Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’rol luajnë gratë në qëllimin e Jehovait?

Ç’rol luajnë gratë në qëllimin e Jehovait?

«Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.»PSAL. 68:11.

1, 2. (a) Ç’dhurata i bëri Perëndia Adamit? (b) Pse Perëndia i dha një bashkëshorte Adamit? (Shih figurën hapëse.)

JEHOVAI kishte një qëllim kur krijoi tokën. «E formoi që të banohej.» (Isa. 45:18) Adami, njeriu i parë që krijoi, ishte i përsosur, dhe Perëndia i dha një shtëpi të shkëlqyer, kopshtin e Edenit. Sa kënaqej Adami mes pemëve madhështore, përrenjve që gurgullonin ëmbël dhe kafshëve lozonjare! Por i mungonte diçka shumë e rëndësishme. Ja çfarë tha Jehovai: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» Pastaj, Perëndia e vuri Adamin në gjumë të thellë, mori një nga brinjët e tij dhe «nga brinja . . . bëri një grua». Sa i lumtur ishte Adami kur u zgjua! Ai u shpreh: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.»Zan. 2:18-23.

2 Gruaja që i dha Perëndia ishte dhuratë e pashoqe për burrin, ngaqë do të bëhej ndihmësja e tij e përsosur. Ajo do të kishte edhe privilegjin e rrallë të lindte fëmijë. Në fakt, «Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo do të bëhej nëna e gjithë të gjallëve». (Zan. 3:20; shën.) Ç’dhuratë të mrekullueshme i dha Perëndia çiftit të parë njerëzor! Kishin aftësinë të  sillnin në jetë fëmijë të përsosur. Falë kësaj, toka avash-avash do të kthehej në parajsë të populluar me njerëz të përsosur që do t’i mbanin të nënshtruara krijesat e tjera.Zan. 1:27, 28.

3. (a) Ç’duhej të bënin Adami dhe Eva që të shijonin bekimet e Perëndisë, por ç’ndodhi? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Për të marrë bekimet që shpaloseshin para tyre, Adami dhe Eva duhej t’i bindeshin Jehovait dhe të pranonin qeverisjen e tij. (Zan. 2:15-17) Vetëm atëherë mund të plotësonin qëllimin që kishte Perëndia për ta. Mirëpo, mjerisht, ata u ndikuan nga «gjarpri i hershëm», Satanai, dhe mëkatuan kundër Perëndisë. (Zbul. 12:9; Zan. 3:1-6) Ç’pasoja u solli grave ky rebelim? Çfarë kanë arritur gratë e përkushtuara në të kaluarën? Pse gratë e krishtere sot mund të quhen «një ushtri e madhe»?Psal. 68:11.

Ç’KA SJELLË REBELIMI?

4. Kush u quajt përgjegjës për mëkatin e çiftit të parë njerëzor?

4 Kur iu kërkua llogari për rebelimin, Adami nxori këtë justifikim të kotë: «Gruaja që më dhe, ajo më dha nga fryti i pemës, dhe unë hëngra.» (Zan. 3:12) Ai jo vetëm që nuk pranoi përgjegjësinë për mëkatin e vet, por edhe u mundua t’ia hidhte fajin gruas që i kishte dhuruar Perëndia, si edhe vetë Dhuruesit të dashur. Adami dhe Eva mëkatuan që të dy, por përgjegjës për keqbërjen u quajt Adami. Prandaj, apostulli Pavël shkroi se «mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit».Rom. 5:12.

5. Çfarë është provuar ngaqë Perëndia i ka lejuar njerëzit të qeverisin njëfarë kohe të pavarur?

5 Adamit dhe Evës u mbushën mendjen se nuk kishin nevojë për Jehovain si Sundimtar. Si pasojë u ngrit një pyetje vendimtare për sovranitetin: kush ka të drejtën të qeverisë? Që të jepej përgjigje një herë e përgjithmonë, Perëndia lejoi që njerëzit të qeverisnin njëfarë kohe të pavarur prej tij. E dinte që koha do të tregonte se kjo qeverisje e pavarur do të dështonte. Ndër shekuj, një qeverisje e tillë e ka plandosur shoqërinë njerëzore nga një mynxyrë në tjetrën. Vetëm gjatë shekullit të kaluar, rreth 100.000.000 veta kanë vdekur në luftëra—e mes tyre miliona burra, gra e fëmijë të pafajshëm. Pra, tashmë është mbledhur një mal me dëshmi se «njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet». (Jer. 10:23) E kemi shumë të qartë këtë, prandaj e pranojmë Jehovain si Sundimtarin tonë.Lexo Proverbat 3:5, 6.

6. Si trajtohen vajzat e gratë në shumë vende?

6 Si burrat, si gratë kanë vuajtur nga keqtrajtimi në këtë botë që dergjet nën pushtetin e Satanait. (Ekl. 8:9; 1 Gjon. 5:19) Ama, disa nga mizoritë më të tmerrshme lidhen me abuzimin ndaj grave. Në mbarë botën, rreth 30 për qind e grave raportojnë se janë sulmuar nga partneri. Në disa shoqëri djali mbahet me hatër ngaqë shihet si trashëgimtari që do të ruajë emrin e familjes dhe si ai që do të kujdeset për gjyshërit e prindërit në pleqëri. Ka vende ku vajzat shihen si fëmijë të padëshiruar, dhe abortohen shumë më tepër vajza se djem.

7. Si e nisën jetën burrat e gratë falë Perëndisë?

7 Patjetër që Perëndia e ka zët kur keqtrajtohen gratë. Ai vetë i trajton me drejtësi dhe i respekton. Fakti që Eva u krijua e përsosur, dhe jo me karakteristikat e një skllaveje, por si një plotësim i mrekullueshëm për Adamin, tregon sa i nderon gratë Jehovai. Kjo është një arsye pse në fund të ditës së gjashtë të krijimit, Perëndia «pa çdo gjë që kishte  bërë dhe ja, ishte shumë mirë». (Zan. 1:31) Po, «çdo gjë» që kishte bërë Jehovai ishte «shumë mirë». Pra, edhe burrat, edhe gratë e nisën jetën më së miri.

GRA QË PATËN MBËSHTETJEN E JEHOVAIT

8. (a) Përshkruaj sjelljen e njerëzve në përgjithësi. (b) Cilët ka përkrahur Perëndia gjatë tërë historisë?

8 Pas rebelimit në Eden, sjellja e burrave dhe e grave në përgjithësi u katandis si mos më keq dhe gjatë shekullit të kaluar është bërë më skandaloze se kurrë. Bibla paratha se në «ditët e fundit» do të mbizotëronte sjellja e ligë. Mbrapshtia është kaq e përhapur, sa këto kohë janë vërtet «kritike». (2 Tim. 3:1-5) Megjithatë, gjatë tërë historisë njerëzore ‘Zotëria Sovran Jehova’ i ka përkrahur burrat e gratë që i kanë zënë besë, u janë bindur ligjeve të tij dhe i janë nënshtruar si Sundimtari i tyre.Lexo Psalmin 71:5.

9. Sa veta i mbijetuan Përmbytjes, dhe pse?

9 Në kohën e Noesë, kur Perëndia shkatërroi botën e lashtë të dhunshme me anë të Përmbytjes, mbijetuan fare pak njerëz. Nëse vëllezërit dhe motrat e Noesë ishin ende gjallë në atë kohë, edhe ata i përpinë ujërat e Përmbytjes. (Zan. 5:30) Por, nga Përmbytja mbijetuan sa burra, aq edhe gra. Të mbijetuarit ishin Noeja, e shoqja, tre djemtë dhe gratë e tyre. Shpëtuan sepse iu frikësuan Perëndisë dhe bënë vullnetin e tij. Miliarda njerëzit që jetojnë sot vijnë nga ata të tetë që patën mbështetjen e Jehovait.Zan. 7:7; 1 Pjet. 3:20.

10. Pse patën mbështetjen e Jehovait gratë me frikë Perëndie të patriarkëve besnikë?

10 Vite më vonë edhe gratë me frikë Perëndie të patriarkëve besnikë patën mbështetjen e Jehovait. Po të ishin tipa që ankoheshin për shortin e tyre në jetë, nuk do të ndodhte kështu. (Jud. 16) Nuk e përfytyrojmë dot Sarën, gruan e respektueshme të Abrahamit, të shfryhej me ankesa kur lanë rehatinë e Urit dhe u bënë banorë të përkohshëm që jetuan në tenda në dhé të huaj. Përkundrazi, «Sara i bindej Abrahamit dhe e quante ‘zotëri’». (1 Pjet. 3:6) Të mendojmë edhe për Rebekën që ishte për të shoqin një dhuratë e bekim nga Jehovai, dhe u bë bashkëshorte e shkëlqyer. S’është çudi që Isaku «ra në dashuri me të dhe gjeti ngushëllim pas humbjes së nënës». (Zan. 24:67) Sa kënaqësi që sot kemi mes nesh gra të përkushtuara që i ngjajnë Sarës e Rebekës!

11. Si u treguan të guximshme dy mamitë hebreje?

11 Gjatë viteve të skllavërisë në Egjipt numri i izraelitëve u rrit jashtëzakonisht dhe faraoni urdhëroi që të gjithë djemtë e sapolindur hebrenj të vriteshin në vend. Por të mendojmë për mamitë hebreje, Shifrën dhe Puahën, që ka të ngjarë të kenë qenë kryemami. Pa iu trembur syri, nuk pranuan t’i vritnin foshnjat ngaqë i frikësoheshin Jehovait dhe e nderonin. Prandaj, ai i shpërbleu dhe i bëri me familje.Dal. 1:15-21.

12. Çfarë spikat në shembullin e Deborës dhe të Jaelës?

12 Në ditët e gjykatësve të Izraelit një grua që pati mbështetjen e Perëndisë ishte profetesha Debora. Ajo i dha zemër gjykatësit Barak dhe bëri pjesën e saj që izraelitët të hiqnin qafe zgjedhën shtypëse të kananitëve. Sidoqoftë paratha se Baraku nuk do të merrte lavdi për fitoren kundër tyre. Në vend të kësaj, Perëndia do ta dorëzonte komandantin e ushtrisë kananite, Siserën, «në duart e një gruaje». Tamam kështu ndodhi: atë e vrau një grua joizraelite, Jaela.Gjyk. 4:4-9, 17-22.

13. Ç’na tregon Bibla për Abigailën?

 13 Abigaila ishte një grua e rrallë që jetoi në shekullin e 11-të p.e.s. Ajo ishte e matur, ndërsa i shoqi, Nabali, ishte njeri harbut, pa pikë vlere dhe i pamend. (1 Sam. 25:2, 3, 25) Për njëfarë kohe Davidi dhe ushtarët e vet mbrojtën kopenë e pasurinë e Nabalit, por, kur i kërkuan t’u jepte diçka për të ngrënë e për të pirë, ai «iu hakërrua» dhe i ktheu duarbosh. Davidi u nxeh aq shumë, sa bëri plane t’i shfaroste Nabalin e burrat e tij. Me ta marrë vesh, Abigaila i çoi ushqime e pije Davidit dhe ushtarëve, e kështu parandaloi gjakderdhjen. (1 Sam. 25:8-18) Më vonë Davidi i tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të ka dërguar sot të më dalësh përpara!» (1 Sam. 25:32) Pasi vdiq Nabali, Davidi e mori për grua Abigailën.1 Sam. 25:37-42.

14. Në ç’vepër morën pjesë bijat e Shalumit? Si veprojnë po njësoj gratë e krishtere sot?

14 Më 607 p.e.s., kur forcat babilonase shkatërruan Jerusalemin dhe tempullin e tij, vdiqën shumë burra, gra e fëmijë. Muret e qytetit u rindërtuan në vitin 455 p.e.s. nën mbikëqyrjen e Nehemisë. Mes atyre që ndihmuan në këtë meremetim ishin bijat e Shalumit, princ i gjysmës së krahinës së Jerusalemit. (Neh. 3:12) Ato bënë punë krahu pa ngurruar. Sa i çmojmë gjithë ato gra të krishtere sot që me gëzim mbështetin në lloj-lloj mënyrash projekte teokratike ndërtimi!

GRA TË PËRKUSHTUARA NË SHEKULLIN E PARË

15. Ç’privilegj i dha Perëndia një gruaje që quhej Mari?

15 Pak para shekullit të parë të e.s. dhe gjatë tij Jehovai bekoi me privilegje të bukura mjaft gra. Mes tyre ishte një virgjëreshë që quhej Mari. Kur ishte e fejuar me Jozefin, ajo u ngjiz me anë të frymës së shenjtë. Pse Perëndia zgjodhi atë që të bëhej nëna e Jezuit? Pa dyshim ngaqë kishte cilësi frymore që do ta ndihmonin ta rriste me kujdes birin e saj të përsosur nga vogëlia deri në moshë të pjekur. Ç’privilegj të ishe nëna e njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë në tokë!Mat. 1:18-25.

16. Jepni një shembull që tregon qëndrimin e Jezuit kundrejt grave.

16 Jezui ishte tejet mirëdashës me gratë. Për shembull, të mendojmë për një grua që kishte rrjedhje gjaku prej 12 vjetësh. Përmes një turme, ajo iu afrua Jezuit nga pas dhe i preku rrobën. Jezui nuk e qortoi, por i tha me dashamirësi: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!»Mar. 5:25-34.

17. Cila mrekulli ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s.?

17 Disa gra që ishin dishepulle të Jezuit iu bënë krah atij dhe apostujve. (Luka 8:1-3) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 veta, burra e gra, morën frymën e Perëndisë në një mënyrë të mrekullueshme. (Lexo Veprat 2:1-4.) Jehovai e kishte parathënë këtë derdhje të frymës së shenjtë me fjalët: «Do të derdh frymën time mbi çdo lloj njeriu dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. . . . Do të derdh frymën time madje edhe mbi shërbyesit dhe shërbyeset.» (Joe. 2:28, 29) Me atë mrekulli në festën e Ditës së Pesëdhjetë Perëndia tregoi se tani nuk mbështeste më Izraelin apostat, por «Izraelin e Perëndisë», të përbërë edhe nga burra, edhe nga gra. (Gal. 3:28; 6:15, 16) Mes grave të krishtere që predikonin lajmin e mirë në shekullin e parë ishin edhe katër bijat e Filip ungjillëzuesit.Vep. 21:8, 9.

 ‘USHTRIA E MADHE’ E GRAVE

18, 19. (a) Çfarë privilegji u ka dhënë Perëndia edhe burrave, edhe grave në adhurimin e vërtetë? (b) Si i përshkruan psalmisti gratë që shpallin lajmin e mirë?

18 Aty nga fundi i shekullit të 19-të një grusht burrash e grash treguan interes të thellë për adhurimin e vërtetë. Ishin pararendësit e atyre që sot po përmbushin fjalët profetike të Jezuit: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»Mat. 24:14.

19 Ai grup i vogël i Studentëve të Biblës është rritur sot në rreth 8.000.000 Dëshmitarë të Jehovait. Më 2013 mbi 11.000.000 të tjerë treguan interes për Biblën dhe veprën tonë kur ndoqën Përkujtimin e përvitshëm të vdekjes së Jezuit. Në shumicën e vendeve, pjesa dërrmuese e të pranishmëve janë gra. Gjithashtu, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të më se 1.000.000 lajmëtarëve të Mbretërisë në kohë të plotë anekënd botës. S’diskutohet, Perëndia u ka dhënë grave besnike privilegjin të marrin pjesë në plotësimin e fjalëve të psalmistit: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.»Psal. 68:11.

Gratë që shpallin lajmin e mirë janë vërtet «një ushtri e madhe» (Shih paragrafët 18, 19.)

BEKIME TË MREKULLUESHME I PRESIN GRATË E PËRKUSHTUARA

20. Cilat tema ia vlen të shqyrtojmë?

20 Këtu nuk na del vendi të flasim për shembujt e shumtë të grave besnike në Bibël. Por, të gjithë mund t’i njohim ato përmes Fjalës së Perëndisë dhe artikujve të botuar në literaturën tonë. Për shembull, mund të meditojmë për besnikërinë e Ruthës. (Rutha 1:16, 17) Leximi i librit biblik që mban emrin e mbretëreshës Ester dhe i artikujve për të, na e forcon besimin. Nxjerrim dobi nga projekte të tilla studimi që mund t’i programojmë për Adhurimin Familjar. Nëse jetojmë vetëm, mund t’i shqyrtojmë këto tema gjatë studimit personal.

21. Si kanë treguar përkushtim ndaj Jehovait gratë besnike në kohë të vështira?

21 S’ka pikë dyshimi se Jehovai e bekon predikimin e grave të krishtere dhe i mbështet në kohë të vështira. Për shembull, me ndihmën e tij, gratë e përkushtuara mbajtën integritetin gjatë regjimit nazist dhe komunist. Shumë prej tyre vuajtën dhe madje disa humbën jetën ngaqë i bindeshin Perëndisë. (Vep. 5:29) Njësoj si në të kaluarën, motrat tona sot dhe të gjithë bashkadhuruesit përkrahin sovranitetin e Perëndisë. Siç ndodhi me izraelitët e lashtë, është njësoj sikur Jehovai e kap nga dora e djathtë secilën e i thotë: «Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.»Isa. 41:10-13.

22. Cilat privilegje presim me padurim në të ardhmen?

22 Në të ardhmen e afërt, gratë dhe burrat e përkushtuar do ta kthejnë tokën në parajsë dhe do të ndihmojnë miliona të ringjallur të mësojnë për qëllimet e Jehovait. Deri atëherë, qofshim burra, qofshim gra, le ta çmojmë privilegjin që i shërbejmë atij «sup më sup»!Sof. 3:9.