Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ushqimi im është të bëj vullnetin e Perëndisë’

‘Ushqimi im është të bëj vullnetin e Perëndisë’

Çfarë ta kënaq shpirtin? Ndonjë marrëdhënie e ngrohtë, si martesa, krijimi i familjes ose forcimi i një miqësie? Sigurisht që kënaqesh kur shijon një vakt me njerëzit e dashur. Por, si shërbëtor i Jehovait, a nuk gjen kënaqësi sidomos kur bën vullnetin e Perëndisë, kur studion Fjalën e tij dhe kur predikon lajmin e mirë?

Në një këngë lëvdimi për Krijuesin, Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, këndoi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» (Psal. 40:8) Me gjithë hallet e streset e jetës, Davidit i kënaqej shpirti kur bënte vullnetin e Perëndisë. Dhe sigurisht, ai nuk ishte i vetmi adhurues i Jehovait që gjente ëndje teksa i shërbente Perëndisë së vërtetë.

Apostulli Pavël tregoi se fjalët e Psalmit 40:8 zbatoheshin për Mesinë, ose Krishtin, kur shkroi: «Kur [Jezui] hyn në botë, ai thotë: “Flijime dhe blatime nuk deshe, por më përgatite një trup. Ti nuk miratove blatime të plota të djegura dhe as blatime për mëkatin. Atëherë unë thashë: ‘Ja, unë kam ardhur (në rrotullën e librit është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.’”»Hebr. 10:5-7.

Ndërsa ishte në tokë, Jezui kënaqej tek sodiste krijimin, tek kalonte kohë me miqtë dhe tek shijonte një vakt bashkë me të tjerët. (Mat. 6:26-29; Gjoni 2:1, 2; 12:1, 2) Sidoqoftë, për të, gjëja më e rëndësishme dhe kënaqësia më e madhe ishte të bënte vullnetin e Atit të tij qiellor. Në fakt, Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34; 6:38) Dishepujt e Jezuit mësuan nga Zotëria i tyre sekretin e lumturisë së vërtetë. Ndaj, tërë gëzim u jepnin të tjerëve mesazhin për Mbretërinë me gatishmëri e zell.Luka 10:1, 8, 9, 17.

«SHKONI DHE BËNI DISHEPUJ»

Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:19, 20) Për të kryer këtë caktim, duhet t’u flasim njerëzve kudo që i gjejmë, të kthehemi tek ata që shfaqin interes dhe të studiojmë Biblën me ta. Pjesëmarrja në këtë vepër mund të jetë burim i madh kënaqësie.

Dashuria na nxit të shpallim lajmin e mirë me gjithë indiferentizmin që mund të hasim

Pavarësisht nëse njerëzit tregojnë interes për mesazhin, qëndrimi ynë luan rol kyç për të provuar kënaqësi në shërbim. Pse vazhdojmë të shpallim lajmin e mirë me gjithë indiferentizmin që mund të hasim? Sepse e dimë se, kur marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve, tregojmë dashurinë për Perëndinë dhe për njerëzit. Janë në lojë jetë, qoftë jona, qoftë e të tjerëve. (Ezek. 3:17-21; 1 Tim. 4:16) Le të shqyrtojmë disa pika që kanë ndihmuar shumë nga bashkëpunëtorët tanë ta ruajnë ose ta përtërijnë zellin në territore të vështira.

SHFRYTËZO ÇDO MUNDËSI

Shpesh korrim rezultate të mira kur përdorim pyetje me vend në shërbim. Një mëngjes, Amalia pa një burrë që lexonte gazetën në park. Iu afrua dhe e pyeti nëse kishte gjetur ndonjë lajm të mirë aty. Kur ai ia ktheu jo, Amalia i tha: «Unë do të të jap një lajm të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.» Kjo i ngjalli kureshtje burrit, dhe pranoi një studim biblik. Amalia arriti të niste tri studime biblike në atë park.

Xhanisa e ka kthyer vendin e punës në territor predikimi. Kur një rojë sigurimi dhe kolegia e tij treguan interes për një artikull të Kullës së Rojës, Xhanisa u tha se mund t’ua çonte revistat rregullisht po të donin. Po njësoj veproi me një koleg të cilit i kishte bërë shumë përshtypje larmia e temave të trajtuara te Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kjo nxiti edhe një kolege tjetër të porosiste revistat. «Ç’bekim nga Jehovai»,—thotë Xhanisa. Si përfundim, ajo u jep rregullisht revistat 11 vetave në punë.

JI POZITIV

Një mbikëqyrës udhëtues u sugjeroi lajmëtarëve që në shërbimin shtëpi më shtëpi të mos e mbyllnin bisedën thjesht duke thënë se do të kalonin një ditë tjetër. Më mirë ta pyetnin të zotin e shtëpisë: «A ke qejf të të tregoj si i studiojmë Shkrimet e Shenjta?» Ose: «Në ç’ditë dhe në ç’orë e ke më mirë të kthehem që të vazhdojmë pak bisedën?» Sipas mbikëqyrësit udhëtues, me këtë metodë vëllezërit e motrat në një kongregacion që vizitonte, nisën 44 studime biblike vetëm në një javë.

Mund të jetë goxha frytdhënëse t’i rivizitojmë të interesuarit pa vonesë, mbase brenda pak ditësh. Pse? Sepse kështu tregojmë se duam me gjithë shpirt t’i ndihmojmë njerëzit me zemër të hapur të kuptojnë Biblën. Kur e pyetën një grua pse pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ajo tha: «Fillova të studioja sepse ndjeva interesin dhe dashurinë e sinqertë që kishin për mua.»

Mund ta pyesësh të zotin e shtëpisë: «A ke qejf të të tregoj si i studiojmë Shkrimet e Shenjta?»

Pak pasi ndoqi Shkollën e Shërbimit për Pionierë, Madaía po drejtonte 15 studime biblike, ndërkohë që më se 5 ua kishte kaluar lajmëtarëve të tjerë. Disa prej studentëve të saj nisën të ndiqnin mbledhjet rregullisht. Çfarë e ndihmoi Madaínë të fillonte aq shumë studime? Shkolla i kishte ngulitur në mendje sa e nevojshme ishte të kthehej tek ata që tregonin interes, derisa t’i gjente. Një tjetër Dëshmitare që ka ndihmuar sa e sa veta të mësojnë të vërtetat e Biblës, thotë: «Kam kuptuar se çelësi për të ndihmuar ata që duan të njohin Jehovain, është këmbëngulja në bërjen e rivizitave.»

Kur i vizitojmë pa vonesë ata që duan të kuptojnë Biblën, tregojmë interes të vërtetë

Rivizitat dhe studimet biblike kërkojnë përpjekje të zellshme. Megjithatë, shpërblimet janë ku e ku më të mëdha se përpjekjet. Kur japim nga vetja pa u kursyer në veprën e predikimit për Mbretërinë, mund t’i ndihmojmë të tjerët «të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës» dhe kjo mund t’u shpëtojë jetën. (1 Tim. 2:3, 4) Kurse ne mund të na mbushë me kënaqësi dhe gëzim të papërshkrueshëm.