Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai—Siguruesi dhe Mbrojtësi ynë

Jehovai—Siguruesi dhe Mbrojtësi ynë

«Meqenëse ai më ka për zemër, unë do ta shpëtoj. Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.»PSAL. 91:14.

1, 2. Si ndryshojnë rrethanat familjare dhe formimi ynë frymor?

JEHOVAI solli në ekzistencë vatrën familjare. (Efes. 3:14, 15) Megjithatë, edhe po t’i përkasim së njëjtës familje, kemi tipare e rrethana të ndryshme. Ti mbase i ke pasur pranë prindërit që nga lindja deri në moshë të rritur. Të tjerë mund t’i kenë humbur prindërit nga një sëmundje, aksident a ndonjë tragjedi tjetër. Të tjerë akoma as që e dinë cilët janë prindërit e tyre.

2 Edhe brenda familjes frymore, adhuruesve të Jehovait, formimi frymor ndryshon nga njëri te tjetri. Mbase ‘je rritur në të vërtetën’, siç shprehen disa, dhe prindërit të kanë ngulitur në zemër parime hyjnore. (Ligj. 6:6, 7) Ose ndoshta je mes mijërave që e kanë njohur të vërtetën falë predikimit të shërbëtorëve të tjerë të Jehovait.Rom. 10:13-15; 1 Tim. 2:3, 4.

3. Ç’të përbashkëta kemi të gjithë ne?

3 Pavarësisht nga faktorët e sapopërmendur, të gjithë ne kemi disa gjëra të përbashkëta. Vuajmë pasojat e mosbindjes së Adamit dhe kemi trashëguar papërsosmërinë, mëkatin e vdekjen. (Rom. 5:12) Gjithsesi, si adhurues të vërtetë, me të drejtë mund ta quajmë Jehovain «Ati ynë». Në kohën e lashtë, populli i zgjedhur i Perëndisë mundi të thoshte fjalët që gjejmë  tek Isaia 64:8: «Ti, o Jehova, je Ati ynë.» Për më tepër, Jezui e nisi lutjen model me fjalët: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.»Mat. 6:9.

4, 5. Ndërsa shqyrtojmë sa thellë e çmojmë Atin tonë, Jehovain, për çfarë bëjmë mirë të mendojmë?

4 Ati ynë qiellor na siguron kujdesin dhe mbrojtjen që na nevojitet si një popull që thërret me besim emrin e tij. Psalmisti shpreh fjalët e Tij: «Meqenëse ai [një adhurues i vërtetë] më ka për zemër, unë do ta shpëtoj. Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.» (Psal. 91:14) Po, me dashuri, Perëndia Jehova na siguron shpëtim nga armiqtë dhe na mbron meqë jemi populli i tij, që të mos asgjësohemi.

5 Që të thellojmë çmueshmërinë për Atin tonë qiellor, le të shqyrtojmë tre faktorë të rëndësishëm: (1) Ati është Siguruesi ynë. (2) Jehovai është Mbrojtësi ynë. (3) Perëndia është Miku ynë më i shtrenjtë. Ndërsa ndalemi te këto pika, bëjmë mirë të meditojmë për marrëdhënien me Perëndinë dhe të dallojmë si ta nderojmë si Atin tonë. Gjithashtu, bëjmë mirë të bluajmë në mend çfarë bekimesh u vë para Jehovai atyre që i afrohen.Jak. 4:8.

JEHOVAI, SIGURUESI I MADH

6. Përmendni një mënyrë se si Jehovai është Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë’.

6 Dishepulli Jakov shkroi: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore.» (Jak. 1:17) Vetë jeta është një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai. (Psal. 36:9) Kur e përdorim që të bëjmë vullnetin e tij, jo vetëm që shijojmë një lumë bekimesh tani, por para nesh shtrihet jeta e përhershme në botën e re. (Prov. 10:22; 2 Pjet. 3:13) Mirëpo, si është e mundur kjo, duke marrë parasysh pasojat tragjike të mosbindjes së Adamit?

7. Si na e ka çelur rrugën Perëndia që të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të?

7 Jehovai është vërtet Siguruesi i Madh në mënyra të pallogaritshme. Për shembull, dashamirësia e tij e pamerituar e shtyn që të na ndihmojë. Të gjithë pa përjashtim jemi mëkatarë dhe kemi trashëguar papërsosmërinë nga ati ynë i parë prej gjaku. (Rom. 3:23) Pavarësisht nga kjo, falë dashurisë, Jehovai mori iniciativën të na çelte rrugën për të pasur një marrëdhënie të ngushtë me të. Apostulli Gjon shkroi: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»1 Gjon. 4:9, 10.

8, 9. Si u bë Jehovai Siguruesi i Madh në kohën e Abrahamit dhe të Isakut? (Shih figurën hapëse.)

8 Në shekullin e 19-të p.e.s. u shpalos një ngjarje profetike që tregon deri ku shkon Jehovai për të siguruar atë çka u nevojitet njerëzve të bindur, që të shijojnë jetën e përhershme. Hebrenjve 11:17-19 shpjegon: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, pothuaj e flijoi Isakun, dhe ai që kishte marrë me gëzim premtimet, provoi të flijonte birin e vetëmlindur, edhe pse i ishte thënë: “Ajo që do të quhet ‘fara jote’, do të vijë nëpërmjet Isakut.” Por ai ishte i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit. Kështu, i biri iu hoq vdekjes nga duart, dhe kjo shërben si një ilustrim.» Nuk do shumë mend për të kuptuar paralelizmin. Jehovai flijoi të Birin, Jezu Krishtin, për të mirën e njerëzimit.Lexo Gjonin 3:16, 36.

9 Sa i lehtësuar duhet të jetë ndier  Isaku që iu kursye jeta dhe nuk u flijua! Pa dyshim që i ishte mirënjohës Perëndisë kur siguroi një flijim tjetër në vend të tij, një dash që kishte ngecur te një shkurre aty pranë. (Zan. 22:10-13) Nuk është çudi që ai vend u quajt «Jehova-Jireh», që në hebraisht do të thotë «Jehovai do të sigurojë».Zan. 22:14.

MASA PËR PAJTIM

10, 11. Cilët kanë marrë drejtimin në «shërbimin e pajtimit», dhe si e kanë bërë këtë?

10 Ndërsa bluajmë në mend si bëhet Jehovai Siguruesi i Madh, plot mirënjohje pranojmë edhe rolin jetësor që luan Jezu Krishti. Kështu bëri Pavli, siç shkroi: «Kemi gjykuar që një njeri i vetëm vdiq për të gjithë. Kështu, të gjithë kishin vdekur, dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.»2 Kor. 5:14, 15.

11 Nga dashuria për Perëndinë dhe nga mirënjohja për privilegjin e papërshkrueshëm që t’i shërbenin, të krishterët e hershëm e pranuan me kënaqësi «shërbimin e pajtimit». Përmes predikimit dhe përpjekjeve për të bërë dishepuj, u hapën rrugën njerëzve me zemër të sinqertë të ishin në paqe me Perëndinë, të gëzonin miqësinë e tij dhe me kohë të bëheshin fëmijët e tij frymorë. Sot shërbëtorët e mirosur të Jehovait kryejnë të njëjtin shërbim. Vepra që bëjnë si ambasadorë të Perëndisë e të Krishtit u jep mundësi njerëzve zemërdëlirë të tërhiqen nga Jehovai dhe të bëhen besimtarë.Lexo 2 Korintasve 5:18-20; Gjoni 6:44; Vep. 13:48.

12, 13. Si të tregojmë mirënjohje për gjërat e shumta që na siguron Jehovai?

12 Të shtyrë nga mirënjohja për Jehovain si Siguruesi i Madh, të gjithë të krishterët me shpresë tokësore shërbejnë krah të mirosurve, duke predikuar për Mbretërinë. Në këtë vepër përdorim Biblën, edhe kjo një masë e shkëlqyer e Perëndisë. (2 Tim. 3:16, 17) Duke e përdorur me zotësi në shërbim Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, u japim mundësi të tjerëve të jetojnë përgjithmonë. Secili nga ne mbështetet te fryma e tij e shenjtë, një masë tjetër e Jehovait, e cila na ndihmon në këtë vepër. (Zak. 4:6; Luka 11:13) Rezultatet të lënë gojëhapur, siç tregon çdo vit Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë nderi të marrim pjesë në këtë vepër që lëvdon Atin dhe Siguruesin tonë!

13 Kur mendojmë për çdo gjë që na ka siguruar Perëndia, bëjmë mirë të pyesim veten: «A po bëj çmos në shërbim për t’i treguar Jehovait sa e thellë është mirënjohja ime për gjithë sa na ka dhënë? Në cilat mënyra mund të përmirësohem dhe të bëhem një predikues më i aftë i lajmit të mirë?» Mund të tregojmë mirënjohje për masat e mrekullueshme që ka marrë Perëndia, duke mbajtur në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë. Po të veprojmë kështu, Jehovai do t’i plotësojë se s’bën nevojat tona. (Mat. 6:25-33) Sigurisht, dashuria e Perëndisë na e shton dëshirën për të bërë maksimumin që ta kënaqim e t’i gëzojmë zemrën.Prov. 27:11.

14. Si është bërë Jehovai Shpëtimtari i popullit të tij?

14 Psalmisti David këndoi: «Unë jam i munduar dhe i varfër, por ti, o Jehova, mendon për mua. Ti je ndihma ime dhe Ai që më sjell shpëtim.» (Psal. 40:17) Jehovai ka treguar pareshtur se është Shpëtimtari i popullit të tij, sidomos kur armiqtë i bien në qafë pa pushim dhe e përndjekin mizorisht. Oh, sa e falënderojmë Perëndinë që na ndihmon në momente të tilla, si edhe për masat e shumta frymore që na siguron pandërprerë!

 JEHOVAI MBRON

15. Jepni një shembull se si një baba i dashur përpiqet të mbrojë fëmijën e vet.

15 Një baba i dashur jo vetëm siguron gjërat e nevojshme për fëmijët, por edhe mundohet t’i mbrojë. I vjen natyrshëm të përpiqet t’i shpëtojë, nëse janë në rrezik. Një vëlla sjell ndër mend një ngjarje të veçantë kur ishte djalosh. Ai dhe i ati po ktheheshin nga shërbimi kur u gjendën para një përroi. Nga rrebeshi i mëngjesit përroi kishte dalë nga shtrati. E vetmja mënyrë për të kaluar matanë ishte të hidheshin nga një gur i madh te tjetri. Djalit, që ecte para të atit, i rrëshqiti këmba, ra në ujërat e rrëmbyera dhe u fundos dy herë. Sa u lehtësua që babai e kapi me forcë nga krahët sa hap e mbyll sytë dhe e shpëtoi nga mbytja! Ati ynë qiellor na shpëton nga ata që mund të quhen përrenj të tërbuar të kësaj bote të ligë dhe nga sundimtari i saj, Satanai. Sigurisht, Mbrojtës më të mirë se Jehovai s’mund të gjejmë dot.Mat. 6:13; 1 Gjon. 5:19.

16, 17. Si i ndihmoi dhe i mbrojti Jehovai izraelitët ndërsa luftonin kundër amalekitëve?

16 Një shembull i bukur i mbrojtjes së dashur të Jehovait është ajo çka ndodhi pasi çliroi izraelitët nga robëria në Egjipt dhe i mbrojti me anë të një mrekullie teksa kalonin Detin e Kuq më 1513 p.e.s. Ndërsa përshkonin shkretëtirën për në malin Sinai, kombi arriti në Refidim.

17 Duke pasur parasysh profecinë e Zanafillës 3:15, ka të ngjarë që Satanai të kërkonte gjithë dëshpërim ndonjë rast që të sulmonte izraelitët e pambrojtur. E bëri këtë me anë të amalekitëve, që ishin armiq të popullit të Perëndisë. (Num. 24:20) Mendo për atë që bëri Jehovai nëpërmjet katër burrave besnikë:  Josiut, Moisiut, Aaronit dhe Hurit. Ndërsa Josiu luftonte me amalekitët, në një kodër aty pranë qëndronin Moisiu, Aaroni dhe Huri. Kur Moisiu ngrinte duart, izraelitët kishin epërsi në betejë. Sa herë që duart i rëndoheshin, ia mbanin lart Aaroni dhe Huri. Kështu, falë ndihmës e mbrojtjes së Jehovait, «Josiu e mundi Amalekun dhe popullin e tij». (Dal. 17:8-13) Në atë vend Moisiu ndërtoi një altar dhe e quajti «Jehova-Nisi», që në hebraisht do të thotë «Jehovai është sinjali im».Lexo Daljen 17:14, 15.

LARG KTHETRAVE TË SATANAIT

18, 19. Si ka siguruar mbrojtje Perëndia për shërbëtorët e tij në kohën tonë?

18 Jehovai i mbron ata që e duan dhe i binden. Ashtu si izraelitët në Refidim, i varim shpresat te Perëndia që të na ruajë kur të përballemi me armiqtë. Jehovai shpesh na ka mbrojtur si grup dhe na mban larg kthetrave të Djallit. Mendo për rastet e shumta kur Perëndia i ka ruajtur vëllezërit tanë që mbanin asnjanësinë e krishterë. Për shembull, kështu ndodhi në vitet 30 e në fillim të viteve 40, gjatë kohës së nazizmit në Gjermani e në vende të tjera. Kur lexojmë dhe mendojmë thellë për jetëshkrimet apo tregimet në Librin vjetor, që nxjerrin në pah mbrojtjen e Perëndisë në kohë përndjekjeje, besimi te Jehovai si Streha jonë, do të forcohet.Psal. 91:2.

Me anë të bashkëbesimtarëve, Jehovai mund të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë në kohë të vështira (Shih paragrafët 18-20.)

19 Me anë të organizatës së Jehovait dhe të botimeve të saj marrim përkujtues të dashur që na mbrojnë. Mendo pak si na ka sjellë dobi kjo kohët e fundit. Ndërsa bota kridhet në llucën e shfrenimit e të pornografisë, Jehovai na ka siguruar përkujtues urgjentë dhe ndihmë praktike që të jemi syçelë ndaj rreziqeve morale. Për shembull, marrim këshilla atërore që të shmangim shoqëritë e këqija, duke mos i keqpërdorur rrjetet shoqërore. *1 Kor. 15:33.

20. Ç’mbrojtje e drejtim jepet nëpërmjet kongregacionit të krishterë?

20 Si të tregojmë se vërtet ‘mësohemi nga Jehovai’? Duke ua vënë veshin me kujdes urdhrave të tij. (Isa. 54:13) Në limanin e sigurt të kongregacionit gjejmë drejtim e mbrojtje të nevojshme, sepse atje marrim ndihmë e këshilla biblike nga burra besnikë që shërbejnë si pleq. (Gal. 6:1) Shpesh e ndiejmë kujdesin e dhembshur të Jehovait përmes këtyre ‘dhuratave në njerëz’. (Efes. 4:7, 8) Si duhet të reagojmë kur na japin këshilla? Nënshtrimi me dëshirë dhe bindja sjellin bekimet e Perëndisë.Hebr. 13:17.

21. (a) Për çfarë duhet të jemi të vendosur? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

21 Le të jemi të vendosur të marrim gjithnjë drejtim nga fryma e shenjtë dhe kështu të lejojmë të na udhëheqë Ati ynë qiellor. Gjithashtu, duhet të mendojmë thellë për jetën e të Birit, Jezu Krishtit, teksa bëjmë çmos të ndjekim shembullin e tij të pashoq. Ngaqë u bind deri në vdekje, Jezui mori një shpërblim të pasur. (Filip. 2:5-11) Ashtu si ai, do të bekohemi po të tregojmë besim me gjithë zemër te Jehovai. (Prov. 3:5, 6) Ndaj, gjithmonë le t’i varim shpresat te Jehovai si Siguruesi dhe Mbrojtësi ynë që s’ka të krahasuar. Sa gëzim e privilegj i madh t’i shërbejmë atij! Dashuria për të do të na shtohet kur të ndalemi në aspektin e tretë të kujdesit të Atit për ne—miqësia e tij. Artikulli vijues tregon në ç’mënyra Jehovai është Miku ynë më i shtrenjtë.

^ par. 19 Shembuj të përkujtuesve të tillë gjenden në artikujt «Interneti: Përdore me mençuri këtë mjet global», në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2011, faqet 3-5, si edhe «Ruhu nga grackat e Djallit!» dhe «Qëndro i patundur e shmang grackat e Satanait!», në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2012, faqet 20-29.