Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ç’mund të bëhet për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat që u shkaktojnë reaksion aromat?

Ata që janë tepër të ndjeshëm ndaj aromave përballen me një vështirësi të madhe. Ka shumë të ngjarë të mos e kenë në dorë sa të ekspozuar do të jenë ndaj aromave në marrëdhëniet e përditshme me të panjohurit. Por disa kanë pyetur nëse do të ishte e mundur të kërkonin që vëllezërit dhe motrat të mos përdorin parfume e kolonja në mbledhje, asamble e kongrese.

Doemos, asnjë i krishterë nuk do t’ia bënte të vështirë me dashje një tjetri të ndiqte mbledhjet. Të gjithë kemi nevojë për inkurajimin që marrim atje. (Hebr. 10:24, 25) Prandaj, dikush që vuan nga një ndjeshmëri aq e theksuar ndaj aromave sa e pengon të ndjekë mbledhjet, mund të flasë për këtë çështje me pleqtë. Nuk është biblike ose e përshtatshme të vihen rregulla nëse duhet të përdorin aroma ata që marrin pjesë në mbledhje. Megjithatë, pleqtë mund të sigurojnë informacione për t’i ndihmuar pjesëtarët e kongregacionit të kuptojnë problemet që hasin të tjerët. Në varësi të rrethanave, pleqtë mund të vendosin që gjatë një pjese për nevojat lokale në Mbledhjen e Shërbimit, të shqyrtohen informacione të botuara më parë. Ose edhe mund të vendosin të bëjnë një njoftim me takt për këtë çështje. Sidoqoftë, pleqtë nuk mund të bëjnë vazhdimisht njoftime të këtilla. Në mbledhjet tona do të ketë përherë të interesuar dhe vizitorë që s’dinë gjë për problemin. Duam që këta të ndihen të mirëpritur. Nuk duhet të vëmë në siklet askënd ngaqë përdor me karar ndonjë lloj arome.

Nëse e lejojnë rrethanat, trupi i pleqve mund të marrë masa që kush është tepër i ndjeshëm ndaj aromave të ulet në një zonë disi të izoluar në Sallën e Mbretërisë. Për shembull, në rast se ka ndonjë sallë konferencash të pajisur me sistem akustik, mund të ulen atje dhe të nxjerrin dobi nga mbledhjet. Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje e arsyeshme dhe disa ende vuajnë shumë, kongregacioni ndoshta ka mundësi t’i incizojë mbledhjet për ta ose të marrë masa për një lidhje telefonike me shtëpinë e tyre, siç veprohet për të tjerë që nuk dalin dot nga shtëpia.

Vitet e fundit, Shërbimi ynë i Mbretërisë i ka nxitur vëllezërit dhe motrat të tregojnë konsideratë të veçantë në këtë aspekt kur marrin pjesë në kongreset rajonale. Meqë shpesh kongreset zhvillohen në ambiente të mbyllura ku ajrimi bëhet me ventilatorë, pjesëmarrësve u është kërkuar ta kufizojnë përdorimin e aromave të forta në këto raste. Është këshilluar të tregohet kujdes sidomos gjatë kongreseve rajonale, pasi në vendet ku mbahen ato, zakonisht nuk është e mundur të sigurohen ambiente ku nuk ndihen aromat. Megjithatë, ky drejtim nuk u dha aspak me synimin që të kthehej në një rregull të përgjithshëm për mbledhjet e kongregacionit, dhe nuk duhet interpretuar si i tillë.

Ndërsa jetojmë në këtë sistem, të gjithë ne vuajmë nga pasojat e papërsosmërisë së trashëguar. Sa i çmojmë përpjekjet e të tjerëve për të na i lehtësuar vuajtjet! Mbase për disa është sakrificë të mos përdorin parfume a kolonja që t’ia bëjnë më të lehtë një vëllai a një motre të ndjekë mbledhjet. Gjithsesi, dashuria mund të na shtyjë të bëjmë këtë zgjedhje.

A e mbështetin burimet jobiblike ekzistencën e Ponc Pilatit?

Në këtë pllakë guri ishte skalitur emri i Pilatit në latinisht

Lexuesit e Biblës e njohin Ponc Pilatin për shkak të rolit që luajti në gjykimin dhe ekzekutimin e Jezuit. (Mat. 27:1, 2, 24-26) Gjithsesi, emri i tij shfaqet disa herë edhe në dokumente të tjera historike të asaj kohe. Sipas një fjalori biblik (The Anchor Bible Dictionary), dosja e të dhënave historike jobiblike për të është «më e trashë dhe më e hollësishme se ajo e çdo guvernatori tjetër romak të Judesë».

Emri i Pilatit haset më shpesh në shkrimet e historianit jude Jozef. Ai ishte kronisti i tri incidenteve të lidhura me vështirësitë që ndeshi Pilati kur qeveriste në Jude. Historiani jude, Filoja, foli për një incident të katërt. Veç kësaj, shkrimtari romak Tacit, i cili dokumentoi historinë e perandorëve të Romës, vërtetoi se Ponc Pilati dha urdhër të ekzekutohej Jezui gjatë sundimit të Tiberit.

Më 1961 arkeologët që po gërmonin në teatrin e lashtë romak në Cezare, Izrael, zbuluan një pllakë guri të ripërdorur, ku shihej qartë emri i Pilatit në latinisht. Mbishkrimi (i paraqitur këtu) është veç një fragment, por mendohet se në fillim thoshte: «(Këtë) Tiberieum, Ponc Pilati, prefekt i Judesë, ia kushtoi perëndive të nderuara.» Ndërtesa e përmendur këtu, ka të ngjarë të ishte një tempull për nder të perandorit romak Tiber.

A duhet ta mbulojë kokën një lajmëtare e Mbretërisë nëse drejton studim biblik në prani të një lajmëtari?

Në një pjesë «Pyetje nga lexuesit» të botuar në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2002, thuhej se një motër duhet ta mbulojë kokën kur drejton studim biblik në prani të një lajmëtari, pavarësisht nëse ai është i pagëzuar apo jo. Por shqyrtimi i mëtejshëm i kësaj çështjeje tregon se është me vend që ky drejtim të ndryshojë paksa.

Nëse lajmëtari që shoqëron motrën gjatë një studimi biblik është i pagëzuar, ajo patjetër do ta mbulojë kokën kur drejton studimin. Kështu tregon respekt për rregullin e kryesisë që ka vendosur Jehovai në kongregacionin e krishterë, sepse po përmbush një rol që normalisht do të ishte përgjegjësia e vëllait. (1 Kor. 11:5, 6, 10) Një mundësi tjetër është t’i kërkojë vëllait të drejtojë studimin, në rast se ai është i kualifikuar dhe në gjendje ta bëjë këtë.

Në krahun tjetër, nëse motrën e shoqëron gjatë një studimi biblik një lajmëtar i papagëzuar që nuk është i shoqi, Shkrimet nuk kërkojnë që ta mbulojë kokën. Prapëseprapë, ndoshta disa motra i nxit ndërgjegjja ta mbulojnë kokën edhe në rrethana të tilla.