Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të qëndroni «vigjilentë»?

A do të qëndroni «vigjilentë»?

«Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën.»MAT. 25:13.

1, 2. (a) Çfarë tregoi Jezui për ditët e fundit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

DUHET të ketë qenë një përvojë mbresëlënëse të uleshe atje në Malin e Ullinjve—me pamje nga tempulli i Jerusalemit—dhe të dëgjoje Jezuin tek thoshte një nga profecitë e tij më interesante. Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni e ndiqnin tërë sy e vesh ndërsa Jezui i çonte në të ardhmen e largët me atë profeci. U tregoi goxha për ditët e fundit të këtij sistemi botëror të lig, për kohën kur do të qeveriste në Mbretërinë e Perëndisë. U tha se gjatë asaj kohe vendimtare «skllavi i besueshëm dhe i matur» do ta përfaqësonte në tokë e do t’u jepte shërbëtorëve të tij ushqim frymor tamam kur t’u duhej.—Mat. 24:45-47.

2 Pastaj, në po atë profeci, Jezui dha shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. (Lexo Mateun 25:1-13.) Le të përqendrohemi te këto pyetje: (1) cili është mesazhi bazë i kësaj shëmbëlltyre? (2) Si e kanë zbatuar të mirosurit besnikë këshillën e shëmbëlltyrës, dhe me çfarë rezultati? (3) Si mund të nxjerrë dobi secili prej nesh sot nga shëmbëlltyra e Jezuit?

Ç’MESAZH PËRCJELL SHËMBËLLTYRA?

3. Ç’metodë është përdorur në të kaluarën për të shpjeguar shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, dhe cila mund të ketë qenë pasoja?

3 Siç e pamë në artikullin e kaluar, gjatë dekadave të fundit skllavi i besueshëm gradualisht i ka shpjeguar Shkrimet duke e vënë më pak theksin te tablotë simbolike profetike dhe më tepër te zbatimi praktik. Në të kaluarën, herë pas here literatura jonë u jepte kuptim simbolik edhe hollësive të vogla të shëmbëlltyrës së Jezuit për dhjetë virgjëreshat, duke përfshirë llambat, vajin, poçet e vajit e kështu me radhë. Por mos ndoshta kështu po lejonim që mesazhi i thjeshtë e urgjent i shëmbëlltyrës të mos ishte më në qendër të vëmendjes? Siç do ta shohim, përgjigjja ka rëndësi jetësore.

4. Si mund të identifikojmë në shëmbëlltyrë (a) dhëndrin? (b) virgjëreshat?

4 Le të shohim cili është mesazhi bazë i Jezuit në këtë shëmbëlltyrë. Së pari, të ndalemi te personazhet kryesore. Kush është dhëndri i shëmbëlltyrës? Është e qartë se Jezui po fliste për veten. Madje, në një rast tjetër, e quajti veten dhëndri. (Luka 5:34, 35) Po virgjëreshat? Në shëmbëlltyrë, Jezui thotë se virgjëreshat kanë përgjegjësinë të rrinë gati me llambat ndezur derisa të vijë dhëndri. Vër re këto udhëzime të ngjashme që i dha Jezui ‘kopesë së vogël’ të dishepujve të mirosur: «Ngjishni ijët dhe mbajini ndezur llambat dhe jini si njerëzit që presin zotërinë e tyre të kthehet nga dasma.» (Luka 12:32, 35, 36) Veç kësaj, edhe apostulli Pavël, edhe apostulli Gjon u frymëzuan nga Perëndia t’i krahasonin dishepujt e mirosur të Krishtit me virgjëresha të dëlira. (2 Kor. 11:2; Zbul. 14:4) Pa dyshim, Jezui e dha shëmbëlltyrën te Mateu 25:1-13 për t’i këshilluar dhe për t’i paralajmëruar dishepujt e tij të mirosur.

5. Si e tregoi Jezui se në cilën periudhë do të zbatohej shëmbëlltyra e tij?

5 Së dyti, të shohim kohën kur ndodh kjo. Për cilën periudhë vlente këshilla e Jezuit? Nga fundi i shëmbëlltyrës Jezui na jep një tregues të qartë kohor kur thotë: «Mbërriti dhëndri.» (Mat. 25:10) Siç u tha në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2013, profecia e Jezuit që gjendet në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut e përmend tetë herë ardhjen ose ‘mbërritjen’ e tij; çdo herë përdoret një formë e së njëjtës fjalë greke. Në secilin rast Jezui e kishte fjalën për atë kohë gjatë shtrëngimit të madh kur do të vijë të shpallë gjykimin dhe pastaj ta shkatërrojë këtë sistem botëror. Pra, duket qartë se kjo shëmbëlltyrë zbatohet gjatë ditëve të fundit, por pjesa kulminante e saj ndodh gjatë shtrëngimit të madh.

6. Duke marrë parasysh kontekstin, cili është mesazhi bazë i shëmbëlltyrës?

6 Cili është mesazhi bazë i shëmbëlltyrës? Të sjellim ndër mend kontekstin. Jezui sapo kishte folur për ‘skllavin e besueshëm e të matur’. Ai skllav do të ishte një grup i vogël burrash të mirosur që do t’u printe dishepujve të Krishtit gjatë ditëve të fundit. Jezui i paralajmëroi ata burra se duhet të qëndrojnë besnikë se s’bën. Pastaj, e zgjeroi këndvështrimin e dha këtë shëmbëlltyrë që t’i këshillonte të gjithë dishepujt e mirosur në ditët e fundit ‘të qëndronin vigjilentë’, nëse nuk donin t’u ikte nga duart shpërblimi i tyre i çmuar. (Mat. 25:13) Le ta shqyrtojmë më nga afër shëmbëlltyrën për të parë si e kanë zbatuar të mirosurit këshillën e saj.

SI E KANË ZBATUAR TË MIROSURIT KËSHILLËN E SHËMBËLLTYRËS?

7, 8. (a) Cilat qenë dy vetitë që i ndihmuan virgjëreshat e matura të ishin gati? (b) Si kanë treguar të mirosurit se janë të përgatitur?

7 Shëmbëlltyra e Jezuit thekson se, ndryshe nga virgjëreshat mendjelehta, të maturat qenë gati për ardhjen e dhëndrit. Pse? Falë dy vetive: ishin të përgatitura dhe ishin vigjilente. Virgjëreshat, që ishin caktuar të vigjilonin natën e të pritnin të vinte dhëndri, duhej t’i mbanin llambat ndezur e të qëndronin zgjuar gjatë gjithë orëve të pambarim deri në ngjarjen drithëruese. Por, ndryshe nga ato që u treguan mendjelehta, pesë virgjëresha ishin vërtet të përgatitura pasi kishin marrë me vete edhe poçe me vaj rezervë përveç llambave. Po njësoj, a kanë treguar të mirosurit besnikë se janë të përgatitur?

8 Patjetër! Gjatë gjithë ditëve të fundit, të krishterët e mirosur kanë vepruar si këto virgjëresha të matura, duke marrë masa që ta kryejnë caktimin e tyre besnikërisht deri në fund. Ata llogaritin çmimin e shërbimit besnik dhe e kanë të qartë qysh në fillim se për hir të caktimit të tyre duhet të heqin dorë nga shumë të mira materiale që ofron bota e Satanait. I përkushtohen vetëm Jehovait dhe i shërbejnë jo me ndonjë datë ose afat në mendje, por të motivuar nga dashuria dhe besnikëria ndaj tij dhe të Birit. Mbajnë integritetin dhe nuk ia lejojnë vetes të pasqyrojnë frymën e kësaj bote të ligë dhe qëndrimet e saj materialiste, imorale e egoiste. Kështu qëndrojnë gati, duke shkëlqyer pa pushim si ndriçues, pa u stepur edhe nëse duket sikur Dhëndri po vjen me vonesë.—Filip. 2:15.

9. (a) Si paralajmëroi Jezui për rrezikun e prirjes që kemi të gjithë për të dremitur? (b) Si i janë përgjigjur të mirosurit britmës «po vjen dhëndri»? (Shih edhe shënimin.)

9 Vetia e dytë që i ndihmoi ato virgjëresha të rrinin gati ishte vigjilenca. A mund të ndodhte që të krishterët e mirosur si individë të dremitnin ndërsa vigjilonin në orët e pambarim të natës? Po. Vini re se Jezui thotë për dhjetë virgjëreshat se «të gjithave iu var koka dhe i zuri gjumi» gjatë vonesës në dukje të dhëndrit. Jezui e dinte mirë se edhe një frymë e gatshme dhe e zjarrtë mund të pengohet nga dobësia e mishit. Të mirosurit besnikë ia kanë vënë veshin paralajmërimit që donte të jepte Jezui dhe kanë punuar akoma më fort që të rrinë vigjilentë, syhapur. Në shëmbëlltyrë, të gjitha virgjëreshat iu përgjigjën britmës që ushtoi natën: «Po vjen dhëndri!» Ama vetëm vigjilentet ngulmuan deri në fund. (Mat. 25:5, 6; 26:41) Po ç’mund të themi për të mirosurit besnikë sot? Gjatë gjithë ditëve të fundit, ata u janë përgjigjur dëshmive të forta që duket sikur japin kushtrimin «po vjen dhëndri»—është te pragu. Edhe ata kanë ngulmuar duke ndenjur përherë gati për ardhjen e Dhëndrit. * Megjithatë, pjesa kulminante e shëmbëlltyrës përqendrohet te një periudhë më specifike. Pse vallë?

SHPËRBLIM PËR TË MATURAT DHE NDËSHKIM PËR MENDJELEHTAT

10. Ç’pyetje lind nga dialogu mes virgjëreshave të matura dhe mendjelehtave?

10 Ndoshta pjesa më enigmatike e shëmbëlltyrës është aty nga fundi, në dialogun mes virgjëreshave mendjelehta dhe të maturave. (Lexo Mateun 25:8, 9.) Nga ai dialog lind pyetja: «Kur vallë gjatë historisë së popullit të Perëndisë, besnikët do të refuzonin t’i ndihmonin ata që kërkonin ndihmë?» Zgjidhja e enigmës del në pah nëse mendojmë edhe një herë për kohën kur do të ndodhte kjo. Sill ndër mend se, sipas kuptueshmërisë së qartësuar, Jezui, pra Dhëndri, vjen për të gjykuar afër fundit të shtrëngimit të madh. A nuk është logjike, pra, që kjo pjesë e shëmbëlltyrës të përqendrohet tek ajo që ndodh tamam para atij gjykimi vendimtar? Me sa duket po, sepse atëherë të mirosurit do të kenë marrë vulosjen përfundimtare.

11. (a) Ç’do të ndodhë tamam para se të nisë shtrëngimi i madh? (b) Ç’tregon përgjigjja e virgjëreshave të matura kur u thonë mendjelehtave të shkojnë te shitësit e vajit?

11 Kështu pra, para se të nisë shtrëngimi i madh, gjithë të mirosurit besnikë në tokë do të kenë marrë vulosjen përfundimtare. (Zbul. 7:1-4) Që nga ai moment, thirrja e tyre është e sigurt. Por të mendojmë për vitet para se të nisë shtrëngimi. Ç’do të ndodhë sikur disa të mirosur të mos qëndrojnë syçelë e të mos mbajnë integritetin? Ata do ta humbin shpërblimin qiellor. Pa dyshim që nuk do ta marrin vulosjen përfundimtare para se të fillojë shtrëngimi. Në vend të tyre do të jenë mirosur besnikë të tjerë. Kur të nisë shtrëngimi, mendjelehtët mund të shtangen tek shohin shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Mbase vetëm në atë moment do ta kuptojnë se nuk janë gati për ardhjen e Dhëndrit. Ç’do të ndodhë nëse kërkojnë ndihmë gjithë dëshpërim në atë orë të vonë? Përgjigjen e hidhur e gjejmë te shëmbëlltyra e Jezuit. Virgjëreshat e matura refuzuan të jepnin nga vaji i tyre për të ndihmuar mendjelehtat dhe u thanë të shkonin më mirë te shitësit e vajit. Ama të mos harrojmë se ishte ‘mesi i natës’. A do të gjenin dot shitës vaji në atë orë? Jo, do të ishte tepër vonë.

12. (a) Cila përvojë e hidhur e pret gjatë shtrëngimit të madh këdo që ishte i mirosur por u tregua jobesnik para vulosjes përfundimtare? (b) Si do të përfundojnë ata që u ngjajnë virgjëreshave mendjelehta?

12 Po njësoj, gjatë shtrëngimit të madh të mirosurit besnikë nuk mund të ndihmojnë ndonjë që do të jetë treguar jobesnik. Për të s’do të ketë ndihmë. Do të jetë tepër vonë. Si do të përfundojnë, pra, jobesnikët? Jezui shpjegon ç’ndodhi kur virgjëreshat mendjelehta shkuan më kot të blinin vaj: «Mbërriti dhëndri dhe virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë, dhe dera u mbyll.» Kur Krishti të vijë në lavdinë e tij afër fundit të shtrëngimit, do t’i mbledhë në qiell të mirosurit e tij besnikë. (Mat. 24:31; 25:10; Gjoni 14:1-3; 1 Sel. 4:17) Dera do të mbyllet vërtet për jobesnikët që ngjajnë me virgjëreshat mendjelehta. Do të jetë sikur ata të thërrasin: «Imzot, imzot, na e hap derën!» Por do të marrin një përgjigje si ajo që u jepet gjithë atyre që ngjajnë me cjeptë në atë orë gjykimi: «Po ju them të vërtetën: unë nuk ju njoh.» Sa keq!—Mat. 7:21-23; 25:11, 12.

13. (a) Pse nuk duhet të nxjerrim përfundimin se shumë dishepuj të mirosur të Krishtit do të tregohen jobesnikë? (b) Pse paralajmërimi i Jezuit mund të merret edhe si shprehje e sigurisë së tij te të mirosurit? (Shih figurën hapëse.)

13 Ç’përfundim mund të nxjerrim nga sa u tha më sipër? A donte të thoshte Jezui se shumë shërbëtorë të tij të mirosur do të tregoheshin jobesnikë dhe duheshin zëvendësuar? Jo. Kujtoni se ai sapo kishte paralajmëruar ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ të mos kthehej kurrë në skllav të lig. Kjo nuk nënkupton se Jezui e priste një fund të tillë. Po njësoj, në këtë shëmbëlltyrë jepet një paralajmërim i fortë. Ashtu si pesë virgjëresha u treguan mendjelehta dhe pesë të matura, çdo i mirosur e ka plotësisht në dorë të zgjedhë ose rrugën e përgatitjes dhe të vigjilencës, ose rrugën e marrëzisë dhe të jobesnikërisë. Perëndia e frymëzoi apostullin Pavël të theksonte një pikë të ngjashme kur iu drejtua bashkëbesimtarëve të mirosur. (Lexo Hebrenjve 6:4-9; krahaso Ligjin e përtërirë 30:19.) Paralajmërimi i Pavlit ishte goxha i prerë, por pas tij shprehu me dashuri bindjen se motrat dhe vëllezërit e krishterë i pritnin gjëra ‘më të mira’. Edhe paralajmërimi në shëmbëlltyrën e Jezuit është dhënë me po këtë siguri nga zemra. Krishti e di se çdokush nga shërbëtorët e tij të mirosur mund të qëndrojë besnik dhe të marrë shpërblimin e mrekullueshëm.

SI MUND TË NXJERRIN DOBI ‘DELET E TJERA’ TË KRISHTIT?

14. Pse mund të nxjerrin dobi edhe ‘delet e tjera’ nga shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave?

14 Meqë Jezui ua drejtoi dishepujve të tij të mirosur shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, a duhet të nxjerrim përfundimin se ky fragment nuk vlen hiç për ‘delet e tjera’ të Krishtit? (Gjoni 10:16) Kurrsesi! Të mos harrojmë se shëmbëlltyra ka këtë mesazh të thjeshtë: «Qëndroni vigjilentë.» A zbatohet kjo vetëm për të mirosurit? Një herë Jezui tha: «Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.» (Mar. 13:37) Jezui kërkon që gjithë dishepujt e tij të përgatitin zemrën për të shërbyer me besnikëri dhe të mbajnë të njëjtin nivel vigjilence. Kështu, gjithë të krishterët imitojnë të mirosurit në këtë drejtim dhe ndjekin shembullin e tyre të mirë duke vënë shërbimin në vend të parë në jetë. Gjithashtu, secili nga ne të mbajë parasysh se virgjëreshat mendjelehta iu kërkuan të maturave t’u jepnin ca nga vaji i tyre. Kjo kërkesë e kotë na kujton se askush tjetër nuk mund të jetë besnik, të qëndrojë në të vërtetën ose të rrijë vigjilent në vendin tonë. Secili prej nesh do t’i japë llogari Gjykatësit të drejtë që ka caktuar Jehovai. Duhet të jemi gati. Ai është te pragu!

Fjalët ‘shkoni e merrni vaj’ na kujtojnë se askush tjetër nuk mund të jetë besnik ose të qëndrojë vigjilent në vendin tonë

15. Pse gjithë të krishterët e vërtetë e presin plot emocion martesën e Krishtit me nusen e tij?

15 Veç kësaj, gjithë të krishterët mund të nxjerrin dobi nga ngjarja kryesore e shëmbëlltyrës së Jezuit. E pra, kush nga ne nuk e pret me padurim këtë martesë të ardhshme? Të mirosurit do të jenë lart në qiell; pas luftës së Harmagedonit, ata do të bëhen nusja e Krishtit. (Zbul. 19:7-9) Çdokush që do të jetë atëherë në tokë do të nxjerrë dobi nga martesa qiellore, sepse ajo siguron një qeveri të përsosur për të gjithë. Cilado qoftë shpresa jonë për të ardhmen, qiellore a tokësore, le të jemi të vendosur ta zbatojmë mësimin jetësor të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave. Qofshim gati duke përgatitur zemrën dhe duke mbetur të patundur, përherë vigjilentë! Vetëm kështu do të gëzojmë të ardhmen fantastike që ka ndër mend për ne Jehovai.

^ par. 9 Në shëmbëlltyrë është e qartë se ka një interval mes britmës «po vjen dhëndri» (vargu 6) dhe ardhjes ose mbërritjes së tij në të vërtetë (vargu 10). Gjatë gjithë ditëve të fundit, të mirosurit vigjilentë e kanë dalluar shenjën e pranisë së Jezuit. Kështu e dinë se ai «po vjen» ngaqë po qeveris si Mbret. Vështirësia është të ngulmojnë derisa ai të vijë ose të mbërrijë vërtet.