Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NGA ARKIVAT TANË

«Drama Eureka» ndihmoi shumë veta të gjenin të vërtetën biblike

«Drama Eureka» ndihmoi shumë veta të gjenin të vërtetën biblike

«EUREKA!» Kjo fjalë nënkupton «e gjeta». Kështu thirri një minator kur gjeti ar gjatë etheve të arit në shekullin e 19-të në Kaliforni, SHBA. Mirëpo, Çarls Tejz Rasëlli dhe Studentët e tjerë të Biblës kishin gjetur diçka ku e ku më të çmuar, të vërtetën biblike. Mezi pritnin t’ua tregonin edhe të tjerëve.

Deri në verën e vitit 1914, miliona veta ishin dyndur për të parë «Fotodramën e Krijimit», që jepej në qytetet e mëdha. Kjo ishte një shfaqje epike tetorëshe, prodhuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës (IBSA). Spektatorët shijonin këtë prezantim të bazuar në Bibël, që tregonte historinë njerëzore nga krijimi deri në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Shfaqja përfshinte filmime mbresëlënëse, diapozitiva plot ngjyra, një rrëfim magjepsës dhe muzikë klasike të bukur.Zbul. 20:4. *

Por, ç’të themi për njerëzit që jetonin në qyteza dhe zona rurale? Në mënyrë që çdo njeri i etur për të vërtetën të përfitonte nga e gjithë kjo, IBSA-ja në gusht 1914 nxori «Dramën Eureka», një version portativ të «Fotodramës», pa filmime. Ishin tri versione të ndryshme që disponoheshin në shumë gjuhë: «Eureka X» paraqiti gjithë rrëfimin e incizuar bashkë me muzikën. «Eureka Y» përfshinte të gjitha incizimet plus diapozitivat e ngjyrosur bukur. Dhe «Drama Eureka për familjen» që u krijua për t’u përdorur në shtëpi, përmbante disa rrëfime të përzgjedhura, si edhe himne. Gjithashtu, ishin në dispozicion me kosto të ulët gramafona dhe pajisje projektimi.

Përdorej një pajisje projektimi për të shfaqur diapozitiva me ngjyra

Meqë nuk ishte nevoja për një projektor filmi a një ekran të madh, Studentët e Biblës mund ta çonin këtë prezantim falas nëpër fshatra, duke shpërndarë mesazhin e Mbretërisë në territore të paprekura. Prezantimi vetëm me incizime, «Eureka X», mund të shfaqej qoftë ditën, qoftë në mbrëmje. Pajisjet e projektimit të «Eureka Y» mund të viheshin në punë pa korrent, duke përdorur llambë me karbit. Në Kullën e Rojës në finlandisht raportohej: «Mund t’i shfaqim këta diapozitiva pothuajse në çdo vend.» Dhe ishte vërtet kështu!

Në vend që të merrnin me qira teatro të mëdhenj, Studentët e Biblës u treguan mendjefemër dhe shpesh gjenin vende falas, si klasa shkollash, godina gjykatash, stacione treni dhe madje sallone në  shtëpi të mëdha. Shumë nga shfaqjet jepeshin jashtë, në një ekran të sajuar me një çarçaf të bardhë, varur në murin e ndonjë hambari. Antoni Hambëku shkroi: «Fermerët krijonin një stadium të vogël mes pemishtesh ku vinin plot trungje për t’u ulur njerëzit që të shijonin programin.» Skuadra e tij e «Eurekës» përdorte një «karrocë drame» për të mbartur mjetet për shfaqjen, valixhet dhe pajisjet për kampin e gatimin.

Auditori i «Eurekës» shkonte nga një grusht njerëzish deri në qindra veta. Në Shtetet e Bashkuara, 400 veta ndoqën shfaqjet në shkollën e një fshati me 150 banorë. Në një vend tjetër, disa bënë më këmbë 8 kilometra për të parë «Dramën Eureka». Në Suedi, komshinj të Sharlotë Albergut, që u mblodhën në shtëpinë e saj të vogël, «u prekën shumë» nga incizimet. Rreth 1.500 veta ishin të pranishëm në një shfaqje që u dha në një qytet të thellë minatorësh në Australi. Kulla e Rojës raportonte se nëpër gjimnaze e universitete «profesorët dhe studentët magjepseshin me diapozitivat dhe incizimet e mrekullueshme». «Drama Eureka» u prit mirë edhe në vende ku tashmë kishin kinema.

USHQYEN FARAT E SË VËRTETËS

«Drama Eureka» u bë mjet i dobishëm për «Programin për të zgjeruar arsimimin» me të cilin Studentët e Biblës dërgonin oratorë që të hapnin klasa të reja për studime. S’mund të thuhet sa veta e panë «Dramën Eureka». Shumë pajisje për versionet e ndryshme të «Dramës» u përdorën pa pushim. Mirëpo, më 1915 vetëm 14 nga 86 skuadra të «Dramës» dërguan raporte rregullisht. Pavarësisht se numri nuk ishte i plotë, përmbledhja e aktivitetit në fund të vitit tregoi se «Dramën» e kishin parë mbi një milion veta, dhe afro 30.000 prej tyre kishin kërkuar literaturë biblike.

Edhe pse gjurmët e «Dramës Eureka» në histori mund të jenë zbehur, me sa duket miliona e panë këtë prezantim unik nga Australia deri në Argjentinë, nga Afrika e Jugut deri në Ishujt Britanikë, në Indi dhe në Karaibe. Shumë prej tyre gjetën të vërtetën biblike, më të çmuar se ari, dhe mund të thërritnin me entuziazëm «Eureka!»

^ par. 4 Shih artikullin «Nga arkivat tanë—Një epikë besimi 100-vjeçare», në Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2014, faqet 30-32.