‘Sheshoje rrugën ku ecën’ që të përparosh
KUR populli i Jehovait doli nga Babilonia më 537 p.e.s., Ai u interesua për rrugën që do të bënin drejt Jerusalemit. U tha: «Pastrojeni rrugën nga do të kalojë populli. Shtrojeni, shtrojeni rrugën. Pastrojeni nga gurët.» (Isa. 62:10) Merre me mend si duhet ta kenë bërë këtë disa judenj. Grupe pararojë mbase shtronin rrugën, duke mbushur gropat e duke sheshuar vendet gunga-gunga. Kështu ndihmuan vëllezërit që udhëtuan pas tyre për në atdhe.
Këtë mund ta shohim si ilustrim të udhës drejt synimeve frymore. Jehovai do që të gjithë shërbëtorët e tij ta ndjekin këtë udhë pa pengesa të panevojshme. Fjala e tij na nxit: «Sheshoje rrugën ku ecin këmbët e tua, dhe gjithë udhët e tua le të bëhen të patundura.» (Prov. 4:26) Pavarësisht nëse je i ri apo jo, a nuk e dallon sa e mençur është kjo këshillë hyjnore?
SHTROJE RRUGËN ME VENDIME TË MIRA
Ndoshta ke dëgjuar të thuhet për një adoleshent: «Vajzë e mbarë kjo!» ose «Po çan para ky djalë!» Në përgjithësi, të rinjtë kanë shëndet të mirë, mendje të shkathët dhe etje për sukses. Me të drejtë, Bibla thotë: «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre.» (Prov. 20:29) Një i ri që i përdor talentet dhe energjitë për t’i shërbyer Jehovait, mund të arrijë synime frymore dhe të jetë vërtet i lumtur.
Por, vetëkuptohet se aftësitë e të rinjve Dëshmitarë vlerësohen shumë në këtë botë. Kur një nga të rinjtë tanë shkëlqen në mësime, shpesh një mësues, një këshilltar i shkollës ose një nxënës tjetër i bën presion të vazhdojë arsimimin e lartë si një hap drejt suksesit në këtë sistem. Ose kur një vëlla a motër e re është atlet i zotë, ata që kërkojnë talente të reja mund të përpiqen ta joshin të bëjë karrierë si sportist. A je gjendur në një
situatë të tillë ose a njeh dikë që po përballet me këtë presion? Ç’do të na ndihmojë ta zgjedhim me mençuri rrugën?Mësimet biblike mund të na përgatitin të ecim në rrugën më të mirë të jetës. Eklisiastiu 12:1 thotë: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» Cila është mënyra më e mirë që një vajzë, një djalë a ti vetë ‘të kujtoni Krijuesin e Madh’?
Mendo pak për përvojën e Erikut * nga Afrika Perëndimore. Ai vdiste për futboll. Kur ishte 15 vjeç, e zgjodhën të luante në një ekip kombëtar. Kjo do të thoshte se së shpejti mund të stërvitej me trajnerët më të shquar në Evropë, e me kohë mund të bënte karrierë si sportist profesionist. Por si do t’i hynte në punë këshilla «kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh»? Dhe ç’mësim mund të nxjerrësh ti ose ndonjë mik yti në moshë të re?
Gjatë shkollës, Eriku nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kështu filloi të mësonte se Krijuesi i tij do t’i zgjidhte një herë e mirë problemet e njerëzimit. E dalloi sa e rëndësishme ishte t’i përdorte kohën dhe energjitë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Duke mbajtur parasysh këtë të vërtetë të padiskutueshme, me mençuri Eriku vendosi të mos rendte pas një karriere në botën e sportit. U pagëzua e u dha me zell pas aktiviteteve frymore. Me kohë, u emërua shërbëtor ndihmës, e më pas e ftuan të ndiqte Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë.
Sikur të kishte ndjekur karrierën në sport, Eriku mund të ishte bërë i famshëm e i pasur. Mirëpo kuptoi sa i vërtetë është ky parim biblik: «Gjërat me vlerë janë si një qytet i fortë për të pasurin dhe në imagjinatën e tij ato janë si një mur mbrojtës.» (Prov. 18:11) Siguria që duket se të sjell pasuria, në të vërtetë është një iluzion. Për më tepër, ata që rendin me etje pas pasurisë, zakonisht ‘shpohen tejpërtej me shumë dhembje’.
Shyqyr që shumë të rinj kanë gjetur siguri dhe gëzim që nuk shuhet, duke shërbyer në kohë të plotë! Eriku thotë: «Jam pjesë e një ‘ekipi’ të madh vëllezërish që i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë. S’ka si ky ekip, dhe falënderoj Jehovain që më tregoi të vetmen rrugë drejt lumturisë e suksesit të vërtetë.»
Po ti, ç’rrugë do të zgjedhësh? Në vend që të ndjekësh synimet e botës, pse të mos i bësh të patundura «udhët e tua» para Jehovait, duke shërbyer si pionier?
HIQ PENGESAT NGA UDHA
Gjatë një vizite në zyrën e degës në Shtetet e Bashkuara, një çifti i bëri përshtypje sa të lumtur ishin bethelitët që i shërbenin Jehovait atje. Motra shkroi më vonë: «Duke menduar për jetën tonë, kuptuam se ishim rehatuar ca si tepër.» Çifti vendosi të thjeshtonte jetën që të kishte më shumë kohë e energji për privilegje shërbimi të mëtejshme.
Në njëfarë pike, iu dukën të frikshme gjithë ato ndryshime që synonin. Por, një mëngjes po shqyrtonin shkrimin e ditës. Ishte Gjoni 8:31, ku Jezui thotë: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi.» Medituan për këtë dhe arsyetuan: «Ia vlen çdo sakrificë për të thjeshtuar jetën.» Shitën shtëpinë e madhe, u çliruan nga ngarkesat e tjera dhe u transferuan në një kongregacion ku kishte nevojë. Tani shërbejnë si pionierë, por ndihmojnë edhe në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë e punojnë si vullnetarë në kongrese. Si ndihen? «As që na e kishte marrë mendja sa gëzim do të provonim duke bërë një jetë më të thjeshtë e duke vepruar tamam si na inkurajon organizata e Jehovait.»
QËNDRO NË RRUGËN DREJT PËRPARIMIT FRYMOR
Solomoni shkroi: «Sytë e tu duhet të shikojnë drejt përpara. Po, sytë e tu duhet të ngulen drejt përpara teje.» (Prov. 4:25) Ashtu si një shofer që nuk ia ndan sytë rrugës, edhe ne duhet të shmangim shpërqendrimet që na pengojnë të vëmë e të arrijmë synime frymore.
Çfarë synimesh frymore mund të vësh e të arrish? S’diskutohet se një synim i bukur është shërbimi i plotkohor. Një tjetër mund të jetë të shërbesh në një kongregacion fqinj që ka nevojë *
për lajmëtarë me përvojë, për të predikuar territorin e tij të madh. Ose ta zëmë se një kongregacion ka plot lajmëtarë të shkëlqyer, por s’ka mjaft pleq e shërbëtorë ndihmës. A mund të ndihmosh në ndonjë nga këto mënyra? Pse të mos flasësh me mbikëqyrësin qarkor për të parë nëse mund të japësh një dorë? Nëse do që të ndihmosh në një zonë më larg shtëpisë, mund të kërkosh informacion për kongregacione të largëta ku ka nevojë.Le t’i kthehemi skenës së përshkruar tek Isaia 62:10. Mbase disa judenj u munduan shumë të sheshonin e të pastronin rrugën e kthimit për në atdhe, që populli i Perëndisë të arrinte atje ku donte. Nëse po punon me mish e me shpirt që të arrish synimet në shërbimin e shenjtë, mos hiq dorë. Me ndihmën e Perëndisë, edhe ti mund t’i arrish synimet. Vazhdo t’i kërkosh mençuri Jehovait, ndërsa përpiqesh të heqësh pengesat që ke para. Me kalimin e kohës, do të shohësh si të ndihmon ai ‘të sheshosh rrugën ku ecin këmbët e tua’.