Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të jemi të shenjtë?

Pse duhet të jemi të shenjtë?

«Jini të shenjtë!»LEV. 11:45.

1. Si mund të na ndihmojë libri i Levitikut?

NË LIBRIN e Levitikut, shenjtëria përmendet më shpesh se në çdo libër tjetër të Biblës. Nga gjithë adhuruesit e vërtetë të Jehovait kërkohet të jenë të shenjtë, domethënë të pastër nga ana frymore, morale e fizike. Po ta kuptojmë dhe ta vlerësojmë Levitikun, do ta kemi më të lehtë t’i bindemi këtij urdhri.

2. Cilat janë disa veçori të Levitikut?

2 Libri i Levitikut, i shkruar nga profeti Moisi, bën pjesë tek «i gjithë Shkrimi» që është i dobishëm për të mësuar. (2 Tim. 3:16) Emri i Jehovait shfaqet mesatarisht dhjetë herë në çdo kapitull. Nëse kapim frymën e Levitikut, do të jemi më të vendosur të shmangim çdo gjë që do të hidhte baltë mbi emrin hyjnor. (Lev. 22:32) Shprehja e përdorur dendur «unë jam Jehovai» duhet të na kujtojë t’i bindemi atij. Në këtë artikull dhe në atë vijues do të kënaqemi me disa xhevahire vezulluese nga Levitiku, një dhuratë e Perëndisë që na ndihmon të jemi të shenjtë ndërsa e adhurojmë.

KËRKOHET SHENJTËRI

3, 4. Çfarë paraqiste larja e Aaronit dhe e bijve të tij? (Shih figurën hapëse.)

3 Lexo Levitikun 8:5, 6. Jehovai zgjodhi Aaronin të shërbente si kryeprift i Izraelit, dhe bijtë e tij të shërbenin si priftërinj për kombin. Aaroni portretizon Jezu Krishtin, kurse bijtë e Aaronit portretizojnë dishepujt e mirosur të Jezuit. Atëherë, a përfaqësonte larja e Aaronit pastrimin e Jezuit? Jo, sepse Jezui ishte pa mëkat dhe «i pandotur», pra nuk kishte nevojë të pastrohej. (Hebr. 7:26; 9:14) Megjithatë, larja e bënte të pastër Aaronin, dhe kjo tregon se Jezui është i dëlirë e i drejtë. Po ç’të themi për larjen e bijve të Aaronit?

4 Ajo paraqet pastrimin e atyre që janë zgjedhur si pjesëtarë të priftërisë qiellore. A ka lidhje larja e bijve të Aaronit me pagëzimin e të mirosurve? Jo. Pagëzimi nuk lan mëkatet, por është simbol i kushtimit pa rezerva ndaj Perëndisë Jehova. Larja e të mirosurve bëhet «me anë të fjalës» dhe kjo kërkon t’i zbatojnë me gjithë zemër mësimet e Krishtit në çdo aspekt të jetës. (Efes. 5:25-27) Kështu shenjtërohen dhe pastrohen. Po ç’të themi për ‘delet e tjera’?Gjoni 10:16.

5. Pse mund të thuhet se delet e tjera pastrohen me anë të Fjalës së Perëndisë?

5 Bijtë e Aaronit nuk portretizojnë ‘shumicën e madhe’ të deleve të tjera të Jezuit. (Zbul. 7:9) Atëherë, a shenjtërohen dhe pastrohen me anë të Fjalës së Perëndisë edhe këta shërbëtorë të pagëzuar me shpresë tokësore? Patjetër që po. Kur lexojnë në Bibël për rëndësinë e gjakut që derdhi Jezui e për dobitë që sjell, tregojnë besim te këto fjalë dhe bëjnë «shërbim të shenjtë ditë e natë». (Zbul. 7:13-15) Të mirosurit dhe delet e tjera pastrohen pareshtur, e kjo duket qartë nga fakti që ‘mbajnë sjellje të shkëlqyer’. (1 Pjet. 2:12) Kushedi sa i kënaqur ndihet Jehovai kur sheh pastërtinë e unitetin e të mirosurve dhe të deleve të tjera, që e dëgjojnë Bariun e tyre, Jezuin, dhe e ndjekin besnikërisht!

6. Pse është mirë të shqyrtojmë veten?

6 Kërkesa që priftëria e Izraelit të ishte e pastër fizikisht ka domethënie të madhe për popullin e Jehovait sot. Atyre që studiojnë Biblën me ne, shpesh u bie në sy sa të pastra janë vendet tona të adhurimit dhe sa të pastër, të rregullt e të veshur hijshëm jemi ne. Sidoqoftë, pastërtia e priftërisë na ndihmon të kuptojmë se kushdo që ngjitet në malin e lartë të adhurimit të Jehovait duhet të ketë «zemrën të pastër». (Lexo Psalmin 24:3, 4; Isa. 2:2, 3.) Ndërsa i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë, duhet të jemi të pastër jo vetëm në trup, por edhe në mendje e zemër. Kjo kërkon vetëshqyrtim të shpeshtë. Më pas, disave mund t’u duhet të bëjnë ndryshime goxha të mëdha që të jenë të shenjtë. (2 Kor. 13:5) Për shembull, një i pagëzuar që sheh me dashje pornografi, duhet të pyesë veten: «A po tregoj vallë se jam i shenjtë?!» Pastaj duhet të kërkojë ndihmë që t’i vërë vizën kësaj praktike të fëlliqur.Jak. 5:14.

TË JEMI TË SHENJTË DUKE TREGUAR BINDJE

7. Çfarë shembulli la Jezui në harmoni me Levitikun 8:22-24?

7 Kur u emërua priftëria e Izraelit, ca nga gjaku i një demi të flijuar u vu në veshin e djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë të kryepriftit Aaron dhe të bijve të tij. (Lexo Levitikun 8:22-24.) Kjo mënyrë e përdorimit të gjakut tregonte se priftërinjtë do të bindeshin e do të jepnin më të mirën për të kryer detyrat e tyre. Po njësoj, Kryeprifti Jezu u la një shembull të përsosur të mirosurve dhe deleve të tjera. Veshi i tij e kapte menjëherë drejtimin e Perëndisë. Duart e Jezuit u përdorën për të kryer vullnetin e Jehovait dhe këmbët e tij nuk u shmangën kurrë nga udha e shenjtë.Gjoni 4:31-34.

8. Ç’duhet të bëjnë të gjithë adhuruesit e Jehovait?

8 Të krishterët e mirosur dhe delet e tjera të Jezuit duhet të ndjekin udhën e integritetit si Kryeprifti i tyre. Të gjithë adhuruesit e Jehovait duhet t’u binden udhëzimeve të Fjalës së Perëndisë, që të mos e hidhërojnë frymën e tij të shenjtë. (Efes. 4:30) Duhet ‘të bëjnë shtigje të drejta për këmbët e tyre’.Hebr. 12:13.

9. Si u shprehën tre vëllezër që kanë punuar ngushtësisht me vëllezër të Trupit Udhëheqës? Si mund të të ndihmojnë komentet e tyre që të vazhdosh të jesh i shenjtë?

9 Të mendojmë për fjalët nga zemra të tre vëllezërve me shpresë tokësore, që për dekada kanë punuar ngushtësisht me vëllezër të Trupit Udhëheqës. Njëri komentoi: «Ky ka qenë vërtet një privilegj shërbimi unik. Gjithsesi, shoqërimi i ditëpërditshëm me ta, hera-herës ka nxjerrë në pah se, edhe pse të mirosur, këta vëllezër janë të papërsosur. Sidoqoftë, një nga synimet e mia ndër vite ka qenë t’u bindem atyre që marrin drejtimin.» Vëllai i dytë tha: «Shkrime si 2 Korintasve 10:5, që theksojnë ‘bindjen ndaj Krishtit’, më kanë ndihmuar të bindem e të bashkëpunoj me ata që marrin drejtimin. Kjo bindje buron nga zemra.» Vëllai i tretë u shpreh: «Të duash gjërat që do Jehovai dhe të urresh gjërat që urren ai, si dhe të kërkosh vazhdimisht drejtimin e tij e të bësh çka i pëlqen—këto kërkojnë bindje ndaj organizatës dhe atyre që po përdor ai për të çuar para qëllimin e tij për tokën.» Ky vëlla mori vesh se Nejthën Nori, që u bë pjesëtar i Trupit Udhëheqës, i kishte pranuar menjëherë ca shpjegime nga artikulli «Lindja e kombit» në Kullën e Rojës 1925, ndonëse disa të tjerë i kishin vënë në dyshim. Një bindje e tillë i la mbresa të thella vëllait. Po të bluash në mend fjalët e sapocituara të tre vëllezërve, do ta kesh më të lehtë të jesh i shenjtë duke treguar bindje.

BINDJE E SHENJTË NDAJ LIGJIT TË PERËNDISË PËR GJAKUN

10. Sa rëndësi ka t’i bindemi ligjit të Perëndisë për gjakun?

10 Lexo Levitikun 17:10. Jehovai i ndaloi rreptësisht izraelitët të hanin «çfarëdolloj gjaku». Edhe të krishterët urdhërohen t’i rrinë larg gjakut, qoftë të kafshëve, qoftë të njeriut. (Vep. 15:28, 29) Na tmerron ideja që Perëndia ‘të kthehet kundër nesh’ dhe të na shfarosë, ose të na heqë, nga kongregacioni. E duam Jehovain dhe i bindemi me dëshirë. Edhe përballë ndonjë situate kërcënuese për jetën, jemi të vendosur të mos dorëzohemi para presioneve dhe urdhrave të atyre që s’e njohin Jehovain e as u bie ndër mend t’i binden. Ne presim tallje ngaqë ndjekim urdhrin për të ndenjur larg gjakut, ama zgjedhim bindjen ndaj Perëndisë. (Jud. 17, 18) Cila pikëpamje do të na ndihmojë ‘të tregohemi shumë të vendosur’ të mos hamë gjak ose të mos pranojmë transfuzion gjaku?Ligj. 12:23.

11. Pse mund të themi se Dita e përvitshme e Shlyerjes nuk ishte thjesht rit?

11 Nga mënyra si e përdorte kryeprifti i Izraelit të lashtë gjakun e kafshëve Ditën e përvitshme të Shlyerjes dallojmë pikëpamjen e Perëndisë për gjakun. Ai mund të përdorej vetëm për një qëllim të veçantë. Me të shlyheshin mëkatet e atyre që kërkonin faljen e Jehovait. Me gjakun e demit dhe të cjapit duhej spërkatur vendi para kapakut të arkës së besëlidhjes. (Lev. 16:14, 15, 19) Ky veprim hapte rrugën që Jehovai t’u falte mëkatet izraelitëve. Përveç kësaj, Jehovai dekretoi se, nëse një njeri vriste një kafshë për ta ngrënë, gjakun e saj duhej ta derdhte përtokë dhe ta mbulonte me dhé, «sepse shpirti i çdo gjallese është gjaku i saj». (Lev. 17:11-14) A ishte ky një rit i parëndësishëm? Aspak. Mënyra si përdorej gjaku Ditën e Shlyerjes, si edhe urdhri që të derdhej përtokë, pajtohen me urdhrin për gjakun që i kishte dhënë më parë Jehovai Noesë dhe pasardhësve të tij. (Zan. 9:3-6) Perëndia Jehova ua kishte ndaluar të ushqeheshin me gjak. Ç’domethënie ka kjo për të krishterët?

12. Në letrën drejtuar të krishterëve hebrenj, si e lidh Pavli gjakun me faljen?

12 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve hebrenj për fuqinë pastruese të gjakut dhe shpjegoi: «Sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak dhe, pa u derdhur gjak, nuk bëhet asnjë falje.» (Hebr. 9:22) Gjithashtu, Pavli tregoi se flijimet në kafshë, edhe pse me njëfarë vlere, vetëm sa u kujtonin izraelitëve se ishin mëkatarë dhe se u duhej diçka më tepër për t’ua fshirë krejtësisht mëkatet. Kuptohet, Ligji ishte ‘një hije e gjërave të mira që do të vinin, por jo vetë thelbi i gjërave’. (Hebr. 10:1-4) Po çfarë do t’i hapte rrugë faljes së mëkateve?

13. Si ndihesh kur mendon se Jezui i paraqiti Jehovait vlerën e gjakut të tij?

13 Lexo Efesianëve 1:7. Vdekja flijuese e Jezu Krishtit, i cili ‘e dorëzoi veten për ne’ me dëshirë, ka domethënie të madhe për të gjithë ata që e duan Jezuin dhe Atin e tij. (Gal. 2:20) Prapëseprapë, ajo që na çliroi duke hapur rrugën të na falen mëkatet, ishte ajo që bëri Jezui pas vdekjes dhe ringjalljes. Jezui përmbushi atë që simbolizonte Dita e Shlyerjes në Ligjin e Moisiut. Atë ditë kryeprifti çonte ca nga gjaku i kafshëve të flijuara në Më të Shenjtën e tabernakullit, e më vonë në tempullin e Solomonit, dhe ia paraqiste Perëndisë, si të ishte para Tij. (Lev. 16:11-15) Po ashtu, Jezui hyri direkt në qiell dhe i paraqiti Jehovait vlerën e gjakut të tij njerëzor. (Hebr. 9:6, 7, 11-14, 24-28) Sa mirënjohës jemi që na falen mëkatet dhe kemi ndërgjegje të pastër ngaqë tregojmë besim te gjaku i Jezuit!

14, 15. Pse është e rëndësishme ta kuptojmë ligjin e Jehovait për gjakun e t’i bindemi?

14 A e kupton më qartë tani pse Jehovai na ndalon të hamë «çfarëdolloj gjaku»? (Lev. 17:10) A e kap arsyen pse gjaku është i shenjtë për Perëndinë? Në thelb, gjaku për të është i barabartë me jetën. (Zan. 9:4) A nuk je dakord se duhet ta përvetësojmë pikëpamjen e Perëndisë për gjakun dhe t’i bindemi urdhrit të tij që të rrimë larg gjakut? Ka vetëm një mënyrë që të gëzojmë paqe me Perëndinë: të tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit dhe të pranojmë se gjaku ka një domethënie të veçantë për Krijuesin tonë.Kolos. 1:19, 20.

15 Çdokush nga ne mund të përballet befas me çështjen e gjakut. Ose ndoshta një familjari a një miku të shtrenjtë papandehur mund t’i duhet të vendosë nëse do të pranojë apo jo transfuzion gjaku. Në këtë situatë kritike, duhen marrë vendime edhe për fraksionet e gjakut dhe për procedurat mjekësore. Prandaj është tejet e rëndësishme të bëjmë kërkime e të jemi të përgatitur për ndonjë urgjencë në të ardhmen. Masa të tilla, bashkë me lutjet, do të na ndihmojnë të qëndrojmë të palëkundur e të mos bëjmë kompromis. Sigurisht që nuk duam t’i lëndojmë zemrën Jehovait duke pranuar diçka që Fjala e tij e dënon. Shumë punonjës të mjekësisë dhe të tjerë që janë pro transfuzionit të gjakut u bëjnë thirrje njerëzve të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë. Sidoqoftë, populli i shenjtë i Jehovait e pranon se e drejta për të thënë si duhet përdorur gjaku i takon Krijuesit. Për të, «çfarëdolloj gjaku» është i shenjtë. Duhet të jemi të vendosur t’i bindemi ligjit të Jehovait për gjakun. Me sjelljen tonë të shenjtë i tregojmë se jemi thellësisht mirënjohës për fuqinë jetëshpëtuese të gjakut të Jezuit—i vetmi gjak që hap rrugën të na falen mëkatet e të jetojmë përgjithmonë.Gjoni 3:16.

A je i vendosur t’i bindesh ligjit të Jehovait për gjakun? (Shih paragrafët 14, 15.)

PSE JEHOVAI PRET TË JEMI TË SHENJTË

16. Pse populli i Jehovait duhet të jetë i shenjtë?

16 Kur po i çlironte izraelitët nga skllavëria në Egjipt, Perëndia u tha: «Unë, Jehovai, ju nxora nga Egjipti, për të qenë Perëndia juaj. Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» (Lev. 11:45) Nga populli i Izraelit pritej shenjtëri, sepse Jehovai është i shenjtë. Si Dëshmitarë të Tij, edhe ne duhet të jemi të shenjtë. Libri i Levitikut nuk lë fije dyshimi për këtë.

17. Si ndihesh tani për librin biblik të Levitikut?

17 Nuk diskutohet se shqyrtimi i disa pjesëve të Levitikut na ka ndihmuar goxha. Ka gjasa që ky studim ta ka shtuar vlerësimin për këtë libër të frymëzuar të Biblës. Pasi ke medituar për disa informacione të vyera nga Levitiku, patjetër që i kupton më mirë arsyet pse duhet të jemi të shenjtë. Por çfarë xhevahiresh të tjera frymore mund të gjejmë në këtë pjesë të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë? Ç’mund të mësojmë tjetër nga ky libër se si t’i bëjmë shërbim të shenjtë Jehovait? Këto do t’i shohim në artikullin vijues.