Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të mbash një pikëpamje pozitive

Si të mbash një pikëpamje pozitive

«Në jetoftë njeriu për shumë vjet, le të gëzojë gjatë gjithë atyre viteve!»EKL. 11:8.

1. Cilat bekime nga Jehovai mund të na ndihmojnë të jemi të lumtur?

JEHOVAI do që të jemi të lumtur dhe derdh mbi ne një lumë bekimesh që na ndihmojnë të gjejmë lumturi. Pikësëpari, jemi gjallë dhe mund ta përdorim jetën që të lëvdojmë Perëndinë, pasi ai na ka tërhequr drejt adhurimit të vërtetë. (Psal. 144:15; Gjoni 6:44) Jehovai na siguron se na do dhe na ndihmon të mos dorëzohemi teksa i shërbejmë. (Jer. 31:3; 2 Kor. 4:16) Shijojmë një parajsë frymore ku kemi ushqim frymor me bollëk dhe një vëllazëri të dashur. Përveç kësaj, gëzojmë një shpresë të vyer për të ardhmen.

2. Me çfarë luftojnë disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë?

2 Pavarësisht nga këto arsye që na sjellin lumturi, disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë luftojnë me mendimet negative për veten. Ndoshta mendojnë se Jehovait nuk i hyn në sy as shërbimi i tyre e as ata vetë. Kujtdo që nuk gjen prehje nga këto ndjenja negative, mendimi që të gëzojë «shumë vjet» mund t’i duket një ëndërr me sy hapur. Mbase jeta i duket si një pafundësi ditësh të zymta.—Ekl. 11:8.

3. Nga se mund të vijnë ndjenjat negative?

3 Ndjenjat negative të këtyre vëllezërve e motrave mund të vijnë nga zhgënjimet, sëmundjet ose nga disa shenja të moshës. (Psal. 71:9; Prov. 13:12; Ekl. 7:7) Për më tepër, çdo i krishterë përballet me realitetin e hidhur se zemra është e pabesë dhe se mund të na dënojë edhe kur Perëndia është i kënaqur me ne. (Jer. 17:9; 1 Gjon. 3:20) Djalli i akuzon pa të drejtë shërbëtorët e Perëndisë. Ata që mendojnë si Satanai mund të orvaten të na ngjitin pikëpamjen e Elifazit që nuk kishte besim—sikur s’kemi pikë vlere për Perëndinë. Kjo ishte një gënjeshtër në ditët e Jobit; kështu është edhe sot.—Jobi 4:18, 19.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Jehovai na e bën të qartë në Shkrime se do të jetë me ata që ‘ecin nëpër luginën e territ’. (Psal. 23:4) Një mënyrë si na rri pranë është nëpërmjet Fjalës së tij. Bibla është ‘e fuqishme nga Perëndia, që të përmbysë gjëra të fortifikuara mirë’, ku futen edhe mendimet e shtrembëra e negative. (2 Kor. 10:4, 5) Prandaj, le të shqyrtojmë si ta përdorim Biblën që të zhvillojmë e të ruajmë një pikëpamje pozitive. Nga kjo mund të nxjerrësh dobi vetë dhe mund të gjesh mënyra si t’u japësh zemër të tjerëve.

PËRDORE BIBLËN QË TË ZHVILLOSH NJË PIKËPAMJE POZITIVE

5. Ç’lloj prove mund të të ndihmojë të kesh një pikëpamje pozitive?

5 Apostulli Pavël foli për disa gjëra që mund të të ndihmojnë të zhvillosh një pikëpamje pozitive. Ai e nxiti kongregacionin e Korintit: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim.» (2 Kor. 13:5) ‘Besimi’ është tërësia e bindjeve të krishtere të shpalosura në Bibël. Nëse fjalët dhe veprat e tua janë në harmoni me këto bindje, e kalon provën dhe tregon se je «në besim». S’diskutohet, duhet ta krahasosh jetën tënde edhe me çdo aspekt të mësimeve të krishtere. Nuk mund të bësh naze e të zgjedhësh cilat mësime do të zbatosh.—Jak. 2:10, 11.

6. Pse duhet të vësh në provë veten ‘nëse je në besim’? (Shih figurën hapëse.)

6 Mbase ngurron ta bësh këtë lloj prove, sidomos nëse ke frikë se mos dështon. Po mos harro se ka më shumë rëndësi si të sheh Jehovai, jo si e sheh ti veten, dhe mendimet e tij janë ku e ku më lart se të tuat. (Isa. 55:8, 9) Ai nuk i vëzhgon adhuruesit e tij që t’i dënojë, por që të gjejë te ta cilësi të mira e t’i ndihmojë. Kur e përdor Fjalën e Perëndisë për të provuar ‘nëse je në besim’, do ta shohësh veten më tepër me syrin e Perëndisë. Kjo mund të të ndihmojë ta zëvendësosh mendimin se nuk ke pikë vlere për Jehovain me këtë siguri që jep Bibla: ti je i çmuar në sytë e Tij. Rezultati do të jetë si të hapësh perdet që drita e diellit të derdhet në një dhomë të errët.

7. Si mund të nxjerrësh dobi nga shembujt e besnikëve që gjenden në Bibël?

7 Një mënyrë e efektshme për ta vënë në provë veten është të bluash në mendje shembujt e besnikëve të përmendur në Bibël. Krahasoji rrethanat e ndjenjat e tyre me të tuat dhe mendo si mund të kishe vepruar në vend të tyre. Le të ndalemi te tre shembuj që tregojnë si ta përdorësh Biblën për të vërtetuar se je «në besim», dhe kështu të zhvillosh një pikëpamje pozitive për veten.

VEJUSHA NEVOJTARE

8, 9. (a) Cilat ishin rrethanat e vejushës nevojtare? (b) Çfarë ndjenjash negative mund të ketë pasur ajo?

8 Në tempullin e Jerusalemit, Jezui vuri re një vejushë nevojtare. Shembulli i saj mund të të ndihmojë të ruash një pikëpamje pozitive, pavarësisht nga kufizimet. (Lexo Lukën 21:1-4.) Mendo për rrethanat e vejushës. Përveç pikëllimit për humbjen e të shoqit, e mundonte edhe atmosfera fetare ku krerët nuk u bëheshin krah vejushave të pambrojtura, por ‘u gllabëronin shtëpitë’. (Luka 20:47) Aq e vobektë ishte, sa mund të kontribuonte për tempullin vetëm sa fitonte në pak minuta një punëtor.

9 Përpiqu të imagjinosh si ndihej teksa hynte në oborrin e tempullit me dy qindarka në dorë. Mos vallë mendonte sa pak po jepte krahasuar me kontributin që hidhte kur i shoqi ishte gjallë? Mos i vinte turp kur shihte kontributet e mëdha të njerëzve para saj, e pyeste veten nëse ia vlente vërtet të hidhte atë kontribut? Edhe po të ketë pasur ndjenja të tilla, prapë bëri gjithë sa mundi për adhurimin e vërtetë.

10. Si tregoi Jezui se vejusha ishte e çmuar për Perëndinë?

10 Jezui tregoi se qoftë vejusha, qoftë kontributi i saj ishin të çmuar për Jehovain. Tha se ajo «hodhi më shumë se të gjithë [të pasurit]». Edhe pse ky kontribut do të përzihej me kontributin e të tjerëve, Jezuit i ra në sy ajo grua dhe e lëvdoi. Nëpunësit e thesarit, që më vonë i kaluan nëpër duar dy qindarkat, as e kishin idenë sa të vyera ishin për Jehovain ato monedha dhe gruaja që i dhuroi. Prapëseprapë, ajo që kishte vërtet rëndësi ishte pikëpamja e Perëndisë, jo mendimi i të tjerëve, e madje as mendimi i vejushës për veten. A mund ta përdorësh këtë tregim për të vënë në provë veten nëse je në besim?

Ç’mësim nxjerr nga shembulli i vejushës nevojtare? (Shih paragrafët 8-10.)

11. Çfarë mund të mësosh nga tregimi për vejushën?

11 Ajo që i jep Jehovait mund të varet nga rrethanat e tua. Për shembull, për shkak të moshës ose të problemeve shëndetësore, disa kanë mundësi të kalojnë fare pak kohë në predikimin e lajmit të mirë. A duhet të dyshojnë nëse ia vlen ta raportojnë shërbimin e tyre? Edhe nëse rrethanat e tua janë më të favorshme, prapë mund të të duket se përpjekjet që bën, janë të papërfillshme mes gjithë atyre orëve që kalon çdo vit në shërbim populli i Perëndisë. Sidoqoftë, nga tregimi për vejushën e vobektë mund të mësosh se syrit të Jehovait nuk i shpëton asgjë që bën për të dhe e çmon, sidomos nëse e ke bërë në rrethana të vështira. Sill ndër mend atë që ke dhënë në shërbim të Jehovait vitin e kaluar. Mos të është dashur të bëje ndonjë sakrificë të veçantë për një nga orët që i kushtove? Nëse po, të jesh i bindur se Jehovai e çmon atë që bëre për të gjatë asaj ore. Kur jep më të mirën në shërbim të Tij, ashtu si vejusha nevojtare, ke arsye të forta që të ndihesh i sigurt se je «në besim».

«MERRMA SHPIRTIN»

12-14. (a) Si ndikuan ndjenjat negative tek Elija? (b) Pse mund të jetë ndier ashtu Elija?

12 Profeti Elija ishte besnik ndaj Jehovait dhe kishte besim të fortë. Gjithsesi, një herë u ndie aq përtokë, sa i kërkoi Jehovait të vdiste, dhe tha: «O Jehova, s’mundem më, merrma shpirtin.» (1 Mbret. 19:4) Atyre që nuk janë mbytur ndonjëherë nga një dëshpërim i tillë, lutja e Elijas mund t’u duket thjesht «fjalë të rrëmbyera». (Jobi 6:3) Mirëpo, ai ndihej vërtet ashtu. Të bën përshtypje se Jehovai nuk e qortoi Elijan që kërkoi të vdiste, përkundrazi e ndihmoi.

13 Si ndodhi që Elijan e kapluan këto ndjenja? Pak kohë më parë, ai kishte marrë masa për një provë vendimtare në Izrael, që tregoi se Jehovai është Perëndia i vërtetë. Si pasojë, u ekzekutuan 450 profetë të Baalit. (1 Mbret. 18:37-40) Mbase Elija shpresonte që pas provës populli i Perëndisë t’i kthehej adhurimit të pastër, por nuk ndodhi kështu. Mbretëresha e ligë Jezebelë i çoi fjalë Elijas se s’do të linte gur pa lëvizur gjersa ta vriste. I trembur, Elija ia mbathi për në jug që të shpëtonte kokën. Përshkoi Judën fqinje dhe arriti në shkretëtirë, një vend i pajetë e i egër.—1 Mbret. 19:2-4.

14 Tek rrinte fillikat, Elija bluante në mend sa e kotë i dukej vepra e tij si profet. Ai i tha Jehovait: «Unë nuk jam më i mirë se paraardhësit e mi.» Me fjalë të tjera, ndihej aq kot, sa pluhuri dhe eshtrat e paraardhësve të vdekur. Pra, Elija e vuri në provë veten sipas standardeve të tij dhe nxori përfundimin se ishte dështak, pa pikë vlere për Jehovain a për këdo tjetër.

15. Si e siguroi Perëndia Elijan se ishte ende i vyer për Të?

15 Por, i Plotfuqishmi e shihte krejt ndryshe profetin. Elija mbetej i vyer në sytë e Jehovait dhe Ai bëri disa hapa që ta siguronte për këtë të vërtetë. Perëndia dërgoi një engjëll që ta forconte. Gjithashtu, Jehovai i siguroi ushqim dhe ujë që i dhanë forcë Elijas për udhëtimin 40 ditësh drejt jugut deri në malin Horeb. Veç kësaj, ia ndreqi me dashamirësi mendimin e gabuar se asnjë izraelit tjetër nuk i kishte qëndruar besnik Jehovait. Vlen të përmendet se Perëndia i dha caktime të reja Elijas, të cilat i pranoi. Ndihma e Jehovait i bëri mirë Elijas, dhe iu kthye veprës si profet me forca të përtërira.—1 Mbret. 19:5-8, 15-19.

16. Cilat janë disa mënyra si të ka mbështetur Perëndia?

16 Përvoja e Elijas mund të të ndihmojë të vërtetosh se je në besim e të të nxitë të kesh një pikëpamje pozitive. Së pari, mendo për mënyrat si të ka mbështetur e forcuar Jehovai. Mos ndoshta një nga shërbëtorët e tij, mbase një plak a një i krishterë tjetër i pjekur, të ka ndihmuar në ndonjë moment kur kishe nevojë? (Gal. 6:2) A je ushqyer frymësisht me anë të Biblës, të botimeve të krishtere dhe të mbledhjeve të kongregacionit? Herën tjetër kur të nxjerrësh dobi në një nga këto mënyra, mendo thellë për Burimin e vërtetë të kësaj ndihme dhe falënderoje në lutje.—Psal. 121:1, 2.

17. Çfarë çmon Jehovai te shërbëtorët e tij?

17 Së dyti, mbaj parasysh se mendimet negative mund të jenë mashtruese. Ajo që vlen vërtet është pikëpamja e Perëndisë për ty. (Lexo Romakëve 14:4.) Jehovai çmon përkushtimin dhe besnikërinë që i tregon; ai nuk të mat sipas arritjeve të tua. Ka shumë të ngjarë që, ashtu si Elija, edhe ti të kesh bërë për Jehovain më shumë nga ç’ta merr mendja. Ka gjasa të kesh ndikuar për mirë te të tjerë në kongregacion. Gjithashtu, disa në territor mund të kenë dëgjuar për herë të parë për të vërtetën falë përpjekjeve të tua.

18. Ç’provë të jep caktimi që ke marrë nga Jehovai?

18 Së fundi, çdo caktim nga Jehovai shihe si provë se ai është me ty. (Jer. 20:11) Ashtu si Elija, mbase ndihesh përtokë ngaqë shërbimi yt të duket i pafrytshëm ose ngaqë ndonjë synim frymor të duket i paarritshëm. Sidoqoftë, ti vazhdon të kesh privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu sot—predikon lajmin e mirë dhe mban emrin e Perëndisë. Ndaj, rri besnik! Atëherë, në njëfarë kuptimi, mund të të drejtohen edhe ty fjalët e një shëmbëlltyre të Jezuit: «Gëzohu edhe ti me zotërinë tënd.»—Mat. 25:23.

‘LUTJA E TË MUNDUARIT’

19. Në ç’gjendje ishte shkrimtari i Psalmit 102?

19 Shkrimtari i Psalmit 102 kish rënë në dëshpërim. Ishte ‘i munduar’ nga vuajtje të mëdha fizike ose emocionale, dhe nuk kishte më forcë t’u bënte ballë problemeve. (Psal. 102:Mbishkrimi) Nga fjalët e tij dallojmë se ishte zhytur kokë e këmbë në dhembjen, vetminë dhe ndjenjat e veta. (Psal. 102:3, 4, 6, 11) Pandehte se Jehovai donte ta flakte tej.—Psal. 102:10.

20. Si mund ta ndihmojnë lutjet dikë që po lufton me mendimet negative?

20 Gjithsesi, psalmisti ende mund ta përdorte jetën që të lëvdonte Jehovain. (Lexo Psalmin 102:19-21.) Siç shohim nga Psalmi 102, edhe ata që janë «në besim» mund të përjetojnë dhembje dhe mezi ia dalin të përqendrohen diku tjetër. Psalmisti u ndie «si zogu i vetmuar mbi çati», sikur i bënin shoqëri vetëm hallet. (Psal. 102:7) Nëse ndihesh ndonjëherë kështu, zbrazja zemrën Jehovait si psalmisti. Lutjet e të munduarit—lutjet e tua—mund të të ndihmojnë teksa lufton me mendimet negative. Jehovai premton se «do ta dëgjojë lutjen e skamësit, po, nuk do ta përbuzë lutjen e tij». (Psal. 102:17) Besoje këtë premtim!

21. Si mund të fitojë një pikëpamje më pozitive ai që lufton me ndjenjat negative?

21 Psalmi 102 tregon edhe si të fitosh një pikëpamje më pozitive. Psalmisti e arriti këtë duke e kthyer vëmendjen nga marrëdhënia e tij me Jehovain. (Psal. 102:12, 27) E ngushëlloi mendimi se gjatë sprovave Jehovai është ngaherë pranë shërbëtorëve të Tij për t’i mbështetur. Kështu, nëse tani për tani mendimet negative të pengojnë të bësh aq sa do në shërbim të Perëndisë, lutu për këtë. Kërkoji Perëndisë që jo vetëm të lehtësohesh disi nga vuajtjet, por edhe «që emri i Jehovait të shpallet».—Psal. 102:20, 21.

22. Si mund t’i pëlqejë Jehovait secili nga ne?

22 E pra, me anë të Biblës mund t’i provosh vetes se je në besim dhe se je i vyer për Jehovain. Natyrisht, në këtë sistem ndoshta nuk i fshijmë dot krejtësisht ndjenjat negative a shkurajimin. Sidoqoftë, secili nga ne mund t’i pëlqejë Jehovait dhe në fund të shpëtojë, duke qëndruar besnikërisht në shërbimin e tij.—Mat. 24:13.