Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po merr «ushqim në kohën e duhur»?

A po merr «ushqim në kohën e duhur»?

JETOJMË në kohët më të pështjelluara të historisë njerëzore. (2 Tim. 3:1-5) Çdo ditë vihen në provë dashuria jonë për Jehovain dhe vendosmëria për të jetuar sipas normave të tij të drejta. Jezui i parashikoi këto kohë të trazuara dhe i siguroi dishepujt se do të merrnin inkurajimin e nevojshëm që të qëndronin deri në fund. (Mat. 24:3, 13; 28:20) Për t’i forcuar, emëroi një skllav të besueshëm që të siguronte «ushqim [frymor] në kohën e duhur».Mat. 24:45, 46.

Që kur u emërua skllavi i besueshëm më 1919, miliona ‘shërbëtorë të shtëpisë’ nga të gjitha gjuhët janë mbledhur në organizatën e Perëndisë dhe po ushqehen frymësisht. (Mat. 24:14; Zbul. 22:17) Megjithatë, sasia e informacionit ndryshon nga një gjuhë në tjetrën, dhe jo të gjithë i kanë në dispozicion botimet në format elektronik. Për shembull, shumë veta nuk i kanë videot dhe artikujt që dalin vetëm në sitin jw.org. A do të thotë kjo se u mungon ushqimi i duhur që të ruajnë shëndetin frymor? Që të nxjerrim përfundimin e duhur, le të shohim përgjigjet e katër pyetjeve të rëndësishme.

 1 Cili është përbërësi kryesor i ushqimit që siguron Jehovai?

Kur Satanai e tundoi Jezuin t’i shndërronte gurët në bukë, Jezui ia ktheu: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mat. 4:3, 4) Fjalët e Jehovait janë shkruar në Bibël. (2 Pjet. 1:20, 21) Pra, Bibla është përbërësi kryesor i ushqimit tonë frymor.2 Tim. 3:16, 17.

Organizata e Jehovait i ka vënë në dispozicion të plota ose pjesërisht Shkrimet e ShenjtaPërkthimi Bota e Re në mbi 120 gjuhë, dhe çdo vit shtohen gjuhë të tjera. Përveç këtij përkthimi, në mijëra gjuhë janë në dispozicion, të plota ose pjesërisht, miliarda kopje të versioneve të tjera të Biblës. Kjo arritje mbresëlënëse përputhet me vullnetin e Jehovait që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:3, 4) E meqë «nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara [Jehovait]», mund të jemi të sigurt se ai do t’i tërheqë drejt organizatës së tij ata që janë «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë» dhe do t’i ushqejë frymësisht.Hebr. 4:13; Mat. 5:3, 6; Gjoni 6:44; 10:14.

2 Ç’vend zënë botimet në ushqimin frymor që siguron skllavi?

Që të zhvillojmë besim të fortë, nuk mjafton të lexojmë Biblën. Duhet ta kuptojmë e ta zbatojmë atë që lexojmë. (Jak. 1:22-25) Në shekullin e parë, një eunuk etiopas e pranoi këtë fakt. Teksa lexonte Fjalën e Perëndisë, ungjillëzuesi Filip e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Eunuku ia ktheu: «E si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» (Vep. 8:26-31) Atëherë, Filipi e ndihmoi të fitonte njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë. Eunuku u prek aq shumë nga ajo që mësoi, sa u pagëzua. (Vep. 8:32-38) Po njësoj, botimet tona biblike na kanë ndihmuar të fitojmë njohuri të saktë për të vërtetën. Na kanë prekur e na kanë nxitur ta zbatojmë atë që mësojmë.Kolos. 1:9, 10.

Falë botimeve, shërbëtorët e Jehovait hanë e pinë frymësisht në një tryezë të pasur. (Isa. 65:13) Për shembull, Kulla e Rojës, që del në më se 210 gjuhë, shpjegon profecitë biblike, na shton kuptueshmërinë për të vërtetat e thella frymore dhe na nxit të jetojmë sipas parimeve biblike. Revista Zgjohuni!, që botohet në rreth 100 gjuhë, na zgjeron njohurinë për veprat krijuese të Jehovait dhe na tregon si t’i zbatojmë këshillat praktike të Biblës. (Prov. 3:21-23; Rom. 1:20) Skllavi i besueshëm siguron botime biblike në më shumë se 680 gjuhë. A programon kohë çdo ditë për të lexuar Biblën? A lexon çdo revistë të re dhe të gjitha botimet që dalin vit për vit në gjuhën tënde?

Përveç botimeve, organizata e Jehovait përgatit skema të bazuara në Bibël për fjalimet që mbahen në mbledhje, asamble e kongrese. A të pëlqejnë fjalimet, dramat, demonstrimet dhe intervistat që paraqiten në këto mbledhje? Çfarë gostie frymore na shtron Jehovai!Isa. 25:6.

 3 Nëse nuk i ke në dispozicion në gjuhën tënde të gjitha botimet që dalin, a do të jesh i kequshqyer frymësisht?

Jo. S’ka pse të habitemi që hera-herës disa shërbëtorë të Jehovait mund të kenë më shumë ushqim frymor se bashkëbesimtarët e tjerë. Pse s’është çudi? Mendo për rastin e apostujve. Ata morën më shumë udhëzime se mjaft dishepuj të tjerë në shekullin e parë. (Mar. 4:10; 9:35-37) Prapëseprapë, këta të fundit s’ishin të kequshqyer frymësisht. Pra, morën atë që u duhej.Efes. 4:20-24; 1 Pjet. 1:8.

Vlen të përmendet edhe se shumë nga gjërat që tha e bëri Jezui kur ishte në tokë, nuk gjenden në ungjij. Apostulli Gjon shkroi: «Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.» (Gjoni 21:25) Edhe pse dishepujt në shekullin e parë dinin më tepër se ne për njeriun e përsosur Jezu, kjo s’do të thotë se informacioni ynë është i mangët. Jehovai ka marrë masa të kemi aq njohuri për Jezuin, sa të ecim në gjurmët e tij.1 Pjet. 2:21.

Të mendojmë edhe për letrat që apostujt u dërguan kongregacioneve të shekullit të parë. Të paktën një nga letrat që shkroi Pavli nuk është ruajtur në Bibël. (Kolos. 4:16) A është i pamjaftueshëm ushqimi ynë frymor ngaqë s’e kemi atë letër? Jo. Jehovai e di ç’na nevojitet dhe na jep boll për të mbetur të fortë frymësisht.Mat. 6:8.

Sot disa grupe shërbëtorësh të Jehovait kanë në dispozicion më shumë ushqim frymor se të tjerët. A flet një gjuhë ku ka vetëm pak botime? Nëse po, ji i sigurt se Jehovai kujdeset për ty. Studio botimet që ke dhe, po të jetë e mundur, ndiqi mbledhjet në një gjuhë që e kupton. Mos ki pikë dyshimi se Jehovai do të të mbajë të fortë frymësisht.Psal. 1:2; Hebr. 10:24, 25.

4 Nëse nuk e ke në gjuhën tënde materialin që del në sitin jw.org, ose nuk mund të hysh në të, a do të dobësohesh frymësisht?

Në sitin tonë gjen revista, si edhe botime për studimin e Biblës. Ka edhe materiale posaçërisht për çiftet, për adoleshentët dhe për prindërit me fëmijë të vegjël. Familjet nxjerrin dobi kur i shqyrtojnë këto informacione gjatë Adhurimit Familjar. Veç kësaj, siti ynë raporton për programe speciale, si diplomimet e Galaadit dhe mbledhjet vjetore. Po ashtu, e njofton vëllazërinë mbarëbotërore për katastrofat natyrore dhe zhvillimet ligjore që ndikojnë te populli i Jehovait. (1 Pjet. 5:8, 9) Gjithashtu, siti është një mjet predikimi i fuqishëm, që e çon lajmin e mirë edhe në vende ku vepra jonë është e kufizuar ose e ndaluar.

Sidoqoftë, pavarësisht nëse ke mundësi ta përdorësh sitin apo jo, mund të qëndrosh i fortë në besim. Kjo sepse skllavi ka punuar pa u lodhur për të siguruar mjaft botime të shtypura që çdo shërbëtor i shtëpisë të ushqehet mirë frymësisht. Ndaj s’ka pse të ndihesh i detyruar të blesh ndonjë pajisje elektronike vetëm që të hysh në sitin jw.org. Disa mund të marrin përsipër vetë të shtypin një sasi të arsyeshme të materialit që del në sit dhe t’ua japin atyre që s’kanë mundësi të përdorin Internetin, por kjo s’është detyrë e kongregacionit.

Sa mirënjohës i jemi Jezuit që e ka mbajtur premtimin se do të kujdesej për nevojat tona frymore! Teksa ditët e fundit të vështira po perëndojnë me shpejtësi, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë të na japë «ushqim [frymor] në kohën e duhur».

Jehovai e di ç’na nevojitet dhe na jep boll për të mbetur të fortë frymësisht