Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prind—Ji bari i mirë për fëmijët

Prind—Ji bari i mirë për fëmijët

«Duhet ta njohësh mirë gjendjen e kopesë sate.»PROV. 27:23.

1, 2. (a) Ç’përgjegjësi kishte një bari izraelit? (b) Ku ngjajnë prindërit me barinjtë?

BARINJTË në Izraelin e lashtë bënin jetë intensive. Jo vetëm duronin vapën dhe acarin, por edhe mbronin kopenë nga grabitqarët, qoftë kafshë, qoftë njerëz. I kontrollonin rregullisht delet dhe mjekonin një më një të sëmurat e të plagosurat. U kushtonin vëmendje të veçantë qengjave të brishtë që nuk kishin aq fuqi sa delet.—Zan. 33:13.

2 Në disa aspekte, prindërit e krishterë janë si barinjtë, sepse shfaqin cilësi që u duhen këtyre. Kanë përgjegjësinë t’i rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) A është e kollajtë kjo? Aspak! Fëmijët sulmohen pareshtur nga propaganda satanike dhe kanë papërsosmëritë e veta. (2 Tim. 2:22; 1 Gjon. 2:16) Nëse ke fëmijë, si mund t’i ndihmosh? Le të shqyrtojmë tri gjëra se si të jesh bari i mirë për fëmijët—t’i njohësh, t’i ushqesh dhe t’u prish rrugën.

NJIHI FËMIJËT E TU

3. Si mund ‘ta njohin gjendjen’ e fëmijëve prindërit?

3 Një bari i mirë e këqyr me kujdes çdo dele që të sigurohet se është e shëndetshme. Në kuptim të figurshëm, mund të veprosh po njësoj me fëmijët e tu. Bibla thotë: «Duhet ta njohësh mirë gjendjen e kopesë sate.» (Prov. 27:23) Për këtë duhet të kesh parasysh jo vetëm çfarë bëjnë fëmijët, por edhe si mendojnë e si ndihen. Si t’ia dalësh? Bisedat e shpeshta bëjnë shumë punë.

4, 5. (a) Cilat janë disa sugjerime praktike që fëmijët t’u hapen prindërve? (Shih figurën hapëse.) (b) Si ke vepruar që fëmijët të mos ngurrojnë të flasin me ty?

4 Disa prindër kanë vërejtur se komunikimi vështirësohet kur fëmijët hyjnë në adoleshencë. Atëherë mund të priren të mbyllen në guaskën e tyre e të ndihen në siklet t’i shprehin lirshëm ndjenjat e mendimet. Ç’mund të bësh nëse është kështu edhe me fëmijët e tu? Në vend që t’i detyrosh të bëjnë biseda serioze të stërgjata, përpiqu të shfrytëzosh raste të jetës së përditshme. (Ligj. 6:6, 7) Mbase duhet të përpiqesh ca më tepër të bëni gjëra së bashku. Mund të dilni për një shëtitje ose një xhiro me makinë, të bëni ndonjë lojë bashkë ose ndonjë punë në shtëpi. Në rrethana të tilla normale adoleshentët mund të ndihen më rehat e t’u vijë natyrshëm të hapen.

5 Po nëse fëmijët ende ngurrojnë të shprehen? Atëherë mund të provosh diçka tjetër. Për shembull, në vend që ta pyesësh vajzën si e kaloi ditën ajo, tregoji si e kalove ti. Ka gjasa që më pas të të tregojë nja dy gjëra nga dita e saj. Ose që të zbulosh si mendon fëmija për diçka, bëji pyetje që nuk e vënë në pozitë. Mund ta pyesësh si mendon për këtë temë dikush nga shoqëria e vet. Pastaj mund ta pyesësh çfarë këshille do t’i jepte.

6. Si e dallojnë fëmijët se nuk je gjithmonë tepër i zënë dhe mund të flasin rehat me ty?

6 S’diskutohet, që fëmijët të të hapen, së pari duhet të ndiejnë se je gjithmonë aty për ta dhe se mund të flasin rehat me ty. Kur duket sikur prindërit janë tepër të zënë për të folur, ka të ngjarë që fëmijët të mos ua tregojnë telashet e tyre. Çfarë mund të bësh që fëmijët të flasin rehat me ty? Nuk mjafton vetëm të thuash: «Mund të flasim kur të duash, pa problem.» Adoleshentët duhet të ndihen të sigurt se as do t’i shpërfillësh problemet e tyre, as do t’i dramatizosh. Shumë prindër lënë një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Kejla 19-vjeçare thotë: «Me babin mund të flas për çdo gjë. Nuk ma pret fjalën në mes dhe nuk më kritikon; thjesht më dëgjon. Pastaj gjithmonë më jep këshillën më të mirë.»

7. (a) Si mund të tregojë ekuilibër prindi për tema, si shoqërimi me dikë të seksit tjetër? (b) Si mund t’i acarojnë pa dashje prindërit fëmijët?

7 Edhe në biseda delikate—si për shembull, shoqërimi me dikë të seksit tjetër—ki kujdes të mos i mbytësh aq shumë me paralajmërime, sa të mos u tregosh mënyrën e duhur si të veprojnë. Ta ilustrojmë: zëre se shkon në një restorant dhe vëren se menuja ka vetëm paralajmërime për helmimin nga ushqimi. Ka të ngjarë që do të shkoje me vrap në një restorant tjetër. Edhe fëmijët mund të reagojnë njësoj nëse, kur të kërkojnë këshilla, ti ke në «menu» vetëm një listë me paralajmërime të prera. (Lexo Kolosianëve 3:21.) Më mirë përpiqu të tregosh ekuilibër. Emilia, një motër e re, shprehet: «Kur bisedoj me prindërit për shoqërimin me ndonjë djalë, nuk paraqesin vetëm të zezat. Theksojnë çfarë gëzimi provon ndërsa njeh mirë dikë dhe gjen shokun e jetës. Kjo më ka ndihmuar të ndihem rehat kur flas me ta për këtë temë. Të them të drejtën dua që të jenë në dijeni të çdo lidhjeje që krijoj e të mos u fsheh asgjë.»

8, 9. (a) Ç’të mira ka po t’i dëgjosh fëmijët deri në fund? (b) Si ia ke dalë t’i dëgjosh me vëmendje fëmijët?

8 Siç tregon komenti i Kejlës, fëmijët ndihen rehat të flasin me ty kur i dëgjon me durim. (Lexo Jakovin 1:19.) Katia, që po e rrit e vetme të bijën, pranon: «S’kisha pikë durimi me vajzën. Nuk e lija ta çonte deri në fund fjalën. Ose isha tepër e lodhur, ose nuk kisha fare nerva. Tani që sillem ndryshe, edhe vajza sillet ndryshe me mua. Është bërë goxha më bashkëpunuese.»

Dëgjo me vëmendje që t’i njohësh (Shih paragrafët 3-9.)

9 Një baba që quhet Ronald pati një përvojë të ngjashme me vajzën adoleshente. Ai tregon: «Kur më tha se i kishte rënë në kokë për një djalë në klasë, më iku truri. Por bluajta në mend si tregohet i duruar e i arsyeshëm Jehovai me shërbëtorët e tij. Thashë me vete që më mirë ta lija vajzën të shprehte ndjenjat deri në fund para se ta ndreqja. Shyqyr që bëra kështu! Për herë të parë kuptova si ndihej ime bijë. Kur mbaroi, e kisha më të lehtë t’i flitja me ngrohtësi. Çuditërisht i priti shumë mirë këshillat dhe tha se donte me gjithë zemër të ndryshonte sjellje.» Bisedat e shpeshta me fëmijët të japin mundësi të hysh në botën e tyre. Kështu mund t’i ndihmosh më tepër për vendimet që marrin në jetë. *

USHQEJI FËMIJËT E TU

10, 11. Si mund t’i ndihmosh fëmijët të mos shkasin në rrugë të rrezikshme?

10 Një bari i mirë e di se çdo dele mund të largohet nga kopeja pa e kuptuar. Mbase e tërheq një tufë bari diku afër, pastaj një tjetër pakëz më tutje, derisa ndahet fare nga kopeja. Po kështu një fëmijë dalëngadalë mund të shkasë në një rrugë të rrezikshme frymësisht, i tunduar nga shoqëritë e këqija ose zbavitjet e degjeneruara. (Prov. 13:20) Si mund ta parandalosh këtë?

11 Kur mëson fëmijët, vepro në çast nëse nuhat ndonjë pikë të dobët. Ndihmoji të forcojnë cilësitë e krishtere që tashmë kanë. (2 Pjet. 1:5-8) Një moment i shkëlqyer për këtë është adhurimi familjar i rregullt. Duke përshkruar këtë masë, Shërbimi ynë i Mbretërisë i tetorit 2008 thoshte: «Kryefamiljarët janë të inkurajuar të marrin përgjegjësinë e tyre para Jehovait dhe të sigurohen që familja të ndjekë një program të rregullt e domethënës të studimit të Biblës.» A po përfiton plotësisht nga kjo masë e dashur që të jesh bari i mirë për fëmijët? Ki besim se ata janë thellësisht mirënjohës kur vë në vend të parë nevojat e tyre frymore.—Mat. 5:3; Filip. 1:10.

Ushqeji mirë (Shih paragrafët 10-12.)

12. (a) Si kanë nxjerrë dobi disa të rinj nga adhurimi familjar i rregullt? (Përfshi kutinë « Pse u pëlqen».) (b) Si ke nxjerrë dobi ti vetë nga adhurimi familjar?

12 Ja çfarë tha një adoleshente me emrin Klarisa për dobitë që nxjerrin si familje nga Adhurimi Familjar: «Sa qejf kam që mund të ulemi të gjithë bashkë dhe të bisedojmë. Kështu lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe krijohen kujtime të bukura. Babi nuk e lë asnjëherë pas dore Adhurimin Familjar. Inkurajohem kur shoh se ai e merr seriozisht. Kjo më nxit ta marr seriozisht edhe unë. Gjithashtu, më rritet respekti për të si baba dhe si kreu frymor.» Një motër e re që quhet Britni, komentoi: «Adhurimi familjar më ka afruar më tepër me prindërit. Ndiej se duan t’i dëgjojnë problemet e mia e merakosen vërtet për mua. Adhurimi na ndihmon të jemi një familje e fortë dhe e bashkuar.» S’diskutohet, t’i ushqesh frymësisht fëmijët, sidomos me anë të adhurimit familjar, është një mënyrë thelbësore që të jesh bari i mirë. *

PRIJU RRUGËN FËMIJËVE

13. Çfarë mund ta nxitë një fëmijë t’i shërbejë Jehovait?

13 Një bari i mirë përdor një kërrabë që ta drejtojë kopenë e ta mbrojë. Një nga synimet e tij kryesore është t’i prijë për në «kullota të mira». (Ezek. 34:13, 14) Ti prind, a nuk ke një synim frymor të ngjashëm? Pa dyshim dëshiron t’u prish rrugën fëmijëve që t’i shërbejnë Jehovait. Do që fëmijët e tu të ndihen si psalmisti që shkroi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» (Psal. 40:8) Fëmijët që zhvillojnë këtë çmueshmëri, do t’ia kushtojnë jetën Jehovait e do të pagëzohen. Qartë, këtë vendim duhet ta marrin kur të jenë mjaft të pjekur dhe të duan me gjithë zemër t’i shërbejnë Jehovait.

14, 15. (a) Çfarë synimi duhet të kenë prindërit e krishterë? (b) Pse një adoleshent mund të shprehë dyshime për adhurimin e vërtetë?

14 Po nëse duket sikur fëmijët e tu nuk po përparojnë frymësisht e madje dallon se kanë ca dyshime? Përpiqu t’u rrënjosësh dashurinë për Perëndinë Jehova dhe mirënjohjen për gjithë sa ka bërë ai. (Zbul. 4:11) Më vonë, kur të vijë momenti të vendosin nëse do ta adhurojnë Perëndinë, do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.

15 Po sikur ndërkohë fëmijët të fillojnë t’i shprehin hapur dyshimet? Si mund të jesh bari i mirë e t’i ndihmosh të kuptojnë se shërbimi i Jehovait është jeta më fantastike dhe do t’u sjellë lumturi të pafundme? Mundohu të dallosh arsyen që qëndron pas dyshimeve të tyre. Për shembull, a ka vërtet problem me mësimet e Biblës yt bir, apo ndihet i pasigurt kur mendon si do t’i mbrojë para shokëve? A mendon vërtet vajza jote se normat e Perëndisë janë të kota, apo thjesht ndihet e vetmuar ose e mënjanuar?

Priju udhën (Shih paragrafët 13-18.)

16, 17. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët ta bëjnë të tyren të vërtetën?

16 Cilado qoftë arsyeja, mund ta ndihmosh fëmijën të kuptojë nga vijnë dyshimet dhe t’i kapërcejë. Po si? Që fëmijët t’u hapen, shumë prindërve u janë dukur të udhës dhe praktike këto pyetje: «A të duket e vështirë të jesh Dëshmitar? Ç’të mira ke nga kjo? Nga çfarë duhet të heqësh dorë? Ato që ke humbur, a nuk janë hiçgjë para të mirave të shumta që ke tani dhe pret në të ardhmen? Pse thua kështu?» Natyrisht, këto pyetje duhet t’i shprehësh me fjalët e tua dhe ëmbël, që fëmija ta kuptojë se i do të mirën e të mos ndihet sikur po e merr në pyetje. Gjatë bisedës mund të diskutoni për Markun 10:29, 30. Disa të rinjve ndoshta u vjen për mbarë t’i shkruajnë mendimet në dy kolona—njëra për gjërat nga të cilat heqin dorë e tjetra për të mirat. Kur e shohin në letër këtë shqyrtim, mund të dallojnë ku ka ndonjë problem e si të gjejnë zgjidhje. Nëse i studiojmë me të interesuarit librat Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe Dashuria e Perëndisë, aq më tepër duhet t’i studiojmë me fëmijët tanë. A po e bën këtë?

17 Me kohë, fëmijët duhet të marrin vetë vendimin se kujt do t’i shërbejnë. Mos pandeh se do ta përvetësojnë vetiu fenë tënde si me ndonjë mrekulli. Duhet ta bëjnë të tyren të vërtetën. (Prov. 3:1, 2) Nëse sheh se fëmija e ka të vështirë këtë, pse të mos rishikoni bashkë mësimet elementare? Ndihmoje të arsyetojë për pyetje të tilla: «Nga e di unë se ka Zot? Çfarë më bind mua se jam i vyer për Perëndinë Jehova? Pse besoj se normat e Jehovait janë vërtet për të mirën time?» Bëhu bari i mirë duke i drejtuar me durim fëmijët që të provojnë se bindja ndaj Jehovait është udha më e bukur në jetë. *Rom. 12:2.

18. Si mund ta imitojnë prindërit Jehovain, Bariun më të Madh?

18 Të gjithë ne si të krishterë të vërtetë duam të imitojmë Bariun më të Madh. (Efes. 5:1; 1 Pjet. 2:25) Sidomos prindërit duhet të njohin gjendjen e kopesë së tyre—të fëmijëve të shtrenjtë—e të bëjnë të pamundurën t’u prijnë drejt bekimeve që ruan Jehovai për ta. E pra, bëj çmos të jesh bari i mirë për fëmijët e tu, duke vazhduar t’i rritësh në udhën e së vërtetës!

^ par. 12 Për më shumë informacion, shih artikullin «Adhurimi familjar—Thelbësor për të mbijetuar» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 2009, faqet 29-31.