Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kthehu dhe forco vëllezërit e tu’

‘Kthehu dhe forco vëllezërit e tu’

PJETRI qau me dënesë pasi nguli këmbë se nuk e njihte Jezuin. Edhe pse për apostullin s’do të ishte e lehtë të rifitonte ekuilibrin frymor, dëshira e Jezuit ishte ta përdorte që të ndihmonte të tjerë. Prandaj, Jezui i kishte thënë më parë: «Kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32, 54-62) Me kohë, Pjetri u bë një nga shtyllat e kongregacionit në shekullin e parë. (Gal. 2:9) Po njësoj, një vëlla që dikur ka shërbyer si plak, mund ta mbajë sërish mbi supe këtë përgjegjësi e të gjejë gëzim ndërsa forcon frymësisht bashkëbesimtarët.

Disa që kanë shërbyer dikur si pleq mbase janë çemëruar dhe mund ta shohin veten si njerëz të dështuar. Hulio, * që shërbeu mbi 20 vjet si plak në Amerikën e Jugut, tha: «Përgatitja e fjalimeve, vizitat te vëllezërit dhe kujdesi baritor për pjesëtarët e kongregacionit zinin goxha vend në jetën time. Këto u zhdukën sa hap e mbyll sytë dhe më mbeti një boshllëk i madh. Ishte një periudhë e rëndë.» Sot Hulio shërben përsëri si plak kongregacioni.

«QUAJENI VEÇ GËZIM»

Dishepulli Jakov shkroi: «Quajeni veç gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme.» (Jak. 1:2) E kishte fjalën për sprovat që vijnë për shkak të përndjekjes dhe të papërsosmërisë sonë. Ai përmendi dëshirat egoiste, mbajtjen me hatër e kështu me radhë. (Jak. 1:14; 2:1; 4:1, 2, 11) Mund të na dhembë kur na disiplinon Jehovai. (Hebr. 12:11) Por, sprova të tilla s’ka përse të na grabitin gëzimin.

Edhe nëse na kanë hequr një përgjegjësi në kongregacion, prapë kemi mundësi të shqyrtojmë sa cilësor është besimi ynë dhe të tregojmë sa e duam Jehovain. Mund të reflektojmë edhe për  motivin pse shërbyem. A e synuam këtë privilegj që të përfitonim vetë? Apo shërbyem nga dashuria për Perëndinë e nga bindja se kongregacioni i përket atij dhe meriton të kujdesemi për të me butësi? (Vep. 20:28-30) Ata që dikur ishin pleq dhe që vazhdojnë të bëjnë shërbim të shenjtë me gëzim, u tregojnë të gjithëve, përfshirë Satanain, se dashuria e tyre për Jehovain nuk është e shtirur.

Kur mbreti David u disiplinua për mëkate të rënda, e pranoi qortimin dhe Jehovai e fali. Davidi këndoi: «Lum ai që i janë falur rebelimet dhe i janë mbuluar mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk i ngarkon asnjë faj dhe në frymën e të cilit nuk ka mashtrim!» (Psal. 32:1, 2) Disiplina e rafinoi Davidin dhe patjetër e bëri bari më të mirë për popullin e Perëndisë.

Shpesh vëllezërit që kthehen të shërbejnë si pleq, bëhen barinj më të mirë se më parë. Një prej tyre tha: «Tani di më mirë si të kujdesem për ata që gabojnë.» Një tjetër u shpreh: «Sot e çmoj më shumë privilegjin për t’u shërbyer vëllezërve.»

A MUND TË KTHEHESH?

Psalmisti shkroi: «[Jehovai] nuk do të gjejë të meta gjithë kohën.» (Psal. 103:9) Pra, të mos mendojmë se Perëndia nuk do t’i zërë besë më kurrë dikujt që ka gabuar rëndë. «Isha i zhgënjyer hidhur me veten,—thotë Rikardoja, që humbi privilegjin si plak, pasi kishte shërbyer për shumë vjet.—Për një kohë të gjatë ndihesha i pavlerë dhe kjo më frenonte të kthehesha e t’u shërbeja vëllezërve si plak. Vuaja nga pasiguria se mos nuk do të provoja kurrë se isha prapë i denjë për besim. Por, meqë më pëlqen t’i ndihmoj të tjerët, vazhdoja të drejtoja studime biblike, t’u jepja zemër vëllezërve në Sallën e Mbretërisë dhe të bashkëpunoja me ta në predikim. Kështu rifitova sigurinë te vetja, dhe sot shërbej prapë si plak.»

Falë Jehovait, mjaft vëllezërve u është përtërirë gëzimi si edhe dëshira që të shërbejnë përsëri

Nëse një vëlla ushqen mëri, kjo mund ta pengojë të shërbejë si plak. Sa mirë është të imitojmë shërbëtorin e Jehovait, Davidin, që iu desh t’ia mbathte nga mbreti xheloz, Sauli! Davidi nuk  pranoi të hakmerrej kundër Saulit, edhe kur iu dha rasti. (1 Sam. 24:4-7; 26:8-12) Kur Sauli vdiq në betejë, Davidi mbajti zi për të dhe e përshkroi atë dhe birin e tij, Jonatanin, si njerëz «të dashur e të këndshëm». (2 Sam. 1:21-23) Ai nuk ushqeu mëri.

Nëse mendon se je viktimë e ndonjë keqkuptimi a padrejtësie, mos lejo që mëria të të pushtojë mendjen. Për shembull, kur Uilliami u çemërua pasi kishte shërbyer për rreth 30 vjet si plak në Britani, ndiente mëri ndaj disa pleqve. Çfarë e ndihmoi të rifitonte ekuilibrin? Uilliami tha: «Më dha zemër leximi i librit të Jobit. Përderisa Jehovai ndihmoi Jobin të bënte paqe me tre shokët e tij, aq më tepër do të më ndihmonte mua të bëja paqe me pleqtë e krishterë!»Jobi 42:7-9.

PERËNDIA I BEKON ATA QË SHËRBEJNË PRAPË SI BARINJ

Nëse vendose të hiqje dorë nga privilegji për të kullotur kopenë e Perëndisë, bën mirë të shqyrtosh pse. Mos vallë të zunë frymën problemet e tua? A dolën në vend të parë në jetën tënde gjëra të tjera? A të shkurajuan papërsosmëritë e të tjerëve? Sido që të ketë qenë, mos harro se, kur shërbeje si plak, mund t’i ndihmoje vëllezërit në më shumë mënyra. I forcoje me fjalimet e tua, u jepje zemër me shembullin tënd dhe i ndihmoje t’u bënin ballë sprovave me anë të vizitave baritore. Puna jote si plak besnik ia gëzonte zemrën Jehovait, siç ta gëzonte zemrën edhe ty.Prov. 27:11.

Tregoje dashurinë për Jehovain, duke bërë shërbim të shenjtë me gëzim

Falë Jehovait, mjaft vëllezërve u është përtërirë gëzimi si edhe dëshira për të marrë drejtimin në kongregacion. Nëse hoqe dorë nga shërbimi si plak ose u çemërove, prapë mund ‘të synosh detyrën e mbikëqyrësit’. (1 Tim. 3:1) Pavli ‘nuk i ndali lutjet’ që të krishterët në Kolose të ishin plot me njohuri të saktë të vullnetit të Perëndisë. ‘Kështu do të ecnin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht atij.’ (Kolos. 1:9, 10) Nëse të është dhënë përsëri privilegji për të shërbyer si plak, mbaji sytë te Jehovai që të të japë forcë, durim e gëzim. Në këto ditë të fundit populli i Perëndisë ka nevojë për mbështetje frymore nga barinj të dashur. A ke mundësi t’i forcosh vëllezërit e tu? A ke dëshirë ta bësh këtë?

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.