymor me bollëk, të botuar për studim personal e familjar. Një anëtar i Trupit Udhëheqës vërejti: «Meditimi mbi Fjalën e Jehovait, reflektimi mbi domethënien e saj dhe përpjekjet për të gjetur gjykim të thellë e kuptueshmëri i kanë mbushur ditët e mia me pasuri frymore dhe kënaqësi.» Patjetër, ‘njohuria mund të bëhet e këndshme për shpirtin tonë’.Prov. 2:10.

Sot, çdo ditë ngjiten te Jehovai lutje të pranueshme të shërbëtorëve të Tij. Për Jehovain, këto lutje janë si aroma e këndshme e një temjani erëmirë. (Psal. 141:2) Sa na kënaqet shpirti të dimë se Perëndia Jehova gëzohet shumë kur i afrohemi duke iu lutur përulësisht!

Moisiu u lut: «Hiri i Jehovait, Perëndisë tonë, qoftë mbi ne! Forcoje patundshmërisht veprën e duarve tona.» (Psal. 90:17) Kur bëjmë çmos në shërbim, Jehovai e bekon punën tonë. (Prov. 10:22) Mbase kemi ndihmuar disa të mësojnë të vërtetën. Ndoshta kemi treguar qëndrueshmëri në shërbim për vite me radhë, pavarësisht nga indiferenca, shëndeti i dobët, lëndimet emocionale ose përndjekja. (1 Sel. 2:2) Prapëseprapë, a nuk e ‘kemi parë hijeshinë e Jehovait’ dhe a nuk e kemi ndier se Ati ynë qiellor kënaqet tej mase me përpjekjet tona?

Davidi këndoi: «Adhurimi yt, o Jehova, është pjesa e trashëgimisë dhe e kupës sime. Ti e ruan të sigurt shortin tim. Shorti më ra në vende të këndshme.» (Psal. 16:5, 6) Davidi ishte mirënjohës për ‘trashëgiminë’ e tij, domethënë se gëzonte një marrëdhënie të miratuar me Jehovain dhe se kishte privilegjin t’i shërbente. Ashtu si Davidi, mund të na bien halle, por ama kemi kaq shumë bekime frymore! Vazhdofshim të gjejmë kënaqësi në adhurimin e vërtetë dhe gjithmonë ‘soditshim me ëndje’ tempullin frymor të Jehovait!

^ par. 6 Shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1996, faqet 14-24.