Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je plotësisht i bindur se ke të vërtetën? Pse?

A je plotësisht i bindur se ke të vërtetën? Pse?

«Vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.»—ROM. 12:2.

1. Çfarë ka bërë kleri i krishterimit në kohë lufte?

A ËSHTË vullneti i Perëndisë që të krishterët e vërtetë të shkojnë në luftë e të vrasin njerëz të një kombi tjetër? Shumë veta që mbahen si të krishterë kanë vepruar tamam kështu gjatë 100 viteve të fundit. Kleri katolik ka bekuar ushtritë dhe armët e tyre në luftërat kundër katolikëve të një kombi armik. Njësoj edhe klerikët protestantë. Një shembull klasik është Lufta II Botërore që bëri kërdinë.

2, 3. Ç’qëndrim mbajtën Dëshmitarët e Jehovait gjatë Luftës II Botërore e më pas, dhe pse?

2 Çfarë bënë Dëshmitarët e Jehovait gjatë asaj lufte? Historia tregon se mbajtën asnjanësinë e krishterë. Ku e bazonin këtë qëndrim? Kryesisht te shembulli dhe mësimet e Jezuit. Ai tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Gjithashtu, Dëshmitarët ia vunë veshin arsyetimit më të gjerë të apostullit Pavël në Letrën e Dytë drejtuar Korintasve.—Lexo 2 Korintasve 10:3, 4.

3 Prandaj, të krishterët e vërtetë me ndërgjegje të stërvitur nga Bibla as mësojnë të luftojnë, as marrin pjesë në luftë. Për shkak të asnjanësisë së krishterë janë përndjekur mijëra Dëshmitarë, të rinj e të moshuar, burra e gra. Shumë kanë vuajtur në kampe pune dhe burgje. Madje, gjatë nazizmit në Gjermani, disa i vranë. Pavarësisht nga përndjekja barbare në mjaft vende evropiane, Dëshmitarët kurrë nuk e lanë pas dore detyrën për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Jehovait. Vazhduan ta bënin këtë me besnikëri, qoftë në burgje, në kampe përqendrimi e në internim. * Më vonë Dëshmitarët nuk u përfshinë në spastrimin etnik në Ruandë më 1994. Mbetën asnjanës edhe gjatë kasaphanës së mëvonshme në konfliktet në Ballkan kur u shpërbë ish-Jugosllavia.

4. Si ka ndikuar asnjanësia e Dëshmitarëve të Jehovait tek ata që i vëzhgojnë?

4 Asnjanësia absolute e Dëshmitarëve të Jehovait u ka mbushur mendjen mijëra vëzhguesve përqark botës se ata e duan me gjithë mend Perëndinë dhe njerëzit. Me fjalë të tjera, janë të krishterë të vërtetë. Por ka edhe aspekte të tjera të adhurimit tonë që kanë bindur shumë njerëz se Dëshmitarët e Jehovait janë shembull i gjallë i krishterimit të vërtetë.

VEPRA MË E MADHE E ARSIMIMIT NË HISTORI

5. Cilin ndryshim iu desh të pranonin dishepujve të hershëm të Krishtit Jezu?

5 Që në fillim të shërbimit, Jezui theksoi sa rëndësi ka predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Ai zgjodhi 12 dishepuj për të hedhur bazat e predikimit mbarëbotëror. Pas kësaj stërviti edhe një grup tjetër prej 70 dishepujsh. (Luka 6:13; 10:1) Këta ishin të përgatitur t’ia çonin lajmin e mirë të tjerëve, së pari judenjve. Më pas, dishepujt e Jezuit patën një surprizë. Do t’ua çonin lajmin e mirë të parrethprerëve në kombe të tjera. Ç’ndryshim i madh duhet të ketë qenë për dishepujt e zellshëm judenj!—Vep. 1:8.

6. Si arriti ta dallonte Pjetri paanshmërinë e Jehovait?

6 Apostullit Pjetër iu tha të shkonte në shtëpinë e Kornelit, një jojudeu të parrethprerë. Atëherë Pjetri e dalloi se Perëndia është i paanshëm. Korneli dhe njerëzit e shtëpisë së tij u pagëzuan. Krishterimi po përhapej në një fushë të re të paanë; njerëz në të gjitha kombet mund ta dëgjonin e ta pranonin të vërtetën. (Vep. 10:9-48) Tani fusha ishte mbarë bota.

7, 8. Çfarë nisme ka marrë organizata e Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

7 Në historinë e sotme të Dëshmitarëve të Jehovait, ata që marrin drejtimin kanë bërë çmos të nxitin predikimin dhe mësimin e lajmit të mirë anekënd botës. Sot gati tetë milionë Dëshmitarë të zellshëm po punojnë me mish e me shpirt që të përhapin mesazhin e Krishtit në më se 600 gjuhë, që shtohen dita-ditës! Dëshmitarët e Jehovait njihen botërisht për predikimin shtëpi më shtëpi dhe për dëshminë rrugore, që nganjëherë përfshin predikimin me tryeza dhe stenda literature të lëvizshme.

8 Mbi 2.900 përkthyes kanë marrë stërvitje të posaçme për të përkthyer Biblën dhe literaturë biblike. Puna e tyre nuk kufizohet vetëm tek ato që mbahen si gjuhë kryesore. Përpiqen të përkthejnë edhe në qindra gjuhë që nuk njihen gjerësisht, por që fliten nga miliona veta. Për shembull, në Spanjë, miliona katalonas përditë flasin gjuhën amtare, katalane. Veçanërisht kohët e fundit, gjuha katalane dhe dialektet që fliteshin në Andorrë, Alikante, ishujt Baleare dhe Valencia ka rilindur. Tani Dëshmitarët e Jehovait botojnë literaturë biblike në gjuhën katalane, dhe mbledhjet e tyre mbahen në këtë gjuhë që u prek zemrën katalonasve.

9, 10. Çfarë tregon se organizata e Jehovait ka merak për nevojat frymore të të gjithëve?

9 Në shumë kultura bëhen të njëjtat përpjekje për të përkthyer e për të predikuar. Për shembull, në Meksikë spanjishtja flitet gjerësisht, por ka grupe indigjene goxha të mëdha që kanë gjuhën e tyre, siç janë majat. Zyra e degës në Meksikë e caktoi skuadrën e përkthimit të gjuhës maja të banonte në një zonë të Meksikës ku mund të flitnin e të dëgjonin përditë këtë gjuhë. Një shembull tjetër është gjuha nepaleze, një nga gjuhët që flitet në Nepal, me një popullsi mbi 29 milionë banorë. Edhe pse atje fliten rreth 120 gjuhë, më se dhjetë milionë flasin gjuhën nepaleze dhe shumë e kanë gjuhë të dytë. Literatura jonë biblike del edhe në këtë gjuhë.

10 Mbështetja që u jepet skuadrave të shumta të përkthimit përqark botës tregon sa seriozisht e merr organizata e Jehovait detyrën që të predikojë lajmin e mirë për Mbretërinë kudo në botë. Miliona e miliona fletushka, broshura dhe revista janë shpërndarë falas në fushata anembanë botës. Shpenzimet janë mbuluar me kontributet vullnetare të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët i kanë vënë veshin udhëzimit të Jezuit: «Falas morët, falas jepni.»—Mat. 10:8.

Një skuadër përkthimi përgatit botime në gjermanishten e veriut (Shih paragrafin 10.)

Botimet në gjermanishten e veriut përdoren në Paraguai (Shih edhe figurën hapëse.)

11, 12. Si ka ndikuar për mirë te të tjerët vepra mbarëbotërore e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait?

11 Si predikues dhe mësues të përkushtuar, Dëshmitarët e Jehovait janë aq të bindur se kanë gjetur të vërtetën, sa bëjnë sakrifica kolosale që t’ua japin këtë mesazh njerëzve të kombeve e grupeve të tjera etnike. Shumë kanë thjeshtuar jetën, kanë mësuar një gjuhë të huaj dhe janë përshtatur me një kulturë tjetër që të marrin pjesë në këtë aktivitet jetësor. Kjo vepër ndërkombëtare predikimi dhe mësimi është diçka tjetër që ua mbush mendjen mjaft vetave se Dëshmitarët e Jehovait janë dishepujt e vërtetë të Krishtit Jezu.

12 Dëshmitarët e bëjnë gjithë këtë ngaqë janë plotësisht të bindur se kanë gjetur të vërtetën. Por ç’gjë tjetër i ka bindur miliona njerëz se Dëshmitarët e Jehovait kanë të vërtetën?—Lexo Romakëve 14:17, 18.

PSE BESOJNË SE KANË TË VËRTETËN

13. Si e kanë mbajtur të pastër Dëshmitarët organizatën e tyre?

13 Mund të nxjerrim dobi nga ajo që thonë Dëshmitarë të përkushtuar, të bindur se kanë të vërtetën. Një vëlla që i ka shërbyer Jehovait prej shumë vitesh, u shpreh: «Bëhet çmos për ta ruajtur organizatën e Jehovait të pastër e të pandotur moralisht, pa mbajtur me hatër askënd që duhet këshilluar a disiplinuar.» Si arrihet ky standard moral i lartë? Duke ndjekur normat e Fjalës së Perëndisë dhe modelin që lanë Jezui e dishepujt. Prandaj, në historinë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait, relativisht pak veta janë përjashtuar nga kongregacioni, sepse me dashje nuk i respektonin normat e Perëndisë. Pjesa dërrmuese bëjnë një jetë të pastër e shembullore. Disa prej tyre dikur bënin një jetë që Perëndia s’e miratonte, por ndryshuan.—Lexo 1 Korintasve 6:9-11.

14. Çfarë kanë bërë shumë të përjashtuar, dhe me ç’rezultat?

14 Ç’të themi për ata që është dashur të përjashtohen, ngaqë kongregacioni i është bindur drejtimit të Shkrimeve? Mijëra janë penduar për veprimet e paperëndishme dhe kongregacioni i ka pritur krahëhapur kur janë kthyer. (Lexo 2 Korintasve 2:6-8.) Ngaqë zbaton normat e larta të Biblës, kongregacioni i krishterë mbetet i pastër. Kjo na ngjall besim e siguri se gëzon miratimin e Perëndisë. Vetë fakti që Dëshmitarët e Jehovait i respektojnë normat e Perëndisë—në kontrast të thellë me qëndrimin liberal aq të zakonshëm në shumë kisha—i ka bindur mjaft njerëz se ky grup jeton sipas të vërtetës.

15. Çfarë e ka bindur një vëlla se ka të vërtetën?

15 Pse Dëshmitarë të tjerë me përvojë besojnë se kanë gjetur të vërtetën? Një vëlla në të 50-at shpjegoi: «Që në adoleshencë isha i bindur se besimi im mbështetej në tri shtylla kryesore: (1) Perëndia ekziston; (2) ai frymëzoi Biblën; dhe (3) sot po përdor e po bekon kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa studioja në rrjedhën e viteve, gjithmonë përpiqesha t’i vija në provë këto shtylla dhe pyesja veten nëse kishin themele të forta. Vit pas viti janë shtuar ndjeshëm dëshmitë për secilën prej tyre. Kështu më është forcuar besimi e më është thelluar bindja se pa diskutim kemi të vërtetën.»

16. Cilat aspekte të së vërtetës i kanë lënë mbresa një motre?

16 Një motër e martuar që shërben në selinë botërore në Nju-Jork, u shpreh kështu për organizatën e Jehovait: «Është e vetmja që shpall e paepur emrin e Jehovait. Kjo është me vend përderisa emri hyjnor del rreth 7.000 herë në Bibël. Më jep zemër edhe ajo që thuhet te 2 Kronikave 16:9: ‘Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.’» Më tej shton: «E vërteta më ka mësuar si t’i shërbej Jehovait me gjithë zemër që ai ta tregojë pa rezerva forcën e tij për të mirën time. Marrëdhënia me Jehovain është shumë e vyer për mua. Çmoj edhe rolin e Jezuit që më ndihmon të kem njohuri të thellë për Perëndinë e kjo më mban gjallë.»

17. Për çfarë është i bindur një ish-ateist, dhe pse?

17 Një ish-ateist rrëfeu: «Krijimi ma mbush mendjen se Perëndia do që njerëzit ta gëzojnë jetën, prandaj nuk do të lejojë që vuajtjet të vazhdojnë pafundësisht. Veç kësaj, ndërsa bota kridhet gjithnjë e më thellë në paperëndishmëri, populli i Jehovait përparon në besim, në zell e në dashuri. Vetëm fryma e Jehovait mund ta bëjë këtë mrekulli të kohëve moderne.»—Lexo 1 Pjetrit 4:1-4.

18. Pse dy vëllezër janë të bindur se kanë të vërtetën? Si ndihesh për këtë?

18 Një tjetër vëlla që është Dëshmitar prej vitesh, radhit këto arsye pse beson se ajo që predikojmë është e vërteta: «Studimi ndër vite më ka bindur se Dëshmitarët janë përpjekur me gjithë zemër të kthehen te modeli i krishterimit në shekullin e parë. Këtë e kam parë me sytë e mi ndërsa kam shëtitur botën dhe kam shijuar unitetin mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait. E vërteta e Biblës më ka mbushur me lumturi.» Një vëlla mbi 60 vjeç e pyetën pse ishte i bindur se kishte gjetur të vërtetën. Ai u përqendrua te figura e Jezu Krishtit, dhe tha: «E kemi studiuar me bisturi jetën dhe shërbimin e Jezuit, ndaj e vlerësojmë shembullin e tij. Kemi bërë ndryshime në jetë që t’i afrohemi më shumë Perëndisë nëpërmjet Krishtit Jezu. Kemi pranuar se flijimi shpërblyes i Krishtit është baza për shpëtim. Dimë edhe se u ringjall pasi kemi dëshmi të besueshme nga ata që e panë me sytë e tyre këtë.»—Lexo 1 Korintasve 15:3-8.

FOL PËR TË VËRTETËN

19, 20. (a) Cilën përgjegjësi i theksoi Pavli kongregacionit të Romës? (b) Çfarë privilegji kemi si shërbëtorë të kushtuar?

19 Si shërbëtorë të Jehovait, i duam njerëzit prandaj s’mund ta mbajmë për vete njohurinë e çmuar për të vërtetën. Pavli arsyetoi kështu me vëllezërit në kongregacionin e Romës: «Po të shpallësh publikisht atë ‘fjalë në gojën tënde’, se Jezui është Zotëri dhe po të tregosh besim në zemrën tënde se Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit, do të shpëtosh. Në të vërtetë, me zemër njeriu tregon besim, që të çon në drejtësi, por me gojë bën publikisht shpalljen, që të çon në shpëtim.»—Rom. 10:9, 10.

20 Si Dëshmitarë të kushtuar të Jehovait jemi plotësisht të bindur se kemi të vërtetën dhe e dimë mirë se është privilegj t’u mësojmë të tjerëve lajmin e mirë për qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë. Ndërsa vazhdojmë të kryejmë caktimin për të predikuar, shpresojmë që njerëzve t’u lërë mbresë jo vetëm ajo që u mësojmë nga Bibla, por edhe bindja jonë e flaktë se kemi të vërtetën.

^ par. 3 Shih librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 191-198, 448-454, anglisht.