Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po ecën para me organizatën e Jehovait?

A po ecën para me organizatën e Jehovait?

«Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët.»1 PJET. 3:12.

1. Cila organizatë zëvendësoi Izraelin apostat si populli për emrin e Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

ËSHTË merita e Jehovait që u themelua kongregacioni i krishterë në shekullin e parë dhe që u rivendos adhurimi i vërtetë kohët e fundit. Siç e pamë në artikullin e kaluar, organizata e përbërë nga dishepujt e hershëm të Krishtit zëvendësoi kombin apostat të Izraelit si populli për emrin e Jehovait. Kjo organizatë e re, që kishte gjetur aq shumë hir para Perëndisë, nuk u zhduk kur u shkatërrua Jerusalemi më 70 të e.s. (Luka 21:20, 21) Ato ngjarje të shekullit të parë ishin prelud i ngjarjeve që lidhen me shërbëtorët e sotëm të Jehovait. Sistemi i Satanait do të marrë fund së shpejti, por organizata e Perëndisë nuk do të zhduket gjatë ditëve të fundit. (2 Tim. 3:1) Pse jemi të sigurt për këtë?

2. Çfarë tha Jezui për ‘shtrëngimin e madh’, dhe si do të nisë ai?

2 Kur foli për praninë e tij të padukshme dhe përfundimin e sistemit, Jezui tha: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» (Mat. 24:3, 21) Ky shtrëngim i pashembullt do të fillojë kur Jehovai të shkatërrojë ‘Babiloninë e Madhe’, perandorinë botërore të fesë së rreme, duke përdorur fuqitë politike. (Zbul. 17:3-5, 16) Por ç’do të ndodhë pas kësaj?

SULMI SATANIK ÇON NË HARMAGEDON

3. Çfarë sulmi do të nisë kundër popullit të Jehovait pasi të shkatërrohet feja e rreme?

3 Pasi të shkatërrohet feja e rreme, Satanai dhe disa elementë të botës së tij do të nisin një sulm kundër shërbëtorëve të Jehovait. Shkrimet parathonë për ‘Gogun e vendit të Magogut’: «Do të vish si shtrëngata. Si retë do ta mbulosh vendin me tërë ushtritë e tua dhe me njerëzit e tu të shumtë.» Ngaqë Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë forca të armatosura dhe janë populli më paqësor në botë, do të duken si pre e lehtë. Por, ç’gabim fatal do të jetë sulmi kundër tyre!—Ezek. 38:1, 2, 9-12.

4, 5. Si do t’u kundërpërgjigjet Jehovai orvatjeve satanike për të shfarosur shërbëtorët e tij?

4 Si do t’u kundërpërgjigjet Perëndia orvatjeve satanike për të shfarosur popullin e tij? Jehovai do të ndërhyjë për ta, duke ushtruar të drejtën si Sovrani i Universit. Për Jehovain, një sulm kundër shërbëtorëve të tij është sulm kundër atij vetë. (Lexo Zakarinë 2:8.) Prandaj, Ati ynë qiellor do të veprojë rrufeshëm që të na shpëtojë. Ky çlirim do të arrijë kulmin kur të shkatërrohet bota e Satanait në Harmagedon, në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm».—Zbul. 16:14, 16.

5 Ja ç’thotë profecia biblike për Harmagedonin: «‘Jehovai ka një çështje me kombet. Ai do të gjykojë vetë çdo mish. Të ligjtë do t’ia dorëzojë shpatës’,—thotë Jehovai. Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Ja, një gjëmë do të dalë komb më komb, dhe një furtunë e madhe do të ngrihet nga skajet më të largëta të tokës. Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin. Ata nuk do t’i vajtojnë, as do t’i mbledhin a t’i varrosin. Do të bëhen si pleh në faqen e dheut.’» (Jer. 25:31-33) Harmagedoni do t’i japë fund këtij sistemi të lig. Bota e Satanait s’do të jetë më, por pjesa tokësore e organizatës së Jehovait po.

PSE ORGANIZATA E JEHOVAIT ECËN MBARË SOT

6, 7. (a) Si mblidhet ‘shumica e madhe’? (b) Ç’rritje kemi parë vitet e fundit?

6 Organizata e Perëndisë qëndron e patundur dhe ecën mbarë, sepse pjesëtarët e saj gëzojnë miratimin e tij. Bibla na siguron: «Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre.» (1 Pjet. 3:12) Te të drejtët përfshihet ‘një shumicë e madhe’, e cila ‘del nga shtrëngimi i madh’. (Zbul. 7:9, 14) Këta të mbijetuar nuk janë thjesht «një shumicë», por ‘një shumicë e madhe’, pra një numër marramendës njerëzish. A e sheh veten mes tyre, si i mbijetuar i ‘shtrëngimit të madh’?

7 Si mblidhet kjo shumicë e madhe? Me anë të diçkaje që paratha Jezui si pjesë të shenjës së pranisë së tij. Ai tregoi: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Kjo është puna më e rëndësishme e organizatës së Perëndisë në këto ditë të fundit. Falë predikimit dhe mësimdhënies mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait, miliona veta kanë mësuar ta adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:23, 24) Për shembull, gjatë një dekade të fundit—në vitet e shërbimit 2003-2012—u pagëzuan në simbol të kushtimit ndaj Perëndisë më se 2.707.000 veta. Aneqark botës tani ka më shumë se 7.900.000 Dëshmitarë, dhe miliona të tjerë marrin pjesë në mbledhjet e tyre, sidomos në Përkujtimin që mbahet çdo vit. Patjetër që nuk trumbetojmë numrat, sepse ai që ‘vazhdon të rritë’ është Perëndia. (1 Kor. 3:5-7) Prapëseprapë, duket qartë se shumica e madhe po rritet e forcohet vit pas viti.

8. Si shpjegohet rritja e jashtëzakonshme në organizatën e Jehovait sot?

8 Numri i shërbëtorëve të Perëndisë Jehova është rritur ndjeshëm, ngaqë ai vetë i mbështet Dëshmitarët e tij. (Lexo Isainë 43:10-12.) Kjo rritje ishte parathënë me këto fjalë profetike: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.» (Isa. 60:22) Dikur mbetja e mirosur ishte si «i pakti», por numri i tyre u rrit dora-dorës që izraelitë të tjerë frymorë i shtoheshin organizatës së Perëndisë. (Gal. 6:16) Falë bekimit të Jehovait ndër vite, kjo rritje vazhdon me mbledhjen e shumicës së madhe.

ÇFARË KËRKON JEHOVAI NGA NE

9. Çfarë duhet të bëjmë nëse duam të gëzojmë të ardhmen e ndritur që premtohet në Fjalën e Perëndisë?

9 Qofshim të krishterë të mirosur, qofshim pjesëtarë të shumicës së madhe, mund të gëzojmë të ardhmen e ndritur që premtohet në Fjalën e Perëndisë. Por, për këtë duhet t’u nënshtrohemi kërkesave të Jehovait. (Isa. 48:17, 18) Të mendojmë për izraelitët nën Ligjin e Moisiut. Një nga qëllimet e Ligjit ishte t’i mbronte, duke u dhënë ligje të dobishme për sjelljen seksuale, marrëdhëniet tregtare, kujdesin për fëmijët, trajtimin e duhur të të tjerëve e kështu me radhë. (Dal. 20:14; Lev. 19:18, 35-37; Ligj. 6:6-9) Kur u nënshtrohemi kërkesave të Perëndisë, edhe ne nxjerrim dobi, e nuk na duket aspak e rëndë të bëjmë vullnetin e tij. (Lexo 1 Gjonit 5:3.) Në fakt, ashtu si izraelitët ishin të mbrojtur nga Ligji, nënshtrimi ndaj ligjeve dhe parimeve të Perëndisë Jehova jo vetëm na mbron, por edhe na mban «të shëndoshë në besim».—Titit 1:13.

10. Pse duhet të programojmë kohë që të studiojmë Biblën dhe të kemi çdo javë një mbrëmje për Adhurimin Familjar?

10 Pjesa tokësore e organizatës së Jehovait po ecën para në lloj-lloj mënyrash. Për shembull, kuptueshmëria jonë për të vërtetën biblike po bëhet përherë e më e qartë. Kjo pritet, sepse «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë». (Prov. 4:18) Megjithatë, bëjmë mirë të pyesim veten: «A po eci në një hap me përmirësimin e kuptueshmërisë sonë për të vërtetën biblike? A e kam shprehi të lexoj Biblën çdo ditë? A jam lexues i etur i botimeve tona? A lë çdo javë një mbrëmje për Adhurimin Familjar me njerëzit e shtëpisë?» Shumica prej nesh e pranon se nuk është ndonjë gjë e madhe t’i bëjmë këto. Shpesh gjithë puna është të programosh kohën. Sa e rëndësishme është të marrim njohuri të saktë nga Shkrimet, ta zbatojmë e të përparojmë frymësisht, sidomos tani që shtrëngimi i madh është në prag!

11. Përmendni dobitë e festave të lashta dhe mbledhjeve, asambleve e kongreseve të sotme.

11 Organizata e Jehovait na do të mirën kur na inkurajon t’i vëmë veshin kësaj këshille të apostullit Pavël: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Hebr. 10:24, 25) Festat e përvitshme dhe mbledhjet e tjera për adhurim i forconin frymësisht izraelitët. Për më tepër, ngjarje të tilla si festa e Kasolleve në ditët e Nehemisë, ishin raste të gëzueshme. (Dal. 23:15, 16; Neh. 8:9-18) Edhe ne nxjerrim dobi të ngjashme nga mbledhjet, asambletë dhe kongreset tona. Le të përfitojmë plotësisht nga këto masa që janë marrë për lumturinë dhe shëndetin tonë frymor.—Titit 2:2.

12. Si duhet të ndihemi për veprën e predikimit për Mbretërinë?

12 Si pjesëtarë të organizatës së Jehovait, kemi kënaqësinë të marrim pjesë në «veprën e shenjtë të lajmit të mirë të Perëndisë». (Rom. 15:16) Pjesëmarrja në këtë ‘vepër të shenjtë’ na bën «bashkëpunëtorë» të Jehovait, të ‘të Shenjtit’. (1 Kor. 3:9; 1 Pjet. 1:15) Kur predikojmë lajmin e mirë, bëjmë pjesën tonë për të shenjtëruar emrin e tij të vyer. Ç’privilegj i papërshkrueshëm që na është besuar ‘i lavdishmi lajm i mirë i Perëndisë së lumtur’!—1 Tim. 1:11.

13. Nga çfarë varen shëndeti frymor dhe jeta?

13 Perëndia do që të ruajmë shëndetin frymor, duke qëndruar të lidhur ngushtë me të e duke mbështetur organizatën në aktivitetet e saj. Moisiu u tha izraelitëve: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj, duke dashur Jehovain, Perëndinë tuaj, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të, pasi ai është jeta juaj dhe ju jep bollëk ditësh, që të banoni në tokën që Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.» (Ligj. 30:19, 20) Mund ta gëzojmë jetën e përhershme vetëm nëse bëjmë vullnetin e Jehovait, e duam, i bindemi zërit të tij dhe i qëndrojmë besnikë.

14. Si ndihej një vëlla për pjesën e dukshme të organizatës së Perëndisë?

14 Vëlla Prajs Hjuzi, i cili nuk lejoi asgjë ta ndante nga Perëndia dhe eci në një hap me organizatën e Tij, shkroi një herë: «Sa mirënjohës jam që kam jetuar sipas njohurisë për qëllimet e Jehovait që në ato ditë të hershme pak para 1914-s. . . . Në ka pasur për mua një gjë më të rëndësishme në jetë, ka qenë kjo: të qëndroja afër organizatës së dukshme të Jehovait. Nga përvojat e para kam mësuar sa gabim është të mbështetesh tek arsyetimet njerëzore. Pasi u binda për këtë, isha i vendosur të qëndroja në anën e organizatës besnike. E si mund ta gëzosh ndryshe miratimin dhe bekimin e Jehovait?!»

VAZHDO TË ECËSH PARA ME ORGANIZATËN E PERËNDISË

15. Jep një shembull nga Shkrimet që tregon si duhet t’i shohim përmirësimet në kuptueshmërinë tonë për Biblën.

15 Nëse personalisht duam të gëzojmë miratimin dhe bekimin e Jehovait, duhet të mbështetim organizatën e tij dhe të pranojmë përditësimet e kuptueshmërisë sonë për Shkrimet. Ia vlen të mendojmë për këtë: pas vdekjes së Jezuit, mijëra të krishterë judenj ishin përkrahës të flaktë të Ligjit dhe me zor u shkëputën prej tij. (Vep. 21:17-20) Megjithatë, letra e Pavlit drejtuar hebrenjve, i ndihmoi të pranonin se nuk ishin shenjtëruar nëpërmjet flijimeve ‘që bëheshin sipas Ligjit’, por «nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit një herë e mirë». (Hebr. 10:5-10) S’ka dyshim se shumica e atyre të krishterëve me prejardhje judeje e ndreqën mënyrën e të menduarit dhe përparuan frymësisht. Edhe ne duhet të studiojmë me zell dhe të jemi mendjehapur kur përditësohen kuptueshmëria për Fjalën e Perëndisë ose metodat e predikimit.

16. (a) Cilat bekime do të na kënaqin shpirtin në botën e re? (b) Çfarë pret ti me padurim në botën e re?

16 Të gjithë ata që i qëndrojnë besnikë Jehovait dhe organizatës do të shijojnë pareshtur bekimet e tij. Të mirosurit besnikë do të gëzojnë privilegje madhështore si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në qiell. (Rom. 8:16, 17) Nëse kemi shpresë tokësore, të përfytyrojmë sa do të na kënaqet shpirti kur të jetojmë në Parajsë. Si pjesë e organizatës së Jehovait, na gufon zemra kur u flasim të tjerëve për botën e re që premton Perëndia! (2 Pjet. 3:13) Psalmi 37:11 thotë: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Njerëzit «do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to» dhe do të gëzojnë ‘veprën e duarve të tyre’. (Isa. 65:21, 22) Nuk do të ketë më shtypje, varfëri dhe uri. (Psal. 72:13-16) Babilonia e Madhe nuk do të mashtrojë më askënd, sepse do të jetë zhdukur. (Zbul. 18:8, 21) Të vdekurit do të ringjallen me mundësinë që të jetojnë përgjithmonë. (Isa. 25:8; Vep. 24:15) Ç’perspektivë drithëruese shpaloset para milionave që ia kanë kushtuar jetën Jehovait! Që këto premtime biblike të bëhen realitet për secilin prej nesh, duhet të vazhdojmë të përparojmë frymësisht, duke ecur para me organizatën e Perëndisë, gjithmonë në një hap me të.

A e sheh veten në Parajsë? (Shih paragrafin 16.)

17. Ç’qëndrim duhet të kemi ndaj adhurimit të Jehovait dhe organizatës së tij?

17 Tani që fundi i këtij sistemi është te dera, qëndrofshim të fortë në besim dhe tregofshim mirënjohje nga zemra për masat e Perëndisë që ta adhurojmë! Ky ishte edhe qëndrimi i psalmistit David, që këndoi: «Një gjë i kam kërkuar Jehovait dhe atë i kërkoj prapë: të banoj në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës sime, që të shoh hijeshinë e Jehovait dhe të sodit me ëndje tempullin e tij.» (Psal. 27:4) Secili nga ne le të qëndrojë i lidhur ngushtë me Jehovain, të jetë në një hap me popullin e tij dhe të vazhdojë të ecë para me organizatën.