Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mësojmë nga ilustrimi i talentave

Të mësojmë nga ilustrimi i talentave

«Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një.»MAT. 25:15.

1, 2. Pse e bëri Jezui ilustrimin e talentave?

KUR bëri shëmbëlltyrën e talentave, Jezui tregoi qartë një përgjegjësi që mbajnë mbi supe dishepujt e tij të mirosur. Duhet ta kuptojmë domethënien e kësaj shëmbëlltyre sepse ndikon te të gjithë ne si të krishterë të vërtetë, pavarësisht nëse do të shpërblehemi me jetën në qiell apo kemi shpresën të jetojmë në tokë.

2 Shëmbëlltyrën e talentave Jezui e dha ndërsa po i përgjigjej pyetjes së dishepujve për ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’. (Mat. 24:3) Kështu, shëmbëlltyra përmbushet në kohën tonë dhe është pjesë e shenjës që tregon se Jezui është i pranishëm e po qeveris si Mbret.

3. Ç’mësojmë nga ilustrimet që gjejmë te kapitujt 24 dhe 25 të Mateut?

3 Shëmbëlltyra e talentave është një nga katër ilustrimet e lidhura me njëra-tjetrën që gjejmë te Mateu 24:45–25:46. Edhe tri të tjerat—ilustrimi për skllavin e besueshëm e të matur, ai për dhjetë virgjëreshat dhe ai për delet e cjeptë—janë pjesë e përgjigjes që dha Jezui kur e pyetën për shenjën e pranisë së tij. Në të katra ilustrimet, Jezui hedh dritë mbi vetitë që do t’i dallonin dishepujt e tij të vërtetë në këto ditë të fundit. Ilustrimet për skllavin, për virgjëreshat dhe për talentat ua drejtoi dishepujve të tij të mirosur. Në ilustrimin për skllavin e besueshëm, Jezui thekson sa e nevojshme është që grupi i vogël i të mirosurve, të cilit i ka besuar përgjegjësinë të ushqejë shtëpiakët e tij gjatë ditëve të fundit, të jetë i besueshëm dhe i matur. Në shëmbëlltyrën e virgjëreshave, Jezui vë në dukje se gjithë dishepujt e tij të mirosur duhet të jenë të përgatitur dhe vigjilentë, pasi e dinë se Jezui po vjen, por nuk e dinë ditën a orën. Në shëmbëlltyrën e talentave, Jezui tregon se të mirosurit duhet të jenë të papërtuar ndërsa përmbushin përgjegjësitë e krishtere. Ilustrimin e fundit, shëmbëlltyrën e deleve dhe cjepve, Jezui ua drejton atyre me shpresë tokësore. Ai thekson se duhet të jenë besnikë dhe t’i mbështetin pa u kursyer vëllezërit e mirosur të Jezuit në tokë. * Tani të përqendrohemi tek ilustrimi i talentave.

ZOTËRIA U JEP SKLLEVËRVE TË TIJ NJË PASURI

4, 5. Kë paraqet njeriu, ose zotëria, dhe sa vlente një talentë?

4 Lexo Mateun 25:14-30. Prej kohësh botimet tona kanë shpjeguar se njeriu, ose zotëria, në ilustrim është Jezui dhe se ai iku në dhé të huaj kur u ngjit në qiell më 33 të e.s. Në një shëmbëlltyrë të mëparshme, Jezui tregon për ç’qëllim iku në dhé të huaj: «Që të siguronte pushtet mbretëror.» (Luka 19:12) Jezui nuk siguroi menjëherë pushtet të plotë si Mbret kur u kthye në qiell. * Në vend të kësaj, «u ul në të djathtën e Perëndisë, duke pritur që nga ajo kohë, derisa armiqtë e tij të vihen si stol për këmbët e tij».—Hebr. 10:12, 13.

5 Njeriu në ilustrim zotëronte tetë talenta, një pasuri përrallore për atë kohë. * Para se të ikte në dhé të huaj, ua shpërndau talentat skllevërve të tij dhe priste të bënin tregti me to kur të mos ishte aty. Ashtu si ai njeri, Jezui zotëronte diçka me vlerë të pashoqe para se të ngjitej në qiell. Çfarë? Përgjigjja lidhet me veprën që ishte boshti i jetës së tij.

6, 7. Çfarë simbolizojnë talentat?

6 Jezui i dha rëndësi të madhe veprës së tij të predikimit dhe të mësimdhënies. (Lexo Lukën 4:43.) Me anë të saj, kultivoi një fushë pjellore, me potencial të jashtëzakonshëm. Më parë ai u kishte thënë dishepujve: «Ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» (Gjoni 4:35-38) E kishte fjalën për mbledhjen e plot njerëzve të tjerë me zemër të sinqertë që do të bëheshin dishepuj të tij. Ashtu si një fermer i mirë, Jezui nuk do ta braktiste një fushë gati për korrje pa treguar pikë kujdesi për të. Prandaj, pak pasi u ringjall dhe para se të ngjitej në qiell, u ngarkoi dishepujve këtë detyrë të rëndësishme: «Shkoni dhe bëni dishepuj.» (Mat. 28:18-20) Kështu, Jezui u besoi një thesar të vyer: shërbimin e krishterë.—2 Kor. 4:7.

7 Atëherë, ç’përfundim mund të nxjerrim? Kur u ngarkoi detyrën të bënin dishepuj, Jezui, si të thuash, po u linte në dorë dishepujve «zotërimet e veta»—talentat e tij. (Mat. 25:14) Me dy fjalë, talentat simbolizojnë përgjegjësinë për të predikuar e për të bërë dishepuj.

8. Çfarë priste zotëria nga të gjithë skllevërit, ndonëse morën sasi të ndryshme talentash?

8 Shëmbëlltyra e talentave tregon se zotëria i dha njërit skllav pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri vetëm një. (Mat. 25:15) Edhe pse çdo skllav mori një sasi të ndryshme talentash, zotëria priste që të gjithë të tregoheshin të papërtuar kur t’i përdornin talentat, pra të jepnin më të mirën në shërbim. (Mat. 22:37; Kolos. 3:23) Në shekullin e parë, duke nisur nga festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s., dishepujt e Krishtit zunë të bënin tregti me talentat. Në librin biblik të Veprave ka një mal me dëshmi për punën e tyre të papërtuar në predikim dhe në bërjen e dishepujve. *Vep. 6:7; 12:24; 19:20.

BËJNË TREGTI ME TALENTAT NË DITËT E FUNDIT

9. (a) Çfarë bënë me talentat dy skllevërit besnikë, dhe ç’tregon kjo? (b) Ç’rol luajnë ‘delet e tjera’?

9 Në ditët e fundit, sidomos që nga viti 1919 e tutje, skllevërit e mirosur besnikë të Krishtit në tokë kanë bërë tregti me talentat e Zotërisë. Ashtu si dy skllevërit e parë, motrat dhe vëllezërit e mirosur kanë bërë më të mirën me gjithë sa munden. Nuk ka pse të hamendemi se kush mori pesë talenta e kush mori dy. Në ilustrim të dy skllevërit e dyfishuan atë që u dha zotëria, pra të dy u treguan njësoj të papërtuar. Po ç’rol luajnë ata me shpresë tokësore? Një rol vërtet të rëndësishëm. Ilustrimi i Jezuit për delet e cjeptë na mëson se ata me shpresë tokësore kanë nderin të mbështetin me besnikëri vëllezërit e mirosur të Jezuit në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Gjatë këtyre ditëve të fundit kritike, të dyja grupet punojnë së bashku si «një kope e vetme» ndërsa kryejnë me zell veprën e bërjes së dishepujve.—Gjoni 10:16.

10. Cila është një veçori e spikatshme e shenjës së pranisë së Jezuit?

10 Zotëria pret me të drejtë fitime. Siç u përmend më sipër, s’ka dyshim që dishepujt besnikë në shekullin e parë i shtuan zotërimet e tij. Ç’mund të themi për këto ditë të fundit kur po përmbushet shëmbëlltyra e talentave? Vepra e predikimit dhe e bërjes së dishepujve që kryejnë shërbëtorët besnikë e të palodhur të Jezuit është më e madhja në histori. Falë përpjekjeve të tyre të përbashkëta, qindra mijë dishepuj të rinj u janë shtuar çdo vit radhëve të lajmëtarëve të Mbretërisë. Gjithë kjo e ka bërë këtë vepër një veçori të spikatshme të pranisë së Jezuit me pushtetin si Mbret. S’do mend që Zotëria i tyre duhet të jetë i kënaqur!

Krishti u ka besuar shërbëtorëve të tij përgjegjësinë e vyer të predikimit (Shih paragrafin 10.)

KUR DO TË VIJË TË MBYLLË LLOGARITË ZOTËRIA?

11. Pse nxjerrim përfundimin se Jezui do t’i mbyllë llogaritë gjatë shtrëngimit të madh?

11 Jezui do të vijë të mbyllë llogaritë me skllevërit e tij nga fundi i shtrëngimit të madh që është te dera. Pse arrijmë në këtë përfundim? Në profecinë e tij që gjejmë te kapitujt 24 dhe 25 të Mateut, Jezui e përmendi herë pas here ardhjen ose mbërritjen e vet. Duke folur për gjykimin gjatë shtrëngimit të madh, tha se njerëzit «do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit». Dishepujve të tij që do të jetonin në ditët e fundit iu përgjërua të ishin vigjilentë, duke thënë: «Nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj» dhe «Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni». (Mat. 24:30, 42, 44) Prandaj, kur Jezui tha se «zotëria i atyre skllevërve erdhi dhe mbylli llogaritë», është e qartë se e kishte fjalën për kohën kur do të vijë të ekzekutojë gjykimin në fund të këtij sistemi. *Mat. 25:19.

12, 13. (a) Çfarë u thotë zotëria dy skllevërve të parë, dhe pse? (b) Kur e marrin vulosjen përfundimtare të mirosurit? (Shih kutinë « Japin llogari para se të vdesin».) (c) Çfarë shpërblimi do të marrin ata që gjykohen si dele?

12 Sipas shëmbëlltyrës, kur zotëria vjen, vëren se dy skllevërit e parë—ai që mori pesë talenta dhe ai që mori dy—janë treguar të besueshëm, pasi secili i ka dyfishuar talentat. Zotëria u thotë të dyve të njëjtat fjalë: «Të lumtë, skllav i mirë dhe i besueshëm! Ti u tregove i besueshëm kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra.» (Mat. 25:21, 23) Atëherë, ç’mund të presim në të ardhmen kur Zotëria, pra Jezui që ka marrë lavdi, të vijë për të ekzekutuar gjykimin?

13 Dishepujt e tij të mirosur të palodhur, që paraqiten nga dy skllevërit e parë, do ta kenë marrë vulosjen përfundimtare para se të shpërthejë shtrëngimi i madh. (Zbul. 7:1-3) Para Harmagedonit, Jezui do t’u japë shpërblimin e premtuar qiellor. Ata me shpresë tokësore që i mbështetën vëllezërit e Krishtit në veprën e predikimit do të jenë gjykuar si dele e do t’u jepet privilegji të jetojnë në pjesën tokësore të Mbretërisë.—Mat. 25:34.

NJË SKLLAV I LIG DHE I PLOGËSHT

14, 15. A donte të thoshte Jezui se shumë vëllezër të tij të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht? Shpjegoni.

14 Në shëmbëlltyrë, skllavi i tretë e groposi talentën e tij në vend që të bënte tregti me të ose të paktën ta depozitonte te bankierët. Ai skllav shfaqi një frymë të keqe sepse sabotoi me dashje interesat e zotërisë. Me të drejtë zotëria e quajti skllav «i lig dhe i plogësht». Ai ia mori talentën dhe ia dha atij që kishte dhjetë. Pastaj, skllavin e lig e flakën «jashtë në errësirë». ‘Atje do të qante dhe do të kërcëllinte dhëmbët.’—Mat. 25:24-30; Luka 19:22, 23.

15 Meqë një nga tre skllevërit e fshehu talentën e tij, a donte të thoshte Jezui këtu se një e treta e dishepujve të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht? Jo. Të mbajmë parasysh kontekstin. Në ilustrimin e skllavit të besueshëm e të matur, Jezui foli për një skllav të lig që i rrihte skllevërit e tjerë. Ai nuk po parathoshte se do të krijohej një klasë skllavi të lig. Në vend të kësaj, po e paralajmëronte skllavin e besueshëm të mos shfaqte tiparet e një skllavi të lig. Po njësoj, me ilustrimin e dhjetë virgjëreshave Jezui nuk po tregonte se gjysma e dishepujve të mirosur do të ishin si pesë virgjëreshat mendjelehta. Përkundrazi, po i paralajmëronte vëllezërit e tij frymorë se ç’do të ndodhte po të mos qëndronin vigjilentë e të mos ishin të përgatitur. * Prandaj, brenda këtij konteksti, duket logjike të nxjerrim përfundimin se me ilustrimin e talentave Jezui nuk po thoshte që gjatë ditëve të fundit shumë vëllezër të tij të mirosur do të tregoheshin të ligj e të plogësht. Në vend të kësaj, po i paralajmëronte dishepujt e mirosur të mbeteshin të papërtuar—pra ‘të bënin tregti’ me talentat—dhe të mos shfaqnin qëndrimet e veprimet e një skllavi të lig.—Mat. 25:16.

16. (a) Ç’mësime nxjerrim nga shëmbëlltyra e talentave? (b) Si na e ka përmirësuar ky artikull kuptueshmërinë për shëmbëlltyrën e talentave? (Shih kutinë « Të kuptojmë ilustrimin e talentave».)

16 Cilat janë dy mësimet që nxjerrim nga shëmbëlltyra e talentave? Së pari, Zotëria, Krishti, u ka besuar skllevërve të tij të mirosur diçka që për të është e vyer: detyrën që të predikojnë e të bëjnë dishepuj. Së dyti, Krishti pret që të gjithë ne të jemi të papërtuar në veprën e predikimit. Po të veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se Zotëria do të na shpërblejë për besimin, vigjilencën dhe besnikërinë që tregojmë.—Mat. 25:21, 23, 34.

^ par. 3 Se kush është skllavi i besueshëm dhe i matur trajtohet në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, faqet 21, 22, paragrafët 8-10. Se cilët janë virgjëreshat shpjegohet në artikullin e kaluar të kësaj reviste. Ilustrimi për delet e cjeptë shpjegohet te Broshura me artikujt e studimit (br2) 1995, faqet 38-43, dhe në artikullin vijues të kësaj reviste.

^ par. 5 Në kohën e Jezuit, një talentë vlente afro 6.000 denarë. Një punëtori të zakonshëm, që fitonte një denar në ditë, i duhej të punonte nja 20 vjet për të fituar vetëm një talentë.

^ par. 8 Pas vdekjes së apostujve, Satanai i dha shtysë apostazisë, e cila lulëzoi për shekuj me radhë. Gjatë asaj kohe, nuk u bënë përpjekje të pandërprera që të kryhej detyra për të bërë dishepuj të vërtetë të Krishtit. Por e gjithë kjo do të ndryshonte gjatë «korrjes», domethënë gjatë ditëve të fundit. (Mat. 13:24-30, 36-43) Shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, faqet 9-12.

^ par. 15 Shih paragrafin 13 të artikullit «A do të qëndroni ‘vigjilentë’?» në këtë numër.