Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse përjashtimi është një masë e dashur

Pse përjashtimi është një masë e dashur

«KUR dëgjova njoftimin se im bir ishte përjashtuar, sikur m’u përmbys bota,—kujton Juliani.—Ai ishte djali i madh dhe qemë shumë të lidhur; bënim tërë ato gjëra bashkë. Gjithmonë kish qenë djalë shembullor, kur befas nisi të sillej në mënyrë të papranueshme. Sime shoqeje nuk i shternin lotët, dhe unë nuk dija si ta ngushëlloja. Vritnim mendjen pareshtur se mos kishim qenë prindër të këqij.»

Si mund të thuhet se përjashtimi i një të krishteri është masë e dashur nëse shkakton kaq shumë dhimbje? Ç’arsye biblike ka për të marrë masa të tilla drastike? Dhe pikërisht çfarë çon në përjashtimin e një Dëshmitari?

DY FAKTORË QË ÇOJNË NË PËRJASHTIM

Janë dy faktorë që—kur ndodhin njëherazi—çojnë në përjashtimin e një Dëshmitari të Jehovait. Së pari, një Dëshmitar i pagëzuar kryen një mëkat serioz. Së dyti, nuk pendohet për këtë mëkat.

Edhe pse nuk kërkon përsosmëri nga ne, Jehovai ka një standard shenjtërie dhe pret që shërbëtorët e tij ta respektojnë. Për shembull, Jehovai kërkon medoemos të shmangim mëkate të tilla serioze, si imoralitetin seksual, idhujtarinë, vjedhjen, zhvatjen, vrasjen dhe spiritizmin.1 Kor. 6:9, 10; Zbul. 21:8.

A nuk je dakord se normat e pastra të Jehovait janë të arsyeshme dhe se shërbejnë për të na mbrojtur? E kujt nuk i pëlqen të jetojë mes njerëzve paqësorë e për së mbari që mund t’u zësh besë? E shijojmë një atmosferë të tillë mes vëllezërve dhe motrave në besim falë premtimit që bëmë kur iu kushtuam Perëndisë, pra se do të jetonim në harmoni me drejtimin e Fjalës së tij.

Po sikur një i krishterë i pagëzuar të kryejë mëkat serioz nga dobësia njerëzore? Në të kaluarën, disa shërbëtorë besnikë të Jehovait bënë mëkate të tilla, por Perëndia nuk i flaku tej krejt. Një shembull që spikat është mbreti David. Ai kreu kurorëshkelje dhe vrasje. Prapëseprapë, profeti Natan e njoftoi: «Jehovai e lë të kalojë mëkatin tënd.»2 Sam. 12:13.

Perëndia ia fali mëkatin Davidit ngaqë u pendua me gjithë zemër. (Psal. 32:1-5) Edhe sot, një shërbëtor i Jehovait përjashtohet vetëm nëse është i papenduar ose vazhdon të praktikojë të keqen. (Vep. 3:19; 26:20) Nëse pleqtë që shërbejnë në një komitet gjyqësor nuk shohin pendim të sinqertë, duhet të marrin masën e përjashtimit.

Në fillim, mbase mendojmë se vendimi për ta përjashtuar keqbërësin është drastik a madje jomirëdashës, sidomos nëse kemi lidhje të ngushta me të. Gjithsesi, Fjala e Jehovait na jep arsye të forta për të besuar se ky është një vendim i dashur.

PËRJASHTIMI ËSHTË NË TË MIRËN E GJITHKUJT QË PËRFSHIHET

Jezui theksoi se «mençuria del e drejtë me anë të veprave» ose rezultateve të veta. (Mat. 11:19) Vendimi i mençur për të përjashtuar një keqbërës të papenduar sjell rezultate të drejta. Të shohim tri:

Përjashtimi i keqbërësve nderon emrin e Jehovait. Përderisa mbajmë emrin e Jehovait, sjellja jonë ndikon se s’bën tek ajo që mendojnë njerëzit për emrin e Tij. (Isa. 43:10) Ashtu si një djalë ose i nderon, ose i turpëron prindërit me sjelljen e tij, edhe ndjenjat e njerëzve ndaj Jehovait do të varen deri diku nga shembulli i mirë a i keq i atyre që mbajnë emrin e tij. Emri i mirë i Perëndisë ruhet nëse populli që mban emrin e Jehovait jeton sipas normave të tij morale. Në kohën e Ezekielit situata ishte pak a shumë njësoj: njerëzit e kombeve e lidhnin emrin e Jehovait me judenjtë.Ezek. 36:19-23.

Po të praktikonim imoralitetin, do të hidhej baltë mbi emrin e shenjtë të Perëndisë. Apostulli Pjetër i këshilloi të krishterët: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj, por në përputhje me të Shenjtin që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!’» (1 Pjet. 1:14-16) Sjellja e shenjtë ose e pastër nderon emrin e Perëndisë.

Mirëpo, nëse një Dëshmitar i Jehovait praktikon mëkatin, miqtë dhe të njohurit ka gjasa ta kuptojnë këtë. Përjashtimi tregon se Jehovai ka një popull të pastër, i cili u bindet besnikërisht udhëzimeve biblike me qëllim që ta ruajë këtë shenjtëri. Në Zvicër, një i panjohur shkoi në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë dhe tha se donte të bëhej pjesëtar i kongregacionit. Motra e tij ishte përjashtuar për imoralitet. Ai tha se donte t’i bashkohej një organizate që «nuk e toleron sjelljen e keqe».

Përjashtimi mbron kongregacionin e pastër të krishterë. Apostulli Pavël i paralajmëroi korintasit për rrezikun që u kanosej po të lejonin të mbetej në gjirin e tyre kush mëkatonte me dashje. Ndikimin e keq të këtyre njerëzve e krahasoi me ndikimin e majasë që bën të vijë krejt brumi. Pasi shkroi «pak maja e bën të vijë gjithë brumin», Pavli i këshilloi: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.»—1 Kor. 5:6, 11-13.

Me sa duket, ‘i ligu’ që përmendi Pavli praktikonte imoralitetin në mënyrë flagrante. Madje disa pjesëtarë të tjerë të kongregacionit kishin nisur ta justifikonin sjelljen e tij. (1 Kor. 5:1, 2) Po të bëhej një sy qorr para këtij mëkati të rëndë, të krishterët e tjerë mund të ndiheshin të prirur të ndiqnin rrugët imorale të qytetit të tyre të shthurur. Pra, nëse mbyllet një sy para mëkateve të kryera me dashje, inkurajohet një qëndrim shpërfillës ndaj normave të Perëndisë. (Ekl. 8:11) Veç kësaj, mëkatarët e papenduar mund të bëhen «shkëmbinj të fshehur nën ujë» dhe t’u rrënojnë besimin të tjerëve në kongregacion.Jud. 4, 12.

Përjashtimi mund ta sjellë në vete keqbërësin. Njëherë Jezui foli për një të ri që iku nga shtëpia e të atit dhe e bëri rrush e kumbulla trashëgiminë duke u dhënë pas një jete të shfrenuar. Ky bir plëngprishës e provoi në kurriz të vet sa e zbrazët dhe e egër ishte jeta jashtë shtëpisë së të atit. Më në fund erdhi në vete, u pendua dhe mori iniciativën të kthehej te familja e tij. (Luka 15:11-24) Jezui përshkroi gëzimin e babait të dashur kur i biri ndryshoi qëndrim, e kjo na ndihmon të kuptojmë si ndihet Jehovai. Vetë Jehovai na siguron: «Unë nuk kënaqem me vdekjen e të ligut, por që i ligu të kthejë rrugë e të jetojë akoma.»Ezek. 33:11.

Po njësoj, të përjashtuarit që nuk janë më pjesëtarë të kongregacionit të krishterë—të familjes së tyre frymore—mund të arrijnë ta kuptojnë se çfarë kanë humbur. Frytet e hidhura të rrugës së tyre mëkatare, bashkë me kujtimet e ditëve më të lumtura kur gëzonin marrëdhënie të mirë me Jehovain e me popullin e tij, mund t’i sjellin në vete.

Që të arrihet rezultati i dëshiruar, kërkohet dashuri dhe vendosmëri. Psalmisti David tha: «Po të më godasë i drejti, do të jetë dashamirësi nga ana e tij. Po të më qortojë, do të jetë si vaji mbi kokë.» (Psal. 141:5) Për ta ilustruar, përfytyro një ekskursionist të cilin e vë poshtë lodhja në një ditë të ftohtë dimri. Temperatura e trupit fillon t’i ulet ndjeshëm dhe i rëndohen qepallat. Po ta zërë gjumi në borë, do të vdesë. Teksa presin t’u vijë ndihma, shoku i vet herë pas here i bie me shuplaka në fytyrë që ta mbajë zgjuar. Mbase shuplaka i përcëllon, ama mund t’i shpëtojë jetën. Në mënyrë të ngjashme, Davidi e pranoi se një të drejti mund t’i duhej që, për të mirën e tij, t’i jepte një korrigjim të dhimbshëm.

Në mjaft raste, përjashtimi i jep atij që ka gabuar disiplinën e nevojshme. Pasi kaluan afro dhjetë vjet, djali i Julianit, që u përmend në fillim, e pastroi jetën, u kthye në kongregacion dhe tani shërben si plak. Ai pranon: «Përjashtimi më vuri ballë për ballë me pasojat e jetës që bëja. Kisha nevojë për atë lloj disipline.»Hebr. 12:7-11.

MËNYRA E DASHUR PËR T’I TRAJTUAR TË PËRJASHTUARIT

Vërtet, përjashtimi është një tragjedi frymore, por s’ka pse të kthehet në katastrofë të plotë. Të gjithë ne luajmë një rol që përjashtimi të arrijë qëllimin pse u dha.

Bëhen përpjekje për t’i ndihmuar të penduarit të kthehen te Jehovai

Pleqtë, që kanë detyrën e trishtueshme të komunikojnë vendimin për përjashtim, bëjnë çmos të pasqyrojnë dashurinë e Jehovait. Kur e informojnë personin për vendimin e tyre, i shpjegojnë qartë e me dashamirësi çfarë hapash duhet të bëjë që të rivendoset në kongregacion. Pleqtë mund t’i vizitojnë herë pas here të përjashtuarit që kanë dhënë ndonjë shenjë se kanë ndërruar rrugë, për t’u kujtuar si mund të kthehen te Jehovai. *

Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë dashuri për kongregacionin dhe për atë që ka gabuar duke respektuar vendimin e përjashtimit. Juliani shprehet: «Edhe pse ai ishte ende im bir, jeta që bënte kishte ngritur një mur mes nesh.»

Të gjithë në kongregacion mund të tregojnë dashurinë e bazuar te parimet duke shmangur kontaktet dhe bisedat me të përjashtuarin. (1 Kor. 5:11; 2 Gjon. 10, 11) Kështu përforcojnë disiplinën që i ka dhënë Jehovai me anë të pleqve. Veç kësaj, mund t’u japin më shumë dashuri dhe mbështetje familjarëve të të përjashtuarit, që vuajnë goxha dhe që nuk duhet të ndihen sikur edhe ata janë mënjanuar nga shoqëria e bashkëbesimtarëve.Rom. 12:13, 15.

Juliani përfundon: «Përjashtimi është një masë që na nevojitet, që na ndihmon të jetojmë sipas normave të Jehovait. Me kohë, pavarësisht nga dhimbja, ajo jep fryte të mira. Sikur të isha treguar tolerant ndaj sjelljes së keqe të tim biri, ai s’do ta kishte marrë veten kurrë.»

^ par. 24 Shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1991, faqet 21-23 (anglisht).