Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jehovai i njeh ata që i përkasin»

«Jehovai i njeh ata që i përkasin»

«Nëse dikush do Perëndinë, Perëndia e njeh atë.»1 KOR. 8:3.

1. Përmend një tregim biblik ku theksohet një vetëmashtrim që ua ka mjegulluar mendjen disave në popullin e Perëndisë. (Shih figurën hapëse.)

NJË mëngjes kryeprifti Aaron po rrinte në hyrje të tabernakullit të Jehovait, me një mbajtëse zjarri ku digjej temjan. Aty pranë, edhe Korahu me 250 burra po i paraqitnin temjan Jehovait, secili me mbajtësen e vet të zjarrit. (Num. 16:16-18) Në pamje të parë, të gjithë ata dukeshin si adhurues besnikë të Jehovait. Mirëpo, ndryshe nga Aaroni, të tjerët ishin rebelë arrogantë që po orvateshin të shtinin në dorë priftërinë. (Num. 16:1-11) E kishin gënjyer veten me mendimin se Perëndia do ta pranonte adhurimin e tyre. Por, kështu e fyen Jehovain, i cili lexon zemrën dhe mund ta dallonte hipokrizinë e tyre.Jer. 17:10.

2. Çfarë kishte parathënë Moisiu, dhe si dolën të vërteta fjalët e tij?

2 Me të drejtë, një ditë para, Moisiu kishte parathënë: «Në mëngjes Jehovai do të bëjë të njohur se kush i përket atij.» (Num. 16:5) Tamam ashtu ndodhi: Jehovai bëri dallimin mes adhuruesve të vërtetë dhe atyre të shtirur kur «një zjarr erdhi nga Jehovai dhe përpiu [Korahun dhe] të dyqind e pesëdhjetë burrat që paraqitnin temjan». (Num. 16:35; 26:10) Ndërkohë Jehovai e la gjallë Aaronin, duke treguar se e miratonte si prift dhe adhurues të Tij të vërtetë.Lexo 1 Korintasve 8:3.

3. (a) Cila situatë u krijua në ditët e apostullit Pavël? (b) Çfarë precedenti kishte vënë Jehovai shekuj më parë me mënyrën si veproi ndaj rebelëve?

3 Në ditët e apostullit Pavël, afro 1.500 vjet më vonë, u krijua një situatë e ngjashme. Disa që e quanin veten të krishterë përvetësuan mësime të rreme, e megjithatë shoqëroheshin ende me kongregacionin. Ndokujt që i shihte gjërat përciptas, ata apostatë mbase i dukeshin njësoj si të tjerët në kongregacion. Ama, kjo apostazi i vinte në rrezik të krishterët besnikë. Këta ujqër me lëkurë deleje zunë ‘të minonin besimin e disave’. (2 Tim. 2:16-18) Sidoqoftë, Jehovai nuk i sheh gjërat përciptas, dhe Pavli duhej ta dinte këtë nga mënyra si kishte vepruar Ai shekuj më parë me rebelët, Korahun e përkrahësit e tij. Le të shqyrtojmë një fragment interesant nga Shkrimet që lidhet me këtë ngjarje dhe të shohim ç’mësime praktike mund të nxjerrim.

«UNË JAM JEHOVAI, DHE S’KAM NDRYSHUAR»

4. Për çfarë ishte i bindur Pavli, dhe si ia shprehu këtë bindje Timoteut?

4 Pavli ishte i bindur se Jehovai i dallonte adhuruesit hipokritë, e njëherazi ishte i sigurt se i njihte ata që i bindeshin. Këtë bindje të patundur e shprehu me fjalët që zgjodhi kur i shkroi nën frymëzim Timoteut. Pasi foli për dëmin frymor që po u shkaktonin apostatët disave në kongregacion, Pavli shkroi: «Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron në këmbë dhe ka këtë vulë: ‘Jehovai i njeh ata që i përkasin’ dhe: ‘Kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia.’»2 Tim. 2:18, 19.

5, 6. Pse është kuptimplotë që Pavli përdori shprehjen «themeli i fortë i Perëndisë», dhe si duhet të ketë ndikuar kjo te Timoteu?

5 Pse fjalët që zgjodhi Pavli në këtë shkrim janë kuptimplota? Ky është i vetmi rast në Bibël ku përmendet «themeli i fortë i Perëndisë». Bibla e përdor fjalën ‘themel’ si metaforë për një sërë gjërash, si për shembull për Jerusalemin, kryeqytetin e Izraelit të lashtë. (Psal. 87:1, 2) Edhe roli që luan Jezui në qëllimin e Jehovait krahasohet me një themel. (1 Kor. 3:11; 1 Pjet. 2:6) Por çfarë kishte ndër mend Pavli kur shkroi për ‘themelin e fortë të Perëndisë’?

6 Pavli e përmend ‘themelin e fortë të Perëndisë’ në të njëjtin kontekst ku citon fjalët e Moisiut për Korahun dhe përkrahësit e tij, dokumentuar te Numrat 16:5. Duke kujtuar ngjarjet e ditëve të Moisiut, me sa duket Pavli donte të inkurajonte Timoteun dhe t’i kujtonte se Jehovai është i aftë t’i pikasë veprimet rebele e t’u presë rrugën. Apostatët në kongregacion nuk do ta pengonin dot qëllimin e Jehovait, ashtu si nuk ia doli edhe Korahu shekuj më parë. Pavli nuk e shpjegoi me hollësi çfarë përfaqëson «themeli i fortë i Perëndisë». Por, fjalët e tij patjetër që i dhanë zemër Timoteut, pasi i ngjallën besim e siguri tek udhët e Jehovait.

7. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do të veprojë me drejtësi dhe besnikëri?

7 Parimet e larta të Jehovait janë të palëkundshme. Psalmi 33:11 thotë: «Qëllimi i Jehovait do të mbetet përgjithmonë, mendimet e zemrës së tij qëndrojnë brez pas brezi.» Shkrime të tjera tregojnë se mbretërimi, dashamirësia, drejtësia dhe besnikëria e Jehovait zgjatin për jetë e mot. (Dal. 15:18; Psal. 106:1; 111:3; 117:2) Te Malakia 3:6 lexojmë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» Po ashtu, Jakovi 1:17 thotë se Jehovai «nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit».

NJË «VULË» QË FORCON BESIMIN TE JEHOVAI

8, 9. Ç’mësim mund të nxjerrim nga fjalët e ‘vulës’ në ilustrimin e Pavlit?

8 Ilustrimi i Pavlit te 2 Timoteut 2:19 përshkruan një themel me një mesazh të shkruar në të, sikur të ishte i vulosur. Në kohët e lashta ishte zakon që në themelin e një ndërtese të bëhej një mbishkrim, mbase për të treguar kush e ndërtoi ose kujt i përkiste. Pavli është i pari shkrimtar i Biblës që përdor këtë ilustrim. * Vula në ‘themelin e fortë të Perëndisë’ përmban dy thënie. E para është «Jehovai i njeh ata që i përkasin» dhe e dyta «kush zë në gojë emrin e Jehovait, të heqë dorë nga padrejtësia». Kjo na sjell ndër mend atë që lexohet te Numrat 16:5.

9 Ç’mësim mund të nxjerrim nga fjalët e ‘vulës’ në ilustrimin e Pavlit? Për ata që i përkasin Jehovait, vlerat e parimet e tij mund të përmblidhen në dy të vërteta themelore: (1) Jehovai i do ata që janë besnikë ndaj tij, dhe (2) Jehovai e urren padrejtësinë. Ç’lidhje ka ky mësim me çështjen e apostazisë në kongregacion?

10. Si ndikuan veprimet e apostatëve te besnikët në ditët e Pavlit?

10 Ka të ngjarë që Timoteun dhe besnikë të tjerë t’i shqetësonin thellë veprimet e apostatëve mes tyre. Disa të krishterë mund të kenë pyetur pse lejoheshin ende në kongregacion individë të tillë. Besnikët mbase hamendeshin në e dallonte vërtet Jehovai besnikërinë e tyre të patundur nga adhurimi hipokrit i apostatëve.Vep. 20:29, 30.

Timoteu nuk u luhat nga veprimet e atyre me prirje apostate (Shih paragrafët 10-12.)

11, 12. Pse letra e Pavlit duhet t’ia ketë forcuar besimin Timoteut?

11 Pa dyshim që letra e Pavlit ia forcoi besimin Timoteut, duke i kujtuar rastin kur Aaroni besnik u shfajësua, kurse Korahu hipokrit e shokët e tij u demaskuan, u hodhën poshtë e u shfarosën. Në thelb, Pavli po thoshte se, ndonëse mes tyre kishte të krishterë të shtirur, Jehovai do t’i njihte ata që i përkitnin vërtet, ashtu si në kohën e Moisiut.

12 Jehovai nuk ndryshon kurrë; është i besueshëm. Ai e urren padrejtësinë dhe në kohën e duhur do t’i ndëshkojë keqbërësit e papenduar. Timoteu ishte ndër ata që ‘zinin në gojë emrin e Jehovait’, ndaj Pavli i kujtoi edhe se kishte përgjegjësinë të hidhte poshtë ndikimin e të krishterëve të shtirur që shtynte në padrejtësi. *

ADHURIMI I VËRTETË NUK ËSHTË KURRË I KOTË

13. Për çfarë mund të jemi të sigurt?

13 Edhe ne mund të forcohemi frymësisht nga fjalët e frymëzuara të Pavlit. Para së gjithash, marrim zemër kur dimë se Jehovai e vë re besnikërinë që i tregojmë. Por, kjo s’do të thotë se ai thjesht rri e bën sehir. Përkundrazi, Jehovai interesohet thellësisht për ata që i përkasin. Bibla thotë: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.» (2 Kron. 16:9) Prandaj, mund të jemi plotësisht të sigurt se ajo që bëjmë për Jehovain «nga një zemër e pastër» s’është kurrë e kotë.1 Tim. 1:5; 1 Kor. 15:58.

14. Cilin lloj adhurimi nuk toleron Jehovai?

14 Veç kësaj, të vë në mendime fakti që Jehovai nuk e toleron adhurimin hipokrit. Meqë sytë e tij «enden nëpër gjithë tokën», mund t’i dallojë ata që nuk i shërbejnë «me gjithë zemër». Te Proverbat 3:32 thuhet se ‘për Jehovain është i pështirë njeriu hileqar’, si ai që vë një maskë e hiqet si i bindur, ndërsa fshehtas praktikon mëkatin. Vërtet, hileqari mund t’u hedhë hi syve njerëzve për njëfarë kohe. Ama, Jehovai është i plotfuqishëm e i drejtë dhe kjo garanton se «kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë».Prov. 28:13; lexo 1 Timoteut 5:24; Hebrenjve 4:13.

15. Cilën prirje duhet të shmangim dhe pse?

15 Pjesa më e madhe e popullit të Jehovait është e përkushtuar me gjithë zemër. Do të ishte tepër e pazakontë që një pjesëtar i kongregacionit ta adhuronte Perëndinë me hipokrizi qëllimisht. Sidoqoftë, përderisa ndodhi në kohën e Moisiut dhe të kongregacionit të hershëm, mund të ndodhë edhe sot. (2 Tim. 3:1, 5) Megjithatë, a duhet të jemi dyshues ndaj bashkëbesimtarëve, duke vënë në pikëpyetje nëse besnikëria e tyre ndaj Jehovait është e çiltër? Kurrsesi! Do të ishte gabim të ushqenim dyshime të pabazuara për vëllezërit e motrat. (Lexo Romakëve 14:10-12; 1 Korintasve 13:7.) Për më tepër, prirja për të dyshuar tek integriteti i të tjerëve në kongregacion do të na dëmtonte frymësisht ne vetë.

16. (a) Ç’mund të bëjë secili nga ne që hipokrizia të mos hedhë rrënjë në zemër? (b) Ç’mësime nxjerrim nga kutia « Vazhdoni të vini në provë veten»?

16 Çdo i krishterë duhet «të analizojë veprën e tij». (Gal. 6:4, Diodati i Ri) Për shkak të prirjeve tona mëkatare, ekziston gjithmonë mundësia që pa e kuptuar të përvetësojmë tipare dredharake. (Hebr. 3:12, 13) Ndaj hera-herës bëjmë mirë të shqyrtojmë motivet pse i shërbejmë Jehovait. Të pyesim veten: «E adhuroj Jehovain ngaqë e dua dhe ngaqë pranoj sovranitetin e tij? Apo e kam mendjen më tepër te bekimet fizike që shpresoj të gëzoj në Parajsë?» (Zbul. 4:11) Sigurisht të gjithë mund të nxjerrim dobi kur analizojmë veprimet tona dhe shkulim nga zemra çdo gjurmë hipokrizie.

BESNIKËRI QË SJELL LUMTURI

17, 18. Pse adhurimi ynë duhet të jetë i çiltër e i vërtetë?

17 Ndërsa përpiqemi që adhurimi ynë të jetë i çiltër e i vërtetë, korrim shumë dobi. Psalmisti thotë: «Lum njeriu që Jehovai nuk i ngarkon asnjë faj dhe në frymën e të cilit nuk ka mashtrim!» (Psal. 32:2) Po, ata që e pastrojnë zemrën nga hipokrizia janë më të lumtur sot dhe do të shijojnë lumturi të plotë në të ardhmen.

18 Kur ta shohë të udhës, Jehovai do të demaskojë të gjithë ata që praktikojnë ligësinë ose bëjnë jetë të dyfishtë, duke e treguar qartë «dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben». (Mal. 3:18) Ndërkaq, marrim zemër pasi e dimë se «sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre».1 Pjet. 3:12.

^ par. 8 Te Zbulesa 21:14, që u shkrua dekada pas letrave të Pavlit drejtuar Timoteut, përmenden 12 «gurë themeli» mbi të cilët ishin shkruar emrat e 12 apostujve.

^ par. 12 Në artikullin vijues do të shqyrtohet si mund ta imitojmë Jehovain duke hequr dorë nga padrejtësia.