Jehovai e bekon bujarisht frymën e gatishmërisë
KRIJUESI ynë u ka dhënë dinjitet njerëzve me dhuratën e vullnetit të lirë që s’ka të çmuar. Veç kësaj, i bekon bujarisht ata që e përdorin me altruizëm vullnetin e lirë për të çuar para adhurimin e vërtetë, si edhe që bëjnë pjesën e tyre në shenjtërimin e emrit të tij dhe përkrahin qëllimin e tij madhështor. Jehovai nuk do që të bindemi si robotë, ngaqë ndihemi të kërcënuar a të detyruar. Përkundrazi, e vlerëson pa masë përkushtimin nga zemra, që motivohet nga dashuria e sinqertë dhe mirënjohja e thellë.
Për shembull, kur izraelitët ishin në shkretëtirën e Sinait, Jehovai i udhëzoi të ndërtonin një vend adhurimi. U tha: «Mblidhni një kontribut për Jehovain. Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut për Jehovain.» (Dal. 35:5) Çdo izraelit mund të jepte sa kish mundësi, dhe çdo kontribut vullnetar
«Tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra» dhe «tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre» bënë blatime vullnetare, «çdo njeri me zemër të gatshme». Burra e gra sollën me gatishmëri diçka për punën që urdhëroi Jehovai: karfica, vathë, unaza, ar, argjend, bakër, fill blu, lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, fill ngjyrë kërmëzi, li të hollë, lesh dhie, lesh dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje, gurë të çmuar dhe vaj balsami. Si përfundim, «gjërat që kishin sjellë, ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme».
Ajo që ia kënaqi më shumë zemrën Jehovait nuk ishin kontributet materiale, por fryma e gatishmërisë që shfaqën ata të cilët përkrahën adhurimin e pastër. Zemra i nxiti të jepnin edhe nga koha e nga mundi i tyre. Shkrimet thonë: «Të gjitha gratë e afta torën me duart e tyre.» Po, «të gjitha gratë e afta, të shtyra nga zemra, torën leshin e dhisë». Veç kësaj, Jehovai i dha Bezalelit ‘mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të ishte i aftë në çdo lloj zanati’. Vërtet, Perëndia ua mbushi zemrat me mençuri Bezalelit dhe Oholiabit, duke i bërë të zotë të kryenin gjithë punën e ngarkuar.
Kur i ftoi izraelitët të bënin kontribute, Jehovai ishte plotësisht i sigurt se ‘kush kishte një zemër të gatshme’, do ta përkrahte adhurimin e vërtetë. Pas kësaj, i bekoi pa u kursyer ata me zemër të gatshme, duke u dhënë drejtim e gëzim me bollëk. Kështu, Jehovai tregoi se kur bekon frymën e gatishmërisë të shërbëtorëve të tij, sigurohet të mos u mungojnë të ardhurat ose aftësitë për të kryer vullnetin e tij. (Psal. 34:9) Teksa i shërben Jehovait me altruizëm, ji i sigurt se ai do ta bekojë frymën tënde të gatishmërisë.