Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po «synon» të bësh më tepër?

A po «synon» të bësh më tepër?

FERNANDOJA * ishte në ankth. Dy pleqtë e kishin thirrur të flitnin me të veçmas. Disa herë me radhë pas vizitës së mbikëqyrësit, pleqtë i kishin shpjeguar çfarë duhej të bënte që të kualifikohej për më shumë privilegje në kongregacion. Koha kalonte dhe Fernandoja nisi të dyshonte nëse do të emërohej ndonjë ditë si plak. Mbikëqyrësi sapo e kishte vizituar përsëri kongregacionin. Po tani, çfarë do t’i thoshin pleqtë?

Fernandoja dëgjonte teksa njëri prej tyre i fliste. Vëllai i përmendi 1 Timoteut 3:1 dhe i tha se pleqtë e kongregacionit kishin marrë një letër se Fernandoja ishte emëruar plak. Ai drejtoi trupin dhe ia ktheu: «Çfarë thua?!» Vëllai i përsëriti të njëjtat fjalë dhe Fernandoja u çel në fytyrë. Më vonë, kur emërimi u njoftua në kongregacion, të gjithë ishin buzagaz.

A ka ndonjë të keqe të dëshirosh privilegje në kongregacion? Aspak! Sipas 1 Timoteut 3:1 «kush synon detyrën e mbikëqyrësit, dëshiron një punë të shkëlqyer». Shumë vëllezër ia vënë veshin këtij inkurajimi dhe bëjnë përparim frymor që të kualifikohen për privilegje në kongregacion. Si pasojë, populli i Perëndisë është bekuar me dhjetëra mijë pleq dhe shërbëtorë ndihmës të zotë. Mirëpo, ngaqë kongregacionet po rriten, ka nevojë që akoma më shumë vëllezër të synojnë të bëjnë më tepër. Cila është mënyra e duhur për ta arritur këtë? Dhe, ashtu si Fernandoja, a duhet t’u rrijë mendja te privilegji vëllezërve që e synojnë këtë detyrë?

ÇFARË DO TË THOTË ‘TË SYNOSH’?

Fjala «synon» në Bibël është përkthyer nga një folje në greqisht që do të thotë të digjesh nga dëshira, të shtrish dorën. Kjo mund të na sjellë ndër mend dikë që zgjat dorën me gjithë forcën për të kapur në pemë një frutë që ia bën me sy. Megjithatë, të synosh «detyrën e mbikëqyrësit» nuk do të thotë ta lakmosh. Pse jo? Sepse ata që interesohen sinqerisht të shërbejnë si pleq, duhet të synojnë të bëjnë «një punë të shkëlqyer» dhe jo të kenë ndonjë pozitë.

Shumë nga kërkesat për këtë punë të shkëlqyer renditen te 1 Timoteut 3:2-7 dhe Titit 1:5-9. Duke folur për këto norma të larta, Rajmondi, që shërben prej kohësh si plak, shprehet: «Për mua ajo që ka rëndësi, është ç’njerëz jemi. Oratoria dhe mësimdhënia janë të rëndësishme, por këto nuk e lënë në hije nevojën për të qenë të paqortueshëm, të përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, të rregullt, mikpritës dhe të arsyeshëm.»

‘Syno’ duke bashkëpunuar në kongregacion në lloj-lloj mënyrash

Një vëlla që e synon vërtet këtë punë tregon se është i paqortueshëm, duke shmangur çdo lloj pandershmërie dhe papastërtie. Është i përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, i rregullt dhe i arsyeshëm. Prandaj, bashkadhuruesit i mbajnë sytë tek ai që t’u japë drejtim dhe t’i ndihmojë kur hasin probleme. Ngaqë është mikpritës, ai bëhet burim inkurajimi për të rinjtë në të vërtetën dhe në moshë. Ngushëllon e mbështet të sëmurët dhe të moshuarit, sepse do mirësinë. Këto cilësi i zhvillon që të jetë i dobishëm për të tjerët, e jo që të arrijë me çdo kusht emërimin. *

Trupi i pleqve me kënaqësi i jep këshilla dhe inkurajim, por pjesën kryesore për të plotësuar kërkesat biblike e ka vetë vëllai që synon të bëjë më tepër. Henri, një plak me përvojë, thotë: «Në qoftë se ke synime, puno fort që të japësh prova se je i kualifikuar.» Duke iu referuar Eklisiastiut 9:10, shpjegon: «‘Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde.’ Cilido qoftë caktimi që të japin pleqtë, bëj më të mirën. Shijo çdo punë që të caktohet në kongregacion, madje edhe kur pastron dyshemenë. Me kohë, puna dhe përpjekjet do të vlerësohen.» Nëse një ditë do që të shërbesh si plak, ji i palodhur dhe i besueshëm në të gjitha aspektet e shërbimit të shenjtë. Duhet të njihesh si njeri i përulur, e jo si krenar e ambicioz.—Mat. 23:8-12.

FLAKI TEJ MENDIMET DHE VEPRIMET E GABUARA

Disa që duan të kenë privilegje në kongregacion mund të priren ta shprehin larg e larg këtë dëshirë ose t’i mbushin mendjen trupit të pleqve se janë të aftë. Të tjerë inatosen kur pleqtë u japin ndonjë këshillë. Këta duhet të pyesin veten: «A kam hallin e interesave të mia, apo me përulësi dua të kujdesem për delet e Jehovait?»

Ata që synojnë të bëjnë më tepër, nuk duhet të harrojnë se një kërkesë tjetër për pleqtë është ‘të bëhen shembuj për kopenë’. (1 Pjet. 5:1-3) Ai që është shembull në kongregacion nuk i lë shteg ndonjë mendimi a veprimi shtinjak. Përpiqet të jetë i qëndrueshëm e i durueshëm, pavarësisht nëse është i emëruar apo jo. Emërimi si plak nuk bën ndonjë mrekulli që e çliron vëllanë nga të gjitha të metat. (Num. 12:3; Psal. 106:32, 33) Edhe pse ‘ndërgjegjja nuk e padit për asgjë’, të tjerët mund të kenë ndonjë arsye për ta parë ndryshe. (1 Kor. 4:4, Filipaj) Prandaj, nëse pleqtë të japin një këshillë të sinqertë, të bazuar në Bibël, përpiqu t’i dëgjosh pa u acaruar. Pastaj bëj çmos ta zbatosh.

PO NËSE PRITJA ZGJAT SHUMË?

Mjaft vëllezërve u duket sikur po presin gjatë derisa të emërohen. Nëse ke disa vjet që «synon detyrën e mbikëqyrësit», a të ka zënë nganjëherë ankthi nga pritja? Nëse po, vëre këto fjalë të frymëzuara: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën, kurse dëshira është si një pemë jete, kur plotësohet.»—Prov. 13:12.

Kur një synim që e dëshirojmë prej kohësh duket i paarritshëm, mund të na ligështohet zemra. Kështu u ndie Abrahami. Jehovai i premtoi t’i jepte një djalë, por për vite me radhë ai dhe Sara nuk patën fëmijë. (Zan. 12:1-3, 7) Në moshë të shkuar, Abrahami tha i dëshpëruar: «Zotëri Sovran Jehova, ç’do të më japësh? Unë po shkoj e jam ende pa fëmijë . . . ti s’më ke dhënë pasardhës.» Jehovai e siguroi se premtimi i Tij për një bir do të plotësohej. Megjithatë, kaluan të paktën edhe 14 vjet para se fjala e Perëndisë të plotësohej.—Zan. 15:2-4; 16:16; 21:5.

Ndërsa Abrahami priste, a e humbi gëzimin në shërbimin ndaj Jehovait? Jo. Ai nuk dyshoi aspak te premtimi i Perëndisë. I mbante sytë te një fund i mirë. Apostulli Pavël shkroi: «Pasi kishte treguar durim, Abrahami e mori këtë premtim.» (Hebr. 6:15) Si përfundim, Perëndia i Plotfuqishëm e bekoi këtë njeri besnik ku e ku më shumë nga sa e imagjinonte. Çfarë mund të mësosh nga Abrahami?

Në qoftë se ke dëshiruar prej vitesh të shërbesh si plak por s’je bërë akoma, vazhdo të kesh besim te Jehovai. Mos e humb gëzimin në shërbimin ndaj tij. Uorreni, që ka ndihmuar shumë vëllezër të përparojnë frymësisht, shpjegon pse: «Nuk mund të përshpejtohet procesi që e kualifikon dikë për ta emëruar. Ndërsa koha kalon, aftësitë dhe qëndrimi i vëllait zbulohen avash-avash nga mënyra si sillet dhe si kujdeset për caktimet. Disa besojnë se mund të quhen të suksesshëm vetëm nëse arrijnë të kenë këtë privilegj ose emërim. Mendime të tilla nuk janë të drejta dhe mund të kthehen në fiksim. Kudo qofsh dhe çfarëdo të jesh duke bërë, je i suksesshëm nëse i shërben besnikërisht Jehovait.»

Një vëlla priti më se një dekadë derisa u emërua plak. Duke përmendur përshkrimin e njohur te kapitulli 1 i librit të Ezekielit, ai tregon mësimin që nxori: «Jehovai e nget karrocën, organizatën e tij, me një shpejtësi që e zgjedh vetë. Nuk ka rëndësi si e matim ne kohën, por si e mat Jehovai. Kur bëhet fjalë për dëshirën që të shërbej si plak, jo gjithçka sillet rreth meje—rreth asaj që dua ose asaj që shpresoj të bëhem. Jehovai e di çfarë më duhet vërtet dhe kjo mund të mos jetë ajo që dua unë.»

Nëse një ditë do që të bësh punën e shkëlqyer si mbikëqyrës i krishterë, ec drejt këtij synimi duke u përpjekur t’ia shtosh lumturinë kongregacionit. Po qe se mendon se koha po zvarritet, lufto ankthin e padurimin. Rajmondi, i përmendur më sipër, thotë: «Ambicia është armik i kënaqësisë. Ata që janë gjithmonë të paduruar nuk provojnë gëzimin e thellë që vjen duke i shërbyer Jehovait.» Zhvilloji më plotësisht aspektet e frytit të frymës së Perëndisë, sidomos shpirtgjerësinë, ose durimin. Përpiqu të përmirësosh gjendjen frymore me anë të studimit personal të Shkrimeve. Merr më shumë pjesë në predikimin e lajmit të mirë dhe në drejtimin e studimeve biblike me të interesuarit. Mos lër pas dore adhurimin familjar dhe merr drejtimin në aktivitetet frymore të familjes. Gëzo çdo mundësi për të ndenjur me vëllezër e motra. Ndërsa ecën drejt synimit, do ta shijosh udhëtimin.

Jehovai të jep mundësinë e çmuar të punosh që të kualifikohesh për privilegje në kongregacion. As ai, as organizata e tij nuk duan që, kush synon të bëjë më tepër, të zhgënjehet a të mërzitet ndërsa i shërben. Perëndia i mbështet dhe i bekon të gjithë ata që i shërbejnë me motive të pastra. Siç është e vërtetë për tërë bekimet e tij, «ai nuk shton asnjë dhembje».—Prov. 10:22.

Edhe sikur të kesh kohë që po synon ndonjë privilegj, akoma mund të bësh përparim të shkëlqyer frymor. Ndërsa përpiqesh të zhvillosh cilësi të domosdoshme dhe të punosh fort në kongregacion pa lënë pas dore familjen, do t’i bësh vetes një emër që nuk do të harrohet kurrë. Shërbimi ndaj Jehovait qoftë gjithmonë i këndshëm për ty, çfarëdo caktimi të kesh!

^ par. 2 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 8 Parimet që përmenden në këtë artikull vlejnë edhe për ata që duan të shërbejnë si shërbëtorë ndihmës. Kërkesat që duhet të plotësojnë janë te 1 Timoteut 3:8-10, 12, 13.