Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Duaje të afërmin tënd si veten»

«Duaje të afërmin tënd si veten»

‘Urdhërimi i dytë është: “Duaje të afërmin tënd si veten.”’MAT. 22:39.

1, 2. (a) Sipas Jezuit, cili ishte urdhërimi i dytë më i madh i Ligjit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

NJË herë, për ta vënë në provë Jezuin, një farise e pyeti: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?» Siç e pamë në artikullin e kaluar, Jezui ia ktheu se «urdhërimi i parë dhe më i madhi» është: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Pastaj shtoi: «I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’»Mat. 22:34-39.

2 Jezui tha se duhet ta duam të afërmin si veten. Ndaj, bëjmë mirë të pyesim: kush është në të vërtetë i afërmi ynë? Si mund t’u tregojmë dashuri të tjerëve?

KUSH ËSHTË NË TË VËRTETË I AFËRMI YNË?

3, 4. (a) Me cilin ilustrim iu përgjigj Jezui pyetjes «kush është në të vërtetë i afërmi im»? (b) Si e ndihmoi samaritani një burrë që e kishin grabitur, e kishin rrahur dhe e kishin lënë gjysmë të vdekur? (Shih figurën hapëse.)

3 Kur dëgjojmë fjalën i afërm, mund të na shkojë mendja te dikush nga farefisi ose te ndonjë që bën pjesë në rrethin tonë të ngushtë shoqëror. Por të shohim çfarë i tha Jezui një njeriu që e mbante veten për të drejtë e që e pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Për t’iu përgjigjur, Jezui bëri ilustrimin e samaritanit të mirë. (Lexo Lukën 10:29-37.) Mbase do të pritnim që një prift e një levit izraelit të vepronin si të afërm të përzemërt kur të shihnin një burrë që e kishin grabitur, e kishin rrahur dhe e kishin lënë gjysmë të vdekur. Mirëpo, ata kaluan në anën tjetër të rrugës dhe s’bënë gjë hiç për të. Ai që e ndihmoi ishte një samaritan, pjesëtar i një populli që përbuzej nga judenjtë, edhe pse e respektonte Ligjin e Moisiut.Gjoni 4:9.

4 Që ta ndihmonte të plagosurin të shërohej, samaritani i mirë i hodhi vaj e verë në plagë. I la hanxhiut dy denarë që të kujdesej për burrin, të cilat ishin thuajse sa rroga e dy ditëve. (Mat. 20:2) S’do shumë mend për ta kuptuar se kush u tregua i afërm i vërtetë për të plagosurin. Ilustrimi i Jezuit na mëson të jemi të dhembshur e të dashur me të tjerët.

Shërbëtorët e Jehovait tregojnë dashuri për të tjerët pa vonesë (Shih paragrafin 5.)

5. Si treguan shërbëtorët e Jehovait dashuri për të afërmin gjatë një katastrofe të fundit?

5 Sot, zor se gjen njerëz të dhembshur si samaritani i mirë. Kjo është e vërtetë sidomos në këto ‘ditë të fundit’ kritike, kur plot njerëz nuk kanë përzemërsi të natyrshme, janë të egër dhe s’e duan mirësinë. (2 Tim. 3:1-3) Kjo mund të shihet qartë gjatë një katastrofe natyrore. Ja ç’ndodhi kur uragani Sendi goditi qytetin e Nju-Jorkut nga fundi i tetorit 2012. Në një lagje të dëmtuar rëndë, hajdutët plaçkitën banorët që tashmë po vuanin ngaqë nuk kishin drita, ngrohje e gjëra të tjera bazë. Nga ana tjetër, në po atë zonë, Dëshmitarët e Jehovait morën masa që të ndihmonin bashkëbesimtarët, si edhe të tjerët. Vepra të tilla i bëjmë ngaqë e duam të afërmin. Cilat janë disa mënyra të tjera për të treguar këtë lloj dashurie?

SI T’U TREGOJMË DASHURI TË TJERËVE

6. Pse tregohemi të afërm të mirë kur predikojmë?

6 Të ofrojmë ndihmë frymore. Këtë e bëjmë teksa përpiqemi t’ua drejtojmë vëmendjen njerëzve te ‘ngushëllimi nga Shkrimet’ që u ngroh zemrën. (Rom. 15:4) Pa dyshim, tregohemi të afërm të mirë kur u japim të tjerëve të vërtetën biblike në predikim. (Mat. 24:14) Ç’privilegj të shpallim mesazhin për Mbretërinë nga «Perëndia që jep shpresë»!Rom. 15:13.

7. Cila është Rregulla e Artë dhe si bekohemi kur e zbatojmë?

7 Të zbatojmë Rregullën e Artë. Ajo shprehet me këto fjalë të Jezuit gjatë Predikimit në Mal: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta. Kjo është, në të vërtetë, domethënia e Ligjit dhe e fjalëve të profetëve.» (Mat. 7:12) Kur i trajtojmë të tjerët sipas këshillës së Jezuit, veprojmë në përputhje me frymën e «Ligjit» (Zanafilla deri te Ligji i përtërirë) dhe me ‘fjalët e profetëve’ (librat profetikë të Shkrimeve Hebraike). Nga këto shkrime duket qartë se Perëndia i bekon ata që i trajtojnë me dashuri të tjerët. Për shembull, Jehovai tha nëpërmjet Isaisë: «Zbatoni drejtësinë dhe bëni atë që është e drejtë. . . . Lum njeriu që vepron kështu!» (Isa. 56:1, 2) Shijojmë bekime pasi i trajtojmë të tjerët me dashuri e drejtësi.

8. Pse duhet t’i duam armiqtë, dhe çfarë mund të ndodhë nëse veprojmë kështu?

8 Të duam armiqtë. Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin dhe urreje armikun.’ Megjithatë, unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.» (Mat. 5:43-45) Apostulli Pavël bëri këtë pohim të ngjashëm: «Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë.» (Rom. 12:20; Prov. 25:21) Për shembull, sipas Ligjit të Moisiut, duhej ta ndihmoje armikun që të shpëtonte kafshën e tij të rrëzuar nën një ngarkesë. (Dal. 23:5) Po të punonin kështu së bashku, armiqtë e dikurshëm mund të bëheshin miq të mirë. Ngaqë edhe ne si të krishterë tregojmë dashuri, shumë armiqve tanë u është zbutur zemra. Nëse i trajtojmë me dashuri armiqtë—madje edhe përndjekësit e flaktë—e me kohë disa prej tyre përqafojnë krishterimin e vërtetë, do të provojmë lumturi të pamasë.

9. Çfarë tha Jezui për paqen me vëllezërit?

9 ‘Të ndjekim paqen me të gjithë.’ (Hebr. 12:14) S’diskutohet se kjo përfshin vëllezërit tanë, sepse Jezui tha: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.» (Mat. 5:23, 24) Perëndia do të na bekojë nëse tregojmë dashuri për vëllanë tonë dhe bëjmë paqe me të pa vonesë.

10. Pse nuk duhet të kemi maninë të kritikojmë?

10 Të mos kemi maninë të kritikojmë. Jezui tha: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni, sepse ju do të gjykoheni me po atë gjykim që gjykoni, dhe do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët. Pse shikon lëmishten në syrin e vëllait, dhe nuk vëren traun në syrin tënd? Si mund t’i thuash vëllait: ‘Prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur për vete ke një tra në sy? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë se si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.» (Mat. 7:1-5) Ç’mësim i fuqishëm që të mos kritikojmë të tjerët për ndonjë kleçkë ndërkohë që vetë mund të kemi të meta goxha të mëdha!

NJË MËNYRË E PASHOQE PËR T’I TREGUAR DASHURI TË AFËRMIT

11, 12. Në ç’mënyrë unike tregojmë dashuri për të afërmin?

11 Duam ta tregojmë dashurinë për të afërmin në një mënyrë unike. Ashtu si Jezui, edhe ne predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. (Luka 8:1) Jezui u ngarkoi ithtarëve të tij detyrën që ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 28:19, 20) Kur bëjmë pjesën tonë, përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të largohen nga rruga e gjerë dhe e hapët që çon në shkatërrim e të futen në rrugën e ngushtë që çon në jetë. (Mat. 7:13, 14) S’ka pikë dyshimi se Jehovai i bekon përpjekjet tona.

12 Sikurse Jezui, i ndihmojmë njerëzit të bëhen të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë. (Mat. 5:3) Kur reagojnë pozitivisht, ndihmojmë të plotësohet kjo nevojë, duke u dhënë «lajmin e mirë të Perëndisë». (Rom. 1:1) Ata që e përqafojnë mesazhin për Mbretërinë, pajtohen me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit. (2 Kor. 5:18, 19) Pra, ndërsa predikojmë lajmin e mirë, i tregojmë dashuri të afërmit në një mënyrë me rëndësi jetësore.

13. Si ndihesh për aktivitetin si lajmëtar i Mbretërisë?

13 Me anë të rivizitave dhe studimeve biblike frytdhënëse kemi kënaqësinë t’i ndihmojmë njerëzit t’u nënshtrohen normave të drejta të Perëndisë. Kjo mund të sjellë goxha ndryshime në jetën e studentëve të Biblës. (1 Kor. 6:9-11) Sa na ngrohet zemra kur shohim si i ndihmon Perëndia ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» të bëjnë ndryshimet e nevojshme e të lidhen ngushtë me të! (Vep. 13:48) Siç ndodh shpesh, dëshpërimit ia zë vendin gëzimi dhe ankthit të tepruar siguria tek Ati ynë qiellor. Sa na pëlqen të shohim përparimin frymor të studentëve tanë! A nuk është një bekim të tregojmë dashuri për të afërmin në këtë mënyrë të pashoqe si lajmëtarë të Mbretërisë?

NJË PËRSHKRIM I FRYMËZUAR I DASHURISË

14. Trego me fjalët e tua disa aspekte të dashurisë që shpjegohen te 1 Korintasve 13:4-8.

14 Kur i zbatojmë fjalët e Pavlit për dashurinë, u pritet rruga shumë problemeve me të tjerët dhe provojmë lumturi e bekimin e Perëndisë. (Lexo 1 Korintasve 13:4-8.) Le të shohim shkurtimisht çfarë tha Pavli për dashurinë dhe si t’i vëmë në praktikë fjalët e tij në marrëdhëniet me të tjerët.

15. (a) Pse duhet të jemi të duruar dhe mirëdashës? (b) Për ç’arsye nuk duhet të jemi xhelozë e të mbahemi me të madh?

15 «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse.» Ashtu si Perëndia është shpirtgjerë, ose i duruar, e mirëdashës me njerëzit e papërsosur, edhe ne duhet të jemi të duruar e mirëdashës kur të tjerët gabojnë dhe ia futin kot e madje tregohen harbutë. «Dashuria nuk është xheloze», prandaj dashuria e vërtetë nuk na lë të lakmojmë atë që ka një tjetër ose privilegjet e tij në kongregacion. Veç kësaj, nëse kemi dashuri, nuk do të mbahemi me të madh ose të krekosemi, pasi «sytë krenarë dhe zemra arrogante, që janë llamba e të ligjve, janë mëkate».Prov. 21:4.

16, 17. Si mund të veprojmë në përputhje me 1 Korintasve 13:5, 6?

16 Dashuria do të na nxitë të sillemi hijshëm me të afërmin. Nuk do ta gënjejmë, nuk do t’i vjedhim gjë e as do të bëjmë diçka tjetër që shkel ligjet dhe parimet e Jehovait. Gjithashtu, dashuria do të na shtyjë të merakosemi për të tjerët e të mos shohim vetëm interesin tonë.Filip. 2:4.

17 Dashuria e vërtetë nuk provokohet kollaj dhe «nuk e mban llogari të keqen», sikur të mbanim shënim në një bllok çdo rast kur të tjerët na lëndojnë. (1 Sel. 5:15) Po të ushqejmë mëri, mërzitim Perëndinë dhe mbajmë ndezur një prush që mund të marrë flakë befas, në dëmin tonë dhe të të tjerëve. (Lev. 19:18) Falë dashurisë gëzojmë me të vërtetën dhe ‘nuk gëzojmë për padrejtësinë’. Madje, nuk kënaqemi as kur keqtrajtohet ose kur pëson padrejtësi dikush që na urren.Lexo Proverbat 24:17, 18.

18. Çfarë mësojmë për dashurinë nga 1 Korintasve 13:7, 8?

18 Të shohim si e përkufizoi më tej Pavli dashurinë. Ai tha se dashuria «mban çdo gjë». Nëse dikush na fyen por kërkon falje, ajo na shtyn ta falim. Dashuria «beson çdo gjë» të shkruar në Fjalën e Perëndisë dhe na mbush me mirënjohje për ushqimin frymor që na serviret. Dashuria «shpreson çdo gjë» të dokumentuar në Bibël dhe na nxit t’u japim të tjerëve arsye për shpresën tonë. (1 Pjet. 3:15) Gjithashtu lutemi e shpresojmë që situatat e vështira të përfundojnë sa më mirë. Dashuria «i qëndron çdo gjëje», qofshin mëkate kundër nesh, përndjekje a sprova të tjera. Për më tepër, «dashuria nuk shuhet kurrë». Njerëzit e bindur do ta shfaqin jetë e mot.

TË VAZHDOJMË TA DUAM TË AFËRMIN SI VETEN

19, 20. Cila këshillë biblike duhet të na nxitë të shfaqim pareshtur dashuri për të afërmin?

19 Nëse zbatojmë këshillat e Biblës, do të vazhdojmë të tregojmë dashuri për të tjerët. Kjo dashuri përfshin gjithë njerëzit, jo vetëm ata me të njëjtën prejardhje. Pra, të mos harrojmë fjalët e Jezuit: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mat. 22:39) Si Perëndia, si Krishti presin që ta duam të afërmin. Po të mos jemi të sigurt si duhet të veprojmë në ndonjë situatë, le t’i lutemi Perëndisë të na drejtojë me anë të frymës së shenjtë. Si rrjedhojë, do të kemi bekimin e Jehovait dhe do t’i trajtojmë me dashuri të tjerët.Rom. 8:26, 27.

20 Urdhri që ta duam të afërmin si veten është quajtur ‘ligji mbretëror’. (Jak. 2:8) Pasi përmendi disa urdhërime të Ligjit të Moisiut, Pavli tha: «Çdo urdhërim tjetër, përmblidhet në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit; prandaj dashuria është përmbushja e ligjit.» (Rom. 13:8-10) Pra, le ta shfaqim pareshtur!

21, 22. Pse duhet të duam Perëndinë dhe të afërmin?

21 Teksa meditojmë pse duhet të tregojmë dashuri për të afërmin, bëjmë mirë të bluajmë në mend fjalët e Jezuit. Ai tha se Ati «e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mat. 5:43-45) Duhet të shfaqim dashuri për të tjerët, të drejtë a të padrejtë qofshin. Siç u tha më lart, një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë këtë dashuri është t’u japim mesazhin për Mbretërinë. Çfarë bekimesh do të derdhen mbi ta nëse e pranojnë me mirënjohje të thellë lajmin e mirë!

22 Kemi arsye të pafundme ta duam Jehovain pa asnjë rezervë. Dhe ka plot mënyra si ta shprehim dashurinë për të afërmin. Kur duam Perëndinë e të tjerët, tregojmë respekt për këta urdhra jetësorë të Jezuit. Mbi gjithçka, i kënaqim shpirtin Atit tonë të dashur qiellor, Jehovait.