Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lejojeni Jehovain t’ju forcojë dhe t’ju ruajë martesën

Lejojeni Jehovain t’ju forcojë dhe t’ju ruajë martesën

«Po s’e ruajti Jehovai qytetin, më kot rrinë zgjuar rojat.»PSAL. 127:1b.

1, 2. (a) Pse 24.000 izraelitëve u ikën prej duarsh bekime të mrekullueshme? (b) Pse na intereson kjo ngjarje e lashtësisë?

PAK para se kombi i Izraelit të hynte në Tokën e Premtuar, dhjetëra mijë burra ‘u kurvëruan me bijat e Moabit’. Si pasojë, Jehovai ekzekutoi 24.000 veta. Merreni me mend: edhe pak e izraelitët do të gëzonin trashëgiminë e shumëpritur, por u ikën prej duarsh bekimet e mrekullueshme ngaqë ranë para tundimit.Num. 25:1-5, 9.

2 Ky shembull tragjik u shkrua «si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve». (1 Kor. 10:6-11) Tani në pjesën finale të ‘ditëve të fundit’, shërbëtorët e Perëndisë janë në prag të një bote të re të drejtë. (2 Tim. 3:1; 2 Pjet. 3:13) Por, mjerisht, disa adhurues të Jehovait e kanë ulur vigjilencën. Kanë rënë në grackën e imoralitetit dhe kanë korrur pasojat e hidhura të sjelljes imorale. Ata rrezikojnë t’u ikin prej duarsh bekimet e përhershme.

3. Pse të martuarit kanë nevojë për drejtimin dhe mbrojtjen e Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

3 Sot shumë bien viktima të murtajës së imoralitetit. Prandaj çiftet kanë nevojë për drejtimin dhe mbrojtjen e Jehovait, që të mos u shkojnë kot përpjekjet për të ruajtur martesën. (Lexo Psalmin 127:1.) Tani do të shqyrtojmë si mund ta forcojnë martesën bashkëshortët: duhet të ruajnë zemrën, t’i afrohen Perëndisë, të veshin personalitetin e ri, të mbajnë një komunikim të mirë dhe të plotësojnë detyrimin martesor.

RUANI ZEMRËN

4. Çfarë i ka çuar disa Dëshmitarë në sjellje të gabuar?

4 Si ka mundësi që një Dëshmitar të ngatërrohet në sjellje imorale? Shtegu katastrofik i imoralitetit shpesh nis nga sytë. Jezui sqaroi: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mat. 5:27, 28; 2 Pjet. 2:14) Shumë Dëshmitarë që kanë rënë në sjellje të gabuar, e kanë dobësuar mbrojtjen morale ngaqë kanë parë pornografi, kanë lexuar literaturë erotike ose kanë parë materiale të fëlliqura në Internet. Të tjerë janë zbavitur me filma, spektakle ose programe televizive që tregojnë haptas skena seksuale. Disa kanë shkuar në klube nate dhe në shfaqje striptizmi ose kanë vajtur te masazhatorë për të kërkuar masazhe sensuale.

5. Pse duhet të ruajmë zemrën?

5 Disa bien para tundimit sepse kërkojnë vëmendje nga personi i gabuar. Në një botë ku njerëzit nuk e frenojnë veten hiç dhe s’kanë të ngopur me lloj-lloj shthurjesh morale, është shumë e lehtë që zemra mashtruese dhe e rrezikshme të ushqejë ndjenja romantike për dikë që nuk është bashkëshorti. (Lexo Jereminë 17:9, 10.) Jezui tha: «Nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri.»Mat. 15:19.

6, 7. (a) Në cilin shteg të gabuar mund ta çojë zemra mashtruese dikë? (b) Si mund të shmanget shthurja morale?

6 Pasi dëshirat e paligjshme hedhin rrënjë në zemrat e pabesa, dy njerëz të tërhequr ndaj njëri-tjetrit mund të përfshihen si pa u ndier në disa lloje bisedash që duhen bërë vetëm me bashkëshortin. S’kalon shumë dhe sajojnë gjithnjë e më tepër sebepe që të rrinë bashkë dhe këto takime, gjoja të pafajshme e të rastësishme, bëhen më të shpeshta. Teksa ndjenjat bëhen më të forta, mbrojtja morale dobësohet. Sa më thellë futen në shtegun e mëkatit, aq më të vështirë e kanë të ndalen, edhe pse e dinë për bukuri se po bëjnë diçka të gabuar.Prov. 7:21, 22.

7 Fortifikatat frymore shemben avash-avash ndërsa dëshirat dhe fjalët e gabuara çojnë në mbajtje duarsh, ledhatime, puthje e përkëdhelje epshndjellëse dhe në shprehje të tjera dashurie që duhen këmbyer vetëm mes bashkëshortëve. Përfundimisht ‘tërhiqen dhe joshen nga dëshira e vet’, pra ngecin në karremin e dëshirës. Si bëhet pjellore, dëshira «lind mëkatin», që në këtë rast është imoraliteti seksual. (Jak. 1:14, 15) Sa tragjike! E gjithë kjo shthurje morale mund të ishte shmangur, sikur të dy të kishin lejuar që Jehovai t’u forconte respektin për shenjtërinë e martesës. Në ç’mënyrë?

VAZHDONI T’I AFROHENI PERËNDISË

8. Si na mbron nga ana morale miqësia me Jehovain?

8 Lexo Psalmin 97:10. Miqësia me Jehovain është burim jetësor i mbrojtjes morale. Teksa njohim cilësitë e tij që na bëjnë për vete dhe përpiqemi ‘të bëhemi imitues të Perëndisë, si bij të dashur e vazhdojmë të ecim në dashuri’, do të marrim forcë për të flakur tej ‘kurvërinë dhe ndyrësinë e çdo lloji’. (Efes. 5:1-4) Kur të martuarit e kanë të qartë se «Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit», bëjnë të pamundurën që martesa e tyre të jetë e nderuar dhe e pandotur.Hebr. 13:4.

9. (a) Si i bëri ballë Jozefi tundimit për të kryer imoralitet? (b) Ç’mësime nxjerrim nga shembulli i Jozefit?

9 Disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë e kanë dobësuar mbrojtjen morale ngaqë janë shoqëruar pas orarit të punës me jo Dëshmitarë. Mirëpo tundimet mund të lindin edhe gjatë orarit të punës. Pikërisht në vendin e punës një i ri i pashëm, që quhej Jozef, diktoi se gruaja e punëdhënësit e kishte fiksim. Ditë pas dite, përpiqej ta joshte. Në një moment «ajo e mbërtheu nga rrobat dhe i tha: ‘Shtrihu me mua!’» Por Jozefi ia doli t’ia mbathte. Çfarë e ndihmoi Jozefin ta mbante të pathyeshme mbrojtjen frymore në rrethana aq tunduese? Ishte vendosmëria e patundur që të mos dëmtonte marrëdhënien me Perëndinë, e cila e ndihmoi të ruante dëlirësinë morale dhe integritetin. Edhe pse e hoqën nga puna dhe e burgosën padrejtësisht për shkak të qëndrimit të paepur, Jehovai e bekoi. (Zan. 39:1-12; 41:38-43) Qofshim në punë a kudo tjetër, nuk duhet ta futim veten në rrethana tunduese me dikë që nuk është bashkëshorti ynë.

VISHNI PERSONALITETIN E RI

10. Si na mbron nga ana morale personaliteti i ri?

10 Personaliteti i ri është ‘krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’, prandaj është pjesë jetësore e fortifikatave frymore të martesës. (Efes. 4:24) Kush vesh personalitetin e ri, ‘bën të vdesin’ gjymtyrët e trupit «në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë». (Lexo Kolosianëve 3:5, 6.) Shprehja ‘bën të vdesin’ tregon se duhet të marrim masa të forta që të luftojmë dëshirat imorale të trupit. Do të shmangim çdo gjë që mund të na ndezë epshin për dikë që s’është bashkëshorti ynë. (Jobi 31:1) Ndërsa e përputhim jetën me normat e Perëndisë, mësojmë ‘të urrejmë thellësisht atë që është e ligë dhe të kapemi fort pas asaj që është e mirë’.Rom. 12:2, 9.

11. Si mund ta forcojë martesën personaliteti i ri?

11 Personaliteti i ri pasqyron ‘shëmbëlltyrën e Atij që e krijoi’, pra të vetë Jehovait. (Kolos. 3:10) Sa bekime vijnë kur bashkëshortët forcojnë mbrojtjen morale duke u veshur «me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi»! (Kolos. 3:12) Shijojnë edhe më shumë harmoni martesore ndërsa lënë që ‘paqja e Krishtit të mbretërojë në zemrat e tyre’. (Kolos. 3:15) Sa shpërblyese është kur çiftet kanë «përzemërsi të butë» për njëri-tjetrin! Ata kënaqen kur marrin iniciativën «për t’i treguar nderim njëri-tjetrit».Rom. 12:10.

12. Çfarë cilësish të duken të rëndësishme ty për një martesë të lumtur?

12 Kur i pyetën çfarë cilësish i kanë ndihmuar të gëzojnë martesë të lumtur, Sidi tha: «Cilësia kryesore që jemi munduar të zhvillojmë gjithmonë është dashuria. Me sa kemi parë, edhe butësia ka vlerë të madhe.» E shoqja, Sonja, është dakord dhe shton: «S’ka dyshim që mirëdashja është jetësore. Gjithashtu jemi përpjekur të tregojmë përulësi, edhe pse nuk është gjithnjë kollaj.»

MBANI KOMUNIKIM TË MIRË

13. Cili është një çelës për të pasur martesë të qëndrueshme, dhe pse?

13 Pa diskutim që një çelës për të pasur martesë të qëndrueshme është i foluri i hijshëm. Sa gjynah nëse bashkëshortët i flasin njëri-tjetrit me më pak respekt sesa një të panjohuri a madje edhe një kafshe shtëpiake! Kur shfrejnë «vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje», gërryejnë mbrojtjen frymore të martesës së tyre. (Efes. 4:31) Çiftet duhet ta përforcojnë lidhjen e tyre me fjalë të buta, të ëmbla e të dhembshura, në vend që ta minojnë martesën me kritika të pareshtura ose me sarkazma therëse.Efes. 4:32.

14. Cilat veprime bëjmë mirë të shmangim?

14 Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur». (Ekl. 3:7) Por kjo s’do të thotë se duhet të ngremë një mur heshtjeje, duke i prerë rrugën komunikimit të nevojshëm. Një bashkëshorte në Gjermani thotë: «Një heshtje e tillë mund ta lëndojë partnerin.» Sidoqoftë, ajo shton: «Ndonëse s’është gjithnjë e lehtë të ruash gjakftohtësinë nën stres, nuk është mirë që thjesht të shfrysh dufin. Kështu do të thuash a do të bësh diçka impulsive që mund ta lëndojë bashkëshortin, e kjo vetëm sa e keqëson situatën.» Tekefundit, burri dhe gruaja nuk i zgjidhin problemet me të bërtitura ose me një heshtje varri. Përkundrazi, e forcojnë martesën kur janë të vendosur që grindjet të mos bëhen shprehi ose të tirren tërkuzë.

15. Si mund ta forcojë martesën komunikimi i mirë?

15 Lidhja martesore forcohet kur bashkëshortët gjejnë kohë të hapen me njëri-tjetrin për ndjenjat a mendimet. Mënyra si e themi diçka është po aq e rëndësishme sa ajo që themi. Prandaj edhe në situata të vështira përpiqu që, si toni i zërit, si fjalët që zgjedh, të jenë të hijshme. Kështu do t’ia bësh më të lehtë tjetrit të dëgjojë ç’ke për të thënë. (Lexo Kolosianëve 4:6.) Burri dhe gruaja mund ta përforcojnë martesën me anë të komunikimit të mirë, duke thënë ‘vetëm fjalë të mira, që ndërtojnë sipas nevojës, që t’i japin diçka të dobishme’ bashkëshortit.Efes. 4:29.

Burri dhe gruaja mund ta përforcojnë martesën me anë të komunikimit të mirë (Shih paragrafin 15.)

PLOTËSONI DETYRIMIN MARTESOR

16, 17. Pse është e rëndësishme që bashkëshortët të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave emocionale e seksuale të njëri-tjetrit?

16 Çiftet mund të kalitin një lidhje të fortë edhe kur kërkojnë të mirën e tjetrit, duke vënë interesat e tij para të vetave. (Filip. 2:3, 4) Qoftë burrat, qoftë gratë duhet të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave emocionale dhe seksualetë njëri-tjetrit.Lexo 1 Korintasve 7:3, 4.

17 Mjerisht, disa bashkëshortë ngurrojnë të tregojnë përzemërsi ose i shmangen intimitetit seksual, dhe disa burrave u duket mungesë burrërie të sillen me ngrohtësi. Bibla thotë: «Ju burra duhet të përpiqeni ta kuptoni gruan me të cilën jetoni.» (1 Pjet. 3:7, Phillips) Burri duhet të kuptojë se detyrimi martesor përfshin më tepër sesa marrëdhëniet seksuale. Ka më shumë të ngjarë që gruaja të kënaqet me intimitetin martesor, nëse i shoqi tregon dashuri dhe ngrohtësi vazhdimisht, jo vetëm kur kryejnë marrëdhënie. Kur të dy tregojnë dashuri dhe konsideratë, do ta kenë më të lehtë të plotësojnë nevojat emocionale dhe fizike të njëri-tjetrit.

18. Si mund ta forcojnë lidhjen martesore bashkëshortët?

18 Edhe pse s’ka justifikim për tradhtinë bashkëshortore, mungesa e ngrohtësisë mund të bëjë që njëri bashkëshort të kërkojë përzemërsi dhe intimitet nga dikush tjetër. (Prov. 5:18; Ekl. 9:9) Ja pse Bibla i nxit të martuarit: «Mos ia mohoni njëri-tjetrit këtë detyrim [martesor], veç nëse jeni marrë vesh për një kohë të caktuar.» Pse? «Që Satanai të mos vazhdojë t’ju tundojë, nga mungesa e vetëpërmbajtjes.» (1 Kor. 7:5) Sa tragjike do të ishte nëse bashkëshortët do ta lejonin Satanain të shfrytëzonte ‘mungesën e vetëpërmbajtjes’, e si pasojë njëri prej tyre të binte para tundimit dhe të shkelte kurorën! Anasjelltas, kur secili kërkon «jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit» dhe e plotëson detyrimin martesor si shprehje të dashurisë e jo si angari, marrëdhëniet intime të përzemërta mund ta forcojnë lidhjen martesore.1 Kor. 10:24.

VAZHDONI TA RUANI MARTESËN

19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, dhe pse?

19 Jemi në prag të botës së re të drejtë. Ja pse për ne mund të jetë po aq shkatërrimtare të dorëzohemi para dëshirave të mishit, sa ç’ishte për 24.000 izraelitët në rrafshinat e Moabit. Pasi përshkruan atë ngjarje të turpshme e tragjike, Fjala e Perëndisë na paralajmëron: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Kor. 10:12) Sa jetike është, pra, ta forcojmë martesën duke i qëndruar besnikë Atit tonë qiellor dhe bashkëshortit! (Mat. 19:5, 6) Sot më shumë se kurrë duhet ‘të bëjmë çmos që në fund, të gjendemi prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe’.2 Pjet. 3:13, 14.