Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Martesa «vetëm në Zotërinë», është akoma realiste?

Martesa «vetëm në Zotërinë», është akoma realiste?

«Brenda kongregacionit nuk gjej dot bashkëshort dhe më tmerron ideja të mos kem njeri pranë ndërsa plakem.»

«Disa burra nga bota janë të sjellshëm, të dashur e të vëmendshëm. Nuk kanë gjë kundër fesë sime dhe duken më interesantë se disa vëllezër.»

Disa shërbëtorë të Perëndisë kanë bërë komente të tilla për gjetjen e shoqes a shokut të jetës. Sidoqoftë, e dinë për bukuri këshillën e apostullit Pavël që të martohen «vetëm në Zotërinë»—këshillë që duhet të udhëheqë gjithë të krishterët në sjelljen e tyre. (1 Kor. 7:39) Po pse vallë bëjnë komente të tilla?

PSE DISA KANË DYSHIME

Kush bën komente të tilla ndoshta mendon se numri i motrave dhe i vëllezërve beqarë nuk është i barabartë. E në shumë vende është vërtet kështu. Të marrim dy shembuj: në Kore, në çdo 100 Dëshmitarë beqarë, mesatarisht 57 janë motra dhe 43 vëllezër. Kolumbia raporton se 66 për qind e Dëshmitarëve janë motra dhe 34 për qind vëllezër.

Në disa vende, situata ndërlikohet akoma më tepër ngaqë prindërit jobesimtarë mund të kërkojnë që dhëndri të sjellë goxha prikë. Kjo ua bën të vështirë vëllezërve me pak të ardhura të martohen. Kur mendon për këto pengesa, një motre mund t’i duket sikur ka fare pak perspektivë të gjejë bashkëshort «në Zotërinë». Prandaj mund të pyesë: «A është realist mendimi se mund të gjej një bashkëshort të hairit mes bashkëbesimtarëve?» *

SIGURIA TE JEHOVAI ËSHTË JETËSORE

Nëse ke bluar ndonjëherë mendime të tilla, mos ki merak: Jehovai e kupton situatën tënde. Vërtet, ai e di mirë si ndihesh.2 Kron. 6:29, 30.

Prapëseprapë, në Fjalën e tij Jehovai ka dhënë drejtimin të martohemi vetëm në Zotërinë. Pse? Sepse e di ç’është më e mira për popullin e tij. Ai do jo vetëm t’u kursejë shërbëtorëve të vet dhimbjen që vjen kur merr një rrugë të pamend, por do edhe të jenë të lumtur. Në ditët e Nehemisë, kur shumë judenj po martoheshin me gra të huaja që nuk adhuronin Jehovain, Nehemia përmendi shembullin e keq të Solomonit. Edhe pse «Perëndia e deshi» Solomonin, «gratë e huaja e shtynë të mëkatonte edhe atë». (Neh. 13:23-26) Kështu, për të mirën tonë, Perëndia sot na ka dhënë drejtimin të martohemi vetëm me adhurues të vërtetë. (Psal. 19:7-10; Isa. 48:17, 18) Të krishterët e vërtetë i janë mirënjohës Perëndisë për merakun e dashur dhe mbështeten plotësisht te drejtimi i tij. Ky lloj nënshtrimi ndaj autoritetit të tij tregon se e pranojnë si Sovranin e Universit.Prov. 1:5.

Patjetër që nuk dëshiron të futesh «nën të njëjtën zgjedhë» me dikë që s’ka besim dhe mund të të largojë nga Perëndia. (2 Kor. 6:14) Shumë të krishterë sot i janë bindur këtij udhëzimi mbrojtës të Perëndisë që i ka qëndruar kohës, dhe me kalimin e viteve kanë kuptuar se kanë zgjedhur rrugën e mençur. Mirëpo disa kanë zgjedhur rrugë tjetër.

AKOMA REALISTE

Megi, * një motër në Australi, shpjegon ç’ndodhi kur filloi të njihej me një jobesimtar: «Humba gjithë ato mbledhje, vetëm që të isha me të. Rashë tmerrësisht nga ana frymore.» Ratana në Indi nisi një lidhje romantike me një shok klase që kishte filluar të studionte Biblën. Por, me kalimin e kohës u duk qartë se synimi i tij ishte të lidhej me Ratanën. Si përfundim ajo e la të vërtetën dhe ndryshoi fe që të martohej.

Një rast tjetër është ai i Ndenkës në Kamerun. Ajo u martua kur ishte 19 vjeçe. I fejuari i premtoi se do të ishte e lirë të praktikonte fenë e vet. Megjithatë, dy javë pas dasmës, e ndaloi prerazi të shkonte në mbledhje. Ajo thotë: «Si përfundim mbeta e vetmuar dhe qaja. Kuptova se nuk e kisha më në dorë jetën time. Ndjenja e fajit më brente orë e çast.»

Sigurisht, jo të gjithë bashkëshortët jobesimtarë qëllojnë mizorë dhe të paarsyeshëm. Prapëseprapë, edhe sikur të mos vuash këto pasoja nga martesa me një jobesimtar, si do të ndikonte kjo te marrëdhënia me Atin tënd të dashur qiellor? Si do të ndiheshe kur e di se nuk ia ke vënë veshin këshillës që të dha për të mirën tënde? Dhe mbi të gjitha, si do të ndihej ai për vendimin tënd?Prov. 1:33.

Vëllezër e motra përqark botës mund të dëshmojnë nga përvoja se martesa «vetëm në Zotërinë» është drejtimi më i mirë. Dëshmitarët e pamartuar janë të vendosur t’ia gëzojnë zemrën Perëndisë duke e ndjekur pa ngurruar këshillën që të gjejnë bashkëshort të përshtatshëm vetëm mes adhuruesve të Tij. Të afërmit e Miçikos, një motre beqare në Japoni, u përpoqën t’ia mbushnin mendjen të martohej me një jobesimtar. Ndërkohë që i bënte ballë këtij presioni, shihte mikesha dhe të njohura të saj që gjenin shokun e jetës brenda kongregacionit. Ajo tregon: «Thosha vazhdimisht me vete se, përderisa Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’, lumturia jonë nuk varet nga fakti nëse jemi të martuar apo jo. Gjithashtu kam besim se ai na plotëson dëshirat e zemrës. Pra nëse duam të martohemi, por nuk gjejmë dot dikë, është në të mirën tonë që për momentin të rrimë beqarë.» (1 Tim. 1:11) Me kohë, Miçikoja u martua me një vëlla të shkëlqyer dhe është e lumtur që priti.

Po njësoj, disa vëllezërve u është dashur të presin që të gjejnë një bashkëshorte të përshtatshme. Një prej këtyre vëllezërve është Uilliami nga Australia. Ai pranon se nganjëherë e tërhiqnin disa gra jashtë kongregacionit. Megjithatë bënte kujdes që kurrsesi të mos ishte tepër i afrueshëm me to. Pse? Nuk donte të bënte hapin e parë drejt asaj rruge që do ta fuste «nën të njëjtën zgjedhë» me një jobesimtare. Ndërsa vitet kalonin, i pëlqente ndonjë motër hera-herës, por ndjenjat nuk ishin reciproke. Pasi kishte pritur 30 vjet, Uilliami njohu një motër me të cilën përshtatej mirë. Ai tregon: «S’jam pishman për asgjë.» Pastaj shpjegon: «Ndiej bekimin e Jehovait sepse unë dhe ime shoqe dalim në shërbim, studiojmë dhe e adhurojmë Perëndinë së bashku. Kam qejf t’i takoj miqtë e gruas sime dhe të shoqërohem me ta, sepse të gjithë janë adhurues të Jehovait. E ndërtojmë martesën tonë me anë të parimeve biblike.»

NDËRSA PRET JEHOVAIN

Ç’mund të bësh ndërsa e lë këtë çështje në duart e dashura të Jehovait? Një gjë është të meditosh për arsyen pse nuk je martuar. Nëse mendon se arsyeja kryesore bazohet tek urdhri biblik që të martohesh «vetëm në Zotërinë», të lumtë që po respekton këtë urdhër hyjnor! Mos ki fije dyshimi se Jehovai kënaqet me vendosmërinë tënde të patundur që t’i bindesh Fjalës së tij. (1 Sam. 15:22; Prov. 27:11) Veç kësaj, mund të vazhdosh ‘t’ia zbrazësh zemrën’ Perëndisë në lutje. (Psal. 62:8) Ndërsa i përgjërohesh pareshtur dhe me gjithë shpirt, lutjet e tua mund të bëhen edhe më domethënëse. E ndërsa qëndron i palëkundur para presioneve që ke qoftë nga vetja, qoftë nga të tjerët, marrëdhënia me Perëndinë do të forcohet dita-ditës. Të jesh i sigurt se Më i Larti ka merak për çdo shërbëtor të tij besnik dhe ti je i shtrenjtë për të. Interesohet për nevojat dhe dëshirat e zjarrta që ke. Ai nuk i premton askujt një shok a shoqe jete. Ama, nëse ke nevojë vërtet për një bashkëshort, Perëndia e di cila është mënyra më e mirë për të plotësuar dëshirat e tua të arsyeshme.Psal. 145:16; Mat. 6:32.

Ndonjëherë mund të ndihesh si psalmisti David, që tha: «O Jehova, nxito të më përgjigjesh! Edhe pak e do të më soset fryma [fuqia]. Mos ma fshih fytyrën tënde.» (Psal. 143:5-7, 10) Në momente të tilla, jepi kohë Atit tënd qiellor të tregojë cili është vullneti i tij për ty. Këtë mund ta bësh duke gjetur kohë të lexosh Fjalën e tij dhe të bluash në mend atë që lexon. Do t’i kuptosh më thellë urdhërimet e tij dhe do të shohësh si ka vepruar për të mirën e popullit të vet në të kaluarën. Teksa ia vë veshin, do të të përtërihet besimi se është e mençur t’i bindesh.

Beqarët janë të çmuar në kongregacion dhe shpesh ndihmojnë familje, fëmijë e të rinj

Ç’gjë tjetër mund të bësh që vitet e beqarisë të jenë të lumtura e të frytshme? Mund ta shfrytëzosh këtë kohë që të kultivosh aftësi dalluese e bujari, të mësosh si të jesh i papërtuar, si të shkosh mirë me të tjerët, si të tregosh përkushtim hyjnor dhe të bësh një emër të mirë—gjëra tejet të vyera për të pasur një familje të lumtur. (Zan. 24:16-21; Rutha 1:16, 17; 2:6, 7, 11; Prov. 31:10-27) Kërko në radhë të parë Mbretërinë duke u përfshirë plotësisht në veprën e predikimit dhe në aktivitete të tjera teokratike; kjo do të të mbrojë. Uilliami, që përmendëm më sipër, tregon për vitet kur donte të martohej: «Ato rrodhën si pa u ndier. E shfrytëzova kohën për t’i shërbyer Jehovait si pionier.»

Po, është akoma realiste të martohesh «vetëm në Zotërinë». Kur i bindesh këtij urdhri, nderon Jehovain dhe provon një lumturi që s’është thjesht kalimtare. Bibla thotë: «Lum ai që ka frikë nga Jehovai dhe që gjen shumë ëndje në urdhërimet e tij! Në shtëpinë e tij ka gjëra të vyera dhe pasuri. Drejtësia e tij vazhdon përjetë.» (Psal. 112:1, 3) Pra, ji i vendosur të mos e shkelësh kurrë urdhrin hyjnor për t’u martuar «vetëm në Zotërinë»!

^ par. 7 Në këtë artikull po e shohim çështjen nga pikëpamja e një motre, por të njëjtat parime vlejnë edhe për një vëlla.

^ par. 13 Disa emra janë ndryshuar.