Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëgjoje zërin e Jehovait kudo që të jesh

Dëgjoje zërin e Jehovait kudo që të jesh

«Veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha.’»ISA. 30:21.

1, 2. Si komunikon Jehovai me shërbëtorët e tij?

GJATË gjithë historisë biblike, Jehovai i ka udhëhequr njerëzit në lloj-lloj mënyrash. Disave u foli nëpërmjet engjëjve ose me anë të vegimeve a ëndrrave, duke zbuluar ç’do të ndodhte në të ardhmen. Gjithashtu, Jehovai u dha caktime specifike. (Num. 7:89; Ezek. 1:1; Dan. 2:19) Të tjerë morën drejtim nga njerëzit që përfaqësonin Jehovain të cilët shërbenin në pjesën tokësore të organizatës së tij. Pavarësisht nga mënyra si u foli Jehovai, ata që ndoqën udhëzimet e tij, u bekuan.

2 Sot Jehovai e udhëheq popullin e tij me anë të Biblës, frymës së shenjtë dhe kongregacionit. (Vep. 9:31; 15:28; 2 Tim. 3:16, 17) Kjo udhëheqje është kaq e qartë, sa mund të thuhet se ‘veshët tanë dëgjojnë nga prapa fjalët: “Kjo është udha. Ecni në të!”’ (Isa. 30:21) Në fakt, edhe Jezui na përcjell zërin e Jehovait ndërsa drejton kongregacionin me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Duhet ta marrim seriozisht këtë udhëheqje e drejtim, sepse jeta jonë e përhershme varet nga bindja.Hebr. 5:9.

3. Çfarë mund të na pengojë që të mos ndjekim tamam drejtimin e Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

3 Satana Djalli bën çmos të mos përfitojmë nga udhëheqja jetëshpëtuese e Jehovait. Veç kësaj, ‘zemra jonë e pabesë’ mund të na pengojë që të mos ndjekim tamam drejtimin  e Jehovait. (Jer. 17:9) Prandaj, le të shqyrtojmë si mund të kapërcejmë pengesat që na e bëjnë të vështirë të dëgjojmë zërin e Perëndisë. Le të shohim edhe si komunikimi i hapur me Jehovain na mbron marrëdhënien me të, pavarësisht nga rrethanat.

TË MOS BIEM VIKTIMË E MARIFETEVE TË SATANAIT

4. Si orvatet Satanai të ndikojë te mënyra si mendojnë njerëzit?

4 Satanai orvatet të ndikojë te mënyra si mendojnë njerëzit, me anë të informacioneve të rreme dhe të propagandës mashtruese. (Lexo 1 Gjonit 5:19.) Përveç materialeve të shtypura, planeti—madje deri në skutat më të largëta—është mbytur me emisione në radio, televizion dhe informacione në Internet. Edhe pse në këto burime informacioni mund të gjejmë gjëra interesante, shpesh ato përkrahin sjellje e norma që bien ndesh me normat e Jehovait. (Jer. 2:13) Për shembull, media dhe industria e zbavitjes e paraqitin martesën brenda të njëjtit seks si diçka të pranueshme, dhe shumë mendojnë se ajo që thotë Bibla për homoseksualizmin është fanatike.1 Kor. 6:9, 10.

5. Ç’mund të bëjmë që të mos na marrë rryma e propagandës satanike?

5 Ç’mund të bëjnë ata që duan drejtësinë e Perëndisë, që të mos i marrë rryma e pandalshme e propagandës satanike? Si mund ta shoshitin të mirën nga e keqja? ‘Duke e ruajtur shtegun e tyre me fjalën e Perëndisë.’ (Psal. 119:9) Fjala e shkruar e Perëndisë na jep udhëheqjen e domosdoshme që të dallojmë informacionet e vërteta nga propaganda mashtruese. (Prov. 23:23) Duke cituar nga Shkrimet, Jezui tha se ‘njeriu jeton me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait’. (Mat. 4:4) Duhet të mësojmë si t’i zbatojmë parimet biblike në jetën tonë. Për shembull, shumë kohë para se Moisiu të hidhte me shkrim ligjin e Jehovait kundër kurorëshkeljes, i riu Jozef e kuptoi se një sjellje e tillë ishte mëkat kundër Perëndisë. As i shkoi ndër mend të mos i bindej Jehovait kur gruaja e Potifarit e joshi drejt diçkaje të gabuar. (Lexo Zanafillën 39:7-9.) Edhe pse ajo i bëri presion për goxha kohë, Jozefi nuk lejoi që zëri i saj t’ia bënte veshin të shurdhër ndaj zërit të Perëndisë. Që të dallojmë të drejtën nga e gabuara, është thelbësore të dëgjojmë zërin e Jehovait dhe të mbyllim veshët para gjullurdisë së pandalshme të propagandës satanike.

6, 7. Ç’duhet të bëjmë që të mos ndikohemi nga nxitjet e liga të Satanait?

6 Bota është kaq e velur me mësime dhe doktrina fetare kontradiktore, sa shumë veta mendojnë se është e kotë të kërkosh fenë e vërtetë. Megjithatë, udhëzimet e Jehovait janë të qarta si drita e diellit për ata që duan të përfitojnë prej tyre. Ama, duhet të ndajmë mendjen kë do të dëgjojmë. Është pothuajse e pamundur t’ua vëmë veshin dy zërave njëkohësisht, prandaj duhet ‘të njohim zërin’  e Jezuit e ta dëgjojmë. Jehovai ka caktuar atë të kujdeset për delet e Tij.Lexo Gjonin 10:3-5.

7 Jezui tha: «Kushtojini vëmendje kësaj që po dëgjoni.» (Mar. 4:24) Këshillat e Jehovait janë të qarta dhe të drejta, por ne duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe t’ua vëmë veshin, duke përgatitur zemrën për to. Nëse nuk bëjmë kujdes, ka të ngjarë t’ua vëmë veshin nxitjeve të liga të Satanait, në vend të këshillave të dashura të Perëndisë. Mos lejofshim kurrë që jetën tonë ta drejtojnë muzika, videot, programet televizive, librat, shoqëria, mësuesit ose të ashtuquajturit ekspertë të kësaj bote.Kolos. 2:8.

8. (a) Si mund të na bëjë zemra pre të lehtë të marifeteve të Satanait? (b) Ç’mund të ndodhë po të shpërfillim shenjat paralajmëruese?

8 Satanai e di se kemi prirje mëkatare dhe përpiqet të na mbushë mendjen t’i ndjekim. Kur na vë kështu në shënjestër, bëhet tmerrësisht e vështirë të ruajmë integritetin. (Gjoni 8:44-47) Si vallë mund t’ia dalim mbanë? Të marrim rastin e dikujt që është aq i zhytur në kënaqësitë e çastit, sa bën diçka të gabuar që pandehte se nuk do ta bënte kurrën e kurrës. (Rom. 7:15) Çfarë e çoi në këtë fund të trishtueshëm? Mbase dalëngadalë kishte humbur ndjeshmërinë ndaj zërit të Jehovait. Ose nuk i kishte vënë re shenjat paralajmëruese për atë që po ndodhte në zemrën e tij, ose i kishte shpërfillur kastile. Për shembull, ndoshta nuk lutej më, dilte më pak në shërbim ose po linte ca mbledhje. Me kalimin e kohës iu dorëzua dëshirës duke bërë atë që e dinte se ishte e gabuar. Mund ta shmangim këtë gabim fatal nëse jemi syhapur që të kapim çdo shenjë paralajmëruese dhe nëse veprojmë menjëherë për t’i ndrequr gjërat. Gjithashtu, nëse dëgjojmë zërin e Jehovait, nuk do të bluajmë në mend asnjë mendim apostat.Prov. 11:9.

9. Pse është shumë e rëndësishme të kapet shpejt ndonjë prirje mëkatare?

9 Kur një sëmundje kapet shpejt, kjo mund t’i shpëtojë jetën dikujt. Po njësoj, mund të shmangim peripeci nëse pikasim shpejt ndonjë prirje që mund të na çojë në tundim. Është e mençur të veprojmë në çast me ta vërejtur këtë—para se Satanai ‘të na zërë të gjallë, që të bëjmë vullnetin e tij’. (2 Tim. 2:26) Ç’duhet të bëjmë nëse shohim se, nga neglizhenca, mendimet e dëshirat tona na kanë çuar larg asaj që kërkon Jehovai? Pa humbur kohë, duhet të kthehemi përulësisht tek ai, t’ua vëmë veshin këshillave të tij e ta dëgjojmë me gjithë zemër. (Isa. 44:22) Të mos harrojmë se ndonjë  vendim i pamend mund të na lërë vraga aq të thella, sa të vuajmë pasoja të rënda për sa kohë jemi në këtë sistem. Sa më mirë do të ishte sikur të vepronim menjëherë që të parandalonim këtë gabim të rëndë e të mos futeshim në rrugë të shtrembër!

Si mund të të mbrojë nga marifetet e Satanait një program i mirë frymor? (Shih paragrafët 4-9.)

TË MPOSHTIM KRENARINË DHE LAKMINË

10, 11. (a) Si mund të nxjerrë kokë krenaria? (b) Ç’mësojmë nga rruga e keqe që morën Korahu, Datani e Abirami?

10 Duhet të pranojmë se zemra jonë mund të na çojë në rrugë të shtrembër. Sa shumë fuqi kanë te ne prirjet mëkatare! Të ndalemi te krenaria dhe lakmia. Të shqyrtojmë si çdonjëri nga këto tipare mund të na pengojë të dëgjojmë zërin e Jehovait dhe të na futë në një rrugë shkatërrimtare. Një njeri krenar e mban veten me të madh. Mbase mendon se ka të drejtë të bëjë ç’t’i dojë qejfi dhe askush nuk duhet t’i japë mend. Kështu, mund t’i duket sikur nuk ka nevojë për drejtimin dhe për këshillat e bashkëbesimtarëve, të pleqve ose madje të organizatës së Perëndisë. Ky njeri e dëgjon fare të mekur tingullin e zërit të Jehovait.

11 Gjatë udhëtimit të izraelitëve nëpër shkretëtirë, Korahu, Datani dhe Abirami ngritën krye kundër autoritetit të Moisiut e Aaronit. Për shkak të krenarisë, ata rebelë morën masa ta adhuronin Jehovain të pavarur, sipas kokës së vet. Si reagoi Jehovai? I ekzekutoi të gjithë ata. (Num. 26:8-10) Ç’mësim jetësor nxjerrim nga kjo ngjarje! Rebelimi kundër Jehovait çon në katastrofë. Gjithashtu, të mos harrojmë se «krenaria vjen para rrëzimit».Prov. 16:18; Isa. 13:11.

12, 13. (a) Jepni një shembull se si lakmia çon në katastrofë. (b) Shpjegoni si mund të rritet vrullshëm lakmia, po të mos e shkulim me rrënjë.

12 Të mendojmë edhe për lakminë. Një lakmitar shpesh i jep liri të tepruar vetes dhe i kalon caqet. Naamani, kreu i ushtrisë siriane, u shërua nga lebra, ndaj donte t’i jepte dhurata profetit Elise, por ky nuk i pranoi. Ama, Gehazi, shërbëtori i Eliseut, i lakmonte ato dhurata dhe tha me vete: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai, unë do t’i qepem pas [Naamanit] dhe do t’i marr diçka.» Veproi prapa krahëve të Eliseut dhe vrapoi pas Naamanit. E gënjeu sy ndër sy që t’i kërkonte «një talentë argjendi dhe dy palë rroba». Ç’ndodhi ngaqë Gehazi bëri këtë dhe gënjeu profetin e Jehovait? Lebra e Naamanit iu ngjit Gehazit makut!2 Mbret. 5:20-27.

13 Rrënjët e lakmisë mund të jenë të vogla, por nëse nuk shkulen, lakmia mund të rritet vrullshëm e t’i zërë frymën dikujt. Tregimi biblik për Akanin ilustron sa fuqi ka ajo. Vëre sa shpejt u zhvillua lakmia tek ai. Akani tha: «Kur pashë mes plaçkës një veshje të bukur zyrtare nga Shinari, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari me peshë pesëdhjetë sikla, i dëshirova dhe i mora.» Në vend që ta hidhte poshtë dëshirën e gabuar, Akani i vodhi ato gjëra nga lakmia dhe i fshehu në tendën e tij. Kur doli sheshit e keqja që kishte bërë, Josiu i tha se Jehovai do t’i sillte gjëmën. Po atë ditë Akanin me gjithë familjen e vranë me gurë. (Jos. 7:11, 21, 24, 25) Lakmia është një rrezik që na kanoset pareshtur e që mund të na mposhtë. Prandaj, le ‘të ruhemi nga çdo lloj lakmie’. (Luka 12:15) Edhe pse hera-herës mund të na kalojë nëpër mend ndonjë mendim i papërshtatshëm ose imoral, është jetësore ta kthejmë mendjen aty ku duhet dhe të mos lejojmë që dëshirat të shtohen aq sa të mëkatojmë.Lexo Jakovin 1:14, 15.

14. Ç’duhet të bëjmë, nëse pikasim te vetja ndonjë prirje drejt krenarisë dhe lakmisë?

14 Qoftë krenaria, qoftë lakmia mund  të çojnë në greminë. Po të mendojmë mirë për fundin e një rruge të gabuar, nuk do të lejojmë që këto prirje të mbytin zërin e Jehovait. (Ligj. 32:29) Në Bibël, Perëndia i vërtetë jo vetëm na tregon rrugën e duhur, por edhe na shpjegon ç’dobi ka nëse ecim në të e ç’pasoja vijnë nëse marrim rrugë të gabuar. Po qe se zemra na thotë të bëjmë diçka që motivohet nga krenaria ose lakmia, sa e mençur është të mbajmë parasysh pasojat! Të mendojmë mirë si do të ndikojë kjo te ne, te njerëzit tanë të dashur e veçanërisht te marrëdhënia jonë me Jehovain.

TË MBAJMË KOMUNIKIM TË HAPUR ME JEHOVAIN

15. Ç’na mëson për komunikimin shembulli i Jezuit?

15 Jehovai do më të mirën për ne. (Psal. 1:1-3) Ai na jep drejtim pa kursim tamam kur kemi nevojë. (Lexo Hebrenjve 4:16.) Edhe pse i përsosur, Jezui nuk ia dilte dot pa komunikimin e rregullt me Jehovain, ndaj i lutej pareshtur. Jehovai e mbështeti dhe e drejtoi në mënyra të bukura. Dërgoi engjëj që t’i shërbenin, i dha frymën e Tij të shenjtë që ta mbështeste dhe e ndihmoi të zgjidhte 12 apostujt. Zëri i Jehovait u dëgjua nga qielli kur tha se Jezui kishte mbështetjen dhe miratimin e Tij. (Mat. 3:17; 17:5; Mar. 1:12, 13; Luka 6:12, 13; Gjoni 12:28) Ashtu si Jezui kemi nevojë t’ia zbrazim zemrën Perëndisë kur lutemi. (Psal. 62:7, 8; Hebr. 5:7) Me anë të lutjes mund të mbajmë një komunikim të hapur me Jehovain dhe t’ia dalim të ndjekim një rrugë që e nderon.

16. Si na ndihmon Jehovai të dëgjojmë zërin e tij?

16 Jehovai jep lirisht këshilla, por nuk detyron askënd t’i ndjekë. Nga ana jonë duhet të kërkojmë frymën e tij të shenjtë dhe ai do të na e japë bujarisht. (Lexo Lukën 11:10-13.) Por është jetësore ‘t’i kushtojmë vëmendje mënyrës se si dëgjojmë’. (Luka 8:18) Për shembull, do të ishte hipokrizi t’i kërkonim ndihmë Jehovait për të mposhtur prirjen drejt imoralitetit ndërkohë që vazhdojmë të shohim pornografi ose filma imoralë. Duhet të sigurohemi që të jemi në ato vende a rrethana ku është fryma e Jehovait. E dimë se fryma e tij është në mbledhjet e kongregacionit. Shumë shërbëtorë të Jehovait shmangën telashe ngaqë ia vunë veshin Jehovait gjatë mbledhjeve. Kështu kuptuan se po u rriteshin në zemër dëshira të gabuara dhe bënë ndryshimet e nevojshme.Psal. 73:12-17; 143:10.

TË MBETEMI TË NDJESHËM NDAJ ZËRIT TË JEHOVAIT

17. Pse është e rrezikshme të mbështetemi te vetja?

17 Të mendojmë për Davidin, mbretin e Izraelit të lashtë. Si djalosh, mundi gjigantin filistin, Goliadin. Davidi u bë ushtar, mbret, mbrojtës dhe vendimmarrës për një komb të tërë. Por, kur mbështetej te vetja, zemra e mashtroi dhe mëkatoi rëndë me Betshebën, e madje me marifet bëri të vritej i shoqi, Uriahu. Pasi u disiplinua, me përulësi pranoi fajin dhe ripërtëriu marrëdhënien me Jehovain.Psal. 51:4, 6, 10, 11.

18. Si mund të vazhdojmë ta dëgjojmë zërin e Jehovait?

18 Le t’ia vëmë veshin këshillës te 1 Korintasve 10:12 dhe të mos zhvillojmë vetësiguri të tepruar. Meqë nuk jemi në gjendje ‘t’i drejtojmë hapat tanë’, me kohë do të dëgjojmë ose zërin e Jehovait, ose zërin e Kundërshtarit të tij. (Jer. 10:23) Le të lutemi pa ndërprerë, të ndjekim drejtimin e frymës së shenjtë dhe gjithmonë ta dëgjojmë me kujdes zërin e Jehovait!