Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në të kaluarën, në botimet tona flitej shpesh për modele profetike dhe plotësime, * por vitet e fundit përmenden rrallë. Pse?

Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1950 (anglisht) e përkufizonte kështu një «model profetik» dhe një «plotësim»: «Një model profetik është pasqyrim ose paraqitje e diçkaje që do të ndodhë në të ardhmen. Plotësimi është realiteti që paraqet modeli profetik. Modeli profetik mund të quhet me të drejtë një hije, kurse plotësimi mund të quhet realiteti.»

Shumë vjet më parë, në botimet tona thuhej se gra e burra besnikë, si Debora, Elihu, Jefteu, Jobi, Rahaba, Rebeka e mjaft të tjerë ishin në të vërtetë modele profetike a simbole ose të të mirosurve, ose të ‘shumicës së madhe’. (Zbul. 7:9) Për shembull, mendohej se Jefteu, Jobi dhe Rebeka paraqitnin të mirosurit, kurse Debora e Rahaba thuhej se simbolizonin shumicën e madhe. Mirëpo, vitet e fundit nuk kemi bërë krahasime të tilla. Pse jo?

MODEL PROFETIK

Qengji i pashkës që flijohej në Izraelin e lashtë ishte model profetik.Num. 9:2

PLOTËSIM

Pavli tregoi se Krishti është qengji i pashkës.1 Kor. 5:7

Vërtet, Shkrimet tregojnë se disa individë të përmendur në Bibël ishin modele profetike të diçkaje më të madhe. Te Galatasve 4:21-31, apostulli Pavël flet për «një dramë simbolike» që përfshin dy gra. Agara, skllavja e Abrahamit, paraqiste ose përkonte me kombin e Izraelit, i cili ishte i lidhur me Jehovain nëpërmjet Ligjit të Moisiut. Kurse Sara, «gruaja e lirë», simbolizonte gruan e Perëndisë, pjesën qiellore të organizatës së tij. Në letrën drejtuar hebrenjve, Pavli e lidh mbretin-prift Melkisedek me Jezuin, duke nxjerrë në pah ngjashmëri specifike mes të dyve. (Hebr. 6:20; 7:1-3) Veç kësaj, Pavli e krahason Isainë dhe bijtë e tij me Jezuin dhe dishepujt e mirosur. (Hebr. 2:13, 14) Pavli ishte i frymëzuar nga Perëndia, prandaj e pranojmë pa ngurrim atë që shkruan për këto modele profetike.

Megjithatë, edhe kur Bibla tregon se dikush është model profetik për dikë tjetër, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se çdo hollësi a ngjarje në jetën e modelit profetik përfaqëson diçka më të madhe. Për shembull, edhe pse Pavli tregon se Melkisedeku është model profetik për Jezuin, nuk thotë gjë për rastin kur Melkisedeku i çoi bukë e verë Abrahamit pasi ky i fundit mundi katër mbretër. Pra, nuk ka asnjë bazë biblike për të kërkuar te kjo ngjarje ndonjë kuptim të fshehur.Zan. 14:1, 18.

Disa shkrimtarë në shekujt pas vdekjes së Krishtit ranë në një grackë—shihnin kudo modele profetike. Një enciklopedi shpjegon për mësimet e Origjenit, të Ambrozit dhe të Jeronimit: «Ata kërkonin modele profetike, e patjetër i gjenin, në çdo rast e ngjarje të dokumentuar në Shkrime, sado të papërfillshme. Edhe rrethana më e thjeshtë dhe më e rëndomtë mendohej se fshihte në vetvete të vërtetën më të pakapshme [më të thellë] . . . , madje edhe numri i peshqve që zunë dishepujt natën kur iu shfaq Shpëtimtari i ringjallur—sa shumë janë përpjekur disa ta interpretojnë atë numër, 153.»The International Standard Bible Encyclopaedia.

Agustini i Hipos e komentoi fije e për pe tregimin që thotë se Jezui ushqeu rreth 5.000 burra me pesë bukë elbi e dy peshq. Elbi mendohej se kishte më pak vlerë se gruri, prandaj Agustini nxori përfundimin se pesë bukët duhej të paraqitnin pesë librat e Moisiut («elbi» me më pak vlerë paraqiste vlerën gjoja më të ulët të «Dhiatës së Vjetër»). Po dy peshqit? Kushedi për ç’arsye, ata i krahasoi me një mbret e një prift. Një studiues tjetër, që vdiste të rrëmonte për modele profetike e plotësime, pohonte se blerja e së drejtës të të parëlindurit të Esaut nga Jakobi me një tas gjellë të kuqe paraqiste faktin që Jezui e bleu trashëgiminë qiellore për njerëzimin me gjakun e tij të kuq.

Nëse interpretime të tilla duken absurde, mund ta kuptoni ku qëndron problemi. Njerëzit nuk kanë si ta dinë se cilat tregime biblike janë hije e gjërave që do të vijnë dhe cilat jo. Rruga më e sigurt është kjo: kur Shkrimet mësojnë se një individ, një ngjarje a një objekt paraqet një tjetër, e pranojmë. Përndryshe, duhet të matemi mirë e të mos e quajmë model profetik një person a një tregim nëse nuk ka bazë të qartë biblike për ta bërë këtë.

Atëherë, si mund të nxjerrim dobi nga ngjarjet e shembujt që gjejmë në Shkrime? Te Romakëve 15:4, lexojmë këto fjalë të apostullit Pavël: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» Pavli po thoshte se vëllezërit e tij të mirosur në shekullin e parë mund të nxirrnin mësime të fuqishme nga ngjarjet e dokumentuara në Shkrime. Por, në çdo brez, shërbëtorët e Perëndisë—qoftë nëse ishin të mirosur a ‘dele të tjera’, qoftë nëse jetonin në «ditët e fundit» apo jo—mund të nxirrnin dobi, e madje kanë nxjerrë dobi, nga mësimet që mbart «gjithçka që u shkrua kohë më parë».—Gjoni 10:16; 2 Tim. 3:1.

Ne nuk i shohim shumicën e këtyre tregimeve sikur zbatohen vetëm për një periudhë dhe vetëm për një klasë, o për të mirosurit, o për shumicën e madhe. Përkundrazi, shërbëtorët e Perëndisë të çdo periudhe e të çdo klase mund t’i zbatojnë për vete shumë mësime që gjejnë te këto tregime. Ja një shembull: zbatimin e librit të Jobit nuk ka pse ta kufizojmë te vuajtjet që hoqën të mirosurit gjatë Luftës I Botërore. Mjaft shërbëtorë të Perëndisë, burra e gra, të mirosur e nga shumica e madhe, kanë hequr vuajtje të ngjashme me ato të Jobit dhe ‘kanë parë shpërblimin që u dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm’.—Jak. 5:11.

Të mendojmë pak: a nuk gjejmë vallë në kongregacionet tona sot të moshuara po aq besnike sa Debora, pleq të rinj të shkëlqyer po aq të mençur sa Elihu, pionierë të guximshëm po aq të zellshëm sa Jefteu dhe gra e burra besnikë po aq të duruar sa Jobi? Sa mirënjohës i jemi Jehovait që ka ruajtur për ne «gjithçka që u shkrua kohë më parë», në mënyrë që «me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë»!

Ja pra, për këto arsye botimet tona të viteve të fundit nuk janë përpjekur të gjejnë modele profetike e plotësime, por e kanë vënë theksin te mësimet që mund të nxjerrim nga tregimet biblike.

^ par. 2 Ose për tipa dhe antitipa.